Add parallel Print Page Options

Fjala e Samuelit i drejtohej tërë Izraelit. Izraeli doli të luftojë kundër Filistejve dhe ngriti kampin e tij pranë Eben-Ezerit, ndërsa Filistejtë u vendosën pranë Afekut.

Pastaj Filistejtë u renditën për betejë kundër Izraelit; filloi një betejë e madhe, por Izraeli u mund nga Filistejtë, të cilët vranë në fushën e betejës rreth katër mijë veta.

Kur populli u kthye në kamp, pleqtë e Izraelit thanë: "Pse Zoti na mundi sot përpara Filistejve? Të shkojmë të marrim në Shiloh arkën e besëlidhjes së Zotit, në mënyrë që të ndodhet në mes nesh dhe të na shpëtojë nga duart e armiqve tanë!".

Kështu populli dërgoi në Shiloh njerëz që të merrnin që andej arkën e besëlidhjes së Zotit të ushtërive, që ulët midis kerubinëve; dhe dy bijtër e Elit, Hofni dhe Finehasi, ishin aty me arkën e besëlidhjes së Perëndisë.

Kur arka e besëlidhjes së Zotit hyri në kamp, i gjithë Izraeli shpërtheu në një britmë gëzimi aq të fuqishme sa vetë toka e drodh.

Filistejtë, duke dëgjuar buçimën e asaj britme, thanë: "Çfarë kuptimi ka buçima e kësaj britme të madhe në kampin e Hebrenjve?". Pastaj mësuan që arka e Zotit kishte arritur në kamp.

Kështu Filistejtë u trembën, sepse thonin: "Perëndia erdhi në kamp". Dhe thirrën: "Mjerë ne! Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Mjerë ne! Kush do të na shpëtojë nga duart e këtyre perëndive të fuqishme? Këto janë perënditë që i goditën Egjiptasit me lloj lloj plagësh në shkretëtirë.

Qëndroni të fortë dhe silluni si burra, o Filistej, që të mos bëheni skllevër të Hebrenjve, ashtu si ata qenë skllevërit tuaj. Silluni si burra dhe luftoni!".

10 Kështu Filistejtë luftuan dhe Izraeli u mund; dhe gjithkush vrapoi te çadra e vet. Masakra qe me të vërtetë e madhe; Izraeli humbi tridhjetë mijë këmbësorë.

11 Edhe arka e Perëndisë u morr dhe dy djemtë e Elit, Hofni dhe Finehasi, vdiqën.

12 Një njeri i Beniaminit vrapoi nga fusha e betejës dhe arriti po atë ditë në Shiloh, me rroba të grisura dhe kokën të mbuluar me dhe.

13 Kur arriti, ja, Eli ishte ulur mbi ndenjësen e tij në anë të rrugës, duke shikuar, sepse zemra e tij dridhej për arkën e Perëndisë. Sapo ai njeri hyri në qytet dhe njoftoi për atë që kishte ndodhur, një britmë u ngrit nga tërë qyteti.

14 Kur dëgjoi zhurmën e britmave, Eli tha: "Ç’kuptim ka zhurma e kësaj rrëmuje?". Pastaj ai njeri erdhi me të shpejtë për t’i treguar Elit atë që kishte ndodhur.

15 Eli ishte nëntëdhjetë e tetë vjeç; shikimi i tij qe errësuar aq sa që ai nuk shikonte më.

16 Njeriu i tha Elit: "Jam ai që ka ardhur nga fusha e betejës. Sot kam ikur me vrap nga fusha e betejës". Eli tha: "Si vajtën punët, biri im?".

17 Atëherë lajmëtari u përgjegj dhe tha: "Iezraeli ia mbathi përpara Filistejve dhe u bë një masakër e madhe në popull; edhe dy djemtë e tu, Hofni dhe Finehasi, vdiqën, dhe arka e Perëndisë u morr".

18 Sa u zu në gojë arka e Perëndisë, Eli ra nga ndenjësja prapa, përbri derës, theu qafën dhe vdiq, sepse ishte plak dhe i rënduar. Qe gjyqtar i Izraelit dyzet vjet me radhë.

19 E reja e tij, gruaja e Finehasit, ishte me barrë dhe në prag të lindjes; kur dëgjoi lajmin që arka e Perëndisë ishte kapur dhe vjehrri i saj dhe i shoqi kishin vdekur, u kërrus dhe lindi, sepse e zunë dhimbjet.

20 Në çastin kur ishte duke vdekur, gratë që kujdeseshin për të i thanë: Mos u tremb, sepse ke lindur një djalëë". Por ajo nuk u përgjegj dhe nuk u kushtoi vëmëndje fjalëve të tyre,

21 por ia vuri emrin Ikabod fëmijës, duke thënë: "Lavdia u largua nga Izraeli," sepse arka e Perëndisë ishte marr për shkak të vjehrrit të saj dhe të burrit të saj.

22 Ajo tha: "Lavdia është larguar nga Izraeli, sepse arka e Perëndisë është marr".

Atëherë Filistejtë e morën arkën e Perëndisë dhe e mbartën nga Eben-Ezeriu në Ashdod;

pastaj Filistejtë e morën arkën e Perëndisë, e çuan në tempullin e Dagonit dhe e vendosën pranë Dagonit.

Të nesërmen banorët e Ashdodit u ngritën herët, por Dagoni qe rrëzuar me fytyrë për tokë përpara arkës së Zotit. Kështu e morën Dagonin dhe e vunë përsëri në vendin e tij.

Të nesërmen u ngritën herët, dhe ja Dagoni qe rrëzuar përsëri me fytyrën për tokë përpara arkës së Zotit, kurse koka e Dagonit dhe të dy pëllëmbët e duarve të tij u gjetën të prera mbi prag; nga Dagoni kishte mbetur vetëm trungu.

Prandaj, deri ditën e sotme, priftërinjtë e Dagonit dhe tërë ata që hyjnë në tempullin e Dagonit nuk vënë këmbë mbi pragun e Dagonit në Ashdod.

Pastaj dora e Zotit rëndoi mbi banorët e Ashdodit dhe i shkretoi, i goditi me hemoroide Ashdodin dhe territorin e tij.

Kur banorët e Ashdodit panë që punët shkonin në atë mënyrë, ata thanë: Arka e Perëndisë të Izraelit nuk duhet të mbetet në mes nesh, sepse dora ee tij ka qenë e rëndë me ne dhe me Dagonin, perëndinë tonë".

Kështu ata mblodhën pranë tyre tërë princat e Filistejve dhe thanë: Çfarë duhet të bëjmë me arkën e Perëndisë të Izraelit??". Princat u përgjegjën: "Të mbartet arka e Perëndisë të Izraelit në Gatha".

Kështu arka e Perëndisë të Izraelit u mbart aty. Por mbas transportimit të saj, dora e Zotit u kthye kundër atij qyteti, duke i shkaktuar një lemeri të madhe; dhe Zoti i goditi njerëzit e qytetit, të mëdhenj e të vegjël, me një epidemi hemoroidesh.

10 Atëherë arkën e Perëndisë e dërguan në Ekron. Por, sapo arka e Perëndisë arriti në Ekron, banorët e Ekronit protestuan duke thënë: "Kanë sjellë arkën e Perëndisë të Izraelit te ne, që të vdesim ne dhe populli ynë!".

11 Kështu mblodhën tërë pincat e Filistejve dhe u thanë: "Largojeni arkën e Perëndisë të Izraelit; ajo të kthehet në vendin e saj, që të mos shkaktojë vdekjen tonë dhe të popullit tonë!". Në fakt ishte përhapur një lemeri vdekjeprurëse në të gjithë qytetin, sepse dora e Perëndisë rëndonte shumë mbi të.

12 Ata që nuk vdisnin prekeshin nga hemoroidet, dhe britmat e qytetit ngjiteshin deri në qiell.

Arka e Zotit mbeti shtatë muaj në vendin e Filistejve.

Pastaj Filistejtë mblodhën priftërinjtë dhe shortarët dhe thanë: "Ç’duhet të bëjmë me arkën e Zotit? Na trego mënyrën që duhet të përdorim për ta kthyer përsëri në vendin e saj".

Atëherë ata u përgjegjën: "Në qoftë se e ktheni arkën e Perëndisë së Izraelit, mos e ktheni bosh, por dërgoni me të të paktën një ofertë zhdëmtimi; atëherë do të shëroheni dhe do të mësoni pse dora e tij nuk ju ndahej".

Ata pyetën: "Çfarë oferte zhdëmtimi do t’i dërgojmë neve?". Ata u përgjegjën: "Pesë hemorroide ari dhe pesë minj ari simbas numrit të princave të Filistejve, sepse e njëjta plagë ka goditur ju dhe princat tuaj.

Bëni, pra, disa figura të hemorroideve dhe të minjve tuaj që shkatërrojnë vendin, dhe i thurrni lavdi Perëndisë së Izraelit; ndofta ai do ta zbusë dorën e tij mbi ju, mbi perënditë tuaj dhe mbi vendin tuaj.

Pse, vallë, e ngurtësoni zemrën tuaj ashtu si Egjiptasit dhe Faraoni ngurtësuan zemrën e tyre? Kur kreu gjëra të fuqishme midis tyre, nuk i lanë të shkojnë, dhe kështu ata mundën të shkojnë?

Bëni, pra, një qerre të re, pastaj merrni dy lopë qumështore mbi të cilat nuk është vënë kurrë zgjedha dhe i mbrihni lopët në qerre, por i çoni viçat e tyre në stallë larg tyre.

Pastaj merrni arkën e Zotit dhe vendoseni mbi qerre; dhe punimet prej ari që i çoni Zotit si ofertë zhdëmtimi i vini në një shportë pranë saj.

Dhe rrini e shikoni, në rast se ngjitet nëpër rrugën që të çon në territorin e tij, në Beth-Shemesh, është Zoti që na ka bërë këtë të keqe të madhe; ndryshe do të të mësojmë që nuk ka qenë dora e tij që na ka goditur, por kjo ka ndodhur rastësisht".

10 Ata, pra, vepruan kështu: morën dy lopë qumështore, i mbrehën në qerre dhe mbyllën viçat në stallë.

11 Pastaj vendosën mbi qerre arkën e Zotit dhe shportën me minjtë prej ari dhe figurat e hemorroideve.

12 Atëherë lopët u nisën pikërisht në drejtim të Beth-Shemeshit, duke ndjekur gjithnjë atë rrugë dhe duke pëllitur ndërsa po ecnin, pa u kthyer as djathtas, as majtas. Princat e Filistejve i ndoqën deri në kufirin e Beth-Shemeshit.

13 Banorët e Beth-Shemeshit ishin duke korrur grurin në luginë; duke ngritur sytë, panë arkën dhe u gëzuan qe e panë.

14 Qerrja, pasi arriti në kampin e Jozueut në Beth-Shemesh, u ndal aty. Aty kishte një gur të madh; kështu ata çanë lëndën e drurit të qerres dhe i ofruan lopët si olokauste të Zotit.

15 Levitët hoqën arkën e Zotit dhe shportën që i rrinte pranë dhe në të cilën gjendeshin sendet prej ari, dhe i vendosëm mbi një gur të madh. Po atë ditë njerëzit e Beth-Shemeshit ofruan dhe i bënë flijime Zotit.

16 Mbasi pesë princat e Filistejve panë këtë gjë, po atë ditë u kthyen në Ekron.

17 Këto janë hemorroidet prej ari që Filistejtë i dërguan Zotit si ofertë zhdëmtimi; një për Ashdodin, një për Gazën, një për Askalonin, një për Gathin, një për Ekronin;

18 dhe minjtë prej ari simbas numrit të të gjitha qyteteve të Filistejve që u përkisnin pesë princëve, nga qytetet e fortifikuara deri në fshatrat e fushës, deri në gurin e madh e mbi të cilin u vendos arka e Zotit dhe që qëndron deri në ditën e sotme në fushën e Jozueut, Bethshemitit.

19 Zoti goditi disa njerëz të Beth-Shemeshit, sepse kishin shikuar brenda arkës së Zotit; ai goditi shtatëdhjetë njerëz të popullit. Populli mbajti zi për ta, sepse Zoti e kishte prekur me një fatkeqësi të madhe.

20 Njerëzit e Beth-Shemeshit thanë: "Kush mund të rezistojë përpara Zotit, këtij Perëndie të shenjtë? Nga kush do të ngjitet arka, kur të niset nga ne?".

21 Kështu u dërguan lajmëtarë banorëve të Kiriath-Jearimit për t’u thënë: Filistejtë e kanë kthyer arkën e Zotit; zbrisni dhe çojeni lart te juu".