Add parallel Print Page Options

21 Por Satanai u ngrit kundër Izraelit dhe e nxiti Davidin të bënte regjistrimin e popullit të Izraelit.

Kështu Davidi i tha Joabit dhe krerëve të popullit: "Shkoni dhe bëni regjistrimin e Izraelitëve nga Beer-Sheba deri në Dan; pastaj më paraqitni raportin që unë të dij numrin e tyre".

Joabi u përgjigj: "Zoti e shumëzoftë popullin e tij njëqind herë aq. Por, o mbret, o imzot, a nuk janë vallë të gjithë shërbëtorë të zortërisë sime? Pse zoti im kërkon një gjë të tillë? Pse e bën fajtor Izraelin?".

Por kërkesa e mbretit mbizotëroi mbi atë të Joabit. Prandaj Joabi u nis, e përshkoi tërë Izraelin dhe u kthye pastaj në Jeruzalem.

Joabi i dërgoi Davidit shifrat e regjistrimit të popullsisë; në të gjithë Izraelin kishte një milion e njëqind mijë njerëz të aftë për të përdorur shpatën dhe në Judë katërqind e shtatëdhjetë mijë njerëz të aftë për të përdorur shpatën.

Por në regjistrimin e këtyre Joabi nuk përfshiu Levin dhe Beniaminin, sepse për të kërkesa e mbretit ishte e neveritshme.

Kjo gjë nuk i pëlqeu Perëndisë, prandaj e goditi Izraelin.

Kështu Davidi i tha Perëndisë: "Kam bërë një mëkat shumë të madh duke bërë këtë gjë; por tani, të lutem, hiqja paudhësinë shërbëtorit tënd, sepse unë kam vepruar shumë pa mend".

Atëherë Zoti i foli Gadit, shikuesit të Davidit, duke i thënë:

10 "Shko e i thuaj Davidit: "Kështu thotë Zoti: Unë të propozoj tri gjëra: zgjidh njerën nga këto dhe unë do ta kryej për ty"".

11 Gadi shkoi te Davidi dhe i tha: "Kështu thotë Zoti: Zgjidh

12 ose tre vjet zi buke, ose tre muaj shkatërrimesh përpara kundërshtarëve të tu, gjatë të cilave shpata e armiqve të tu do të të zërë, ose tri ditë shpate të Zotit, me fjalë të tjera murtaja në vend, gjatë të cilave engjëlli i Zotit do të të sjellë shkatërrim në të gjithë territorin e Izraelit. Tani më bëj të ditur përgjigjen që duhet t’i jap atij që më ka dërguar".

13 Davidi i tha Gadit: "Unë jam në një ankth të madh! Oh, më mirë unë të bija në duart e Zotit sepse është shumë i mëshirshëm, por të mos bija në duart e njerëzve!".

14 Kështu Zoti dërgoi murtajën në Izrael dhe vdiqën shtatëdhjetë mijë Izraelitë.

15 Perëndia dërgoi gjithashtu një engjëll në Jeruzalem për ta shkatërruar; por kur po përgatitej të fillonte shkatërrimin, Zoti ktheu shikimin, u pendua për fatkeqësinë e caktuar dhe i tha engjëllit që shkatërronte: "Tani mjaft! Mbaje dorën!". Engjëlli i Zotit qëndronte më këmbë pranë lëmit të Ornanit, Jebuseut.

16 Davidi me sytë e ngritur, pa engjëllin e Zotit që rrinte midis tokës dhe qiellit me në dorë një shpatë të zhveshur dhe të drejtuar mbi Jeruzalem. Atëherë Davidi dhe pleqtë, të veshur me thasë, ranë përmbys me fytyrë për tokë.

17 Davidi i tha Perëndisë: "A nuk kam qenë unë, vallë, ai që urdhëroi regjistrimin e popullsisë? Kam qenë unë që kam mëkatuar dhe që kam bërë të keqen; por këta, kopeja, çfarë kanë bërë? Të lutem, o Zot, Perëndia im, drejtoje dorën tënde kundër meje dhe kundër shtëpisë së atit tim, por mos e godit popullin tënd me këtë fatkeqësi".

18 Atëherë engjëlli i Zotit urdhëroi Gadin t’i thotë Davidit që ky të dalë dhe t’i ngrejë një altar Zotit në lëmin e Ornanit, Jebuseut.

19 Kështu Davidi doli sipas fjalës që Gadi kishte shqiptuar në emër të Zotit.

20 Ornani u kthye dhe pa engjëllin; prandaj të katër bijtë e tij që ishin me të u fshehën, por Ornani vazhdoi të shijë grurin.

21 Kur Davidi arriti pranë Ornanit, ky e shikoi dhe e njohu Davidin; doli pastaj nga lëmi dhe ra përmbys para Davidit me fytyrë për tokë.

22 Atëherë Davidi i tha Ornanit: "Më jep sipërfaqen e lëmit; që të ndërtojë një altar për Zotin; ma jep për gjithë vlerën e saj, me qëllim që fatkeqësia të mos godasë më popullin".

23 Ornani i tha Davidit: "Merre; dhe mbreti, zoti im, të bëjë atë që i duket më e mirë; ja, unë po të jap edhe qetë e olokaustit, veglat e shirjes për dru dhe grurin për blatimin e ushqimit; po t’i jap të gjitha".

24 Por mbreti David i tha Ornanit: "Jo! Unë dua ta ble për vlerën e saj të plotë, sepse nuk ka për të marrë për Zotin atë që është prona jote dhe nuk kam për të ofruar një olokaust që nuk më kushton asgjë".

25 Kështu Davidi i dha Ornanit si çmim të tokës peshën e gjashtëqind siklave ari.

26 Pastaj Davidi ndërtoi aty një altar për Zotin, ofroi olokauste dhe flijime falenderimi dhe kërkoi ndihmën e Zotit, që iu përgjigj me zjarrin që zbriti nga qielli mbi altarin e olokaustit.

27 Atëherë Zoti urdhëroi engjëllin ta fusë përsëri shpatën e tij në myll.

28 Në atë kohë Davidi, duke parë që Zoti ia kishte plotësuar dëshirën në lëmin e Ornanit, Jebuseut, ofroi aty flijime.

29 Në fakt tabernakulli i Zotit që Moisiu kishte ndërtuar në shkretëtirë dhe altari i olokausteve ndodheshin atëherë në vendin e lartë të Gabaonit.

30 Por Davidi nuk mund të shkonte përpara atij altari për t’u këshilluar me Perëndinë, sepse ishte trembur përpara shpatës së engjëllit të Zotit.

22 Pastaj Davidi tha: "Kjo është shtëpia e Zotit Perëndi dhe ky është altari i olokausteve për Izraelin".

Atëherë Davidi dha urdhër të grumbulloheshin të huajt që ishin në vendin e Izraelit dhe i ngarkoi gurgdhendësit të latonin gurë për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë.

Davidi përgatiti gjithashtu hekur me bollëk për gozhdat e kanateve të dyerve dhe për kanxhët, një sasi bronzi me peshë të pallogaritshme,

dhe dru kedri që nuk mund të llogaritej, sepse Sidonët dhe Tirët i kishin sjellë Davidit dru kedri me bollëk.

Davidi thoshte: "Salomoni, biri im, është i ri dhe i mungon përvoja; shtëpia që do t’i ndërtohet Zotit ka për të qenë jashtëzakonisht madhështore dhe do të fitojë famë e lavdi në të gjitha vendet; prandaj kam për të bërë përgatitjet e duhura për të". Kështu Davidi, para se të vdiste, bëri përgatitje të mëdha.

Pastaj thirri birin e tij Salomonin dhe e urdhëroi të ndërtonte një shtëpi për Zotin, Perëndinë e Izraelit.

Davidi i tha Salomonit: "Biri im, unë vetë kisha në zemër të ndërtoja një shtëpi në emër të Zotit, Perëndisë tim;

por fjala e Zotit m’u drejtua, duke më thënë: "Ti ke derdhur shumë gjak dhe ke bërë shumë luftëra; prandaj nuk do të ndërtosh një shtëpi në emrin tim, sepse ke derdhur shumë gjak mbi tokë para meje.

Por ja, do të të lindë një djalë, që do të jetë paqedashës dhe unë do ta lë të shlodhet nga ana e të gjithë armiqve të tij që ndodhen rreth e qark. Ai do të quhet Salomon dhe gjatë ditëve të tij do t’i siguroj paqe dhe qetësi Izraelit.

10 Ai do të ndërtojë një shtëpi në emrin tim; ai do të jetë për mua një djalë dhe unë do të jem për të një baba; dhe do ta bëj të qëndrueshëm për gjithnjë fronin e mbretërisë së tij mbi Izraelin".

11 Tani, biri im, Zoti qoftë me ty, në mënyrë që ti të përparosh dhe të ndërtosh shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, ashtu si ka thënë ai për ty.

12 Vetëm Zoti të dhëntë dituri dhe zgjuarësi, të besoftë përgjegjësinë mbi Izraelin, për të respektuar ligjin, e Zotit, Perëndisë tënd.

13 Atëherë do të kesh mbarësi, po të jetë se kujdesesh të zbatosh statutet dhe dekretet që Zoti i ka caktuar Moisiut për Izraelin. Ji i fortë dhe trim, mos ki frikë dhe mos u trondit.

14 Ja, unë jam preokupuar të përgatis për shtëpinë e Zotit njëqind mijë talenta ari, një milion talenta argjendi dhe një sasi të tillë bronzi dhe hekuri sa nuk peshohet dot. Kam përgatitur gjithashtu lëndë druri dhe gurë; dhe ti mund t’i shtosh edhe më.

15 Përveç kësaj ke me vete shumë punëtorë: gdhëndës, punëtorë të gurit dhe të drurit dhe çdo lloj teknikësh për çfarëdo lloj punimi.

16 Ka një sasi të pallogaritshme ari, argjendi, bronzi dhe hekuri. Çohu, pra, dhe futju punës, dhe Zoti qoftë me ty!".

17 Davidi u dha gjithashtu urdhër tërë krerëve të Izraelit të ndihmonin Salomonin, birin e tij, dhe u tha atyre:

18 "A nuk është vallë Zoti, Perëndia juaj, me ju, dhe a nuk ju ka dhënë paqe rreth e qark? Në fakt ai i ka lënë banorët e vendit në duart e mia, dhe vendi është nënshtruar para Zotit dhe para popullit të tij.

19 Prandaj tani bëni që zemra dhe shpirti juaj të kërkojnë Zotin, Perëndinë tuaj; pastaj çohuni dhe ndërtoni shenjtëroren e Zotit, Perëndisë tuaj, për të transferuar arkën e besëlidhjes të Zotit dhe sendet që ia keni shenjtëruar Perëndisë në tempullin që do të ndërtohet në emër të Zotit".

23 Davidi, tanimë i plakur dhe i velur me ditë, vendosi si mbret mbi Izraelin birin e tij Salomon.

Ai mblodhi tërë krerët e Izraelit së bashku me priftërinjtë dhe me Levitët.

U llogaritën Levitët tridhjetë vjeç e lart; dhe numri i individëve ishte tridhjetë e tetë mijë.

Nga këta, njëzet e katër mijë u caktuan për të drejtuar punimet në shtëpinë e Zotit, gjashtë mijë ishin magjistratë dhe gjyqtarë,

katër mijë ishin derëtarë dhe katër mijë duhet të lëvdonin Zotin me veglat që Davidi kishte bërë për ta kremtuar.

Davidi i ndau në klasa, sipas bijve të Levit: Gershomi, Kehathi dhe Merari.

Nga Gershonitët: Ladani dhe Shimei.

Bijtë e Ladanit: Jejeli, i pari, Zethami dhe Joeli; tre gjithsej.

Bijtë e Shimeit: Shelomithi, Hazieli dhe Harani; gjithsej tre. Këta ishin të parët e shtëpive atërore të Ladanit.

10 Bijtë e Shimeit: Jahathi, Zina, Jeushi dhe Beriahu. Këta ishin katër bijtë e Shimeit.

11 Jahathi ishte i pari, pas tij vinte Zina; Jeushi dhe Beriahu nuk patën shumë fëmijë, prandaj në regjistrimin përbënin një shtëpi të vetme atërore.

12 Bijtë e Kehathit: Amrami, Itshari, Hebroni dhe Uzieli; gjithsej katër.

13 Bijtë e Amramit: Aaroni dhe Moisiu. Aaroni u nda veç për të shenjtëruar gjërat e shenjta, ai dhe bijtë e tij përjetë, për të djegur temjan përpara Zotit, për t’i shërbyer dhe për të bekuar emrin e tij përjetë.

14 Sa për Moisiun, njeriun e Perëndisë, bijtë e tij u llogaritën në fisin e Levit.

15 Bijtë e Moisiut ishin Gershomi dhe Eliezeri.

16 Nga bijtë e Gershomit, Shebueli ishte i pari.

17 Nga bijtë e Eliezerit, Rehabiahu ishte i pari. Eliezeri nuk pati fëmijë të tjerë, por bijtë e Rehabiahut ishin të shumët.

18 Nga bijtë e Itsharit, Shelomithi ishte i pari.

19 Nga bijtë e Hebroit, Jerijahu ishte i pari, Amariahu i dyti, Jahazieli i treti dhe Jekaneami i katërti.

20 Nga bijtë e Uzielit, Mikahu ishte i pari dhe Ishshiahu i dyti.

21 Bijtë e Merarit ishin Mahli dhe Mushi. Bijtë e Mahlit ishin Eleazari dhe Kishi.

22 Eleazari vdiq dhe nuk la djem, por vetëm vajzat që u martuan me bijtë e Kishit, vëllezër të tyre.

23 Bijtë e Mushit ishin Mahli, Ederi dhe Jeremothi; gjithsej tre.

24 Këta ishin bijtë e Levit sipas shtëpisë të tyre atërore, të parët e shtëpive atërore sipas regjistrimit të popullsisë, që u bë duke i numëruar emrat një për një. Këta ishin të ngarkuar me shërbimin e shtëpisë të Zotit njëzet vjeç e lart.

25 Sepse Davidi kishte thënë: "Zoti, Perëndia i Izraelit, i ka dhënë paqe popullit të tij, në mënyrë që ai të mund të banonte në Jeruzalem përjetë.

26 Kështu Levitët nuk do ta mbartin më tabernakullin dhe tërë objektet e shërbimit të tij".

27 sipas porosive të fundit të Davidit u bë regjistrimi i bijve të Levit, njëzet vjeç e lart.

28 Sepse detyra e tyre ishte që të ndihmonin bijtë e Aaronit në shërbimin e shtëpisë së Zotit në oborret, në dhomat, në pastrimin e të gjitha gjërave të shenjta, në punën e shërbimit të shtëpisë së Perëndisë,

29 me bukët e paraqitjes, me majën e miellit për ofertën e ushqimit, me kuleçët e ndorme; me gjërat që gatuhen në tigan, me atë që është përzier me vaj dhe me të gjitha masat dhe dimensionet.

30 Përveç kësaj ata duhet të paraqiteshin çdo mëngjes për të kremtuar dhe për të lëvduar Zotin, dhe kështu edhe çdo mbrëmje,

31 si dhe për të ofruar vazhdimisht para Zotit tërë olokaustet, sipas numrit të caktuar nga ligji ditët e shtuna, kur fillon hëna e re dhe në festat solemne.

32 Ata duhet të kryenin gjithashtu detyrat e çadrës së mbledhjeve dhe të shenjtërores, si dhe të ndihmonin bijtë e Aaronit, vëllezërit e tyre, në shërbimin e shtëpisë të Zotit.