A A A A A
Bible Book List

Galatasve 2Albanian Bible (ALB)

Pastaj, pas katërmbëdhjetë vjetësh, u ngjita përsëri në Jeruzalem me Barnabën; dhe mora me vete edhe Titin.

Dhe u ngjita sipas një zbulese dhe u shtjellova atyre ungjillin që unë po predikoj ndër johebrenjtë, por në mënyrë të veçantë, atyre që kishin më shumë emër, që të mos bridhja ose vrapoja më kot.

Por as Titi që ishte me mua, ndonëse ishte Grek, nuk qe shtrënguar që të rrethpritej;

edhe kjo për shkak të vëllezërve të rremë, që kishin hyrë tinëz, që kishin depërtuar për të përgjuar lirinë tonë që kemi në Krishtin Jezu, që të na robërojnë.

Këtyre ne nuk iu nënshtruam as edhe për një moment, që e vërteta e ungjillit të mbetej e pacënuar te ju.

Por nga ana e atyre që gëzonin një farë kredie (nuk ka rëndësi se kush ishin, Perëndia nuk shikon dukjen e njeriut), pra, ata që gëzonin kredinë më të madhe nuk shtuan gjë tek unë.

Madje, duke parë se mua m’u besua ungjilli për të parrethprerët, sikurse Pjetrit ai për të rrethprerët,

(sepse ai që kishte vepruar në mënyrë të fuqishme në Pjetrin për apostullim tek të rrethprerëve, kishte vepruar në mënyrë të fuqishme edhe në mua për johebrenjtë),

duke njohur hirin që m’u dha, Jakobi, Kefa dhe Gjoni, të cilët i konsideronin shtylla, më dhanë mua dhe Barnabës të djathtat e tyre si shenjë shoqërie, që të shkonim ne ndër johebrenjtë dhe ata ndër të rrethprerë.

10 Vetëm na porositën që të kujtoheshim për të varfrit, pikërisht atë që edhe unë e kisha ndërmend ta bëja.

11 Por kur erdhi Pjetri në Antioki, unë e kundërshtova në sy, sepse ishte për t’u qortuar.

12 Në fakt, para se të vinin disa njerëz nga ana e Jakobit, ai hante me johebrenjtë; po, kur erdhën ata, ai u tërhoq dhe u nda, duke druajtur ata të rrethprerjes.

13 Edhe Judenj të tjerë shtireshin bashkë me të, aq sa edhe Barnaba u tërhoq nga hipokrizia e tyre.

14 Po kur unë pashë se ata nuk ecnin drejt sipas së vërtetës së ungjillit, i thashë Pjetrit përpara të gjithëve: “Në qoftë se ti, që je Jude, rron porsi johebrenjtë dhe jo si Judenjtë, pse i detyron johebrenjtë të rrojnë si Judenj?.”

15 Ne, që jemi Judenj nga lindja dhe jo mëkatarë në mes johebrenjsh,

16 duke ditur se njeriu nuk shfajësohet me anë të veprave të ligjit, por me anë të besimit në Jezu Krishtin, besuam edhe ne në Jezu Krishtin, që të shfajësoheshim me anë të besimit në Krishtin dhe jo me anë të veprave të ligjit, sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet me anë të veprave të ligjit.

17 Dhe, në qoftë se duke kërkuar të shfajësohemi në Krishtin, u gjetëm edhe ne mëkatarë, mos vallë Krishti qënka shërbenjës i mëkatit. Kurrsesi jo!

18 Sepse, në qoftë se unë ndërtoj përsëri ato gjërat që prisha, unë bëhem vetë shkelës,

19 sepse përmes ligjit, vdiqa për ligjin, që unë të rroj për Perëndinë.

20 Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua.

21 Unë nuk e hedh poshtë hirin e Perëndisë sepse, në qoftë se drejtësia vjen me anë të ligjit, atëherë Krishti ka vdekur më kot.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes