Fjalët e urta 21-24
Albanian Bible
21 Zemra e mbretit në duart e Zotit është si rrjedhat e ujit; atë e drejton ngado që do ai.
2 Çdo rrugë e njeriut është e drejtë në sytë e tij, por Zoti i peshon zemrat.
3 Të zbatosh drejtësinë dhe paanësinë është një gjë që i pëlqen Zotit më shumë se flijimi.
4 Sytë krenarë dhe një zemër kryelartë, që janë llamba e të pabesëve, janë mëkat.
5 Synimet e njeriut të kujdesshëm çojnë me siguri në bollëk, por ai që ngutet do të bjerë me siguri në varfëri.
6 Të përftosh thesare me një gjuhë gënjeshtare është një kotësi kalimtare e atij që kërkon vdekjen.
7 Dhuna e të pabesëve merr tutje, sepse ata nuk pranojnë të zbatojnë drejtësinë.
8 Rruga e njeriut të fajshëm është dredha-dredha, por njeriu i drejtë vepron ndershmërisht.
9 Éshtë më mirë të banosh mbi qoshen e një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece.
10 Shpirti i të pabesit dëshiron të keqen; as shoku i tij nuk gjen mëshirë në sytë e tij.
11 Kur tallësi ndëshkohet, i thjeshti bëhet i urtë; por kur i urti mësohet ai fiton dije.
12 I drejti vëren me kujdes shtëpinë e të pabesit dhe përmbys të pabesët, sepse janë të këqij.
13 Kush mbyll veshin ndaj britmës së të varfërit, do të bërtasë edhe ai, por nuk do të ketë përgjigje.
14 Një dhuratë që bëhet fshehtas e fashit zemërimin dhe një dhuratë që jepet nën dorë qetëson zemërimin e fortë.
15 Të bësh atë që është e drejtë është një gëzim për të drejtin, por është një rrënim për ata që kryejnë paudhësi.
16 Njeriu që largohet nga rruga e maturisë ka për të banuar në kuvendin e të vdekurve.
17 Ai që i do qejfet do të jetë në varfëri, ai që e do verën dhe vajin nuk do të pasurohet.
18 I pabesi do t’i shërbejë si shpërblim të drejtit; dhe i paudhi në vend të njerëzve të drejtë.
19 Éshtë më mirë të banosh në një shkretëtirë se sa me një grua grindavece dhe ngacmuese.
20 Në shtëpinë e të urtit ka një thesar të çmuar dhe vaj, por njeriu budalla i bën të gjitha rrush e kumbulla.
21 Kush ndjek drejtësinë dhe dhembshurinë ka për të gjetur jetën, drejtësinë dhe lavdinë.
22 I urti ngjitet në qytetin e njerëzve të fortë dhe rrëzon forcën në të cilën kishte besim.
23 Kush ruan gojën dhe gjuhën e tij mbron jetën e tij nga fatkeqësitë.
24 Emri i krenarit pa cipë është: "tallës"; ai çdo gjë e bën me një mburrje të tepruar.
25 Dëshirat e përtacit e vrasin atë, sepse duart e tij nuk pranojnë të punojnë.
26 Ai dëshiron me zjarr tërë ditën, por i drejti dhuron duke mos refuzuar kurrë.
27 Flijimi i të pabesit është gjë e neveritshme, aq më tepër në rast se e ofron me qëllim të keq.
28 Dëshmitari i rremë do të vdesë, por njeriu që e dëgjon do të mund të flasë gjithnjë.
29 I pabesi e fortëson fytyrën e tij, por njeriu i drejtë e bën të qëndrueshme rrugën e tij.
30 Nuk ka as dituri, as zgjuarësi dhe as këshillë kundër Zotit.
31 Kali është gati për ditën e betejës, por fitorja i përket Zotit.
22 Një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha, dhe hiri është më i pëlqyeshëm se argjendi dhe ari.
2 I pasuri dhe i varfëri kanë këtë të përbashkët: të dy i ka bërë Zoti.
3 Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.
4 Çmimi i përvujtërisë është frika e Zotit, pasuria, lavdia dhe jeta.
5 Ferra dhe leqe gjenden në udhën e të çoroditurit; kush kujdeset për jetën e vet rri larg tyre.
6 Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.
7 I pasuri sundon mbi të varfërit, dhe huamarrësi është skllav i huadhënësit.
8 Kush mbjell padrejtësi ka për të korrur telashe dhe shufra e zemërimit të tij do të asgjesohet.
9 Njeriu me sy dashamirës do të bekohet, sepse i jep bukë të varfërit.
10 Përzëre tallësin dhe grindjet do të ikin bashkë me të; po, grindjet dhe fyerjet do të pushojnë.
11 Kush e do pastërtinë e zemrës dhe ka hir mbi buzët do ta ketë shok mbretin.
12 Sytë e Zotit ruajnë dijen, por ai i bën të kota fjalët e të pabesit.
13 Përtaci thotë: "Jashtë ka një luan; do të vritem rrugës".
14 Goja e gruas që shkel kurorën është një gropë e thellë; ai që ka zemëruar Zotin do të bjerë në të.
15 Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj.
16 Ai që shtyp të varfërin për t’u pasuruar dhe ai që i jep të pasurit, me siguri do të varfërohet.
17 Vëru veshin dhe dëgjo fjalët e të urtëve, dhe jepja zemrën dijes sime.
18 sepse për ty do të jetë e këndshme t’i ruash në intimitetin tënd dhe t’i kesh të gjitha gati mbi buzët e tua.
19 Me qëllim që besimin tënd ta kesh te Zoti, sot të kam mësuar, po, pikërisht ty.
20 A nuk të kam shkruar në të kaluarën aforizma që kanë të bëjnë me këshillimin dhe diturinë,
21 në mënyrë që të njohësh sigurinë e fjalëve të së vërtetës, me qëllim që t’u përgjigjesh me fjalë të vërteta atyre që të dërgojnë?
22 Mos e vidh të varfërin, sepse është i varfër, dhe mos e shtyp të mjerin te porta,
23 sepse Zoti do të mbrojë çështjen e tyre dhe do t’u heqë jetën atyre që i kanë zhveshur.
24 Mos lidh miqësi me njeriun zemërak dhe mos u shoqëro me njeriun idhnak,
25 që të mos mësosh rrugët e tij dhe të mos gjesh një kurth për shpirtin tënd.
26 Mos u bëj si ata që japin dorën si garanci, që bëhen garant për borxhet e të tjerëve.
27 Në qoftë se nuk ke asgjë me se të paguash, pse duhet të të heqë shtratin poshtë vetes?
28 Mos e luaj kufirin e vjetër, të vendosur nga etërit e tu.
29 A ke parë një njeri të papërtueshëm në punën e tij? Ai do të paraqitet në prani të mbretit dhe nuk do të qëndrojë para njerëzve të humbur.
23 Kur ulesh të hash me një mbret, shiko me kujdes atë që ke përpara;
2 dhe vër një thikë në grykë, po të jetë se ke oreks të madh.
3 Mos dëshiro gjellët e tij të mrekullueshme, sepse janë një ushqim mashtrues.
4 Mos u lodh për t’u pasuruar, hiq dorë nga qëllimi yt.
5 A do t’i fiksosh sytë e tu mbi atë që po zhduket? Sepse pasuria me siguri do të vërë fletë si një shqiponjë që fluturon drejt qiellit.
6 Mos ha bukën e atij që ka syrin e keq dhe mos dëshiro ushqimet e tij të shijshme;
7 sepse, ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai; "Ha dhe pi"!, do të thotë, por zemra e tij nuk është me ty.
8 Do të vjellësh kafshatën që ke ngrënë dhe do të harxhosh kot fjalët e tua të ëmbla.
9 Mos i drejto fjalën budallait, sepse ai do të përçmojë mençurinë e ligjëratës sate.
10 Mos e luaj kufirin e vjetër dhe mos hyr në arat e jetimëve,
11 sepse Hakmarrësi i tyre është i fuqishëm; ai do të mbrojë çështjen e tyre kundër teje.
12 Kushtoja zemrën tënde mësimeve dhe veshët e tu fjalëve të diturisë.
13 Mos ia kurse korrigjimin fëmijës; edhe sikur ta rrahësh me thupër, ai nuk do të vdesë;
14 do ta rrahësh me thupër, por do të shpëtosh shpirtin e tij nga Sheoli.
15 Biri im, në se zemra jote është e urtë, edhe zemra ime do të ngazëllojë;
16 zemra ime do të ngazëllojë, kur buzët e tua do të thonë gjëra të drejta.
17 Zemra jote mos i pastë zili mëkatarët, por vazhdoftë gjithnjë në frikën e Zotit;
18 sepse ka një të ardhme, dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.
19 Dëgjo, biri im, ji i urtë, dhe drejtoje zemrën në rrugën e drejtë.
20 Mos rri me ata që pijnë verë as me grykësit dhe mishngrënësit;
21 sepse pijaneci dhe grykësi do të varfërohen dhe gjumashi do të vishet me lecka.
22 Dëgjo atin tënd që të ka pjellë dhe mos e përçmo nënën tënde kur të jetë plakë.
23 Bli të vërtetën dhe mos e shit, fito dituri, njohuri dhe gjykim.
24 Babai i të drejtit do të gëzohet shumë; kush ka lindur një të urtë do t’ia ndjejë gëzimin.
25 Le të gëzohet ati yt dhe nëna jote dhe le të gëzohet ajo që të ka lindur.
26 Biri im, më jep zemrën tënde, dhe sytë e tu gjetshin gëzim në rrugët e mia.
27 Sepse prostituta është një gropë e thellë dhe gruaja e tjetërkujt një pus i ngushtë.
28 Edhe ajo rri në pritë si një vjedhës dhe rrit midis njerëzve numrin e atyre që janë jo besnikë.
29 Për cilin janë "ah-ët," për cilin "obobo-të"? Për cilin grindjet, për cilin vajtimet? Për cilin plagët pa shkak? Për cilin sytë e skuqur?
