Add parallel Print Page Options

Pas këtyre gjërave, Davidi i mundi Filistejtë, i poshtëroi dhe u hoqi nga dora qytetin e tyre më të rëndësishëm.

Mundi edhe Moabitët dhe i mati me litar, mbasi i shtriu për tokë. Me dy litarë mati ata që duhet të vriteshin dhe me një litar të plotë ata që do të mbeteshin të gjallë. Kështu Moabitët u bënë nënshtetas dhe taksapagues të Davidit.

Davidi mundi edhe Hadadezerin, birin e Rehobit, mbret të Tsobahut, ndërsa ai shkonte të rivendoste sundimin e tij gjatë lumit Eufrat.

Davidi i mori njëmijë e gjashtëqind kalorës dhe njëzet mijë këmbësorë. Ai u preu gjithashtu leqet e këmbëve tërë kuajve, por la mjaft prej tyre për njëqind qerre.

Kur Sirët e Damaskut erdhën për të ndihmuar Hadadezerin, mbretin e Tsobahut, Davidi vrau njëzet e dy mijë prej tyre.

Pastaj Davidi vendosi garnizone në Sirinë e Damaskut dhe Sirët u bënë nënshtetas dhe taksapagues të Davidit; Zoti e mbronte Davidin kudo që shkonte.

Davidi mori monedhat prej ari që shërbëtorët e Hadadezerit kishin me vete dhe i çoi në Jeruzalem.

Mbreti David mori edhe një sai të madhe bronzi në Betah dhe në Berothai, qytete të Hadedezerit.

Kur Toi, mbret i Hamathit, mësoi që Davidi kishte mundur tërë ushtrinë e Hadedezerit,

10 i dërgoi mbretit David të birin Joram, për ta përshëndetur dhe për ta bekuar, sepse i kishte bërë luftë Hadedezerit dhe e kishte mundur. Në fakt Hadedezeri ishte gjithnjë në luftë me Toin; Jorami kishte me vete enë argjendi, ari dhe bronzi.

11 Mbreti David ia shenjtëroi edhe këto Zotit, ashtu siç i kishte shenjtëruar atij argjendin dhe arin që vinte nga kombet që kishte nënshtruar:

12 nga Sirët, nga Moabitët, nga Amonitët, nga Filistejtë nga Amalekitët dhe nga plaçka e Hadedezerit, birit të Rehobit, mbret i Tsobahut.

13 Davidi i bëri emër vetes kur u kthye, mbasi kishte mundur tetëmbëdhjetë mijë Sirë në luginën e Kripës.

14 Vendosi garnizone edhe në Idumea; kështu tërë Idumea dhe tërë Edomitët u bënë nënshtetas të Davidit; dhe Zoti e mbronte Davidin kudo që shkonte.

15 Kështu Davidi mbretëroi mbi tërë Izraelin, duke dhënë vendime dhe duke administruar drejtësinë tërë popullit të tij.

16 Joabi, bir i Tserujahut, ishte komandant i ushtrisë; Jozafat, bir i Ahiludit, ishte arkivist;

17 Tsadoku, bir i Ahitubit, dhe Ahimeleku, bir i Abietharit, ishin priftërinj; Serajahu ushtronte funksionin e sekretarit;

18 Benajahu, bir i Jehojadit, ishte kreu i Kerethejve dhe i Pelethejve, dhe bijtë e Davidit ishin ministra.

Davidi tha: "A ka mbetur akoma ndonjë nga shtëpia e Saulit, ndaj të cilit mund të sillem mirë për hir të Jonathanit?".

Kishte një shërbëtor në shtëpinë e Saulit, që quhej Tsiba, dhe atë e çuan te Davidi. Mbreti i tha: "Ti je Tsiba?". Ai u përgjigj: "Jam shërbëtori yt".

Pastaj mbreti pyeti: "A ka njeri tjetër të shtëpisë së Saulit, të cilit mund t’i kushtoj mirësinë e Perëndisë?". Tsiba iu përgjigj mbretit: "Éshtë akoma një djalë i Jonatanit, që është sakat nga këmbët".

Mbreti i tha: "Ku është?". Tsiba iu përgjigj mbretit: "Éshtë në shtëpinë e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar".

Atëherë mbreti David dërgoi ta marrë nga shtëpia e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar.

Kështu Mefiboshethi, bir i Jonatanit, bir i Saulit erdhi te Davidi, ra përmbys me fytyrën për tokë. Davidi i tha: "Mefibosheth!". Ai u përgjigj: ja shërbëtori yt!!".

Davidi i tha: "Mos ki frikë, sepse kam ndër mend të sillem mirë me ty për dashurinë që kisha për Jonatanin, atin tënd; do të të kthej tërë tokat e Saulit, të parit tënd, dhe ti do të hash gjithnjë në tryezën time".

Mefiboshethi ra përmbys dhe tha: "Ç’është shërbëtori yt, që ti të përfillësh një qen të ngordhur si unë?".

Atëherë mbreti thirri Tsiban, shërbëtorin e Saulit, dhe i tha: "Tërë ato që i përkisnin Saulit dhe tërë shtëpisë së tij, po ia jap birit të zotërisë tënd.

10 Kështu, pra, bashkë me bijtë dhe shërbëtorët e tu, do të punosh tokën për të dhe do të mbledhësh prodhimet e saj, me qëllim që i biri i zotërisë tënd të ketë bukë për të ngrënë; por Mefiboshethi, bir i zotërisë tënd do të hajë gjithnjë në tryezën time". Tsiba kishte pesëmbëdhjetë bij dhe njëzet shërbëtorë.

11 Tsiba i tha mbretit: "Shërbëtori yt do të bëjë të gjitha ato që mbreti, zotëria im, i urdhëron shërbëtorit të tij". Kështu Mefiboshethi hante në tryezën e Davidit si një nga bijtë e mbretit.

12 Mefiboshethi kishte një djalë të vogël që quhej Mika; dhe tërë ata që rrinin në shtëpinë e Tsibas ishin shërbëtorë të Mefiboshethit.

13 Mefiboshethi banonte në Jeruzalem, sepse hante gjithnjë në tryezën e mbretit. Ishte sakat nga të dy këmbët.