A A A A A
Bible Book List

Levitiku 16Albanian Bible (ALB)

16 Zoti i foli Moisiut mbas vdekjes së dy bijve të Aaronit, që vdiqën kur u paraqitën para Zotit me zjarr të ndaluar.

Zoti i tha Moisiut: "Foli Aaronit, vëllait tënd, dhe thuaji të mos hyjë në çfarëdo kohe në shenjtërore, përtej perdes, përpara pajtuesit që ndodhet mbi arkë, që të mos vdesë, sepse unë do të shfaqem në renë mbi pajtuesin.

Aaroni do të hyjë në shenjtërore në këtë mënyrë; do të marrë një dem të vogël për flijimin për mëkatin dhe një dash për olokaustin.

Do të veshë tunikën e shenjtë prej liri dhe do të mbajë mbi trupin e tij pantallona prej liri; do të ngjeshë brezin prej liri dhe do ta vërë mbi kokë çallmën prej liri. Këto janë veshjet e shenjta; ai do t’i veshë pasi ta ketë larë trupin me ujë.

Nga asambleja e bijve të Izraelit do të marrë dy cjep për flijimin e mëkatit dhe një dash për olokaustin.

Aaroni do të ofrojë demin e vogël për flijimin e mëkatit, që e ka për vete, dhe do të bëjë shlyerjen për vete dhe për shtëpinë e tij.

Pastaj do t’i marrë të dy cjeptë dhe do t’i paraqesë përpara Zotit në hyrje të çadrës së mbledhjes.

Aaroni do t’i hedhë në short dy cjeptë: njëri prej tyre do të caktohet për Zotin dhe tjetri do të shërbejë si cjap për shlyerjen e fajit.

Aaroni do të afrojë cjapin e caktuar për Zotin dhe do ta ofrojë si flijim për mëkatin;

10 por cjapi i caktuar si cjap fajshlyes do të paraqitet i gjallë para Zotit, me qëllim që mbi të të bëhet shlyerja dhe për ta çuar pastaj në shkretëtirë si cjap fajshlyes.

11 Aaroni do të ofrojë, pra, demin e vogël të flijimit për mëkatin dhe do të bëjë shlyerjen për vete dhe për shtëpinë e tij; dhe do ta therë demin e vogël të flijimit për mëkatin për vete.

12 Pastaj do të marrë një temjanicë plot me qymyrë të ndezur të marrë nga altari përpara Zotit dhe do t’i ketë duart e tij të mbushura me temjan të parfumuar në pluhur, dhe do të çojë çdo gjë matanë velit.

13 Do ta vërë temjanin mbi zjarr përpara Zotit, me qëllim që reja e temjanit të mbulojë pajtuesin që është mbi dëshminë; kështu ai nuk do të vdesë.

14 Pastaj do të marrë ca gjak të demit të vogël dhe do ta spërkatë me gishtin e tij mbi pajtuesin nga ana lindore, do të spërkatë shtatë herë edhe pak gjak me gishtin e tij përpara pajtuesit.

15 Pastaj do të therë cjapin e flijimit për mëkatin, që është për popullin, dhe do të çojë gjakun e tij matanë velit; dhe do të bëjë me këtë gjak atë që ka bërë me gjakun e demit të vogël; do ta spërkatë mbi pajtuesin dhe para pajtuesit.

16 Kështu do të bëjë shlyerjen për shenjtëroren, për shkak të papastërtive të bijve të Izraelit, të shkeljeve të tyre dhe të të gjitha mëkateve të tyre. Do të veprojë në të njëjtën mënyrë për çadrën e mbledhjes, që mbetet midis tyre, në mes të papastërtive të tyre.

17 Në çadrën e mbledhjes, kur ai do të hyjë në shenjtëroren për të bërë shlyerjen, nuk do të ketë njeri, deri sa ai të ketë dalë dhe të ketë bërë shlyerjen për veten, për shtëpinë e tij dhe për tërë asamblenë e Izraelit.

