A A A A A
Bible Book List

Luka 8Albanian Bible (ALB)

Dhe pas kësaj ndodhi që ai shkonte nëpër qytete dhe nëpër fshatra, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë; me të ishin të dymbëdhjetët,

dhe disa gra, të cilat i kishte shëruar nga shpirtërat e këqij dhe nga sëmundjet: Maria, e quajtur Magdalenë, prej së cilët pati dëbuar shtatë demonë,

Joana, gruaja e Kuzës, administratorit të Herodit, Suzana dhe shumë të tjera të cilat e ndihmonin atë me pasuritë e tyre.

Si u mblodh një turmë e madhe dhe i erdhën njerëz nga çdo qytet, Jezusi tha në shëmbëlltyrë:

“Një mbjellës doli të mbjellë farën e vet; dhe, ndërsa po mbillte, një pjesë ra gjatë rrugës, u shkel dhe zogjtë e qiellit e hëngrën.

Një pjesë tjetër ra në gurishte dhe, sapo mbiu, u tha për mungesë vlage.

Një pjesë tjetër ra ndër ferra; ferrat u rritën bashkë me të dhe ia zunë frymën.

Kurse një pjesë ra në tokë të mirë, mbiu dhe dha fryt njëqindfish.” Si i tha këto gjëra, thirri: “Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!.”

Atëherë dishepujt e vet e pyetën çfarë kuptimi kishte ajo shëmbëlltyrë.

10 Dhe ai tha: “Juve ju është dhënë të njihni misteret e mbretërisë së Perëndisë; por të tjerëve me anë të shëmbëlltyrave, që ata, duke shikuar të mos shohin dhe, duke dëgjuar të mos kuptojnë.

11 Ky është kuptimi i shëmbëlltyrës: fara është fjala e Perëndisë.

12 Ata përgjatë rrugës janë ata që e dëgjojnë fjalën; por pastaj vjen djalli dhe ua merr fjalën nga zemra e tyre, që ata të mos besojnë dhe të mos shpëtojnë.

13 Ata mbi gurishte janë ata që, kur dëgjojnë, e presin fjalën me gëzim; por ata nuk kanë rrënjë, besojnë për njëfarë kohe, por në momentin e sprovës tërhiqen.

14 Pjesa që ka rënë ndër ferra janë ata që e dëgjuan fjalën; por, gjatë rrugës, ua zënë frymën shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj jete, dhe nuk arrijnë të piqen.

15 Por pjesa që ra në tokë të mirë janë ata që, pasi e dëgjuan fjalën, e ruajnë në zemër të ndershme dhe të mirë dhe japin fryt me qëndrueshmëri.”

16 “Askush, pasi të ketë ndezur llambën, nuk e mbulon me një enë ose e fut nën shtrat, por e vë mbi mbajtësen e vet me qëllim që ata që hyjnë të shohin dritë.

17 Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që nuk do të zbulohet, as sekret që të mos njihet dhe të dalë në dritë.

18 Prandaj tregoni kujdes se si dëgjoni, sepse atij që ka, do t’i jepet, kurse atij që nuk ka, do t’i hiqet edhe ajo që ai kujton se ka.”

19 Nëna e tij dhe vëllezërit e tij erdhën tek ai, por nuk mund t’i afroheshin për shkak të turmës.

20 Dhe nga disa i ishte thënë: “Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të të shohin.”

21 Por ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e vënë në praktikë.”

22 Në një prej atyre ditëve ndodhi që Jezusi hipi në një barkë bashkë me dishepujt e vet dhe u tha: “Të kalojmë në bregun tjetër të liqenit.” Dhe ata u larguan nga bregu.

23 Ndërsa po lundronin, atë e zuri gjumi; dhe një furtunë ra mbi liqen, aq sa barka po mbushej, dhe ishin në rrezik.

24 Atëherë ata iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: “Mësues, Mësues, po mbytemi!.” Dhe ai u zgjua, i bërtiti erës dhe tërbimit të ujit; dhe këto u qetësuan dhe u bë bunacë.

25 Dhe Jezusi u tha dishepujve të vet: “Ku është besimi juaj?.” Dhe ata, të frikësuar, mrekulloheshin dhe i thoshnin njeri tjetrit: “Vallë, kush është ky, që urdhëron edhe erën dhe ujin, dhe ata i binden?.”

26 Pastaj lundruan drejt krahinës së Gadareasve, që ndodhet përballë Galilesë;

27 dhe, porsa Jezusi zbriti në tokë, i doli përpara një njeri nga ai qytet, i cili prej shumë kohe ishte pushtuar nga demonët, nuk vishte rroba, nuk banonte në shtëpi, por ndër varreza.

28 Kur e pa Jezusin, lëshoi një britmë, iu hodh ndër këmbë dhe tha me zë të lartë: “Ç’ka mes meje dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë Shumë të Lartë? Të lutem, mos më mundo!.”

29 Sepse Jezusi po i jepte urdhër frymës së ndyrë të dilte nga ai njeri, sepse shumë herë e kishte pushtuar dhe ndonëse e kishin lidhur me zinxhirë e me pranga dhe e ruanin, ai i këpuste prangat dhe shtyhej prej demonit nëpër shkretëtirat.

30 Dhe Jezusi e pyeti duke thënë: “Si e ke emrin?.” Dhe ai u përgjigj: “Legjion.” Sepse shumë demonë i kishin hyrë në të.

31 Dhe ata e lutnin të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë.

32 Dhe aty ishte një tufë e madhe derrash që kullotnin në mal, dhe këta demonë iu lutën t’i lejonte të hynin në ta. Ai ua lejoi atyre.

33 Atëherë demonët, si dolën nga ai njeri, hynë te derrat, dhe ajo tufë u turr nga gremina në liqen dhe u mbyt.

34 Kur panë ç’ndodhi, ata që i ruanin derrat ikën dhe e çuan lajmin në qytet e nëpër fshatra.

35 Atëherë njerëzit dolën për të parë ç’kishte ndodhur dhe erdhën te Jezusi, dhe gjetën atë njeri, nga i cili kishin dalë demonët, të ulur te këmbët e Jezusit, të veshur dhe me mendje në rregull, dhe patën frikë.

36 Ata që e kishin parë ngjarjen, u treguan atyre si ishte shëruar i idemonizuari.

37 Atëherë gjithë popullsia e krahinës së Gadareasve, i kërkoi Jezusit të largohej prej tyre, sepse i kishte zënë një frikë e madhe. Dhe Jezusi hyri në barkë dhe u kthye mbrapa.

38 Ndërkaq njeriu prej të cilit dolën demonët, i lutej të rrinte me të; por Jezusi e përcolli duke i thënë:

39 “Kthehu në shtëpinë tënde dhe trego çfarë gjërash të mëdha ka bërë Perëndia për ty.” Dhe ai shkoi anembanë qytetit duke treguar gjërat e mëdha që Jezusi bëri për të.

40 Ndodhi që, kur Jezusi u kthye, turma e mirëpriti sepse të gjithë e prisnin.

41 Dhe ja, erdhi një njeri me emër Jair, që ishte kryetari i sinagogës; ai i ra ndër këmbë Jezusit dhe iu lut të shkonte në shtëpinë e tij,

42 sepse ai kishte një vajzë të vetme rreth dymbëdhjetë vjeçe, që ishte për vdekje. Ndërsa Jezusi po shkonte atje, turma po shtyhej përreth tij.

43 Dhe një grua që kishte një fluks gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh dhe kishte shpenzuar ndër mjekë gjithë pasurinë e saj, pa mundur që të shërohej nga njeri,

44 iu afrua nga pas dhe i preku cepin e rrobës së tij dhe në atë çast iu pre fluksi i gjakut.

45 Dhe Jezusi tha: “Kush më preku?.” Mbasi të gjithë e mohuan, Pjetri dhe ata që ishin me të, thanë: “Mësues, turmat po shtyhen dhe po të ndeshin dhe ti thua: "Kush më preku?".”

46 Por Jezusi tha: “Dikush më preku, sepse e ndjeva që një fuqi doli prej meje.”

47 Atëherë gruaja, duke parë se nuk mbeti e padiktuar, erdhi, duke u dridhur e tëra, dhe i ra ndër këmbë dhe i deklaroi në prani të gjithë popullit, përse e kishte prekur dhe si ishte shëruar në çast.

48 Dhe ai i tha: “Merr zemër, bijë; besimi yt të shëroi; shko në paqe!.”

49 Ndërsa Jezusi vazhdonte të fliste, erdhi një nga shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe i tha: “Vajza jote vdiq, mos e shqetëso Mësuesin.”

50 Por Jezusi, mbasi i dëgjoi këto, i tha: “Mos druaj; ti vetëm beso dhe ajo do të shpëtojë.”

51 Si arriti në shtëpi, nuk la asnjeri të hyjë, përveç Pjetrit, Gjonit dhe Jakobit, dhe atin e nënën e vajzës.

52 Të gjithë qanin dhe mbajtën zi. Por ai tha: “Mos qani; ajo nuk ka vdekur, por po fle.”

53 Dhe ata e përqeshnin; duke e ditur se kishte vdekur.

54 Por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, e kapi për dore dhe thirri duke thënë: “Vajzë, çohu!.”

55 Asaj iu kthye fryma e saj dhe menjëherë u çua; pastaj Jezusi urdhëroi që t’i jepnin të hante.

56 Dhe prindërit e saj mbetën të habitur. Por Jezusi i porositi të mos i thonin kurrkujt ç’kishte ndodhur.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes