A A A A A
Bible Book List

Isaia 22Albanian Bible (ALB)

22 Profecia kundër Luginës së Vegimit. Çfarë ke ti tani që ke hipur e tëra mbi çatitë,

ti që je plot me britma, qytet zhurmëmadh, qytet dëfrimesh? Të vrarët e tu nuk janë vrarë nga shpata as kanë vdekur në betejë.

Tërë krerët e tu kanë ikur bashkë, janë zënë robër pa hark; tërë ata që u gjetën te ti u zunë robër, megjithëse kishin ikur larg.

Prandaj them: "Largoni shikimin nga unë; unë do të qaj me hidhërim. Mos kërkoni të më ngushëlloni për dëshpërimin e bijës së popullit tim".

Sepse është një ditë lemerie, shkatërrimi dhe ngurimi nga ana e ZOTIT, të Zotit të ushtrive; në Luginën e Vegimeve muret janë shembur dhe britma për ndihmë arrin deri në mal.

Elami ka marrë kukurën me qerre njerëzish dhe kalorësish. Kiri ka zbuluar mburojën.

Do të ndodhë që luginat e tua më të mira do të jenë plot me qerre dhe kalorësit do të zënë pozicion para portave të tua.

Pastaj ai hoqi mbrojtjen e Judës dhe po atë ditë ti e hodhe shikimin mbi arsenalin e pallatit të Pyllit.

Keni parë gjithashtu sa të shumta ishin të çarat në muret e qytetit të Davidit, dhe keni mbledhur ujërat e hauzit të poshtëm.

10 Keni numëruar shtëpitë e Jeruzalemit dhe keni shembur shtëpi për të fortifikuar muret.

11 Përveç kësaj keni ndërtuar një rezervuar midis dy mureve për ujërat e hauzit të vjetër, por nuk keni parë se kush e ka bërë këtë, as nuk keni marrë parasysh kush e ka menduar këtë prej një kohe të gjatë.

12 Atë ditë Zoti, Zoti i ushtrive, ju thirri që të qani, të mbani zi, të rruani kokën dhe të mbështilleni me thasë.

13 Po përkundrazi ja, gëzim dhe hare, priten qe dhe theren dele, hahet mish dhe pihet verë. "Të hamë dhe të pimë, se nesër do të vdesim!".

14 Por Zoti i ushtrive u ka thënë veshëve të mi: "Ky mëkati juaj nuk do të shlyhet deri sa ju të vdisni," thotë Zoti, Zoti i ushtrive.

15 Kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive: "Shko pra te ky administrator, te Shebna, kryekujdestar, dhe i thuaj:

16 "Çfarë zotëron ti këtu dhe cilin ke këtu, që ke bërë të të gërmojnë këtu një varr, ashtu si ai që gërmon për vete një vendvarrim lart dhe pret në shkëmb një varr?".

17 Ja, Zoti po të flak me dhunë, o njeri i fuqishëm, dhe do të të kapë mirë.

18 Do të të rrukullisë mirë e mirë dhe do të të hedhë si një top në një vend të gjerë. Aty do të vdesësh dhe do të mbarojnë qerret e tua krenare, o turp i shtëpisë së zotit tënd.

19 Do të të dëbojë nga zyra jote dhe do të tërhiqesh poshtë nga posti yt!

20 Atë ditë do të ndodhë që të thëras shërbëtorin tim Eliakim, birin e Hilkiahut;

21 do ta vesh me tunikën tënde, do t’i vë brezin tënd dhe do ta kaloj pushtetin tënd në duart e tij, dhe ai do të jetë një atë për banorët e Jeruzalemit dhe për shtëpinë e Judës.

22 Do të vë mbi supin e tij çelësin e shtëpisë së Davidit; kështu ai do të hapë dhe askush nuk do të mund ta mbyllë, do ta mbyllë dhe askush nuk do ta mund ta hapë.

23 Do ta ngul si një gozhdë në një vend të sigurt, dhe ai do të bëhet një fron lavdie për shtëpinë e atit të tij.

24 Nga ai do të varet tërë lavdia e shtëpisë së atit të tij, trashëgimtarët dhe degët anësorë, të gjitha enët edhe ato më të vogla, që nga kupat e e deri te shtambët e çdo lloji.

25 "Atë ditë, thotë Zoti i ushtrive, gozhda e ngulur në vend të sigurt do të hiqet, do të shkulet poshtë dhe do të bjerë; dhe gjithë pesha që mbante do të shkatërrohet, sepse Zoti ka folur".

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes