A A A A A
Bible Book List

Gjoni 1Albanian Bible (ALB)

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.

Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë.

Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.

Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve.

Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.

Qe një njeri i dërguar nga Perendia; emri i tij ishte Gjon.

Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij;

ai nuk ishte drita, por u dërgua për të dëshmuar për dritën.

Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë.

10 Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu.

11 Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan,

12 por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij,

13 të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.

14 Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.

15 Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: “Ky është ai, për të cilin thashë: "Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje".”

16 Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir.

17 Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit.

18 Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur.

19 Dhe kjo është dëshmia e Gjonit, kur Judenjtë i dërguan nga Jeruzalemi priftërinj dhe levitë për ta pyetur: “Kush je ti?.”

20 Ai edhe e rrëfeu, edhe nuk e mohoi, dhe rrëfeu: “Unë nuk jam Krishti.”

21 Atëherë ata e pyetën: “Kush je, pra? A je Elia?.” Ai tha: “Nuk jam!.” “Je ti profeti?.” Dhe ai përgjigjej: “Jo!.”

22 Atëherë ata i thanë: “Kush je ti, që t’u japim përgjigje atyre që na dërguan? Ç’thua për veten tënde?.”

23 Ai u përgjigj: “Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: drejtoni udhën e Zotit, sikurse tha profeti Isaia.”

24 Dhe ata që qenë dërguar, ishin nga farisenjtë;

25 ata e pyetën dhe i thanë: “Atëherë pse ti pagëzon, kur nuk je as Krishti, as Elia, as profeti?.”

26 Gjoni iu përgjigj atyre, duke thënë: “Unë pagëzoj me ujë, por midis jush është një që ju nuk e njihni.

27 Ai është ai që vjen pas meje e më paraprin, të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh lidhësen e sandaleve.”

28 Këto gjëra ndodhën në Betabara, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte.

29 Të nesërmen, Gjoni e pa Jezusin që po vinte drejt tij dhe tha: “Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!

30 Ky është ai për të cilin unë thashë: "Mbas meje vjen një burrë që më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje!".

31 Unë nuk e njihja, prandaj erdha të pagëzoj me ujë, që ky t’i zbulohet Izraelit.”

32 Dhe Gjoni dëshmoi duke thënë: “E pashë Frymën duke zbritur nga qielli si një pëllumb dhe ndenji mbi të.

33 Unë nuk e njihja, por ai që më dërgoi të pagëzoj në ujë, më tha: "Ai, mbi të cilin do të shikosh se zbret Fryma dhe qëndron mbi të, është ai që pagëzon me Frymën e Shenjtë".

34 Dhe unë pashë e dëshmova se ai është Biri i Perëndisë.”

35 Të nesërmen Gjoni rrinte përsëri atje me dy nga dishepujt e vet.

36 Dhe, duke i ngulur sytë mbi Jezusin që po kalonte, tha: “Ja Qengji i Perëndisë!.”

37 Dhe të dy dishepujt dëgjuan atë duke folur, dhe e ndoqën Jezusin.

38 Por Jezusi u kthye dhe, kur pa se po e ndiqnin, u tha atyre: “Ç’kërkoni?.” Ata i thanë: “Rabbi (që e përkthyer do të thotë "mësues"), ku banon?.”

39 Ai iu përgjigj atyre: “Ejani e shikoni.” Ata shkuan dhe e panë ku banonte ai, dhe ndenjën atë ditë bashkë me të. Ishte rreth orës dhjetë.

40 Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte një nga ata të dy që e kishin dëgjuar këtë nga Gjoni dhe kishin ndjekur Jezusin.

41 Ky gjeti më të parin vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha: “E gjetëm Mesian që përkthyer do të thotë: "Krishti"”;

42 dhe e çoi te Jezusi. Atëherë Jezusi e shikoi dhe tha: “Ti je Simoni, bir i Jonas. Ti do të quhesh Kefa, që do të thotë: "gur".”

43 Të nesërmen, Jezusi donte të dilte në Galile; gjeti Filipin dhe i tha: “Ndiqmë!.”

44 Dhe Filipi ishte nga Betsaida, nga i njejti qytet i Andreas dhe i Pjetrit.

45 Filipi gjeti Natanaelin dhe i tha: “E gjetëm atë, për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët: Jezusin nga Nazareti, të birin e Jozefit!.”

46 Dhe Natanaeli i tha: “A mund të dalë diçka e mirë nga Nazareti?.” Filipi i tha: “Eja e shih!.”

47 Jezusi pa se Natanaeli po vinte drejt tij dhe tha për të: “Ja një Izraelit i vërtetë, tek i cili s’ka mashtrim.”

48 Natanaeli i tha: “Nga më njeh?.” Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Të pashë kur ishe nën fik, para se të të thërriste Filipi.”

49 Natanaeli duke iu përgjigjur tha: “Mësues, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit!.”

50 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Sepse të thashë se të pashë nën fik, ti beson; do të shohësh gjëra më të mëdha se këto!.”

51 Pastaj i tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se tash e tutje ju do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut.”

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes