Ligji i Përtërirë 12-14
Albanian Bible
12 "Këto janë statutet dhe dekretet që duhet të keni kujdes të respektoni në vendin që Zoti, Perëndia i etërve të tu, të ka dhënë si trashëgimi për të gjitha ditët që do të jetoni mbi tokë.
2 Do të shkatërroni tërësisht të gjitha vendet ku kombet që jetoni duke përzënë u shërbejnë perëndive të tyre; mbi malet e larta, mbi kodrat dhe nën çdo pemë që gjelbëron.
3 Do të rrënoni altarët e tyre, do të copëtoni kolonat e tyre të shenjta, do t’u vini flakën Asherimëve të tyre, do të rrëzoni shëmbëlltyrat e gdhendura të perëndive të tyre, do të zhdukni emrin e tyre nga këto vende.
4 Nuk do të veproni kështu me Zotin, Perëndinë tuaj,
5 por do ta kërkoni në vendin që Zoti, Perëndia juaj, do të zgjedhë midis tërë fiseve tuaj, për t’iu vënë emrin e tij si banesë e tij; dhe aty do të shkoni;
6 aty do të çoni olokaustet dhe flijimet tuaja, të dhjetat tuaja, ofertat e larta të duarve tuaja, ofertat tuaja të kushtimit dhe ofertat vullnetare, si dhe të parëlindurit e bagëtive të trasha dhe të imta;
7 dhe aty do të hani përpara Zotit, Perëndisë tuaj, dhe do të gëzoheni, ju dhe familjet tuaja, për të gjitha ato që keni shtënë në dorë dhe për të cilat Zoti, Perëndia juaj, do t’ju bekojë.
8 Nuk do të veproni ashtu siç veprojmë sot këtu, ku secili bën të gjitha ato që i duken të drejta në sytë e tij,
9 sepse nuk keni hyrë akoma në pushimin dhe në trashëgiminë që Zoti, Perëndia juaj, ju jep.
10 Por ju do të kaloni Jordanin dhe do të banoni në vendin që Zoti, Perëndia juaj, ju jep në trashëgimi; dhe ai do t’ju japë pushim nga të gjithë armiqtë tuaj që ju rrethojnë dhe ju do të keni një banim të sigurt.
11 Atëherë do të ketë një vend ku Zoti, Perëndia juaj, do të zgjedhë për të venduar emrin e tij dhe aty do të çoni tërë ato që unë ju urdhëroj: olokaustet tuaja, flijimet tuaja, të dhjetat tuaja, ofertat e larta të duarve tuaja dhe të gjitha ofertat e zgjedhura që i keni premtuar si kusht Zotit.
12 Dhe do të gëzoheni përpara Zotit, Prëndisë tuaj, ju, bijtë dhe bijat tuaja, shërbëtorët dhe shërbëtoret tuaja, dhe Leviti që do të banojë brenda portave tuaja, sepse ai nuk ka as pjesë, as trashëgimi midis jush.
13 Ki kujdes të mos ofrosh olokaustet e tua në çdo vend që sheh;
14 por në vendin që Zoti do të zgjedhë në një nga fiset e tua, atje do të ofrosh olokaustet e tua dhe aty do të bësh çdo gjë që unë të urdhëroj.
15 Por sa herë që të duash, mund të vrasësh kafshë dhe të hash mishin e tyre në të gjitha qytetet, simbas bekimit që të ka bërë Zoti; atë mund ta hanë si i papastri, ashtu dhe i pastri, siç bëhet me mishin e gazelës dhe të drerit;
16 por nuk do të hani gjakun e tyre; do ta derdhni mbi tokë siç derdhet uji.
17 Brenda qyteteve të tua nuk mund të hash të dhjetat e grurit tënd, të mushtit tënd, të vajit tënd, as pjellën e parë të bagëtive të tua të trasha dhe të imta, as atë që ke premtuar si zotim as në ofertat e tua vullnetare, as në ofertat e larta të duarve të tua.
18 Por do t’i hash përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që Zoti, Perëndia yt, ka për të zgjedhur, ti, biri yt dhe bija jote, shërbëtori yt dhe shërbëtorja jote, dhe Leviti që do të banojë brenda portave të tua; dhe do të gëzosh përpara Zotit, Perëndisë tënd, çdo gjë mbi të cilën ti vë dorë.
19 Ki kujdes të mos shpërfillësh Levitin, deri sa të jetosh në atë vend.
20 Kur Zoti, Perëndia yt, do t’i zgjerojë kufijtë e tu, ashtu si të ka premtuar, dhe ti do të thuash: "Do të ha mish," sepse ke dëshirë të hash mish, do të mund të hash mish sa herë që e dëshiron.
21 Në qoftë se vendi që Zoti, Perëndia yt, ka zgjedhur për të venduar emrin e tij do të jetë larg teje, mund të vrasësh kafshë nga bagëtia e trashë dhe e imët, ashtu si të kam urdhëruar; dhe mund të hash brenda portave të tua sa herë të duash.
22 Vetëm do ta hash ashtu siç hahet mishi i gazelës dhe i drerit; do të mundë ta hajë si i papastri ashtu edhe i pastri.
23 Por ruhu se ha gjakun, sepse gjaku është jeta; dhe ti nuk do ta hash jetën bashkë me mishin.
24 Nuk do ta hash, por do ta derdhësh për tokë ashtu siç bëhet me ujin.
25 Nuk do ta hash me qëllim që të përparosh ti dhe bijtë e tu mbas teje, pse keni bërë një gjë që është e drejtë në sytë e Zotit.
26 Por gjërat e shenjta që ke për të ofruar dhe ato të premtuara si kusht, do t’i marrësh dhe do të shkosh në vendin që ka zgjedhur Zoti,
27 dhe do të ofrosh olokaustet e tua, të plota, mishin dhe gjakun mbi altarin e Zotit, Perëndisë tënd; gjaku i flijimeve të tua përkundrazi do të shpërndahet mbi altarin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe ti do të hash mishin e tyre.
28 Ki kjdes dhe bindju të gjitha fjalëve që të urdhëroj, që të përparosh ti dhe bijtë e tu pas teje, pse keni bërë atë që është e mirë dhe e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë tënd.
29 Kur Zoti, Perëndia yt, do të ketë shfarosur para teje kombet që ti shkon për t’i shpronësuar, dhe kur t’i kesh shpronësuar dhe të banosh në vendin e tyre,
30 ruhu të mos biesh në kurthin e ngritur, duke ndjekur shembullin e tyre, pasi ata janë shkatërruar para teje, dhe të informohesh mbi perënditë e tyre, duke thënë: "Si u shërbenin këto kombe perëndive të tyre? Edhe unë do të veproj kështu".
31 Ti nuk do të veprosh kështu me Zotin, me Perëndinë tënd, sepse ata me perënditë e tyre kanë bërë tërë ato gjëra të neveritshme për Zotin dhe që ai i urren; kanë djegur madje në zjarr bijtë dhe bijat e tyre për nder të perëndive të tyre.
32 Do të kujdeseni të zbatoni në praktikë tërë gjërat që ju urdhëroj; nuk do t’u shtoni as do t’u hiqni asgjë".
13 "Në rasat se midis jush del një profet apo një ëndërrimtar dhe ju propozon një shenjë apo një mrekulli,
2 dhe shenja apo mrekullia për të cilën ju foli realizohet dhe ai thotë: Le të shkojmë pas perëndive të tjera që ti nuk i ke njohur kurrë dhe le t’uu shërbejmë,"
3 ti nuk do të dëgjosh fjalët e këtij profeti apo të këtij ëndërrimtari, sepse Zoti, Perëndia juaj, ju vë në provë për të ditur në se e doni Zotin, Perëndinë tuaj, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.
