A A A A A
Bible Book List

Luka 15Albanian Bible (ALB)

15 Pastaj të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin për ta dëgjuar.

Dhe farisenjtë dhe skribët murmuritnin duke thënë: “Ky i pranon mëkatarët dhe ha bashkë me ta.”

Atëherë ai u tha këtë shëmbëlltyrë:

“Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë?

Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz;

dhe, kur arrin në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur..

Dhe unë po ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen.

Ose, cila grua që ka dhjetë dhrahmi dhe humbet një nga ato, nuk ndez llambën, nuk e fshin shtëpinë dhe nuk kërkon me kujdes derisa ta gjejë?

Dhe, kur e gjen, fton tok shoqet dhe fqinjët, duke thënë: "Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta dhrahminë që kisha humbur".

10 Po kështu po ju them: do të ketë gëzim në mes të engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet.”

11 Tha akoma: “Një njeri kishte dy bij.

12 Më i riu i tyre i tha babait: "Atë, më jep pjesën e pasurisë që më takon". Dhe i ati ua ndau mes tyre pasurinë.

13 Mbas pak ditësh biri më i ri mblodhi çdo gjë, shkoi në një vend të largët dhe atje e prishi gjithë pasurinë, duke bërë një jetë të shthurur.

14 Por, si i shpenzoi të gjitha, në atë vend ra një zi e madhe buke, dhe ai filloi të jetë në hall.

15 Atëherë shkoi e iu ngjit pas një banori të atij vendi, i cili e çoi në arat e tij që të ruajë derrat.

16 Dhe ai dëshironte të mbushte barkun me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte.

17 Atëherë erdhi në vete dhe tha: "Sa punëtorëve mëditës të atit tim u tepron buka, kurse unë po vdes nga uria!

18 Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë dhe do t’i them: Atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje;

19 nuk jam më i denjë të quhem yt bir; trajtomë si një nga mëditësit e tu".

20 U çua, pra, dhe shkoi tek i ati. Por kur ishte ende larg, i ati e pa dhe dhembshuri; u lëshua vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi.

21 Dhe i biri i tha: "O atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt".

22 Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: "Sillni këtu rrobën më të bukur dhe visheni, i vini një unazë në gisht dhe sandale në këmbë.

23 Nxirrni jashtë viçin e majmur dhe thereni; të hamë dhe të gëzohemi,

24 sepse ky biri im kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri". Dhe filluan të bënin një festë të madhe.

25 Djali i tij i madh ishte në ara; dhe kur u kthye dhe iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle.

26 Atëherë thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ishte e gjitha kjo.

27 Dhe ai i tha: "U kthye yt vëlla dhe yt atë theri viçin e majmur, sepse iu kthye djali shëndoshë e mirë".

28 Kur i dëgjoj këto, ai u zemërua dhe nuk deshi të hynte; atëherë i ati doli dhe iu lut të hynte.

29 Por ai iu përgjigj të atit dhe tha: "Ja, u bënë kaq vite që unë të shërbej dhe kurrë s’kam shkelur asnjë nga urdhërat e tu, e megjithëatë kurrë s’më dhe një kec për të bërë një festë me miqtë e mi.

30 Por, kur u kthye ky djali yt, që prishi pasurinë tënde me prostituta, ti there për të viçin e majmur".

31 Atëherë i ati i tha: "O bir, ti je gjithmonë me mua, dhe çdo gjë që kam është jotja.

32 Por duhet të festojmë dhe të gëzohemi, sepse ky vëllai yt kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri".”

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes