A A A A A
Bible Book List

Fjalët e urta 31Albanian Bible (ALB)

31 Fjalë të mbretit Lemuel, mesazhi profetik me të cilin e mësoi e ëma.

Çfarë të të them, biri im? Çfarë të të them, biri i barkut tim? Çfarë të të them, bir i zotimeve të mia?

Mos ua jep forcën tënde grave as jetën tënde asaj që shkatërron mbretërit.

Nuk u shkon mbretërve, o Lemuel, nuk u shkon mbretërve të pinë verë as princave të dëshirojnë pije dehëse,

sepse duke pirë të mos harrojnë ligjin dhe të mos shtrembërojnë të drejtën e të pikëlluarve.

Jepini pije dehëse atij që është duke vdekur dhe verë atij që e ka zemrën të hidhëruar.

Le të pijë për të harruar varfërinë e tij dhe për të mos kujtuar më hallet e tij.

Hape gojën tënde në favor të memecit, në mbrojtje të të gjithë atyre që janë lënë pas dore.

Hape gojën tënde, gjyko me drejtësi dhe mbro çështjen e të mjerit dhe të nevojtarit.

10 Kush do të gjejë një grua të fortë dhe të virtytshme? Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve.

11 Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo, dhe do të ketë gjithnjë fitime.

12 Ajo i bën të mira dhe jo të keqe tërë ditët e jetës së saj.

13 Gjen lesh dhe li dhe punon me gëzim me duart e veta.

14 Ajo u përngjan anijeve të tregëtarëve: e sjell ushqimin e saj nga larg.

15 Çohet që me natë për t’i ndarë ushqimin familjes së saj dhe për t’u dhënë urdhërat e nevojshme shërbëtoreve të saj.

16 Ajo shikon një arë dhe e ble; me duart e saj mbjell një vresht.

17 Ngjesh me forcë ijët dhe i bën më të fortë krahët e saj.

18 E kupton që tregëtia e saj po shkon mbarë dhe llamba e saj e natës nuk i shuhet.

19 Shtrin dorën mbi furkën, pëllëmbat e saj zënë boshtin.

20 I shtrin dorën të varfërit dhe i jep dorën nevojtarit.

21 Nuk i trembet borës për familjen e saj, sepse tërë ata të shtëpisë së vet kanë një veshje të dyfishtë.

22 Bën për vete mbulesa si sixhade dhe rrobat e saj janë prej liri shumë të hollë dhe të purpurta.

23 Burri i saj nderohet te porta, kur ulet bashkë me pleqtë e vendit.

24 Përgatit rroba prej liri dhe i shet, i furnizon me breza tregtarët.

25 Forca dhe nderi janë rrobat e saj dhe qesh për ditët që do të vijnë.

26 Hap gojën e saj me dituri dhe mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë.

27 Ajo mbikqyr si shkon shtëpia e vet dhe nuk ha bukën e përtacisë.

28 Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon duke thënë:

29 "Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato".

30 Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet.

31 I jepni frytin e duarve të saj, dhe vet veprat e saj le ta lëvdojnë te portat.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes