Add parallel Print Page Options

23 Vitin e shtatë Jehojada mori kurajo, mori komandantët e qindëshëve, domethënë Azariahun, birin e Jerohamit, Ismaelin, birin e Jehohanamit, Azariahun, birin e Obedit, Maasejahun, birin e Adajahut dhe Elishafatin, birin e Zikrit, dhe këta lidhën një aleancë me të.

Pastaj ata përshkuan Judën, mblodhën Levitët nga të gjitha qytetet e Judës dhe të parët e shtëpive atërore të Izraelit dhe erdhën në Jeruzalem.

Kështu tërë asambleja lidhi një aleancë me mbretin në shtëpinë e Perëndisë. Pastaj Jehojada u tha atyre: "Ja, biri i mbretit do të mbretërojë, si ka thënë Zoti për bijtë e Davidit.

Ja çfarë do të bëni ju: një e treta nga ju, priftërinj dhe Levitë, që marrin shërbimin ditën e shtunë, do të caktohen në portat e tempullit;

një e treta tjetër do të rrijë në pallatin e mbretit, dhe e treta tjetër në portën e themelimit, ndërsa tërë populli do të rrijë në oborrin e shtëpisë të Zotit.

Por askush nuk do të hyjë në shtëpinë e Zotit, përveç priftërinjve dhe Levitëve të shërbimit; këta mund të hyjnë sepse janë të shenjtëruar; por tërë populli do t’i përmbahet urdhrit të Zotit.

Levitët do ta rrethojnë mbretin nga çdo anë, secili me armën e tij në dorë; kushdo që hyn në tempull do të vritet; ju përkundrazi do të qëndroni me mbretin, kur të hyjë dhe të dalë".

Levitët dhe tërë Juda bënë pikërisht ashtu si kishte urdhëruar prifti Jehojada; secili mori njerëzit e tij, ata e merrnin shërbimin të shtunën dhe ata që e linin shërbimin të shtunën, sepse prifti Jehojada nuk kishte liruar nga puna klasat që dilnin.

Prifti Jehojada u dha komandantëve të qindëshëve ushtat dhe mburojat e vogla e të mëdha që qenë të mbretit David dhe që ndodheshin në shtëpinë e Perëndisë.

10 Pastaj vendosi tërë popullin, secili me armën e tij në dorë, nga krahu i djathtë deri në krahun e majtë të tempullit; gjatë altarit dhe pranë tempullit, rrotull mbretit.

11 Atëherë nxorën birin e mbretit, i vunë mbi kokë kurorën, i dorëzuan ligjin dhe e shpallën mbret; pastaj Jehojada dhe bijtë e tij e vajosën dhe thirrën: "Rroftë mbreti!".

12 Kur Athaliah dëgjoi zhurmën e popullit që vinte duke brohoritur për mbretin, ajo shkoi drejt popullit, në drejtim të shtëpisë të Zotit.

13 Shikoi, dhe ja, mbreti qëndronte më këmbë në podiumin e tij në hyrje, kapitenët dhe borizanët ishin pranë mbretit, tërë populli i vendit ishte i gëzuar dhe u binte borive dhe këngëtarët me veglat e tyre musikore udhëhiqnin lavdërimin. Atëherë Athaliah grisi rrobat e saj dhe bërtiti: Tradhëti, tradhëti!!".

14 Por prifti Jehojada nxori komandantët e qindëshëve që komandonin ushtrinë dhe u tha: "Nxirreni nga rreshtat dhe kushdo që i shkon pas të vritet me shpatë!". Prifti në të vërtetë kishte thënë: "Mos lejoni që të vritet në shtëpinë e Zotit".

15 Kështu e mbërthyen dhe, sa arriti në shtëpinë e mbretit nëpër rrugën e portës së kuajve, aty e vranë.

16 Pastaj Jehojada bëri një besëlidhje ndërmjet vetes, tërë popullit dhe mbretit, me qëllim që Izraeli të ishte populli i Zotit.

17 Atëherë tërë populli shkoi në tempullin e Baalit dhe e shkatërroi: copëtoi plotësisht altarët e tij dhe shëmbëlltyrat dhe vrau përpara altarëve Matanin, priftin e Baalit.

18 Pastaj Jehojada ua besoi mbikqyrjen e shtëpisë të Zotit priftërinjve levitë, që Davidi kishte vendosur në shtëpinë e Zotit për t’i ofruar olokauste Zotit siç është shkruar në ligjin e Moisiut, me gëzim dhe këngë, ashtu si kishte urdhëruar Davidi.

19 Vendosi gjithashtu derëtarë në portat e shtëpisë të Zotit, me qëllim që të mos hynte askush që të ishte në një farë mënyre i papastër.

20 Mori pastaj komandantët e qindësheve, parinë, ata që kishin autoritet mbi popullin dhe tërë popullin e vendit dhe bëri që mbreti të zbresë nga shtëpia e Zotit; duke kaluar pastaj nga porta e sipërme, arritën në pallatin mbretëror dhe e ulën mbretin mbi fronin mbretëror.

21 Kështu tërë populli i vendit ishte në festë dhe qyteti mbeti i qetë, kur Athaliah u vra me shpatë.

24 Joasi ishte shtatë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi dyzet vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Tsibiah dhe ishte nga Beer-Sheba.

Joasi bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit gjatë gjithë kohës që jetoi prifti Jehojada.

Jehojada i zgjodhi për të dy bashkëshorte dhe Joasit i lindën djem dhe vajza.

Mbas kësaj e shtyu zemra Joasin të ndreqë shtëpinë e Zotit.

Prandaj mblodhi priftërinjtë dhe Levitët dhe u tha atyre: "Shkoni në qytetet e Judës dhe mblidhni vit për vit nga gjithë Izraeli paratë që nevojiten për të restauruar shtëpinë e Perëndisë tuaj; përpiquni ta kryeni shpejt këtë punë". Por Levitët nuk treguan asnjë nxitim.

Atëherë mbreti thirri kryepriftin Jehojada dhe i tha: "Pse nuk u kërkove Levitëve që të sillnin nga Juda dhe nga Jeruzalemi taksën e caktuar nga Moisiu, shërbëtor i Zotit, dhe nga asambleja e Izraelit për çadrën e dëshmisë?".

Në të vërtetë bijtë e Athaliahës, të kësaj gruaje të keqe, kishin plaçkitur shtëpinë e Perëndisë dhe kishin përdorur madje gjithë gjërat e shenjtëruara të shtëpisë të Zotit për Baalët.

Me urdhër të mbretit bënë një arkë dhe e vunë jashtë, te porta e shtëpisë të Zotit.

Pastaj bënë një shpallje në Judë dhe në Jeruzalem, me qëllim që t’i çohej Zotit taksa që Moisiu, shërbëtori i Perëndisë, i kishte vënë Izraelit në shkretëtirë.

10 Tërë krerët dhe tërë populli u gëzuan dhe sollën paratë, duke i hedhur në arkë deri sa e mbushën.

11 Kur arka çohej nga Levitët tek inspektori i mbretit, sepse shihnin se kishte në të shumë para, sekretari i mbretit dhe i ngarkuari nga kryeprifti vinin për të zbrazur arkën; pastaj e merrnin dhe e çonin përsëri në vendin e saj. Kështu vepronin çdo ditë; në këtë mënyrë grumbullonin një sasi të madhe parash.

12 Pastaj mbreti dhe Jehojada ua jepnin këto atyre që bënin shërbimin në shtëpinë e Zotit; dhe ata paguanin gurgdhëndësit dhe marangozët për të restauruar shtëpinë e Zotit, si edhe punëtorët e hekurit dhe të bronzit që merreshin me shtëpinë e Zotit.

13 Kështu punëtorët i kryen me kujdes punimet dhe me anë të tyre ndreqjet shkuan mbarë; ata e kthyen përsëri shtëpinë e Perëndisë në gjendejn e saj origjinale dhe e përforcuan atë.

14 Kur kishin mbaruar, paratë që mbetën i çuan para mbretit dhe Jehojadës dhe me to bënë orendi për shtëpinë e Zotit, orendi për shërbimin dhe për olokaustet, kupa dhe vegla të tjera prej ari ose argjendi. Deri sa jetoi Jehojada, u ofruan vazhdimisht olokauste në shtëpinë e Zotit.

15 Por Jehojada, tanimë i plakur dhe i ngopur me ditë, vdiq; ai ishte njëqind e tridhjetë vjeç kur vdiq;

16 e varrosën në qytetin e Davidit bashkë me mbretërit, sepse kishte bërë të mira në Izrael, ndaj Perëndisë dhe ndaj shtëpisë së tij.

17 Mbas vdekjes së Jehojadës, krerët e Judës shkuan dhe ranë përmbys përpara mbretit; dhe mbreti i dëgjoi.

18 Pastaj ata braktisën shtëpinë e Zotit, Perëndisë të etërve të tyre, dhe u shërbyen Asherimëve dhe idhujve; për shkak të këtij mëkati, zemërimi i Perëndisë ra mbi Judën dhe mbi Jeruzalemin.

19 Zoti u dërgoi atyre profetë për t’i bërë të kthehen tek ai; këta dëshmuan kundër tyre, por ata nuk deshën t’i dëgjojnë.

20 Atëherë Fryma e Perëndisë erdhi mbi Zakarian, birin e priftit Jehojada, që u ngrit përpara popullit dhe tha: "Kështu thotë Perëndia: Pse shkelni urdhërimet e Zotit dhe nuk keni mbarësi? Mëqe e keni braktisur Zotin edhe ai do t’ju braktisë".

21 Por ata komplotuan kundër tij dhe me urdhër të mbretit, e vranë me gurë në oborrin e shtëpisë të Zotit.

22 Kështu mbreti Joas nuk e kujtoi mirësinë që Jehojada, ati i Zakarias, kishte treguar ndaj tij dhe ia vrau të birin, i cili duke vdekur tha: "Zoti e shikoftë dhe të kërkoftë llogari!.

23 Kështu ndodhi që, në fillim të vitit të ri, ushtria e Sirëve doli kundër Joasit. Ata erdhën në Judë dhe në Jeruzalem dhe shfarosën nga populli tërë krerët e tij, dhe tërë plaçkën ia çuan mbretit të Damaskut.

24 Megjithëse ushtria e Sirëve kishte ardhur me pak veta, Zoti u dha në dorë një ushtri shumë të madhe, sepse kishin braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tyre. Kështu ata e gjykuan Joasin.

25 Kur Sirët u tërhoqën nga ai (sepse e kishin lënë shumë të sëmurë), shërbëtorët e tij kurdisën një komplot kundër tij, për shkak të vrasjes së bijve të priftit Jehojada, dhe e vranë në shtratin e tij. Kështu ai vdiq dhe e varrosën në qytetin e Davidit, por jo në varrezat e mbretërve.

26  Këta janë ata që komplotuan kundër tij: Zabadi, bir i Shimeathit, Amonitja, dhe Jehozbadi, bir i Shimrithit, Moabitja.

27  Përsa u përket bijve të tij, profecitë e shumta të thëna kundër tij dhe meremetimi i shtëpisë së Perëndisë, ja, këto gjëra janë shkruar në historinë e librit të mbretërve. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amatsiahu.