Add parallel Print Page Options

12 Në vitin e shtatë të Jehut, Joasi filloi të mbetërojë dhe mbretëroi dyzet vjet në Jeruzalem. Nëna e tij quhej Tsibiah, ishte nga Beer-Sheba.

Joasi bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit për tërë kohën që udhëhiqej nga prifti Jehojada.

Megjithatë vendet e larta nuk u ndryshuan; populli vazhdonte të bënte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta.

Joasi u tha priftërinjve: "Tërë paratë e gjërave të shenjtëruara që çohen në shtëpinë e Zotit, paratë e vëna mënjanë, paratë e caktuara për shpengimin e vetes dhe tërë paratë që secili e ndjen në zemër t’ia çojë shtëpisë së Zotit,

t’i marrin priftërinjtë, secili nga i njohuri i tij, dhe të ndreqin dëmtimet që ka pasur tempulli kudo që të ndodhen".

Por në vitin e njëzetetretë të mbretit Joas priftërinjtë nuk kishin ndrequr akoma dëmtimet e tempullit.

Atëherë mbreti Joas thirri priftin Jehojada dhe priftërinjtë e tjerë dhe u tha: "Pse nuk i keni ndrequr dëmtimet e tempullit? Prandaj mos merrni më para nga të njohurit tuaj, por u jepni për të ndrequr dëmtimet e tempullit".

Priftërinjtë pranuan të mos merrnin më para nga populli, as edhe të ndreqnin dëmtimet e tempullit.

Pastaj prifti Jehojada mori një arkë, hapi një vrimë në kapakun e saj dhe e vendosi përbri altarit, në krahun e djathtë të atij që hyn në shtëpinë e Zotit; priftërinjtë që ruanin hyrjen vendosën aty tërë paratë e sjella në shtëpinë e Zotit.

10 Kur ata shihnin që në arkë kishte shumë para, atëherë vinin sekretari i mbretit dhe kryeprifti që i vinin paratë në qese dhe numëronin paratë e gjetura në shtëpinë e Zotit.

11 Pastaj paratë që ishin peshuar i dorëzonin në duart e atyre që kryenin punë, të cilëve u ishte besuar mbikqyrja e shtëpisë së Zotit; dhe këta ua kalonin marangozëve dhe ndërtuesve që punonin në shtëpinë e Zotit,

12 muratorëve dhe gdhëndësve, për të blerë dru dhe gurë të latuar, të nevojshëm për të ndrequr dëmtimet e shtëpisë së Zotit dhe për të mbuluar të gjitha shpenzimet e bëra për ndreqjen e tempullit.

13 Por me paratë e sjella në shtëpinë e Zotit nuk u bënë, për shtëpinë e Zotit, as kupa prej argjendi, as pastrues, as enë, as bori, asnjë send ari ose asnjë send argjendi;

14 paratë u jepeshin vetëm atyre që kryenin punimet, të cilët i përdornin për të restauruar shtëpinë e Zotit.

15 Përveç kësaj nuk u kërkohej asnjë llogari atyre që u ishin dorëzuar paratë, të cilat duhet t’u jepeshin zbatuesve të punimeve, sepse këta punonin me përpikmëri.

16 Paratë e flijimeve të shlyerjes dhe ato të flijimeve për mëkatet nuk çoheshin në shtëpinë e Zotit; ato ishin për priftërinjtë.

17 Në atë kohë Hazaeli, mbret i Sirisë, doli për të luftuar kundër Gathit dhe e pushtoi; pastaj Hazaeli u përgatit të sulmonte Jeruzalemin.

18 Atëherë Joasi, mbret i Judës, mori tërë sendet e shenjta që etërit e tij Jozafati, Jehorami dhe Ashaziahu, mbretër të Judës kishin shenjtëruar, ato që kishte shenjtëruar ai vetë dhe tërë arin që gjendej në thesarët e shtëpisë së Zotit dhe në shtëpinë e mbretit, dhe i dërgoi të gjitha Hazaelit, mbretit të Sirisë, që u tërhoq në Jeruzalem.

19 Pjesa tjetër e bëmave të Joasit dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

20 Shërbëtorët e Joasit ngritën krye, kurdisën një komplot dhe e vranë në shtëpinë e Milos, në tatëpjetën në drejtim të Silas.

21 Jozakari, bir i Shimeathit, dhe Jehozabadi, bir i Shomerit, shërbëtorë të tij, e goditën dhe ai vdiq. E varrosën pastaj bashkë me etërit e tij në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amatsiahu.

13 Në vitin e njëzretetretë të Joasit, birit të Ashaziahut, mbret i Judës, Jehohazi, bir i Jehut, filloi të mbretërojë mbi Izrael në Samari, dhe mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet.

Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe vijoi mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilët e kishte bërë Izraelin të kryente mëkate, dhe nuk u largua nga kjo rrugë.

Atëherë zemërimi i Zotit shpërtheu kundër Izraelit dhe i dorëzoi në duart e Hazaelit, mbretit të Sirisë, dhe në duart e Ben-Hadadit, birit të Hazaelit, për tërë atë kohë.

Por Jehohazi iu lut Zotit dhe Zoti e kënaqi, sepse pa shtypjen e Izraelit dhe se si mbreti i Sirisë i shtypte.

Prandaj Zoti i dha një çlirues Izraelit, dhe kështu banorët e tij mundën t’i shpëtojnë pushtetit të Sirëve; kështu bijtë e Izraelit mundën të banojnë në çadrat e tyre si në të kaluarën.

Megjithatë nuk u larguan nga mëkatet e shtëpisë së Jeroboamit me të cilat e kishin bërë të kryente mëkate Izraelin, por vazhduan në këtë rrugë; bile edhe Asherahu mbeti më këmbë në Samari.

Nga të gjitha trupat e Jehoahazit Zoti la vetëm pesëdhjetë kalorës, dhjetë qerre dhe dhjetë mijë këmbësorë, sepse mbreti i Sirisë i kishte shkatëruar dhe katandisur në pluhur për t’u shkelur.

Pjesa tjetër e bëmave të Jehoahazit, tërë atë që bëri dhe tërë trimëritë e tij a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit.

Kështu Jehoahazin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri, Joasi.

10 Në vitin e tridhjetë e shtatë të Joasit, mbretit të Judës, bir i Jehoahazit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari, dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet.

11 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilat e kishte bërë të kryente mëkate Izraelin, por vazhdoi në këtë rrugë.

12 Pjesa tjetër e bëmave të Joasit, tërë atë që bëri dhe trimëria me të cilën luftoi kundër Amatsiahut, mbretit të Judës, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

13 Kështu Joasin e zuri gjumi me etërit e tij dhe Jeroboami u ul mbi fronin e tij. Pastaj Joasi u varros në Samari me mbretërit e Izraelit.

14 Eliseu u sëmur nga ajo sëmundje prej së cilës duhet të vdiste; prandaj Joasi, mbret i Izraelit, erdhi ta shohë dhe qau mbi të, duke thënë: "O ati im, o ati im, qerrja e Izraelit dhe kalorësia e tij!".

15 Atëherë Eliseu i tha: "Merr një hark dhe disa shigjeta," ai mori një hark dhe disa shigjeta.

16 Eliseu i tha pastaj mbretit të Izraelit: "Rroke harkun"; ai e rroku dhe Eliseu vuri duart e tij mbi duart e mbretit.

17 Pastaj tha: "Hape dritaren nga lindja!". Ai e hapi. Atëherë Eliseu tha: Gjuaj!!". Ai gjuajti. Pas kësaj Eliseu i tha: "Shigjeta e fitores së Zotit dhe shigjeta e fitores kundër Sirëve, sepse ti do t’i mundësh Sirët në Afek deri sa t’i shfarosësh".

18 Pastaj tha: "Merri shigjetat!," dhe ai i mori. Eliseu i tha pastaj mbretit të Izraelit: "Rrihe tokën"; ai e rrahu tri herë dhe pastaj u ndal.

19 Por njeriu i Perëndisë u zemërua me të dhe i tha "Duhet ta kishe rrahur pesë ose gjashtë herë; atëherë do t’i kishe mundur Sirët deri sa t’i zhdukje fare; tani përkundrazi do t’i mundësh Sirët vetëm tri herë".

20 Pastaj Eliseu vdiq dhe e varrosën. Në fillim të vitit vijues disa banda Moabitësh pushtuan vendin.

21 Por ndodhi që, ndërsa disa varrosnin një njeri, panë një bandë plaçkitësish; kështu e hodhën njeriun në varrin e Eliseut. Sa arriti ai të prekë kockat e Eliseut, u ringjall dhe u ngrit më këmbë.

22 Hazaeli, mbret i Sirisë, e shtypi Izraelin gjatë tërë jetës së Jehoahazit;

23 por Zoti i fali ata, i erdhi keq dhe u kthye me ta për shkak të besëlidhjes që kishte me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin; dhe këtë radhë nuk deshi t’i shkatërrojë apo t’i largojë nga prania e tij.

24 Pastaj vdiq Hazaeli, mbret i Sirisë, dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Ben-Hadadi.

25 Atëherë Joasi, bir i Jehoahazit rimori nga duart e Ben-Hadadit, birit të Hazaelit, qytetet që ai kishte marrë me luftë kundër Jehoahazit, atit të tij. Tri herë të mira Joasi e mundi dhe ripushtoi kështu qytetet e Izraelit.