Add parallel Print Page Options

37 Pastaj Betsaleeli bëri arkën prej druri të akacies, ajo ishte e gjatë dy kubitë e gjysmë, e gjerë një kubit dhe e lartë një kubit e gjysmë.

E veshi me ar safi nga brenda dhe nga jashtë, dhe i bëri një kurorë që i vinte rrotull.

Shkriu për këtë qëllim katër unaza prej ari dhe i vuri në katër këmbët e saj: dy unaza nga njëra anë dhe dy unaza nga ana tjetër.

Bëri edhe disa shtiza me dru akacieje dhe i veshi me ar.

Pastaj i kaloi shtizat nëpër unazat, që ishin anëve të arkës dhe që shërbenin për ta mbartur atë.

Bëri edhe një pajtues prej ari safi, të gjatë dy kubitë e gjysmë dhe të gjerë një kubit e gjysmë.

Bëri edhe dy kerubinë prej ari; këto u punuan me çekiç në të dy skajet e pajtuesit:

një kerubin në njërin skaj dhe një kerubin në skajin tjetër; kerubinët i bëri njësh me pajtuesin në të dy skajet e tij.

Kerubinët i kishin krahët e hapura lart, në mënyrë që të mbulonin pajtuesin me krahët e tyre; ishin kthyer njëri ndaj tjetrit, ndërsa fytyrat e kerubinëve ishin kthyer nga pajtuesi.

10 Bëri edhe tryezën me dru të akacies me gjatësi dy kubitë, gjerësi një kubit dhe një lartësi një kubit e gjysmë.

11 E veshi me ar safi dhe i bëri rreth e rrotull një kurorë prej ari.

12 Dhe i bëri rreth e qark një buzë të lartë sa pëllëmba e dorës dhe rreth e rrotull kësaj buze bëri një kurorë prej ari.

13 Dhe për këtë qëllim derdhi katër unaza ari dhe i vuri unazat në të katër qoshet, që janë në katër këmbët e tryezës.

14 Unazat ishin afër buzës për të kaluar nëpër to shtizat e caktuara për të mbartur tryezën.

15 I bëri shtizat me dru të akacies dhe i veshi me ar; ato do të shërbenin për ta mbartur tryezën.

16 I bëri edhe orenditë që do të viheshin mbi tryezë prej ari safi: pjatat e tij, gotat e tij, filxhanët e tij, kupat e tij me të cilët bëhen libacionet.

17 Edhe shandanin e bëri me ar safi; e punuan me çekiç; këmba, trungu, kupat, mollët dhe lulet e tij përbënin të gjitha një tërësi të vetme.

18 Nga anët e tij dilnin gjashtë krahë: tre krahë të shandanit nga një anë dhe tre krahë të shandanit nga ana tjetër;

19 mbi njërin krah kishte tri kupa në formë bajameje, me një mollë dhe një lule; në krahun tjetër tri kupa në formë të bajames me një mollë dhe një lule. E njëjta gjë ndodhte për të gjashtë krahët që dilnin nga shandani.

20 Dhe në trungun e shandanit kishte katër kupa në formë të bajames, me mollët dhe lulet e tyre.

21 Kishte një mollë poshtë dy krahëve të para që dilnin prej tij, një mollë poshtë dy krahëve të tjerë që dilnin prej tij, dhe një mollë poshtë dy krahëve të fundit që dilnin prej tij; kështu ishte për të gjashtë krahët që dilnin nga shandani.

22 Këto mollë dhe këto krahë përbënin një të tërë të vetme me shandanin; gjithçka ishte prej ari safi të punuar me çekiç.

23 Ai i bëri gjithashtu shtatë llambat e tij, zbrazësit dhe mbajtësit e tyre, me ar safi.

24 Për të bërë shandanin dhe të gjitha pjesët e tij përdori një talent ari të pastër.

25 Pastaj bëri altarin e temjanit me dru të akacies; ishte i gjatë një kubit dhe i gjerë një kubit; ishte katror dhe kishte një lartësi prej dy kubitësh; brirët e tij përbënin një të tërë të vetme me të.

26 E veshi me ar safi: pjesën e tij të sipërme, anët e tij rreth e qark dhe brirët e tij; dhe i bëri rreth e rrotull një kurorë prej ari.

27 I bëri edhe dy unaza ari, nën kurorë, në të dy krahët e tij; i vuri në të dy krahët për të kaluar shtizat. Këto shtiza shërbenin për ta mbartur atë.

28 Dhe i bëri shtizat prej druri të akacies dhe i veshi me ar.

29 Pastaj përgatiti vajin e shenjtë për vajosjen dhe temjanin aromatik, të pastër, simbas artit të parfumierit.

38 Pastaj bëri altarin e olokausteve prej druri të akacies, i gjatë pesë kubitë dhe i gjerë po pesë kubitë; ishte katror dhe i lartë tre kubitë.

Në të katër qoshet e tij bëri disa brirë, që përbënin një të tërë me të, dhe e veshi me bronz.

Bëri gjithashtu të gjitha përdorëset e altarit: enët për hirin, lopatat e vogla, legenat, mashat dhe mangallet; të gjitha veglat e tij i bëri prej bronzi.

Dhe bëri për altarin një grilë prej bronzi në formën e një rrjete nën kornizën, në pjesën e poshtme në mënyrë që rrjeta të ndodhej në gjysmën e lartësisë së altarit.

Derdhi katër unaza për të katër cepat e grilës prej bronzi, me qëllim që të kalonin shtizat.

Pastaj i bëri shtizat prej druri të akacies dhe i veshi me bronz.

Pas kësaj i kaloi shtizat nëpër unazat që ndodheshin anëve të altarit, me të cilat do të mbartej: e ndërtoi me dërrasa dhe bosh nga brenda.

Pastaj bëri legenin prej bronzi dhe bazën e tij prej bronzi, duke përdorur pasqyrat e grave që vinin për të bërë shërbime në hyrje të çadrës së mbledhjes.

Pastaj bëri oborrin: nga ana e Negevit, në drejtim të jugut, perdet e oborrit ishin prej liri të hollë të përdredhur dhe me një gjatësi prej njëqind kubitësh,

10 dhe kishin njëzet shtyllat e tyre dhe njëzet bazat e tyre prej bronzi; grremçat e shtyllave dhe shtizat e tyre ishin prej argjendi.

11 Në krahun verior kishte njëqind kubitë perde me njëzet shtyllat e tyre dhe njëzet bazat e tyre prej bronzi; grremçat e shtyllave dhe shtizat e tyre ishin prej argjendi.

12 Në krahun perëndimor kishte pesëdhjetë kubitë perde me dhjetë shtyllat dhe dhjetë bazat e tyre; grremçat e shtyllave dhe shtizat e tyre ishin prej argjendi.

13 Përpara, nga ana e lindjes, kishte pesëdhjetë kubitë:

14 nga njëri krah kishte pesëdhjetë kubitë perde, me tri shtyllat dhe tri bazat e tyre;

15 dhe nga ana tjetër (si këtej ashtu dhe matanë portës së hyrjes në oborr) kishte pesëmbëdhjetë kubitë perde, me tri shtyllat dhe tri bazat e tyre.

16 Të gjitha perdet rreth oborrit ishin prej liri të hollë të përdredhur;

17 bazat e shtyllave ishin prej bronzi, grremçat e shtyllave dhe shtizat e tyre ishin prej argjendi, kapitelet e shtyllave ishin të veshura me argjend dhe të gjitha shtyllat e oborrit ishin të lidhura me disa shtiza argjendi.

18 Perdja për hyrjen në oborr ishte e qëndisur, me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe të kuq të ndezur, dhe me li të përdredhur; kishte një gjatësi prej njëzet kubitësh, një lartësi prej pesë kubitësh, dhe korrespondonte me perdet e oborrit.

19 Kishte katër shtylla me katër bazat e tyre prej bronzi; grremçat e tyre ishin prej argjendi dhe kapitelet e tyre dhe shtizat e tyre ishin të veshura me argjend.

20 Të gjitha kunjat e tabernakullit dhe të rrethojës së oborrit ishin prej bronzi.

21 Kjo është lista e sendeve të tabernakullit, të tabernakullit të dëshmisë, që u renditën me urdhër të Moisiut, për shërbimin e Levitëve, nën drejtimin e Ithamarit, birit të priftit Aaron.

22 Betsaleeli, bir i Urit, bir i Hurit, nga fisi i Judës, bëri të gjitha ato që i kishte urdhëruar Zoti Moisiut,

23 duke pasur me vete Oholiabin, birin e Ahisamakut, nga fisi i Danit, gdhendës, vizatues dhe qëndistar i stofave ngjyrë vjollcë, të purpurta, të kuqe të ndezur dhe prej liri të hollë.

24 Gjithë ari i përdorur për të gjitha punimet për vendin e shenjtë, domethënë ari i ofertave, qe njëzet e nëntë talente dhe shtatëqind e tridhjetë sikla, simbas siklit të shenjtërores.

25 Dhe argjendi, që u mblodh me rastin e regjistrimit të asamblesë, ishte njëqind talente dhe një mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e pesë sikla, simbas siklit të shenjtërores:

26 një beka për frymë, (domethënë një gjysmë sikli, simbas siklit të shenjtërores), për çdo burrë që e kapte regjistrimi, nga mosha njëzet vjeç e lart, pra, gjashtëqind e tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë burra.

27 Njëqind talentet prej argjendi shërbyen për të shkrirë bazat e shenjtërores dhe bazat e velit: njëqind baza për njëqind talentet, një talent për bazë.

28 Dhe me një mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e pesë sikla ai bëri grremçat për shtyllat, i veshi kapitelet e tyre dhe bëri shtizat për shtyllat.

29 Bronzi i ofertave arrinte në shtatëdhjetë talente dhe dy mijë e katërqind sikla.

30 Dhe me këtë ai bëri bazat e hyrjes së çadrës së mbledhjes, altarin prej bronzi dhe me grilën e tij dhe me të gjitha orenditë e altarit,

31 bazat e oborrit, bazat e hyrjes në oborr, të gjithë kunjat e tabernakullit dhe të gjithë kunjat e rrethimit të oborrit.

39 Pastaj me stofa ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, bëri rroba të punuara mirë për të shërbyer në shenjtërore, dhe bënë rrobat e shenjta për Aaronin, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

Ai bëri efodin prej ari e me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe me li të hollë të përdredhur.

Dhe e rrahën arin në peta dhe e prenë në fije, për ta endur në stofën ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe dhe në lirin e hollë të përdredhur: puna e një artizani të shkathët.

I bënë edhe supore të bashkuara; kështu efodi mbahej tok në të dy skajet e tij.

Dhe brezi i punuar artistikisht që ishte mbi efodin për ta lidhur kishte po atë përgatitje: me ar, me fije, ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe me li të hollë të përdredhur, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

Pastaj u punuan gurët e oniksit, që u ngallmuan në rrathë ari, dhe që u gdhendën, ashtu siç gdhenden vulat e vogla, me emrat e bijve të Izraelit.

Ai pastaj i vuri mbi suporet e efodit, si gurë për të përkujtuar bijtë e Izraelit ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

Pastaj ai bëri pektoralin e punuar artistikisht, ashtu si puna e efodit: me ar, me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, si dhe me li të hollë të përdredhur.

Pektorali kishte formë katrore; e bënë të palosur më dysh, të gjatë sa pëllëmba dhe të gjerë po aq, kur ishte i palosur më dysh.

10 Dhe u ngallmuan katër radhë gurësh; në radhën e parë: një sardon, një topaz dhe një smerald;

11 në radhën e dytë: një rubin, një safir dhe një diamant;

12 në radhën e tretë: një hiacint, një agat dhe një ametist;

13 në radhën e katërt: një grizolit, një oniks dhe një diaspër. Këta gurë ishin futur në rrathët e tyre prej ari.

14 Gurët u korrespondonin emrave të bijve të Izraelit: dymbëdhjetë, simbas emrave të tyre të gdhendur si vula, secili me emrin e njërit nga dymbëdhjetë fiset.

15 Mbi pektoralin bënë gjithashtu zinxhirë prej ari safi, të lidhur si kordonë.

16 Bënë edhe dy rrathë të artë dhe dy unaza të arta, dhe i vunë dy unazat në dy skajet e pektoralit.

17 Pastaj i fiksuan të dy kordonët e artë mbi të dy unazat, në skajet e pektoralit;

18 pas kësaj fiksuan dy majat e dy kordonëve në të dy rrathët dhe i vendosën mbi dy suporet e efodit, në pjesën e përparme të tij.

19 Bënë gjithashtu dy unaza ari dhe i vunë në dy skajet e pektoralit, në buzën e tij, që ndodhet në pjesën e brendshme të efodit.

20 Bënë gjithashtu dy unaza të tjera ari dhe i vunë mbi dy suporet e efodit poshtë, nga përpara, pranë pikës së bashkimit, mbi brezin e punuar artistikisht të efodit.

21 Pastaj i lidhën unazat e pektoralit me unazat e efodit me një kordon ngjyrë vjollce, me qëllim që pektorali të rrinte mbi brezin e punuar artistikisht të efodit, dhe të mos shkëputej prej këtij të fundit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

22 Ai bëri gjithashtu mantelin e efodit, i tëri ngjyrë vjollce, një punim prej endësi.

23 Në mes të mantelit kishte një hapje, për të futur kokën; rreth e qark hapjes kishte një buzë stofi të punuar, ashtu si hapja e një parzmoreje, me qëllim që të mos shqyhej.

24 Mbi buzën e mantelit bënë disa shegë në ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, me fill të përdredhur.

25 Dhe bënë disa zile prej ari të pastër; dhe i vunë në mes të shegëve në buzën e mantelit, rreth e qark shegëve;

26 një zile dhe një shegë, një zile dhe një shegë, rreth e përqark, mbi buzën e mantelit, për të bërë shërbimin, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

27 Ata bënë edhe tunikat prej liri të hollë; një punë prej endësi, për Aaronin dhe bijtë e tij,

28 çallma prej liri të hollë, zbukurimin e mbulesave të kokës prej liri të hollë dhe pantallonat prej liri të hollë të përdredhur,

29 dhe brezin prej liri të hollë të përdredhur, në ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, një punë prej qëndistari, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

30 Pastaj bënë pllakën e diademës së shenjtë prej ari safi dhe gdhendën mbi të si mbi një vulë fjalët: SHENJTÉRI ZOTIT.

31 Dhe mbërthyen në të një kordele ngjyrë vjollce për ta lidhur në majë të çallmës, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.