A A A A A
Bible Book List

Ligji i Përtërirë 23Albanian Bible (ALB)

23 "Ai që është tredhur me anë të shtypjes apo të gjymtimit, nuk ka për të hyrë në asamblenë e Zotit.

Një kopil nuk do të hyjë në asamblenë e Zotit; asnjë nga pasardhësit e tij, qoftë edhe ata të brezit të dhjetë, s’ka për të hyrë në asamblenë e Zotit.

Amoniti dhe Moabiti nuk do të hyjnë në asamblenë e Zotit, asnjë nga pasardhësit e tyre, as edhe në brezin e dhjetë, nuk kanë për të hyrë kurrë në asamblenë e Zotit,

sepse nuk ju pritën në rrugë me bukë dhe me ujë kur dolët nga Egjipti dhe sepse rekrutuan kundër jush Balaamin, birin e Beorit nga Pethori i Mesopotamisë, për t’ju mallkuar.

Megjithatë Zoti, Perëndia yt, nuk deshi të dëgjojë Balaamin; por Zoti, Perëndia yt, e ndërroi për ty mallkimin në bekim, sepse Zoti, Perëndia yt, të do.

Nuk do t’u kërkosh kurrë as paqen, as begatinë e tyre deri sa të jetosh.

Nuk do të urresh Idumeon, sepse ai është vëllai yt; nuk do të urresh Egjiptasin, sepse ti ishe i huaj në vendin e tij,

bijtë që do t’u lindin atyre, në brezin e tretë, do të mund të hyjnë në asamblenë e Zotit.

Kur të dalësh me ushtrinë kundër armiqve të tu, ruhu nga çdo gjë e keqe.

10 Në rast se dikush në mes teje është i papastër nga një ngjarje e natës, ka për të dalë nga kampi dhe nuk do të kthehet më;

11 në mbrëmje do të lahet me ujë dhe pas perëndimit të diellit do të mund të kthehet në kamp.

12 Do të kesh edhe një vend jashtë kampit, dhe do të shkosh atje për nevojat e tua;

13 dhe midis veglave të tua do të kesh edhe një kunj dhe kur të shkosh për t’u mbledhur kruspull përjashta, me të do të gërmosh një gropë dhe pastaj do të mbulosh jashtëqitjet e tua.

14 Me qenë se Zoti, Perëndia yt, ecën në mes të kampit tënd që të të bëjë të lirë dhe që të të japë në dorë armiqtë e tu; prandaj kampi yt do të jetë i shenjtë që Zoti të mos shohë në gjirin tënd asnjë paturpësi dhe të largohet prej teje.

15 Nuk do t’i dorëzosh pronarit të tij skllavin që i ka ikur për t’u strehuar pranë teje.

16 Ai do të banojë me ty, në mes jush, në vendin që ka zgjedhur, në atë qytetin tënd që do t’i duket më i mirë; dhe nuk do ta ngacmosh.

17 Nuk do të ketë asnjë grua që të merret me kurvëri midis bijave të Izraelit, nuk do të ketë asnjë burrë që të merret me kurvëri midis bijve të Izraelit.

18 Në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, nuk do të çosh shpërblimin e një kurve as çmimin e një qeni, për asnjë kusht, sepse këto dy gjëra janë një ndyrësi për Zotin, Perëndinë tënd.

19 Vëllait tënd nuk do t’i japësh hua me kamatë: interes për të holla, interes për ushqime ose çfarëdo gjë tjetër që huazohet me interes.

20 Të huajit mund t’i japësh hua me kamatë, por jo vëllait tënd, me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të të bekojë në të gjitha gjërat mbi të cilat do të vësh dorë në vendin ku je duke hyrë për ta pushtuar.

21 Kur lidh një kusht me Zotin, Perëndinë tënd, nuk do të vonosh ta kryesh, sepse i Zoti, Perëndia yt, do të të kërkojë me siguri llogari dhe ti do të ishe fajtor;

22 por në rast se ti nuk lidh kushte, nuk kryen mëkat.

23 Mbaje fjalën që ka dalë nga goja jote, sepse ke marrë përsipër në mënyrë të neveritshme përpara Zotit, Perëndisë tënd, atë që ke premtuar me gojën tënde.

24 Kur hyn në vreshtin e të afërmit tënd, mund të hash rrush sa të ngopesh, por nuk do vësh rrush në shportën tënde.

25 Kur hyn në arën e grurit të të afërmit tënd, mund të mbjellësh kallinj; por nuk do të përdorësh drapërin në arën e grurit të të afërmit tënd".

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes