Fjalët e urta 10-20
Albanian Bible
10 Fjalët e urta të Salomonit. Një fëmijë e urtë e gëzon të atin, por një fëmijë budalla i shkakton vuajtje nënes së vet.
2 Thesaret e padrejtësisë nuk japin dobi, por drejtësia të çliron nga vdekja.
3 Zoti nuk do të lejojë që i drejti të vuajë nga uria, por hedh poshtë dëshirën e të pabesëve.
4 Kush punon me dorë përtace varfërohet, por dora e njerëzve të zellshëm të bën të pasurohesh.
5 Ai që mbledh gjatë verës është një bir i matur, por ai që fle në kohën e korrjeve është një bir që të mbulon me turp.
6 Ka bekime mbi kokën e të drejtit, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve.
7 Kujtimi i të drejtit është në bekim, por emri i të pabesit do të kalbet.
8 Zemërurti i pranon urdhërimet, por fjalamani budalla do të rrëzohet.
9 Ai që ecën në ndershmëri ecën i sigurt, por ai që ndjek rrugë dredharake ka për t’u zbuluar.
10 Kush e shkel syrin shkakton vuajtje, por fjalamani budalla do të rrëzohet.
11 Goja e të drejtit është një burim jete, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve.
12 Urrejtja shkakton grindje, por dashuria mbulon të gjitha fajet.
13 Dituria gjendet mbi buzët e atyre që kanë mendje, por shkopi është për kurrizin e atyre që nuk kanë mend.
14 Të urtët grumbullojnë njohuri, por goja e budallait është një shkatërrim i shpejtë.
15 Begatia e të pasurit është qyteti i tij i fortë; shkatërrimi i të varfërit është varfëria e tyre.
16 Puna e të drejtit i shërben jetës, fitimi i të pabesit mëkatit.
17 Kush ruan mësimet është në rrugën e jetës; por kush nuk pranon kritikën humb.
18 Kush e maskon urrejtjen ka buzë gënjeshtare dhe ai që përhap shpifje është budalla.
19 Në fjalët e shumta faji nuk mungon, por ai që i frenon buzët e tij është i urtë.
20 Gjuha e të drejtit është argjend i zgjedhur, por zemra e të pabesëve vlen pak.
21 Buzët e të drejtit ushqejnë mjaft njerëz, por budallenjtë vdesin sepse nuk kanë mend.
22 Bekimi i Zotit pasuron dhe ai nuk shton asnjë vuajtje.
23 Kryerja e një kobi për budallanë është si një zbavitje; kështu është dituria për njeriun që ka mend.
24 Të pabesit i ndodh ajo nga e cila trembet, por njerëzve të drejtë u jepet ajo që dëshirojnë.
25 Kur kalon furtuna, i pabesi nuk është më, por i drejti ka një themel të përjetshëm.
26 Ashtu si uthulla për dhëmbët dhe tymi për sytë, kështu është dembeli për ata që e dërgojnë.
27 Frika e Zotit i zgjat ditët, por vitet e të pabesit do të shkurtohen.
28 Shpresa e të drejtëve është gëzimi, por pritja e të pabesëve do të zhduket.
29 Rruga e Zotit është një kala për njeriun e ndershëm, por është shkatërrim për ata që kryejnë padrejtësi.
30 I drejti nuk do të lëvizet kurrë, por të pabesët nuk do të banojnë në tokë.
31 Goja e të drejtit prodhon dituri, por gjuha e çoroditur do të pritet.
32 Buzët e të drejtit njohin atë që është e pranueshme; por goja e të pabesëve njeh vetëm gjëra të çoroditura.
11 Peshorja e pasaktë është e neveritshme për Zotin, por peshimi i saktë i pëlqen.
2 Kur vjen kryelartësia, vjen edhe turpi; por dituria është me njerëzit e thjeshtë.
3 Njerëzit e drejtë udhëhiqen nga ndershmëria, por ligësia e të pabesëve do t’i shkatërrojë këta.
4 Pasuritë nuk sjellin dobi ditën e zemërimit, por drejtësia të shpëton nga vdekja.
5 Drejtësia e njeriut të ndershëm i hap rrugën, por i pabesi bie për shkak të paudhësisë së tij.
6 Drejtësia e njerëzve të drejtë i çliron këta, por njerëzit e pabesë do të kapen nga vetë ligësia e tyre.
7 Kur vdes një i pabesë, shpresa e tij humb dhe shpresa e njerëzve të padrejtë davaritet.
8 I drejti çlirohet nga fatkeqësia, por i pabesi i zë vendin.
9 Me gojën e tij hipokriti shkatërron të afërmin e tij, por të drejtët çlirohen për shkak të dijes së tyre.
10 Kur të drejtët begatohen, qyteti gëzohet; por kur vdesin të pabesët, dëgjohen britma gëzimi.
11 Nga bekimi i njerëzve të drejtë qyteti ngrihet, por goja e të pafeve e çon në shkatërrim.
12 Kush e përbuz të afërmin e tij nuk ka mend, por njeriu i matur hesht.
13 Kush shkon rreth e qark duke përfolur, nxjerr sekretet, por ai që ka një shpirt besnik i fsheh ato.
14 Pa një udhëheqje të urtë populli bie, por gjen shpëtim në numrin e madh të këshilltarëve.
15 Kush bëhet garant për një të huaj do të pësojë dëmet e këtij veprimi, por ai që refuzon të japë dorën si garant është i sigurt.
16 Gruaja e bukur fiton lavdinë dhe njerëzit e dhunshëm grumbullojnë pasuri.
17 Njeriu i mëshirshëm i bën të mirë vetes, kurse njeriu mizor mundon mishin e tij.
18 I pabesi realizon një fitim të rremë, por ai që mbjell drejtësi do të ketë një shpërblim të sigurt.
19 Ashtu si drejtësia të çon në jetë, kështu ai që shkon pas të keqes gjen vdekjen.
20 Të çoroditurit nga zemra janë të neveritur për Zotin, por ata që janë të ndershëm në sjelljen e tyre pëlqehen nga ai.
21 Edhe kur i shtrëngon dorën një tjetri për një besëlidhje, njeriu i keq nuk do të mbetet i pandëshkuar, por pasardhësit e të drejtëve do të shpëtojnë.
22 Si një unazë ari në feçkën e një derri, kështu është një grua e bukur që nuk ka mend.
23 Dëshira e të drejtëve është vetëm e mira, por shpresa e të pabesëve është zemërimi.
24 Ka nga ata që shkapërderdhin bujari dhe bëhen më të pasur, dhe ka nga ata që kursejnë më tepër se duhet dhe bëhen gjithnjë e më të varfër.
25 Njeriu bujar do të pasurohet dhe ai që vadit do të vaditet gjithashtu.
26 Populli mallkon atë që nuk pranon të japë grurin, por bekimi bie mbi kokën e atij që e shet.
27 Kush kërkon me zell të mirën fiton dashamirësinë, por ai që kërkon të keqen, kjo do t’i bjerë mbi të.
28 Kush ka besim në pasuritë e tij do të rrëzohet, por të drejtët do të çelin si gjethe.
29 Ai që bën rrëmujë në shtëpinë e vet do të trashëgojë erën, dhe budallai do të jetë shërbëtori i atij që është i urtë nga zemra.
30 Fryti i të drejtit është një dru i jetës, dhe ai që shtie në dorë shpirtërat është i urtë.
31 Ja, i drejti merr shpërblimin mbi tokë, e aq më tepër i pabesi dhe mëkatari!
12 Kush e do korrigjimin do diturinë, por ai që e urren kritikën është budalla.
2 Njeriu i mirë gëzon përkrahjen e Zotit, por ky do të dënojë njeriun që sajon plane të këqija.
3 Njeriu nuk bëhet i qëndrueshëm me pabesinë, por rrënja e të drejtëve nuk do të lëvizet kurrë.
4 Gruaja e virtytshme është kurora e burrit të saj, por ajo që e turpëron është si një krimb në kockat e tij.
5 Mendimet e të drejtëve janë drejtësia, por synimet e të pabesëve janë mashtrimi.
6 Fjalët e të pabesëve rrinë në pritë për të derdhur gjak, por goja e njerëzve të drejtë do t’i çlirojë.
7 Të pabesët janë përmbysur dhe nuk janë më, por shtëpia e të drejtëve do të mbetet më këmbë.
8 Një njeri lëvdohet për gjykimin e tij, por ai që ka një zemër të çoroditur do të përçmohet.
9 Éshtë më mirë të të çmojnë pak dhe të kesh një shërbëtor, se sa të të nderojnë dhe të mos kesh bukë.
10 I drejti kujdeset për jetën e bagëtisë së tij, por të përbrendshmet e të pabesëve janë mizore.
11 Kush punon tokën e tij do të ngopet me bukë, por ai që shkon pas kotësive është pa mend.
12 I pabesi dëshiron gjahun e njerëzve të këqij, por rrënja e të drejtëve sjell fryt.
13 Njeriu i keq kapet në kurthin e mëkatit të buzëve të tij, por i drejti do t’i shpëtojë fatkeqësisë.
14 Njeriu do të ngopet me të mira për frytin e gojës së tij, dhe secili do të marrë shpërblimin simbas veprës së duarve të tij.
15 Rruga e budallait është e drejtë para syve të tij, por ai që dëgjon këshillat është i urtë.
16 Budallai e tregon menjëherë pezmatimin e tij, por njeriu i matur e fsheh turpin.
17 Ai që thotë të vërtetën shpall atë që është e drejtë, por dëshmitari i rremë thotë mashtrime.
18 Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë, por gjuha e të urtëve sjell shërim.
19 Buza që thotë të vërtetën, do të bëhet e qëndrueshme përjetë, por gjuha që gënjen zgjat vetëm një çast.
20 Mashtrimi është në zemrën e atyre që kurdisin të keqen, por për ata që këshillojnë paqen ka gëzim.
21 Asnjë e keqe nuk do t’i ndodhë të drejtit, por të pabesët do të kenë plot telashe.
22 Buzët gënjeshtare janë të neveritshme për Zotin, por ata që veprojnë me çiltërsi i pëlqejnë atij.
23 Njeriu i matur e fsheh diturinë e tij, por zemra e budallenjve shpall budallallëkun e tyre.
24 Dora e njeriut të kujdeshëm do të sundojë, por dora e përtacëve do t’i nënshtrohet punës së detyrueshme.
25 Shqetësimi në zemrën e njeriut e rrëzon atë, por një fjalë e mirë e gëzon atë.
26 I drejti e zgjedh me kujdes shokun e tij, por rruga e të pabesëve i bën që të humbasin.
27 Përtaci nuk e pjek gjahun e tij, por kujdesi për njeriun është një pasuri e çmueshme.
28 Mbi shtegun e drejtësisë ka jetë, dhe mbi këtë shteg nuk ka vdekje.
13 Një bir i urtë dëgjon mësimet e atit të vet, por tallësi nuk e dëgjon qortimin.
2 Nga fryti i gojës së tij njeriu do të hajë atë që është e mirë, por shpirti i të pabesëve do të ushqehet me dhunë.
3 Kush kontrollon gojën e tij mbron jetën e vet, por ai që i hap shumë buzët e tij shkon drejt shkatërrimit.
4 Shpirti i përtacit dëshiron dhe nuk ka asgjë, por shpirti i atyre që janë të kujdesshëm do të kënaqet plotësisht.
5 I drejti e urren gënjeshtrën, por i pabesi është i neveritshëm dhe do të turpërohet.
6 Drejtësia ruan atë që ndjek një rrugë të ndershme, por pabesia e rrëzon mëkatarin.
7 Ka nga ata që sillen si një i pasur, por nuk kanë asgjë; përkundrazi ka nga ata që sillen si një i varfër, por kanë shumë pasuri.
8 Pasuritë e një njeriu shërbejnë për të shpërblyer jetën e tij, por i varfëri nuk ndjen asnjë kërcënim.
9 Drita e të drejtëve shkëlqen bukur, por llamba e të pabesëve do të shuhet.
10 Nga krenaria rrjedhin vetëm grindjet, por dituria është me ata që u kushtojnë kujdes këshillave.
11 Pasuria e përftuar në mënyrë jo të ndershme do të katandiset në pak gjëra, por atij që e grumbullon me mund do t’i shtohet ajo.
12 Pritja e zgjatur e ligështon zemrën, por dëshira e plotësuar është një dru i jetës.
13 Ai që përçmon fjalën do të shkatërrohet, por ai që respekton urdhërimin do të shpërblehet.
14 Mësimet e të urtit janë burim jete për t’i evituar dikujt leqet e vdekjes.
15 Gjykimi i mirë siguron favor, por veprimi i të pabesëve është i dëmshëm.
16 Çdo njeri i matur vepron me dituri, por budallai kapardiset me marrëzinë e tij.
17 Lajmëtari i keq bie në telashe, por lajmëtari besnik sjell shërim.
18 Mjerimi dhe turpi do të vjinë mbi atë që nuk pranon korrigjimin, por ai që dëgjon qortimin do të nderohet.
19 Dëshira e realizuar është e ëmbël për shpirtin, por për budallenjtë është një gjë e neveritshme largimi nga e keqja.
20 Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.
21 E keqja përndjek mëkatarët, por i drejti do të shpërblehet me të mirën.
22 Njeriu i mirë i lë një trashëgim bijve të bijve të tij, por pasuria e mëkatarit vihet mënjanë për të drejtin.
23 Ara e punuar e të varfërve jep ushqim me shumicë, por ka nga ata që vdesin për mungesë drejtësie.
24 Kush e kursen shufrën urren birin e vet, por ai që e do e korrigjon me kohë.
25 I drejti ha sa të ngopet, por barku i të pabesëve vuan nga uria.
14 Gruaja e urtë ndërton shtëpinë e saj, por budallaqja e shkatërron me duart e veta.
2 Kush ecën në drejtësinë e tij ka frikë nga Zoti, por ai që çoroditet në rrugët e tij e përçmon atë.
3 Në gojën e budallait gjejmë farën e kryelartësisë, por të urtët e ruajnë gojën e tyre.
4 Aty ku nuk ka qe grazhdi është bosh, por bollëku i korrjes qëndron në forcën e kaut.
5 Dëshmitari i ndershëm nuk gënjen, por dëshmitari i rremë thotë gënjeshtra.
6 Tallësi kërkon diturinë dhe nuk e gjen, por dija është një gjë e lehtë për atë që ka mend.
7 Largohu nga njeriu budalla sepse nuk do të gjesh dituri mbi buzët e tij.
8 Dituria e njeriut të matur qëndron në të dalluarit e rrugës së tij, por marrëzia e budallenjve është mashtrim.
9 Budallenjtë qeshin me mëkatin, por midis njerëzve të drejtë është falja.
10 Zemra njeh trishtimin e vet, por një i huaj nuk mund të marrë pjesë në gëzimin e saj.
11 Shtëpia e të pabesëve do të shkatërrohet, por çadra e njerëzve të drejtë do të lulëzojë.
12 Éshtë një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes.
13 Edhe kur qesh, zemra mund të jetë e pikëlluar, dhe vetë gëzimi mund të përfundojë në vuajtje.
14 Zemërpërdali do të ngopet me rrugët e tij, dhe njeriu i mirë do të ngopet me frytet e tij.
15 Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.
16 Njeriu i urtë i trëmbet së keqes dhe largohet prej saj, por budallai zemërohet dhe është fodull.
17 Ai që zemërohet me lehtësi kryen marrëzi dhe njeriu që ka qëllime të këqija është i urryer.
18 Teveqelit e trashëgojnë budallallëkun, por njerëzit e matur kurorëzohen me dije.
19 Njerëzit e këqij do të përkulen përpara njerëzve të mirë dhe të pabesët në portat e të drejtëve.
20 Të varfërin e urren vetë miku i tij, por i pasuri ka shumë miklues.
21 Kush përçmon të afërmin e vet, mëkaton, por ai që ka mëshirë për të varfërit është i lumtur.
22 A nuk devijojnë, vallë nga rruga e drejtë ata që kurdisin të keqen? Por ata që mendojnë të mirën kanë për të gjetur mirësi dhe të vërtetën.
23 Në çdo mundim ka një fitim, por fjalët e kota çojnë vetëm në varfëri.
24 Kurora e njerëzve të urtë është pasuria e tyre, por marrëzia e budallenjve është marrëzi.
25 Një dëshmitar që thotë të vërtetën shpëton jetën e njerëzve, por një dëshmitar i rremë thotë gënjeshtra.
26 Në frikën e Zotit gjendet një siguri e madhe, dhe bijtë e tij do të kenë një vend strehimi.
27 Frika e Zotit është një burim jete, që i shmang leqet e vdekjes.
28 Lavdia e mbretit qëndron në turmën e popullit, por shkatërrimi i princit qëndron në mungesën e njerëzve.
29 Kush është i ngadalshëm në zemërim është shumë i matur, por ai që rrëmbehet me lehtësi vë në dukje marrëzinë e tij.
30 Një zemër e shëndoshë është jetë për trupin, por lakmia është krimbi brejtës i kockave.
31 Kush shtyp të varfërin fyen rëndë atë që e ka bërë, por ai që ka mëshirë për nevojtarin e nderon atë.
32 I pabesi përmbyset nga vetë ligësia e tij, por i drejti ka shpresë në vetë vdekjen e tij.
33 Dituria prehet në zemrën e atij që ka mend, por ajo që është në zemrën e budallenjve merret vesh.
34 Drejtësia e larton një komb, por mëkati është turpi i popujve.
35 Dashamirësia e mbretit është për shërbëtorin që vepron me urtësi, por zemërimi i tij është kundër atij që sillet me paturpësi.
15 Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin.
2 Gjuha e të urtëve përdor dijen ndershmërisht, por goja e budallenjve nxjerr marrëzira.
3 Sytë e Zotit janë kudo për të shikuar të këqijtë dhe të mirët.
4 Një gjuhë e shëndoshë është një dru i jetës, por gjuha e çoroditur e sfilit shpirtin.
5 Budallai e përçmon korrigjimin e atit të tij, por ai që e çmon kritikën vepron me zgjuarsi.
6 Në shtëpinë e të drejtit ka bollëk të madh, por në të ardhurat e të pabesit ka telashe.
7 Buzët e të urtëve përhapin dijen, por nuk vepron kështu zemra e budallenjve.
8 Sakrifica e të pabesëve është një neveri për Zotin, por lutja e njerëzve të drejtë i pëlqen atij.
9 Rruga e të pabesit është një neveri për Zotin, por ai do atë që ndjek drejtësinë.
10 Një qortim i rëndë pret atë që braktis rrugën e drejtë, ai që urren kritikën ka për të vdekur.
11 Sheoli dhe Abadoni janë para Zotit; ca më tepër janë zemrat e bijve të njerëzve!
12 Tallësi nuk e do atë që e kritikon; ai nuk shkon tek të urtët.
13 Një zemër e gëzuar e bën të lumtur fytyrën, por nga pikëllimi i zemrës fryma dërrmohet.
14 Zemra e njeriut me mend kërkon dijen, por goja e budallenjve ushqehet me marrëzi.
15 Të gjitha ditët e të varfërit janë të këqija, por për një zemër të kënaqur ka festë përherë.
16 Më mirë pak me frikën e Zotit, se sa një thesar i madh me shqetësime.
17 Më mirë një pjatë me perime në të cilën ka dashuri se sa një ka i majmur në të cilin ka urrejtje.
18 Njeriu gjaknxehtë nxit grindje, por ai që nuk zemërohet shpejt i qetëson grindjet.
19 Rruga e përtacit është si një gardh ferrash, por shtegu i njerëzve të drejtë është i sheshtë.
20 Biri i urtë gëzon të atin, por njeriu budalla përçmon të ëmën.
21 Marrëzia është gëzim për atë që nuk ka mend, por njeriu që ka mend ecën drejt.
22 Planet dështojnë ku nuk ka arsye, por realizohen atje ku ka një mori këshilltarësh.
23 Një njeri ndjen gëzim kur mund të jap një përgjigje dhe sa e mirë është fjala që thuhet në kohën e duhur!
24 Njeriun e matur rruga e jetës e çon lart në mënyrë që të evitojë Sheolin poshtë.
25 Zoti do të shkatërrojë shtëpinë e krenarëve, por do t’i bëjë të qëndrueshëm kufijtë e gruas së ve.
26 Mendimet e këqija janë të neveritshme për Zotin, por fjalët e ëmbla janë të pastra.
27 Kush lakmon fitime vë në rrezik shtëpinë e vet, por ai që i urren dhuratat ka për të jetuar.
28 Zemra e të drejtit mendon thellë se si duhet të përgjigjet, por goja e të pabesit vjell gjëra të këqija.
29 Zoti u rri larg të pabesëve, por dëgjon lutjet e të drejtëve.
30 Drita e syve gëzon zemrën, një lajm i mirë i fortëson kockat.
31 Veshi që e dëgjon kritikën e jetës ka për të qëndruar bashkë me të urtët.
32 Kush nuk pranon qortimin e përçmon vetë shpirtin e tij, por ai që dëgjon qortimin bëhet më i urtë.
33 Frika e Zotit është një mësim diturie, dhe përpara lavdisë vjen përulësia.
16 Prirjet e zemrës i përkasin njeriut, por përgjigja e gjuhës vjen nga Zoti.
2 Të gjitha rrugët e njeriut janë të pastra në sytë e tij, por Zoti i peshon frymët.
3 Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen.
4 Zoti ka bërë çdo gjë për vete të tij, edhe të pabesin për ditën e fatkeqësisë.
5 Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin; edhe sikur t’i shtrëngojë dorën një tjetri për besëlidhje, nuk ka për të mbetur pa u ndëshkuar.
6 Me mirësinë dhe me të vërtetën padrejtësia shlyhet, dhe me frikën e Zotit njeriu largohet nga e keqja.
7 Kur Zotit i pëlqejnë rrugët e një njeriu, ai bën që edhe armiqtë e tij të bëjnë paqe me të.
8 Më mirë të kesh pak me drejtësi, se sa të ardhura të mëdha pa drejtësi.
9 Zemra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij.
10 Mbi buzët e mbretit është një vendim hyjnor; gjatë gjykimit goja e tij nuk duhet të gabojë.
11 Kandari dhe peshoret e sakta janë të Zotit, të gjitha gurët e peshës janë vepër e tij.
12 Éshtë një gjë e neveritshme për mbretërit të bëjnë të keqen, sepse froni bëhet i qëndrueshëm me drejtësinë.
13 Buzët e drejta u pëlqejnë mbretërve; ata e duan atë që flet drejt.
14 Zemërimi i mbretit është si lajmëtari i vdekjes, por njeriu i urtë do ta qetësojë atë.
15 Në dritën e fytyrës së mbretit ka jetë, dhe favori i tij është si reja e shiut të fundit.
16 Éshtë më mirë të fitosh dituri se sa ar, dhe të fitosh mënçuri se sa argjend.
17 Rruga kryesore e njerëzve të drejtë është të evitojnë të keqen; ai që do ta ruajë shpirtin e tij mbikqyr rrugën e tij.
18 Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare.
19 Më mirë të kesh frymë të përulur me të mjerët se sa të ndash prenë me krenarët.
20 Kush i kushton kujdes Fjalës do të gjejë të mirën, dhe kush i beson Zotit është i lumtur.
21 I urti nga zemra do të quhet i matur, dhe ëmbëlsia e buzëve e shton diturinë.
22 Mendja është një burim jete për atë që e zotëron, por budallallëku është dënimi i budallenjve.
23 Zemra e të urtit e bën të mençur gojën e tij dhe e shton diturinë e buzëve të tij.
24 Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat.
25 Ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes.
26 Personi që lodhet, lodhet për veten e tij, sepse goja e tij e nxit.
27 Njeriu i keq kurdis të keqen dhe mbi buzët e tij ka si një zjarr të ndezur.
28 Njeriu i çoroditur mbjell grindje dhe ai që shpif përçan miqtë më të mirë.
29 Njeriu i dhunës e josh shokun e vet dhe e çon nëpër një rrugë jo të mirë.
30 Kush mbyll sytë për të kurdisur gjëra të këqija, kafshon buzët kur shkakton të keqen.
31 Flokët e bardha janë një kurorë lavdie; atë e gjejmë në rrugën e drejtësisë.
32 Kush nuk zemërohet shpejt vlen më tepër se një luftëtar i fortë, dhe ai që e urdhëron frymën e tij vlen më tepër se ai që mposht një qytet.
33 Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo veprim varet nga Zoti.
17 Éshtë më mirë një copë bukë thatë me paqe se sa një shtëpi plot me kafshë të vrara me grindje.
2 Shërbëtori që vepron me urtësi ka për të sunduar mbi të birin që e turpëron dhe do të marrë një pjesë të trashëgimisë bashkë me vëllezërit.
3 Poçi është për argjendin dhe furra për arin, por ai që provon zemrat është Zoti.
4 Njeriu i keq dëgjon buzët e liga, gënjeshtari dëgjon gjuhën e çoroditur.
5 Ai që përqesh të varfërin fyen Atë që e ka krijuar; ai që kënaqet me fatkeqësinë e tjetrit nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.
6 Bijtë e bijve janë kurora e pleqve, dhe lavdia e bijve janë etërit e tyre.
7 Budallait nuk i shkon një e folur e bukur, aq më pak princit nuk i shkojnë buzë gënjeshtare,
8 Një dhuratë është një gur i çmuar në sytë e atij që e ka; ngado që kthehet, ai ia del.
9 Kush mbulon një faj fiton dashuri, por kush i rikthehet përsëri ndan miqtë më të mirë.
10 Një qortim depërton më thellë te njeriu me mend se sa njëqind goditje te budallai.
11 Njeriu i keq nuk kërkon gjë tjetër veç të ngrerë krye, prandaj do të dërgohet kundër tij një lajmëtar mizor.
12 Éshtë më mirë të takosh një harushë se cilës i kanë vjedhur këlyshët e vet se sa një budalla në marrëzinë e tij.
13 E keqja nuk do të largohet nga shtëpia e atij që së mirës i përgjigjet me të keqen.
14 Të fillosh një grindje është sikur t’u çelësh rrugë ujërave; prandaj ndërprite grindjen përpara se të acarohet.
15 Ai që nxjerr të pafajshëm fajtorin dhe ai që dënon të drejtin janë që të dy të neveritshëm për Zotin.
16 Ç’duhet paraja në duart e budallait? Mos vallë për të blerë dituri, kur ai nuk ka mend fare?
17 Miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira.
18 Njeriu që nuk ka mend jep dorën si garanci dhe merr zotime për të afërmin e tij.
19 Ai që do mëkatin i do grindjet, dhe ai që ngre portën e tij kërkon rrënim.
20 Njeriu zemërshthurur nuk gjen asnjë të mirë, dhe ai që ka gjuhën e çoroditur bie në telashe.
21 Atij që i lind një budalla do t’i vijnë hidhërime dhe ati i një budallai nuk mund të ketë gëzim.
22 Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë, por një frymë e dërrmuar i than kockat.
23 I pabesi pranon dhurata fshehurazi për të prishur rrugët e drejtësisë.
24 Dituria qëndron para atij që ka mend, por sytë e budallait enden deri në cepat më të largëta të dheut.
25 Biri budalla është një burim vuajtjesh për atin e tij dhe hidhërim për atë që e ka lindur.
26 Nuk është mirë të dënosh të drejtin, as të godasësh princat për ndershmërinë e tyre.
27 Kush i mat fjalët e veta ka dije, dhe kush ka një shpirt të qetë është njeri i matur.
28 Budallai, edhe kur hesht, konsiderohet i urtë dhe, kur i mban të mbyllura buzët e tij, konsiderohet i zgjuar.
18 Kush veçohet kërkon kënaqësinë e tij dhe zemërohet kundër gjithë diturisë së vërtetë.
2 Budallai nuk gjen kënaqësi te maturia, por vetëm në të vënit në dukje të zemrës së tij.
3 Kur vjen i pabesi vjen edhe përçmimi dhe bashkë me humbjen e nderit vjen turpi.
4 Fjalët e gojës së një njeriu janë ujëra të thella; burimi i diturisë është si një rrjedhë uji që shkon duke gurgulluar.
5 Nuk është mirë të preferosh të pabesin, apo të shkaktosh humbjen e të drejtit në gjyq.
6 Buzët e budallait të çojnë në grindje, dhe goja e tij kërkon goditje.
7 Goja e budallait është shkatërrimi i tij dhe buzët e tij janë një lak për jetën e tij.
8 Fjalët e shpifësit janë si një gjellë shumë e shijshme që zbret thellë në zorrë.
9 Edhe ai që është përtac në punën e tij është vëlla i planprishësit.
10 Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri.
11 Pasuria e kamësit është qyteti i tij i fortë dhe simbas mendimit të tij ajo është si një mur i lartë.
12 Përpara shkatërrimit, zemra e njeriut ngrihet, por para lavdisë vjen përulësia.
13 Kush jep përgjigje për një çështje para se ta ketë dëgjuar, tregon marrëzinë e tij për turp të vet.
14 Fryma e njeriut i jep krahë në sëmundjen e tij, por kush mund ta ngrerë një frymë të demoralizuar?
15 Zemra e njeriut të matur fiton dituri, edhe veshi i të urtëve kërkon diturinë.
16 Dhurata e njeriut i hap rrugën dhe e çon në prani të të mëdhenjve.
17 I pari që mbron çështjen e vet duket sikur ka të drejtë; por pastaj vjen tjetri dhe e shqyrton.
18 Fati u jep fund grindjeve dhe i ndan të fuqishmit.
19 Një vëlla i fyer është si një qytet i fortë; dhe grindjet janë si shulat e një kalaje.
20 Njeriu e ngop barkun me frytin e gojës së tij, ai ngopet me prodhimin e buzëve të tij.
21 Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës; ata që e duan do të hanë frytet e saj.
22 Kush ka gjetur grua ka gjetur një gjë të mirë dhe ka siguruar një favor nga Zoti.
23 I varfëri flet duke u lutur, kurse i pasuri përgjigjet me ashpërsi.
24 Njeriu që ka shumë miq duhet gjithashtu të tregohet mik, por është një mik që është më i lidhur se një vëlla.
19 Éshtë më i mirë një i varfër që ecën në ndershmërinë e tij se sa ndonjë që është i çoroditur nga buzët dhe që është budalla.
2 Përveç kësaj nuk është mirë që një shpirt të jetë pa dije; kush ecën me hapa të shpejta gabon rrugë.
3 Budallallëku i njeriut e bën rrugën e tij të rrëshqitshme dhe zemra e tij pezmatohet kundër Zotit.
4 Pasuritë sigurojnë një numër të madh miqsh, por i varfëri ndahet nga vet miku i tij.
5 Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar dhe ai që thotë gënjeshtra nuk do të ketë shpëtim.
6 Të shumtë janë ata që kërkojnë favorin e princit dhe të gjithë janë miq të atij që bën dhurata.
7 Të gjithë vëllezërit e të varfërit e urrejnë atë, aq më tepër largohen prej tij miqtë e vet. Ai mund t’u shkojë pas me fjalë, por ata nuk gjenden më.
8 Kush fiton mënçuri do vetë jetën e tij dhe ai që mbetet i matur do të gjejë të mirën.
9 Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar, dhe ai që thotë gënjeshtra do të humbasë.
10 Të jetuarit në kënaqësi nuk i shkon budallait, dhe aq më pak një shërbëtori të sundojë mbi princat.
11 Mënçuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t’i kapërcejë fyerjet.
12 Zemërimi i mbretit është si ulërima e një luani, por favori i tij është si vesa mbi bar.
13 Një bir budalla është një fatkeqësi për të atin, dhe grindjet e vazhdueshme të bashkëshortes së tij janë si një e pikuar e vazhdueshme.
14 Shtëpia dhe pasuritë janë trashëgimi nga etërit, por një bashkëshorte e mënçur vjen nga Zoti.
15 Përtacia të bën të biesh në një gjumë të thellë dhe njeriu i plogët do të vuajë nga uria.
16 Kush respekton urdhërimin ruan jetën e tij, por ai që lë pas dore sjelljen e tij ka për të vdekur.
17 Ai që ka mëshirë për të varfërin i jep hua Zotit, i cili do t’ia kthejë ato që i ka dhënë.
18 Ndëshko birin tënd sa ka shpresë, por mos u shty deri sa të shkaktosh vdekjen e tij.
19 Njeriu shumë gjaknxehtë duhet të ndëshkohet si pasojë e kësaj, sepse po nuk u ndëshkua, ai do të bëhet edhe më tepër gjaknxehtë.
20 Dëgjo këshillën dhe prano mësimet, që ti të bëhesh i urtë për kusurin e ditëve të tua.
21 Ka shumë plane në zemrën e njeriut, por vetëm plani i Zotit do të mbetet i pandryshuar.
22 Ajo që dëshiron njeriu është mirësia dhe një i varfër vlen më tepër se një gënjeshtar.
23 Frika e Zotit të çon në jetë; kush e ka do të mbetet i ngopur dhe nuk do të preket nga asnjë e keqe.
24 Përtaci e zhyt dorën e tij në pjatë, por nuk arrin as ta çojë në gojë.
25 Godite tallësin dhe njeriu i thjeshtë do të bëhet mëndjehollë; qorto atë që ka mend dhe ai do të fitojë dituri.
26 Kush përdor dhunë me të atin dhe dëbon nënen e tij, është një faqenxirë dhe me turp.
27 Biri im, mos dëgjo më mësimet, dhe do të largohesh nga fjalët e diturisë.
28 Dëshmitari i lig tallet me drejtësinë dhe goja e të pabesëve gëlltit padrejtësinë.
29 Ndëshkimet janë përgatitur për tallësit dhe goditjet për kurrizin e budallenjve.
20 Vera është tallëse, pija dehëse është e turbullt dhe kush jepet pas tyre nuk është i urtë.
2 Frika e mbretit është si ulërima e luanit; kush ia nxit zemërimin mëkaton kundër vetë jetës së vet.
3 Éshtë një lavdi për njeriun t’u shmanget grindjeve, por çdo budalla përzihet në to.
4 Përtaci nuk lëron për shkak të të ftohtit; për pasojë do të lypë në kohën e vjeljeve, por nuk do të ketë asgjë.
5 Këshilla në zemrën e njeriut është si uji i thellë, por njeriu me mend do të dijë të mbushë nga ai ujë.
6 Shumë njerëz shpallin mirësinë e tyre; por kush mund të gjejë një njeri besnik?
7 I drejti ecën në ndershmërinë e tij; bijtë e tij do të bekohen pas atij.
8 Një mbret që ulet mbi fronin e gjyqit davarit me vështrimin e tij çdo të keqe.
9 Kush mund të thotë: "Pastrova zemrën time, jam i pastruar nga mëkati im"?
10 Peshimi i dyfishtë dhe matja e dyfishtë janë që të dyja gjëra të neveritshme për Zotin.
11 Edhe fëmija me veprimet e tij tregon në se ajo që bën është e pastër dhe e ndershme.
12 Veshin që dëgjon dhe syrin që sheh i ka bërë që të dy Zoti.
13 Mos e duaj gjumin që të mos varfërohesh; mbaji sytë hapur dhe do të kesh bukë sa të ngopesh.
14 "Éshtë i keq, është i keq," thotë blerësi; por mbasi ai ka ikur, lavdërohet për blerjen.
15 Ka flori dhe margaritarë të shumtë, por buzët e pasura me dije janë një xhevahir i çmuar.
16 Merr rroben e atij që është bërë garant për një të huaj, dhe mbaje si peng për gruan e huaj.
17 Buka e nxjerrë me hile është e ëmbël për njeriun, por pastaj goja e tij do të mbushet me zaje.
18 Planet bëhen të qëndrueshme nga këshilla; prandaj bëje luftën me këshilla të urta.
19 Ai që shkon poshtë e lart duke përfolur tregon sekretet; prandaj mos u shoqëro me atë që flet tepër.
20 Atij që mallkon të atin dhe të ëmën, llamba do t’i shuhet në terrin më të madh.
21 Trashëgimia e fituar me nxitim në fillim, nuk do të bekohet në fund.
22 Mos thuaj: "Do t’i përgjigjem së keqes me të keqen"; ki shpresë te Zoti dhe ai do të të shpëtojë.
23 Peshimi i dyfishtë është i neveritshëm për Zotin dhe peshorja e pasaktë nuk është një gjë e mirë.
24 Hapat e njeriut vijnë nga Zoti; si mund ta njohë, pra, njeriu rrugën e vet?
25 Éshtë një kurth për njeriun të marrë një zotim pa e matur mirë dhe, mbasi ta ketë marrë, të mendohet.
26 Një mbret i urtë i shpartallon njerëzit e këqij dhe kalon mbi ta rrotën.
27 Shpirti i njeriut është llamba e Zotit, që vëzhgon tërë skutat më të fshehta të zemrës.
28 Mirësia dhe besnikëria ruajnë mbretin; ai e bën të qëndrueshëm fronin e tij me anë të mirësisë.
29 Lavdia e të rinjve është forca e tyre, nderi i pleqve janë thinjat e tyre.
30 Të rrahurat që lënë plagë të thella e heqin të keqen, ashtu si goditjet që vijnë në pjesën më të brendshme të zorrëve.