4 Do të shkoni pas Zotit, Perëndisë tuaj, do të keni frikë nga ai, do të respektoni urdhërimet e tij, do t’i bindeni zërit të tij, do t’i shërbeni dhe do të jeni të lidhur ngushtë me të.
5 Por ai profet ose ai ëndërrimtar do të vritet, sepse ka folur në mënyrë që t’ju largojë nga Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit dhe ju çliroi nga shtëpia e skllavërisë, për t’ju çuar jashtë rrugës në të cilën Zoti, Perëndia yt, të ka urdhëruar të ecësh. Në këtë mënyrë do të shkulësh të keqen nga gjiri yt.
6 Në rast se vëllai yt, bir i nënës sate, biri yt ose bija jote, gruaja që prehet mbi gjirin tënd apo shoku që ti e do si shpirtin tënd të nxit fshehtazi, duke thënë: "Shkojmë t’u shërbejmë perëndive të tjera," që as ti, as etrit e tu nuk i keni njohur kurrë,
7 hyjnive të popujve që ju rrethojnë, që janë pranë apo larg teje, nga një skaj i tokës deri në skajin tjetër të tokës,
8 mos iu nënshtro atij dhe mos e dëgjo; syri yt nuk duhet të ketë mëshirë për të; mos e kurse, mos e fsheh.
9 Por ti duhet ta vrasësh; dora jote të jetë e para që të ngrihet kundër tij, për ta vrarë; pastaj le të vijë dora e gjithë popullit.
10 Ti do ta vrasësh me gurë dhe ai do të vdesë, sepse ka kërkuar të të largojë nga Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë.
11 Kështu tërë Izraeli do ta dëgjojë këtë ngjarje dhe do të ketë frikë, e nuk ka për të kryer më asnjë veprim të keq si ky në gjirin tënd.
12 Në qoftë se një ndër qytetet e tua që Zoti, Perëndia yt, të jep për të banuar, dëgjon të thuhet
13 që njerëz të çoroditur kanë dalë nga gjiri juaj dhe kanë mashtruar banorët e qytetit të tyre duke thënë: "Shkojmë t’u shërbejmë perëndive të tjera," që ju nuk i keni njohur kurrë,
14 ti do të bësh hetime, kërkime dhe do të marrësh me kujdes në pyetje; dhe në qoftë se është e vërtetë dhe e sigurt që ky veprim i neveritshëm është kryer me të vërtetë në gjirin tënd,
15 atëherë do të vrasësh me shpatën tënde banorët e atij qyteti, duke vendosur shfarosjen e tij dhe gjithçka që ndodhet në të; do të vrasësh edhe bagëtinë e tij.
16 Pastaj do të mbledhësh tërë plaçkën e tij në mes të sheshit dhe do ta djegësh me zjarr qytetin dhe tërë plaçkën e tij përpara Zotit, Perëndisë tuaj; ajo do të mbetet një grumbull gërmadhash për gjithnjë dhe nuk do të rindërtohet më kurrë.
17 Prandaj asgjë nga ato që janë caktuar të shkatërrohen të mos ju ngjitet në dorë, me qëllim që Zoti të heqë dorë nga zjarri i zemërimit të tij dhe të tregohet i dhimshur t’i vijë keq për ty dhe të të shumëzojë, ashtu siç u është betuar etërve tuaj,
18 sepse ti e dëgjove zërin e Zotit, Perëndisë tënd, duke respektuar të gjitha urdhërimet e tij që po të përcakton sot duke bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë tuaj".
14 "Ju jeni bijtë e Zotit, Perëndisë tuaj; nuk do të bëni asnjë prerje dhe nuk do të rruheni midis syve për një të vdekur;
2 sepse ti je një popull i shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd, dhe Zoti të ka zgjedhur për të qenë një popull i tij, një thesar i veçantë ndër të gjithë popujt që janë mbi faqen e dheut.
