Add parallel Print Page Options

15 Në vitin e njëzeteshtatë të Jeroboamit, mbretit të Izraelit, filloi të mbretërojë Azariahu, bir i Amatsiahut dhe mbret i Judës.

Ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi pesëdhjetë e dy vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jekoliah dhe ishte nga Jeruzalemi.

Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte vepruar i ati, Amatsiahu.

Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën nga vendi, populli vazhdonte të bënte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta.

Pastaj Zoti goditi mbretin, që u bë lebroz deri në ditën e vdekjes së tij dhe banoi në një shtëpi të izoluar; Jothami, bir i mbretit ishte mbikqyrësi i pallatit mbretëror dhe i siguronte drejtësinë popullit të vendit.

Pjesa tjetër e bëmave të Azariahut dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

Kështu Azariahun e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën bashkë me etërit e tij në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Jotham.

Vitin e tridhjetetetë të Azariahut, mbretit të Judës, Zakaria, bir i Jeroboamit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari, dhe e mbajti fronin gjashtë muaj.

Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si kishin bërë etërit e tij; nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishte çuar në mëkat Izraelin.

10 Pastaj Shalumi, bir i Jabeshit, kurdisi një komplot kundër tij; e goditi dhe e vrau përpara popullit, dhe mbretëroi në vend të tij.

11 Pjesa tjetër e bëmave të Zakarisë a nuk është shkruar në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

12 Kjo ishte fjala e Zotit që i kishte thënë Jehut: "Bijtë e tu do të ulen në fronin e Izraelit deri në brezin e katërt". Dhe kështu ndodhi.

13 Shalumi, bir i Jabeshit, filloi të mbretërojë vitin e tridhjetenëntë të Uziahut, mbretit të Judës, dhe mbretëroi plot një muaj në Samari.

14 Pastaj Menahemi, bir i Gadit, doli nga Titrtsahu dhe hyri në Samari; në Samaria goditi Shalumin, birin e Jabeshit, e vrau dhe mbretëroi në vend të tij.

15 Pjesa tjetër e bëmave të Shalumit dhe komploti që ai kurdisi a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

16 Pastaj Menahemi, duke u nisur nga Tirtsahu, goditi Tifsahun, tërë ata që gjendeshin aty dhe territorin e tij, sepse nuk i kishin hapur portat; kështu i goditi dhe u çau barkun grave me barrë.

17 Vitin e tridhjetenëntë të mbretërisë së Azariahut, mbretit të Judës, Menahemi, bir i Gadit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin, dhe e mbajti fronin dhjetë vjet në Samari.

18 Ai bëri atë që është e keqe për sytë e Zotit; nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishte bërë Izraelin të kryente mëkate.

19 Puli, mbret i Sirisë, erdhi kundër vendit. Atëherë Menahemi i dha Pulit një mijë talenta argjendi me qëllim që ta ndihmonte për ta bërë më të qëndrueshme mbretërinë në duart e tij.

20 Menahemi bëri që këto të holla të paguheshin nga Izraeli, nga të gjithë njerëzit e pasur, në masën pesëdhjetë sikla argjendi për frymë, për t’ia dhënë mbretit të Asirisë. Kështu mbreti i Asirisë u kthye dhe nuk qëndroi në vend.

21 Pjesa tjetër e bëmave të Menahemit dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

22 Kështu Menahemin e zuri gjumi me etërit e tij. Në vend të tij mbretëroi i biri, Pekahiahu.

23 Në vitën e pesëdhjetë të Azariahut, mbretit të Judës, Pekahiahu, bir i Menahemit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari; dhe mbretëroi dy vjet.

24 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit; nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishin bërë Izraelin të kryente mëkate.

25 Pastaj Pekahu, bir i Remaliahut, kapitenit të tij, kurdisi një komplot kundër tij dhe e goditi në Samari, në kullën e pallatit mbretëror, bashkë me Argobin dhe Ariehun, duke pasur me vete pesëdhjetë burra të Galaadit. Ai vrau dhe mbretëroi në vend të tij.

26 Pjesa tjetër e bëmave të Pekahiahut dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

27 Vitin e pesëdhjetedytë të Azariahut, mbretit të Judës, Pekahu, bir i Remaliahut, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari, dhe mbretëroi njëzet vjet.

28 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit; nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishte bërë Izraelin të kryente mëkate.

29 Në kohën e Pekahiahut, mbretit të Izraelit erdhi Tiglath-Pileseri, mbret i Asirisë, dhe pushtoi Ijonin, Abel-Keth-Maakahun, Janoahun, Kedeshin, Hatsorin, Galaadin, Galilenë dhe tërë vendin e Neftalit; dhe i internoi tërë banorët e tyre në Asiri.

30 Pastaj Hosea, bir i Elahut, kurdisi një komplot kundër Pekahut, birit të Remaliahut, e goditi dhe e vrau; kështu mbretëroi në vendin e tij, vitin e njëzetë të mbretërimit të Jothamit, birit të Uziahut.

31 Pjesa tjetër e bëmave të Pekahut dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

32 Vitin e dytë të mbretërisë së Pekahut, birit të Remaliahut, mbret i Izraelit, filloi të mbretërojë Jothami, bir i Uziahut, mbret i Judës.

33 Kur filloi të mbretërojë ishte njëzet e pesë vjeç, dhe mbajti fronin gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jerusha; ishte bijë e Tsadokut.

34 Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit; ashtu si kishte vepruar Uziahu, i ati.

35 Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën nga vendi; populli vazhdonte të bënte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta. Ai ndërtoi portën e sipërme të shtëpisë të Zotit.

36 Pjesa tjetër e bëmave të Jothmit dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

37 Në atë kohë Zoti dërgoi kundër Judës, Retsinin, mbretin e Sirisë dhe Pekahun, birin e Remaliahut.

38 Kështu Jothamin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros me ta në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ashazi.

16 Në vitin e shtatëmbëdhjetë të Pekahiahut, birit të Remaliahut, filloi të mbretërojë Ashazi, biri i Jothamit, mbret i Judës.

Kur filloi të mbretërojë, Ashazi ishte njëzet vjeç dhe qëndroi në fron gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. Ai nuk bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë të tij, ashtu si kishte bërë Davidi, ati i tij;

por ndoqi rrugën e mbretërve të Izraelit dhe bëri madje të kalojë nëpër zjarr edhe të birin, sipas riteve të neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar para bijve të Izraelit;

përveç kësaj bënte flijime dhe digjte temjan në vendet e larta, në kodrat dhe poshtë drurëve që gjelbëronin.

Atëherë Retsini, mbret i Sirisë, dhe Pekahu, bir i Remaliahut, dolën për të luftuar kundër Jeruzalemit; rrethuan aty Ashazin, por nuk arritën ta mundin.

Në atë kohë Retsini, mbret i Sirisë, ripushtoi Elathin dhe përzuri Judenjtë nga Elathi; kështu Sirët hynë në Elath dhe kanë mbetur atje deri ditën e sotme.

Ashazi i dërgoi lajmëtarë Tiglath-Pileserit, mbretit të Asirëve, për t’i thënë: "Unë jam shërbëtori dhe biri yt; dil dhe më çliro nga duart e mbretit të Sirisë dhe të mbretit të Izraelit, që janë ngritur kundër meje".

Ashazi mori pastaj argjendin dhe arin që ndodhej në shtëpinë e Zotit dhe në thesaret e pallatit mbretëror dhe ia dërgoi si dhuratë mbretit të Asirisë.

Atëherë mbreti i Asirisë e dëgjoi; pastaj mbreti i Asirisë doli kundër Damaskut, e pushtoi dhe internoi banorët e tij në Kir, dhe vrau Retsinin.

10 Atëherë mbreti Ashaz shkoi në Damask për të takuar Tiglath-Peleserin, mbretin e Asirisë; pasi pa altarin që ishte në Damask, mbreti Ashaz i dërgoi priftit Uria vizatimin dhe modelin e altarit, me gjitha hollësitë për ndërtimin e tij.

11 Kështu prifti Uria ndërtoi një altar, sipas porosive që mbreti Ashaz i kishte dërguar nga Damasku; prifti Uria e ndërtoi para se mbreti Ashaz të kthehej nga Damasku.

12 Kur u kthye nga Damasku, mbreti pa altarin; pastaj mbreti iu afrua altarit dhe ofroi flijime mbi të.

13 Pastaj dogji mbi të olokaustin e tij dhe ofertën e tij ushqimore, derdhi libacionin e tij dhe spërkati mbi altarin gjakun e flijimeve të tij të falenderimit.

14 Sa për altarin prej bronzi që ishte përballë Zotit, e hoqi nga vendi i tij përballë tempullit midis altarit dhe shtëpisë të Zotit dhe e vendosi në veri të altarit.

15 Pastaj mbreti Ashaz urdhëroi priftin Uria dhe i tha: "Bëj që të tymoset mbi altar olokausti i madh i mëngjesit dhe blatimi ushqimor i mbrëmjes, olokausti i mbretit dhe blatimi i tij ushqimor, olokaustet e tërë popullit të vendit dhe libacionet e tij; dhe do të spërkatë mbi to tërë gjakun e olokausteve dhe tërë gjakun e flijimeve; sa për altarin prej bronzi, do të merrem unë me të.

16 Kështu prifti Uria bëri tërë ato që mbreti Ashaz i kishte urdhëruar.

17 Mbreti Ashaz hoqi gjithashtu panelet nga qerret dhe enët e vogla, hoqi detin nga demat prej bronzi që e mbanin dhe e vendosi mbi një dysheme prej gurësh.

18 Për shkak të mbretit të Asirisë, ai hoqi portikun e së shtunës, që kishin ndërtuar në tempull, edhe nga shtëpia e Zotit hoqi gjithashtu hyrjen e jashtme të mbretit.

19 Pjesa tjetër e bëmave të kryera nga Ashazi a nuk është vallë e shkruar në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

20 Kështu Ashazin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros me ta në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ezekia.