Psalmet 137
Albanian Bible
137 Atje, pranë lumenjve të Babilonisë, rrinim ulur dhe qanim, duke kujtuar Sionin;
2 mbi shelgjet e kësaj toke kishim varur qestet tona.
3 Atje, ata që na kishin çuar në robëri, na kërkonin fjalët e një kënge, po, ata që na shtypnin kërkonin këngë gëzimi, duke thënë: "Na këndoni një këngë të Sionit".
4 Si mund të këndonim këngët e Zotit në një vend të huaj?
5 Në rast se të harroj ty, o Jeruzalem, e harroftë dora ime e djathtë çdo shkathtësi;
6 m’u lidhtë gjuha me qiellzën, në rast se nuk të kujtoj ty, në rast se nuk e vë Jeruzalemin përmbi gëzimin tim më të madh.
7 Mbaji mënd, o Zot, bijtë e Edomit, që ditën e Jeruzalemit thonin: Shkatërrojini, shkatërrojini që nga themelett".
8 O bijë e Babilonisë, që duhet të shkatërrohesh, lum ai që do ta lajë të keqen që na ke bërë!
9 Lum ai që merr foshnjët e tua dhe i përplas kundër shkëmbit!
Fjalët e urta 29:23-25
Albanian Bible
23 Kryelartësia e njeriut e çon poshtë atë, por ai që ka një shpirt të përvuajtur do të ketë lavdi.
24 Kush bëhet ortak me një vjedhës urren jetën e vet. Ai dëgjon betimin, por nuk padit asgjë.
25 Frika e njeriut përbën një lak, por ai që ka besim te Zoti është i siguruar.
Read full chapter
Gjoni 13:31-38
Albanian Bible
31 Kur doli ai, Jezusi tha: “Tani Biri i njeriut është përlëvduar dhe Perëndia është përlëvduar në të.
32 Në qoftë se Perëndia është përlëvduar në të, Perëndia do ta përlëvdojë edhe në vetvete dhe do ta përlëvdojë menjëherë.
33 Djema, edhe për pak kohë jam me ju; ju do të më kërkoni, por ashtu siç u kam thënë Judenjve: "Atje ku po shkoj unë ju nuk mund të vini". Kështu tani po ju them edhe juve.
34 Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin.
35 Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.”
36 Simon Pjetri i tha: “Zot, ku po shkon?.” Jezusi iu përgjigj: “Atje ku po shkoj unë, ti nuk mund të më ndjekësh tani; por më vonë do të më ndjekësh.”
37 Pjetri i tha: “Zot, pse nuk të ndiqkam dot tani? Unë do të jap jetën time për ty!.”
38 Jezusi iu përgjigj: “Ti do ta japësh jetën tënde për mua? Në të vërtetë, në të vërtetë po të them: gjeli nuk do të këndojë, para se ti të më kesh mohuar tri herë!.”
Read full chapter
Zbulesa 8
Albanian Bible
8 Edhe kur ai hapi vulën e shtatë, në qiell u bë heshtje për rreth gjysmë orë.
2 Dhe unë i pashë të shtatë engjëjt që qëndrojnë përpara Perëndisë, dhe atyre u dha shtatë bori.
3 Pastaj erdhi një engjëll tjetër që kishte një temianicë ari dhe ndaloi pranë altarit; dhe iu dha shumë erë e këndshme që t’ua shtonte lutjeve të të gjithë shenjtorëve mbi altarin prej ari që ishte përpara fronit.
4 Dhe tymi i erëve të këndshme, të ofruara me lutjet e shenjtorëve, u ngrit përpara Perëndisë nga dora e engjëllit.
5 Pastaj enjëlli mori temianicën, e mbushi nga zjarri i altarit dhe e hodhi mbi dhe; dhe u bënë zëra, bubullima, vetima dhe një tërmet.
6 Dhe të shtatë engjëjt që kishin të shtatë boritë u bënë gati t’i bien borisë.
7 Engjëlli i parë i ra borisë, dhe u bë breshër e zjarr, i përzier me gjak, dhe u hodhën mbi dhe; dhe e treta e pemëve u dogj tërësisht, dhe çdo bar i njomë u dogj tërësisht.
8 Dhe engjëlli i dytë i ra borisë dhe diçka si një mal i madh që digjet nga zjarri u hodh në det, dhe e treta e detit u bë gjak;
9 dhe e treta e krijesave që rrojnë në det ngordhi, dhe e treta e anijeve u shkatërruan.
10 Dhe i treti engjëll i ra borisë, dhe ra nga qielli një yll i madh që digjej si pishtar, dhe ra mbi pjesën e tretë të lumenjve dhe mbi burimet e ujërave.
11 Dhe emri i yllit është "pelin" dhe e treta e ujërave u bë pelin; dhe shumë njerëz vdiqën për shkak të këtyre ujërave, sepse u bënë të hidhura.
12 Dhe i katërti engjëll i ra borisë, dhe u godit pjesa e tret e diellit dhe pjesa e tret e hënës dhe pjesa e tret e yjeve, që të errësohej e treta e tyre dhe e treta e ditës e humbi shkëlqimin e saj, kështu edhe nata.
13 Dhe pashë, dhe dëgjova një engjëll që fluturonte në mes të qiellit dhe thoshte me zë të madh: “Mjerë, mjerë, mjerë atyre që banojnë mbi dhe, për shkak të të rënave të tjera të borive që të tre engjëjtë do t’i bien.”