3 Nuk do të hash asgjë të neveritshme.
4 Këto janë kafshët që mund të hani: lopa, delja, dhia,
5 dreri, gazela, dhia e egër, stambeku, antilopa dhe kaprolli.
6 Mund të hani çdo kafshë që e ka thundrën të ndarë, dhe që përtypet midis kafshëve.
7 Por nga ato që vetëm përtypen dhe që kanë vetëm thundrën të ndarë nuk do të hani devenë, lepurin dhe baldosën, që përtypen por nuk e kanë thundrën të ndarë; për ju janë të papastra;
8 edhe derri, që e ka thundrën të ndarë por nuk përtypet, është i papastër për ju. Nuk do të hani mishin e tyre dhe nuk do të prekni trupat e tyre të vdekur.
9 Ndër të gjitha kafshët që rrojnë në ujë, mund të hani të gjitha ato që kanë pendë dhe luspa;
10 por nuk do të hani asnjë nga ato që nuk kanë pendë dhe luspa; janë të papastra për ju.
11 Mund të hani çdo zog të pastër;
12 por nuk do të hani këto: shqiponjën, shqiponjën e detit dhe fajkuan e detit,
13 qiftin, fajkuan dhe çdo lloj zhgabe,
14 çdo lloj korbi,
15 strucin, kukuvajkën mjekroshe, pulëbardhën dhe çdo lloj krahathatë,
16 bufin, ibisin, mjellmën,
17 pelikanin, martin peshkatarin, kormoranin,
18 lejlekun, çdo lloj gate, pupëzën dhe lakuriqin e natës.
19 Çdo insekt që fluturon është i papastër për ju; nuk do ta hani.
20 Por mund të hani çdo zog që është i pastër.
21 Nuk do të hani asnjë kafshë që ka ngordhur në mënyrë të natyrshme; mund t’ua jepni të huajve që janë brenda portave tuaja që t’i hanë ose mund t’ua shisni një të huaji, sepse ti je një popull që i je shenjtëruar Zotit, Perëndisë tënd. Nuk do ta gatuash kecin bashkë në qumështin e nënes së tij.
22 Do të zotohesh të japësh të dhjetën e asaj që mbjell dhe që të prodhon ara çdo vit.
23 Do të hash përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai ka zgjedhur si vendbanim për emrin e tij, të dhjetën e grurit tënd, të mushtit tënd, të vajit tënd, dhe pjelljen e parë të tufave të bagëtive të trasha dhe të imta, në mënyrë që ti të mësosh të kesh gjithnjë frikë nga Zoti, Perëndia yt.
24 Por në rast se rruga është shumë e gjatë për ty dhe nuk mund t’i çosh deri atje të dhjetat, sepse vendi që Zoti, Perëndia yt, ka caktuar për të vendosur emrin e tij është shumë larg nga ty, kur Zoti, Perëndia yt, do të të ketë bekuar,
25 atëherë do t’i këmbesh ato me para dhe me paratë në dorë do të shkosh në vendin që ka zgjedhur Zoti, Perëndia yt;
26 dhe do t’i përdorësh këto para për të blerë të gjitha ato që dëshiron zemra jote: lopë, dele, verë, pije dehëse, ose çfarëdo gjë që dëshiron zemra jote; dhe aty do të hash përpara Zotit, Perëndisë tënd, dhe do të gëzohesh ti bashkë me familjen tënde.
27 Përveç kësaj nuk do të lesh pas dore Levitin, që banon brenda portave të tua, sepse ai nuk ka pjesë as trashëgimi me ty.
28 Në fund të çdo tre viteve, do të vësh mënjanë të gjitha të dhjetat e prodhimeve të tua të vitit të tretë, dhe do t’i vendosësh brenda portave të tua;
29 dhe Leviti, që nuk ka pjesë as trashëgimi me ty, dhe i huaji, jetimi dhe e veja që gjenden brenda portave të tua, do të vinë, do të hanë dhe do të ngopen, me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të të bekojë në çdo punë që do të të zërë dora".