30 Për ata që ndalen gjatë pranë verës, për ata që kërkojnë verë të droguar.
31 Mos e shiko verën kur kuqëlon, kur rrëzëllen në kupë dhe shkon poshtë aq lehtë!
32 Në fund ajo kafshon si një gjarpër dhe shpon si një kuçedër.
33 Sytë e tu kanë për të parë gjëra të çuditshme dhe zemra jote do të thotë gjëra të çoroditura.
34 Do të jesh si ai që gjendet në mes të detit, si ai që bie të flerë në majë të direkut të anijes.
35 Do të thuash: "Më kanë rrahur, por nuk më kanë bërë keq; më kanë goditur, por nuk e kam vënë re. Kur të zgjohem, do të kthehem t’i kërkoj përsëri!".
24 Mos i ki zili njerëzit e këqij dhe mos dëshiro të rrish me ta,
2 sepse zemra e tyre mendon për grabitje dhe buzët e tyre thonë se do të bëjnë të keqen.
3 Shtëpia ndërtohet me dituri dhe bëhet e qëndrueshme me maturi.
4 Me dijen mbushen dhomat me lloj-lloj të mirash të çmueshme dhe të pëlqyeshme.
5 Njeriu i urtë është plot forcë, dhe njeriu që ka dituri e rrit fuqinë e tij.
6 Sepse me këshilla të urta do të mund të bësh luftën tënde, dhe në numrin e madh të këshilltarëve është fitorja.
7 Dituria është shumë e lartë për budallanë; ai nuk e hap kurrë gojën te porta e qytetit.
8 Kush mendon të bëjë keq do të quhet mjeshtër intrigash.
9 Synimi i pamend është mëkat dhe tallësi është një neveri për njerëzit.
10 Po të mos kesh guxim ditën e fatkeqësisë, forca jote është shumë e pakët.
11 Çliro ata që i tërheqin drejt vdekjes dhe mbaji ata që po i çojnë në thertore.
12 Po të thuash: "Ja, ne nuk e dinim," ai që peshon zemrat a nuk e shikon? Ai që ruan shpirtin tënd nuk e di vallë? Ai do t’i japë secilit simbas veprave të tij.
13 Biri im, ha mjaltin sepse është i mirë; një huall mjalti do të jetë i ëmbël për shijen tënde.
14 Kështu do të jetë njohja e diturisë për shpirtin tënd. Në rast se e gjen, do të ketë një të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.
15 O i pabesë, mos ngre kurthe kundër banesës së njeriut të drejtë, mos shkatërro vendin ku ai pushon,
16 sepse i drejti bie shtatë herë dhe ngrihet, kurse të pabesët përmbysen në fatkeqësi.
17 Kur armiku yt bie, mos u gëzo; kur është shtrirë për tokë, zemra jote të mos gëzohet,
18 me qëllim që Zoti të mos shikojë dhe të mos i vijë keq, dhe të mos largojë prej tij zemërimin e vet.
19 Mos u zemëro për shkak të atyre që bëjnë të keqen dhe mos i ki smirë të pabesët,
20 sepse nuk do të ketë të ardhme për të keqin; llamba e të pabesëve do të fiket.
21 Biri im, ki frikë nga Zoti dhe nga mbreti; mos u bashko me ata që duan të ndryshojnë;
22 mjerimi i tyre do të vijë papritmas, dhe shkatërrimin e të dy palëve kush e njeh?
23 Edhe këto gjëra janë për të urtit. Nuk është mirë të kesh preferenca personale në gjykim.
24 Ai që i thotë të pabesit: "Ti je i drejtë," do të mallkohet nga popujt dhe kombet do ta nëmin.
25 Por ata që e qortojnë të pabesin do të gjejnë kënaqësi dhe mbi ta do të zbresin bekimet më të mira.
26 Ai që jep një përgjigje të drejtë jep një të puthur mbi buzët.
27 Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde.
28 Mos dëshmo pa arsye kundër të afërmit tënd dhe mos gënje me buzët e tua.
29 Mos thuaj: "Ashtu si ma bëri mua, kështu do t’ia bëj edhe unë; do t’ia kthej simbas sjelljes së tij".
30 Kalova pranë arës së përtacit dhe pranë vreshtit të njeriut që s’ka mend;
31 dhe ja, kudo rriteshin ferrat, ferrishtet e zinin tokën dhe muri prej gurësh ishte shembur.
32 Duke parë këtë, u mendova me kujdes; nga sa pashë nxora një mësim:
33 të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish pak me duar në ije për të pushuar;
34 kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur.