2 i Kronikave 17-18
Albanian Bible
17 Në vend të tij mbretëroi i biri Jozafat, që u fortifikua kundër Izraelit.
2 Ai vendosi trupa në tërë qytetet e fortifikuara të Judës dhe garnizone në vendin e Judës dhe në qytetin e Efraimit, që ati i tij kishte pushtuar.
3 Zoti ishte me Jozafatin, sepse ai eci në rrugët e para të Davidit, atit të tij. Ai nuk kërkoi Baalin,
4 por kërkoi Perëndinë e atit të tij dhe eci sipas urdhërimeve të tij dhe jo sipas bëmave të Izraelit.
5 Prandaj Zoti e përforcoi mbretërinë në duart e tij. Tërë Juda i çonte dhurata Jozafatit, dhe ai pati me shumicë pasuri dhe lavdi.
6 Zemra e tij u forcua në rrugët e Zotit dhe ai hoqi përsëri vendet e larta dhe Asherimët nga Juda.
7 Vitin e tretë të mbretërisë së tij ai i dërgoi krerët e tij Ben-Hail, Obadiah, Zakaria, Nethaneel dhe Mikajaht që të jepnin mësime në qytetin e Judës;
8 dhe me ta dërgoi Levitët Shemajah, Nethanjah, Zebadjah, Asahel, Shemiramoth, Jonathan, Adonijah, Tobijah dhe Tobadonijah, dhe bashkë me këta edhe priftërinjtë Elishama dhe Jehoram.
9 Kështu ata dhanë mësime në Judë, duke pasur me vete librin e ligjit të Zotit; ata kaluan nëpër tërë qytetet e Judës, duke e mësuar popullin.
10 Tmerri i Zotit zuri të gjitha mbretëritë e vendeve që ishin rreth e qark Judës, dhe kështu ato nuk i shpallën luftë Jozafatit.
11 Disa nga Filistejtë i çuan Jozafatit dhurata dhe një haraç në argjend; edhe Arabët i sollën bagëti të imta: shtatë mijë e shtatëqind desh dhe shtatë mijë e shtatëqind cjepë.
12 Kështu Jozafati u bë gjithnjë e më i madh dhe ndërtoi në Judë fortesa dhe qytete-depozitë.
13 Kreu shumë punime në qytetet e Judës, dhe në Jeruzalem mbante luftëtarë, burra të fortë dhe trima.
14 Ky është regjistrimi i tyre, sipas shtëpive të tyre atërore. Nga Juda, komandantët e mijëshëve ishin Adnahu, si prijës, dhe bashkë me të treqind mijë burra të fortë dhe trima;
15 pas tij vinin Jehohanani, siprijës, me dyqind e tetëdhjetë mijë burra;
16 pas tij ishte Amasiahu, bir i Zikrit, që i ishte kushtuar vullnetarisht Zotit, dhe me të dyqind mijë burra të fortë dhe trima.
17 Nga Beniamini ishte Eliada, burrë i fortë dhe trim, dhe me të dyqind mijë burra të armatosur me harqe dhe me mburoja;
18 pas tij vinte Jehozabadi, dhe me të njëqind e shtatëdhjetë mijë burra gati për të marrë pjesë në luftë.
19 Tërë këta ishin në shërbim të mbretit, përveç atyre që ai kishte vendosur në qytetet e fortifikuara të të gjithë Judës.
18 Jozafati pati pasuri të mëdha dhe lavdi; ai bëri krushqi me Ashabin.
2 Mbas disa vjetësh ai zbriti në Samari tek Ashabi. Atëherë Ashabi theri për të dhe për njerëzit që ishin me të një numër të madh delesh dhe lopësh dhe e bindi të dilte bashkë me të kundër Ramothit nga Galaadi.
3 Kështu Ashabi, mbret i Izraelit, i tha Jozafatit, mbretit të Judës: "A do të vish me mua kundër Ramothit nga Galaadi?". Jozafati iu përgjigj: "Ki besim tek unë si te vetja jote, te njerëzit e mi si te njerëzit e tu; do të vijmë në luftë bashkë me ty".
4 Pastaj Jozafati i tha mbretit të Izraelit: "Të lutem, konsulto po sot fjalën e Zotit".
5 Atëherë mbreti i Izraelit thirri profetët, katërqind veta, dhe u tha atyre: "A duhet të shkojmë të luftojmë kundër Ramothit nga Galaadi, apo duhet të heq dorë nga ky veprim?". Ata iu përgjigjën: "Shko, pra, sepse Perëndia do ta japë atë në duart e mbretit".
6 Por Jozafati tha: "Nuk ka këtu ndonjë profet tjetër të Zotit me të cilin mund të këshillohemi?".
7 Mbreti i Izraelit iu përgjigj Jozafatit: "Éshtë edhe një njeri, Mikajahu, bir i Imlas, me anë të të cilit mund të këshillohemi me Zotin; por unë e urrej, sepse nuk profetizon kurrë ndonjë gjë të mirë për mua, por vetëm të keqen". Jozafati tha: "Mbreti të mos flasë kështu".
8 Atëherë mbreti i Izraelit thirri një eunuk dhe i tha: "Sille shpejt Mikajahun, birin e Imlas".
9 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, ishin ulur secili në fronin e vet, të veshur me rrobat e tyre mbretërore; ishin ulur në lëmin që është te hyrja e portës së Samarisë; dhe tërë profetët bënin profeci përpara tyre.
10 Sedekia, bir i Kenaanahut, që kishte bërë brirë prej hekuri, tha: Kështu thotë Zoti: "Me këta brirë do të shposh tejpërtej Sirët deri sa t’i shkatërrosh plotësisht"".
11 Tërë profetët profetizuan në të njëjtën mënyrë, duke thënë: "Dil kundër Ramothit nga Galaadi dhe do t’ia dalësh, sepse Zoti do ta japë atë në duart e mbretit".
12 Lajmëtari, që kishte shkuar të thërriste Mikajahun, i foli duke i thënë: "Ja, fjalët e profetëve përputhen duke thënë gjëra të mira për mbretin. Prandaj të lutem që fjala jote të jetë si fjala e secilit prej tyre; edhe ti thuaj gjëra të mira".
13 Por Mikajahu u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, çdo gjë që Perëndia im do të thotë unë do ta shpall".
14 Si arriti para mbretit, mbreti i tha: "Mikajah, a duhet të shkojmë të luftojmë kundër Ramothit të Galaadit, apo duhet të heq dorë?". Ai u përgjigj: "Shkoni, pra, dhe do t’ju dalë mbarë, sepse ata do të jepen në duart tuaja".
15 Atëherë mbreti i tha: "Sa herë duhet të përgjërohem që të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Zotit?".
16 Mikajahu u përgjigj: "E pashë tërë Izraelin të shpërndarë në malet, ashtu si dhentë që janë pa bari; dhe Zoti tha: "Ata nuk kanë më zot; le të kthehet secili në paqe në shtëpinë e vet"".
17 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "A nuk të kisha thënë se lidhur me mua ai nuk do të profetizonte asgjë të mirë, por vetëm të keqen?".
18 Atëherë Mikajahu i tha: "Prandaj dëgjo fjalën e Zotit. Unë e kam parë Zotin të ulur mbi fronin e tij, ndërsa tërë ushtria qiellore rrinte në të djathtë dhe në të majtë të tij.
19 Zoti tha: "Kush do ta mashtrojë Ashabin, mbretin e Izraelit, që ai të dalë dhe të vdesë në Ramoth të Galaadit?"". Dikush u përgjigj në një mënyrë, dikush në mënyrë tjetër.
20 Atëherë doli përpara një frymë që u paraqit para Zotit dhe tha: "Unë do t’ia mbush mendjen". Zoti i tha: "Në çfarë mënyre?".
21 Ai u përgjigj: "Unë do të dal dhe do të jem një frymë i gënjeshtrës në gojën e të gjithë profetëve të tij". Zoti i tha: "Me siguri do t’arrish ta bësh për vete, shko dhe vepro kështu".
22 Prandaj ja, Zoti ka vënë një frymë gënjeshtre në gojën e këtyre profetëve të tu, por Zoti shpall fatkeqësi kundër teje".
23 Atëherë Sedekia, bir i Kenaanahut, u afrua dhe goditi me një shpullë Mikajahun, dhe tha: "Nga kaloi Fryma e Zotit kur doli nga unë që të flasë me ty?".
24 Mikajahu u përgjigj: "Ja, do ta shohësh ditën në të cilën do të shkosh në një dhomë të brendshme për t’u fshehur!".
25 Atëherë mbreti i Izraelit tha: "Merreni Mikajahun dhe çojeni tek Amoni, qeveritar i qytetit, dhe tek Joasi, bir i mbretit,
26 dhe u thoni atyre: Kështu thotë mbreti: "Futeni këtë në burg dhe ushqejeni me bukë dhe me ujë hidhërimi, deri sa unë të kthehem shëndoshë e mirë"".
27 Mikajahu tha: "Në rast se ti kthehesh me të vërtetë shëndoshë e mirë, kjo do të thotë që Zoti nuk ka folur nëpërmjet meje". Dhe shtoi: "Dëgjoni, o ju popuj të gjithë!".
28 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, dolën, pra, kundër Ramothit nga Galaadi.
29 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "Unë do të vishem ndryshe dhe pastaj do të shkoj të luftoj, por ti vish rrobat e tua mbretërore". Kështu mbreti i Izraelit ndërroi rrobat dhe shkuan të luftojnë.
30 Mbreti i Sirisë kishte dhënë këtë urdhër kapitenëve të qerreve të tij duke thënë: "Mos luftoni kundër askujt, të madh apo të vogël, por vetëm kundër mbretit të Izraelit".
31 Kështu, kur kapitenët e qerreve panë Jozafatin, ata thanë: "Ai është mbreti i Izraelit". Pastaj e rrethuan për ta sulmuar; por Jozafati lëshoi një britmë dhe Zoti i vajti në ndihmë; Perëndia i shtyu të largoheshin prej tij.
32 Kur kapitenët e qerreve e kuptuan se nuk ishte mbreti i Izraelit, hoqën dorë nga ndjekja.
33 Por një njeri hodhi rastësisht një shigjetë me harkun e tij dhe e goditi mbretin e Izraelit midis lidhjeve të parzmores së tij; prandaj mbreti i tha shqytarit të tij: "Kthehu dhe më ço larg përleshjes, sepse jam plagosur".
34 Por beteja ishte aq e ashpër atë ditë sa që mbreti u detyrua të qëndrojë mbi qerren e tij përballë Sirëve deri në mbrëmje, dhe kur perëndoi dielli ai vdiq.