18 Ai do të dalë drejt altarit që ndodhet para Zotit dhe do të bëjë shlyerjen për të: do të marrë ca gjak nga demi i vogël dhe ca gjak nga cjapi dhe do ta vërë mbi brirët e altarit rreth e qark.

19 Pastaj do të spërkatë ca gjak mbi të me gishtin e tij shtatë herë me radhë; kështu do ta pastrojë dhe do ta shenjtërojë nga papastërtitë e bijve të Izraelit.

20 Kur të ketë mbaruar së kryeri shlyerjen për shenjtëroren, për çadrën e mbledhjes dhe për altarin, do të afrojë cjapin e gjallë.

21 Aaroni do të vendosë të dyja duart e tij mbi kokën e cjapit të gjallë dhe do të rrëfejë mbi të tërë padrejtësitë e bijve të Izraelit, të gjitha shkeljet e tyre, tërë mëkatet e tyre, dhe do t’i vërë mbi kokën e cjapit; pastaj do ta çojë në shkretëtirë me anë të një njeriu të zgjedhur enkas.

22 Cjapi do të mbartë mbi vete në tokë të vetmuar të gjitha padrejtësitë e tyre dhe ai njeri do ta lërë të shkojë në shkretëtirë.

23 Pastaj Aaroni do të hyjë në çadrën e mbledhjes, do të zhveshë rrobat e tij prej liri që kishte veshur për të hyrë në shenjtërore dhe do t’i lërë aty.

24 Do të lajë trupin e tij me ujë në një vend të shenjtë, do të veshë rrobat e tij dhe do të dalë për të ofruar olokaustin e tij dhe olokaustin e popullit, dhe do të bëjë shlyerjen për vete dhe për popullin.

25 Pastaj do të tymosë mbi altar dhjamin e flijimit për mëkatin.

26 Ai që e ka lëshuar cjapin, e zgjedhur si cjap fajshlyes, do të lajë rrobat e tij dhe trupin e tij me ujë dhe, mbas kësaj mund të kthehet në kamp.

27 Do të çohen pas kësaj jashtë kampit demi i vogël i flijimit për mëkatin dhe cjapi i flijimit për mëkatin, gjaku i të cilit është çuar në shenjtërore për të bërë shlyerjen; dhe do të djegin në zjarr lëkurët, mishin dhe ndyrësitë e tyre.

28 Pastaj ai që i djeg do të lajë rrobat dhe trupin e tij me ujë; pas kësaj, ai mund të kthehet në kamp.

29 Ky do të jetë për ju një ligj i përjetshëm: në muajin e shtatë, ditën e dhjetë të muajit, do të përulni shpirtrat tuaj dhe nuk do të kryeni asnjë punë, as ai që ka lindur në vend as i huaji që banon midis jush.

30 Sepse atë ditë prifti do të bëjë shlyerjen për ju, për t’ju pastruar, me qëllim që të jeni të pastruar nga tërë mëkatet tuaja përpara Zotit.

31 Éshtë për ju një e shtunë madhështore pushimi dhe ju do të përulni shpirtrat tuaj; është një ligj i përjetshëm.

32 Prifti, që është vajosur dhe që është shenjtëruar për të shërbyer si prift në vend të atit të tij, do të bëjë shlyerjen dhe do të veshë rrobat prej liri, rrobat e shenjta.

33 Ai do të bëjë shlyerjen për shenjtëroren e shenjtë; do të bejë shlyerjen për çadrën e mbledhjes dhe për altarin, do të bëjë njëkohësisht shlyerjen për priftërinjtë dhe për tërë popullin e asamblesë.

34 Ky do të jetë për ju një ligj i përjetshëm, për të shlyer mëkatet e bijve të Izraelit për të gjitha mëkatet e tyre, një herë në vit". Dhe Moisiu bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes