A A A A A
Bible Book List

Jobi 28Albanian Bible (ALB)

28 "Me siguri ka një minierë për argjendin dhe një vend ku bëhet rafinimi i arit.

Hekuri nxirret nga toka dhe guri i shkrirë jep bakrin.

Njeriu i jep fund territ dhe hulumton thellësitë më të mëdha në kërkim të gurëve të varrosur në terr dhe në hijen e vdekjes.

Ai çel një pus larg vendbanimit, në vende të harruara nga këmbësorët; janë pezull dhe lëkunden larg njerëzve.

Sa për tokën, prej asaj del buka, por nga poshtë është e trazuar nga zjarri.

Gurët e saj janë banesa e safirëve dhe përmbajnë pluhur ari.

Shpendi grabitqar nuk e njeh shtegun dhe as syri i skifterit nuk e ka parë kurrë.

Bishat e egra nuk e kanë përshkruar dhe as luani nuk ka kaluar kurrë andej.

Njeriu vë dorë mbi strallin dhe i rrëzon malet nga rrënjët.

10 Hap galeri ndër shkëmbinj dhe syri i tij sheh gjithçka që është e çmuar.

11 Zë rrjedhat ujore që të mos rrjedhin, dhe nxjerr në dritë gjërat e fshehura.

12 Po ku mund ta gjesh diturinë, dhe ku është vendi i zgjuarsisë?

13 Njeriu nuk ua di vlerën dhe ajo nuk gjendet mbi tokën e të gjallëve.

14 Humnera thotë: "Nuk është tek unë"; deti thotë: "Nuk qëndron pranë meje".

15 Nuk përftohet duke e shkëmbyer me ar të rafinuar as blihet duke peshuar argjend.

16 Nuk shtihet në dorë me arin e Ofirit, me oniksin e çmuar ose me safirin.

17 Ari dhe kristali nuk mund të barazohen me të dhe nuk këmbehet me enë ari të kulluar.

18 Korali dhe kristali as që meritojnë të përmenden; vlera e diturisë është më e madhe se margaritarët.

19 Topazi i Etiopisë nuk mund të barazohet dhe nuk mund të vlerësohet me ar të kulluar.

20 Por atëherë nga rrjedh dituria dhe ku e ka selinë zgjuarsia?

21 Ajo u fshihet syve të çdo të gjalli, është e mbuluar për zogjtë e qiellit.

22 Abadoni dhe vdekja thonë: "Kemi dëgjuar të flitet për të me veshët tona".

23 Vetëm Perëndia njeh rrugën e saj, vetëm ai e di ku ndodhet,

24 sepse ai vë re skajet e tokës dhe sheh tërë ato që ndodhen nën qiejt.

25 Kur caktoi peshën e erës dhe u caktoi ujërave një masë,

26 kur bëri një ligj për shiun dhe një rrugë për vetëtimën e bubullimave,

27 atëherë pa dhe e tregoi, e vendosi dhe madje e hetoi,

28 dhe i tha njeriut: "Ja, të kesh frikë nga Zoti, kjo është dituri, dhe t’i largohesh së keqes është zgjuarsi"".

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes