A A A A A
Bible Book List

Ezekieli 23Albanian Bible (ALB)

23 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke më thënë:

"Bir njeriu, na ishin dy gra, bija të së njëjtës nënë,

që u kurvëruan në Egjipt. U kurvëruan në rininë e tyre; aty u shtërnguan gjitë e tyre dhe atje u shtërngua gjiri i tyre virgjëror.

Emrat e tyre janë: Oholahu më e madhja dhe Oholibahu e motra. Ato ishin të miat dhe lindën bij dhe bija. Emrat e tyre janë: Oholahu është Samaria, Oholibahu është Jeruzalemi.

Ndonse ishte imja, Oholahu u kurvërua dhe mori zjarr për dashnorët e saj, Asirët që ishin fqinj të saj,

të veshur me purpur, qeveritarë dhe princa, të gjithë të rinj tërheqës, kalorës të hipur mbi kuaj.

Ajo u kurvërua me ta, me gjithë njerëzit më të mirë të Asirisë, dhe u ndot me të gjithë ata për të cilët ndez, bashkë me gjithë idhujt e tyre.

Nuk braktisi kurvërimet e Egjiptit, kur kish rënë me të gjatë rinisë së saj, kishin shtërnguar gjirin e saj të virgjër dhe kishin derdhur mbi të kurvërimet e tyre.

Prandaj e braktisa në dorë të dashnorëve të saj, në dorë të bijve të Asirisë, për të cilët kishte marrë zjarr.

10 Ata zbuluan lakuriqësinë e saj, morën bijtë e saj dhe bijat e saj dhe i vranë me shpatë. Asaj i doli nami midis grave dhe zbatuan kundër saj ndëshkimin.

11 Motra e saj Oholibahu e pa këtë, por në dashurinë e saj u bë edhe më e korruptuar nga ajo dhe kurvërimet e saj qenë më të këqija nga ato të së motrës.

12 U ndez për bijtë e Asirisë, fqinj të saj, qeveritarë dhe princa të veshur në mënyrë të shkëlqyer, kalorës të hipur mbi kuaj, të tërë të rinj tërheqës.

13 Unë pashë që ishte molepsur, që të dyja ndiqnin po atë rrugë.

14 Por ajo i shtoi kurvërimet e saj; pa burra të pikturuar mbi mur, figura të Kaldeasve të pikturuara në të kuq,

15 me breza rreth ijëve, me çallma të mëdha në kokë, të gjithë me pamje krerësh, të ngjashëm me bijtë e Babilonisë në Kalde, tokë e tyre e lindjes.

16 Sa i pa, ajo u ndez për ta dhe u dërgoi lajmëtarë në Kalde.

17 Atëherë bijtë e Babilonisë erdhën tek ajo në shtratin e dashurive dhe e molepsën me kurvërimet e tyre. Ajo u moleps me ta, por pastaj u largua prej tyre.

18 Ajo i nxori sheshit kurvërimet e saj dhe nxori sheshit turpin e saj; prandaj unë u largova nga ajo, ashtu siç isha larguar nga e motra.

19 Megjithatë ajo i shumoi kurvërimet e saj, duke kujtuar ditët e rinisë së saj, kur ishte kurvëruar në vendin e Egjiptit.

20 Mori zjarr për dashnorët e saj, mishi i të cilëve është si mishi i gomarëve dhe rrjedhja e të cilëve është si rrjedhja e kuajve.

21 Kështu ti kujtove shthurjen e rinisë sate, kur Egjiptasit shtrëngonin gjirin tënd për shkak të gjive të tu rinorë.

22 Prandaj, Oholibahu, kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të nxis kundër teje dashnorët e tu, prej të cilëve je larguar dhe do t’i sjell kundër teje nga të gjitha anët:

23 bijtë e Babilonisë dhe gjithë Kaldeasit, ata të Pekodit, Shoas dhe Koas, tërë bijtë e Asirisë bashkë me ta, tërë të rinjtë tërheqës, qeveritarët dhe princat, kapitenët dhe njerëzit e famshëm, të gjithë të hipur mbi kuaj.

24 Ata do të vijnë kundër teje me armë, qerre dhe rrota si dhe me një shumicë popujsh; do të vendosin rreth e qark teje mburoja të vogla dhe të mëdha dhe përkrenare. Do t’u jap atyre gjykimin e tyre dhe ata do të gjykojnë sipas ligjeve të tyre.

25 Do të drejtoj xhelozinë time kundër teje, dhe ata do të të trajtojnë me tërbim; do të të heqin hundën dhe veshët, dhe mbeturinat e tua do të bien nga shpata; do të marrin bijtë e tu dhe bijat e tua dhe mbeturinat e tua do të gllabërohen nga zjarri.

26 Do të të zhveshin nga rrobat e tua dhe do të të marrin xhevahiret e tu të bukur.

27 Kështu do të marrin fund shthurja jote dhe kurvërimi yt që nisën në vendin e Egjiptit; nuk do t’i ngresh më sytë drejt tyre dhe nuk do ta kujtosh më Egjiptin".

28 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë po të jap në duart e atyre që ti urren, në duart e atyre prej të cilëve je larguar.

29 Do të të trajtojnë me urrejtje, do të të marrin tërë frytin e punës sate dhe do të të lënë lakuriqe dhe nevojtare. Do të dalë në shesh poshtërsia e kurvërimeve të tua, po, shthurja e kurvërimeve të tua.

30 Këto gjëra do t’i bëjnë sepse je kurvëruar duke u shkuar pas kombeve, sepse je ndotur me idhujt e tyre.

31 Ti ke ecur në rrugën e motrës sate, prandaj do të të vë në dorë po atë kupë".

32 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ti do të pish kupën e motrës sate, të thellë dhe të gjërë; do të të përqeshin dhe të të tallin, sepse kupa nxë shumë.

33 Do të jesh plot me dehje dhe me dhembje, do të jetë, kupa e dëshpërimit dhe shkretimit, kupa e motrës sate Samaria.

34 Ti do ta pish, ti do ta shkullosh, do ta bësh copë e çikë dhe do të çash gjirin tënd; sepse unë fola," thotë Zoti, Zoti.

35 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se më ke harruar dhe më ke hedhur prapa krahëve, do të vuash edhe ti dënimin për shthurjen tënde dhe për kurvërimet e tua".

36 Pastaj Zoti më tha: "Bir njeriu, nuk do t’i gjykosh ti Oholahun dhe Oholibahun? Shpallju, pra, veprimet e tyre të neveritshme.

37 Në fakt kanë kryer shkelje kurore, kanë gjak mbi duart e tyre, kanë kryer shkelje kurore me idhujt e tyre, madje i kanë kaluar nëpër zjarr që të gllabërohen, bijtë e tyre që më kishin lindur.

38 Edhe këtë më kanë bërë: po atë ditë kanë ndotur shenjtëroren time dhe kanë përdhosur të shtunat e mia.

39 Mbasi ua flijuan bijtë e vet idhujve të tyre, po atë ditë erdhën në shenjtëroren time për ta përdhosur; ja çfarë kanë bërë në mes të tempullit tim.

40 Përveç kësaj dërguan të thërrasin njerëz nga vende të largëta, të cilëve u dërguan lajmëtarë; dhe ja, ata erdhën. Për ta u lave, i ngjeve sytë dhe u veshe me rroba të zbukuruara me stoli të shkëlqyera.

41 U shtrive mbi një shtrat madhështor para të cilit ishte shtruar një tryezë dhe mbi këtë vure tejmanin tim dhe vajin tim.

42 Rreth saj ishte zhurma e një morie njerëzish të shkujdesur; së bashku me turmën suallën edhe të dehur nga shkretëtira, që vunë byzylykë në kyçet e dorës dhe kurora të mrekullueshme mbi kokat e tyre.

43 Pastaj thashë për atë që kishte një përvojë të madhe në shkeljet e kurorës: "A do të kryejnë tashti kurvërime me të, dhe ajo me ata?".

44 Pastaj ata hynë tek ajo siç i hyhet një prostitute; kështu hynë tek Oholahu dhe Oholibahu, gra të shthurura.

45 Por njerëz të drejtë do t’i gjykojnë ashtu si gjykohen shkelëset e kurorës, ashtu si gjykohen gratë që derdhin gjak, sepse janë shkelëse të kurorës dhe kanë gjak mbi duart e tyre".

46 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Bëj që të dalë kundër tyre një turmë dhe lëri në mëshirë të tmerrit dhe të plaçkitjes.

47 Ajo turmë do t’i qëllojë me gurë për vdekje, do t’i bëjë copë-copë me shpatën e saj; do të vrasë bijtë dhe bijat e tyre dhe do t’u vërë flakën shtëpive të tyre.

48 Do t’i japë fund shthurjes morale në vend, dhe të gjitha gratë do të mësohen të mos kryejnë më shthurjet tuaja morale.

49 Do të bëjnë që të bjerë mbi ju shthurja juaj morale dhe do ta vuani kështu dënimin e mëkateve me gjithë idhujt tuaj. Atëherë do të pranoni që unë jam Zoti, Zoti".

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes