Add parallel Print Page Options

21 Në kohën e Davidit pati zi buke për tre vjet me radhë; Davidi kërkoi fytyrën e Zotit dhe Zoti i tha: "Kjo ndodh për shkak të Saulit dhe të shtëpisë së tij gjakatare, sepse ai i ka bërë të vdesin Gabaonitët".

Atëherë mbreti thirri Gabaonitët dhe u foli atyre. (Gabaonitët nuk u përkisnin bijve të Izraelit, por ishin mbeturina të Amorejve; bijtë e Izraelit ishin betuar se do t’i kursenin, por Sauli, në zellin e tij të madh për bijtë e Izraelit dhe të Judës, ishte orvatur t’i shfaroste).

Atherë Davidi u tha Gabaonitëve: "Çfarë duhet të bëj për ju dhe në ç’mënyrë duhet të veproj për të ndrequr gabimin e bërë, me qëllim që ju të bekoni trashëgiminë e Zotit?".

Gabaonitët u përgjigjën: "Ne nuk na intereson të kemi ar apo argjend nga Sauli apo nga shtëpia e tij, as duhet të vrisni për ne ndonjë njeri në Izrael". Mbreti tha: "Atë që kërkoni, unë do ta bëj për ju".

Ata iu përgjigjën mbretit: "Për njeriun që na ka konsumuar dhe që ka menduar të na shfarosë për të na zhdukur nga tërë territori i Izraelit,

të na dorëzohen shtatë burra nga trashëgimtarët e tij dhe ne do t’i varim përpara Zotit në Gibeah të Saulit, që është i zgjedhuri i Zotit". Mbreti tha: "Do t’jua dorëzoj".

Mbreti e kurseu Mefoboshethin, birin e Jonatanit, bir të Saulit, për shkak të betimit të Zotit që ekzistonte midis tyre, midis Davidit dhe Jonathanit, birit të Saulit.

Por mbreti mori dy bijtë që Ritspah, bija e Ajahut, i kishte lindur Saulit, Armonin dhe Mefibeshethin, dhe pesë bijtë që Mikal, e bija e Saulit, i kishte lindur Adrielit nga Mehola, birit të Barzilait,

dhe ua dorëzoi Gabaonitëve, që i varën në mal, përpara Zotit. Kështu u vranë në ditët e para të korrjeve, kur filloi korrja e elbit.

10 Ritspah, e bija e Ajahut, mori një mbulesë të ashpër dhe e shtriu mbi shkëmb, duke qendruar aty nga fillimi i korrjes deri sa mbi ta ra shi nga qielli. Ajo nuk i lejoi shpendët e qiellit të zbrisnin mbi ta gjatë ditës dhe egërsirat e fushave të afroheshin natën.

11 Kur i treguan Davidit atë që kishte bërë Ritspah, bija e Ajahut, konkubinë e Saulit,

12 Davidi shkoi të marrë eshtrat e Saulit dhe ato të Jonathanit, birit të tij, nga banorët e Jabeshit të Galaadit, që i kishin marrë me vete nga sheshi i Beth-Shanit, ku Filistejt i kishin varur kur kishin mundur Saulin në Gilboa.

13 Ai solli që andej eshtrat e Saulit dhe ato të birit të tij, Jonatanit, dhe u mblodhën edhe eshtrat e atyre që ishin varur.

14 Eshtrat e Saulit dhe të Jonatanit, birit të tij, u varrosën në vendin e Beniaminit, në Tselah, në varret e Kishit, atit të Saulit. Kështu bënë të gjitha ato që mbreti kishte urdhëruar. Pas kësaj Perëndia dëgjoi lutjen që u bë për vendin.

15 Filistejtë i shpallën përsëri luftë Izraelit dhe Davidi zbriti me gjithë shërbëtorët e tij për të luftuar kundër Filistejve; dhe Davidi u lodh;

16 Ishbi-Benobi, një nga pasardhësit e gjigantëve që kishte një shtizë që peshonte treqind sikla bronzi dhe mbante në brez një shpatë të re, kishte ndër mend të vriste Davidin;

17 por Abishai, bir i Tserujahut, shkoi në ndihmë të mbretit, goditi Filisteun dhe e vrau. Atëherë njerëzit e Davidit u betuan: "Ti nuk do të dalësh më me ne për të luftuar dhe nuk do ta shuash llambën e Izraelit".

18 Pas kësaj u bë një betejë tjetër me Filistejtë në Gob; atëherë Hushathiti Sibekai vrau Safin, një nga pasardhësit e gjigantëve.

19 U bë një betejë tjetër me Filistejtë në Gob; dhe Elhanani, bir i Jaare-Oregimit nga Betlemi, vrau vëllanë e Goliathit nga Gathi; shkopi i shtizës së tij ishte shuli i vegjës së endësit.

20 U bë një betejë tjetër në Gath, ku ishte një njeri me shtat të lartë, i cili kishte gjashtë gishtërinj në çdo dorë dhe gjashtë gishtërinj në çdo këmbë, gjithsej njëzet e katër gishtërinj; edhe ai ishte një pasardhës i gjigantëve.

21 Ai e fyu Izraelin, por Jonathani, bir i Shimeahut, vëlla i Davidit, e vrau.

22 Këta të katër ishin pasardhësit e gjigantëve në Gath. Ata u vranë nga dora e Davidit dhe e shërbëtorëve të tij.

22 Davidi i drejtoi Zotit fjalët e këtij kantiku ditën që Zoti e çliroi nga duart e të gjithë armiqve të tij dhe nga dora e Saulit. Ai tha:

"Zoti është fortesa ime, kalaja ime dhe çlirimtari im,

Perëndia im, shkëmbi në të cilin strehohem, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, strehimi im i lartë, streha ime. O shpëtimtari im, ti më shpëton nga dhuna!

Unë i kërkoj ndihmë Zotit që meriton të lavdërohet, dhe kështu më shpëtoi nga duart e armiqve të mi.

Valët e vdekjes më kishin rrethuar dhe përrenjtë e shkatërrimit më kishin tmerruar.

Dhimbjet e Sheolit më kishin zënë dhe lakun e vdekjes e kisha para syve.

Në ankthin tim i kërkova ndihmë Zotit dhe i klitha Perëndisë tim. Ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli ku ndodhej dhe klithma ime arriti në veshët e tij.

Atëherë toka u trondit dhe u drodh, themelet e qiejve u lëkundën dhe u shkundën, sepse ai ishte tërë zemërim.

Një tym ngjitej nga fejzat e hundës së tij dhe një zjarr përvëlues i dilte nga goja; prej tij dilnin thëngjij.

10 Ai i uli qiejtë dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij.

11 Ai rrinte kaluar mbi një kerubin, fluturonte dhe dukej mbi flatrat e erës.

12 Si shatorre rreth vetes kishte vënë terrin, errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit.

13 Nga shkëlqimi që i priste dilnin thëngjij.

14 Zoti gjëmoi në qiejt dhe Më i Larti bëri të dëgjohet zëri i tij.

15 Hodhi shigjeta dhe shpërndau armiqtë, hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau.

16 Atëherë doli shtrati i detit dhe themelet e botës u zbuluan, me qortimin e Zotit, me erën që shfrynë, fejzat e hundës së tij.

17 Ai nga lart shtriu dorën dhe më kapi, më nxori nga ujërat e mëdha.

18 Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë

19 Ata ishin ngritur kundër meje ditën e mjerimit tim, por Zoti qe përkrahësi im,

20 ai më çoi larg tyre; ai më shpëtoi sepse i pëlqej.

21 Zoti më ka shpërblyer simbas së drejtës sime dhe më ka dhënë simbas pastërtisë së duarve të mia,

22 sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im.

23 Sepse kam mbajtur para vetes të gjitha ligjet e tij dhe nuk jam larguar nga statutet e tij.

24 Kam qenë i ndershëm me të dhe i jam ruajtur paudhësisë.

25 Prandaj Zoti më ka dhënë simbas së drejtës sime, simbas pastërtisë sime përpara syve të tij.

26 Ti tregohesh i mëshirshëm me njeriun e përshpirtshëm dhe i drejtë me njeriun e drejtë;

27 ti tregohesh i pastër me njeriun e pastër dhe dinak me njeriun e çoroditur.

28 Ti shpëton njerëzit e hidhëruar, por shikimi yt ndalet mbi kryelartët për t’i ulur.

29 Po, ti je drita ime, o Zot; Zoti ndriçon terrin tim.

30 Me ty mund të sulmoj një grup, me Perëndinë tim mund të kapërcej një mur.

31 Rruga e Zotit është e përsosur; fjala e Zotit është purifikuar me zjarrin. Ai është mburoja e të gjithë atyre që kanë shpresë tek ai.

32 Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Dhe kush është Kalaja përveç Perëndisë tonë?

33 Zoti është kalaja ime e fuqishme, ai e bën të përsosur rrugën time.

34 Ai i bën këmbët e mia si ato të drerit dhe më bën të mbahem mirë në vendet e mia të larta.

35 Ai i mëson duart e mia për betejë dhe krahët e mia mund të tendosin një hark prej bronzi.

36 Ti më ke dhënë edhe mburojën e shpëtimit tënd dhe mirësia jote më ka bërë të madh.

37 Ti i ke zgjedhur hapat e mia dhe këmbët e mia nuk kanë ngurruar në këtë rast.

38 Unë i kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam shkatërruar, nuk jam kthyer prapa para se t’i shfarosja.

39 I kam shkatërruar dhe shtypur, dhe ata nuk kanë mundur më të ngrihen kundër meje; ata kanë rënë nën këmbët e mia.

40 Ti më ke dhënë forcë në betejë, dhe bëre që të më përulen ata që ngriheshin kundër meje;

41 bëre që të më kthenin kurrizin armiqtë e mi përpara meje, dhe unë zhduka ata që më urrenin.

42 Ata shikuan, por nuk pati njeri që t’i shpëtonte; i klithën Zotit, por ai nuk iu përgjigj atyre.

43 Unë i thërmova si pluhuri i tokës, i copëtova dhe i shkela si balta e rrugëve.

44 Ti më ke çliruar nga mosmarrëveshjet e popullit tim, më ke ruajtur si udhëheqës i kombeve; një popull që nuk e njihja më ka shërbyer.

45 Bijtë e të huajve më nënshtrohen mua; sa më dëgjojnë, më binden.

46 Bijtë e të huajve kanë humbur guximin, kanë dalë duke u dridhur nga fortesat e tyre.

47 Rroftë Zoti! Qoftë e bekuar Fortesa ime! U lartësoftë në qiell Perëndia, Fortesa e shpëtimit tim!

48 Éshtë Perëndia që hakmerret për mua, që më nënshtron popujt,

49 dhe më liron nga armiqtë e mi. Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje dhe më çliron nga njeriu i furishëm.

50 Prandaj, o Zot, do të të kremtoj midis kombeve dhe do të këndojë lavdinë e emrit tënd.

51 Lirime të mëdha i siguron mbretit të tij, sillet dashamirës me të vajosurin, me Davidin dhe me pasardhësit e tij përjetë".