Add parallel Print Page Options

Ishte një njeri nga Ramathaim-Tsofini, nga zona malore e Efraimit, që quhej Elkanah; ishte bir i Jerohamit, bir i Elihut, bir i Tohut dhe bir i Efraimitit Tsuf.

Ai kishte dy gra: e para quhej Ana dhe tjetra Penina. Penina kishte fëmijë, kurse Ana nuk kishte.

Çdo vit ky njeri nisej nga qyteti i tij për të adhuruar dhe për t’i ofruar flijime Zotit të ushtërive në Shiloh, ku gjendeshin dy bijtë e Efraimit, Hofni dhe Finehasi, priftërinj të Zotit.

Kur i vinte dita Elkanahut të ofronte flijimin, ai kishte zakon t’u jepte pjesën që u takonte gruas së tij Penina dhe pjesët gjithë bijve dhe bijave të tij;

por Anës i jepte një pjesë të dyfishtë, sepse e donte Anën, megjithëse Zoti ia kishte mbyllur barkun.

Por shemra e saj e ngacmonte vazhdimisht për ta zëmëruar, sepse Zoti ia kishte mbyllur barkun.

Kështu ndodhte çdo vit; sa herë që Ana ngjitej në shtëpinë e Zotit, Penina e ngacmonte; prandaj ajo qante dhe nuk hante më.

Atëherë burri i saj Elkanahu i tha: "Ana, pse qan? Pse nuk ha? Pse është trishtuar zemra jote? A nuk jam unë për ty më i mirë se dhjetë fëmijë?".

Pasi hëngrën dhe pinë në Shiloh, Ana u ngrit. Prifti Eli ishte ulur mbi ndenjësen që ndodhet në hyrje të tabernakullit të Zotit.

10 Në trishtimin e shpirtit të saj i lutej Zotit duke qarë me dënesë.

11 Pastaj lidhi një kusht, duke thënë: "O Zot i ushtrive, në se vërtetë interesohesh për fatkeqësinë që i ka rënë shërbëtores sate, në se ti më mban mend mua dhe nuk e harron shërbëtoren tënde, por dëshiron t’i japësh shërbëtores sate një fëmijë mashkull, unë do t’ja jap Zotit për të gjitha ditët e jetës së tij dhe brisku nuk ka për të kaluar mbi kokën e tij".

12 Ndërsa ajo e zgjaste lutjen e saj përpara Zotit, Eli shikonte me kujdes gojën e saj.

13 Ana fliste në zemër të saj; vetëm buzët i lëviznin, por zëri saj nuk dëgjohej; pikërisht për këtë Eli mendonte që ishte e dehur.

14 Kështu Eli i tha: "Deri kur do të jesh e dehur? Të daltë pija!".

15 Por Ana u përgjegj dhe tha: "Jo, imzot, unë jam një grua e vrarë në frym dhe nuk kam pirë as verë, as pije të tjera dehëse, por isha duke hapur zemrën time para Zotit.

16 Mos mendo se shërbëtorja jote është një grua e çoroditur, sepse ka qënë dhëmbja dhe hidhërimi i pamasë që më shtynë të flas deri tani".

17 Atëherë Eli iu përgjegj: "Shko në paqe dhe Perëndia i Izraelit të dhëntë atë që i kërkove".

18 Ajo u përgjegj: "Shërbëtorja jote pastë gjetur hirin në sytë e tu". Kështu gruaja iku në rrugën e saj, nisi të ushqehet dhe pamja e saj nuk ishte më e trishtuar.

19 Ata u ngritën herët në mëngjes dhe ranë përmbys përpara Zotit; pastaj u nisën dhe u kthyen në shtëpinë e tyre në Ramah. Elkanahu njohu Anën, bashkëshorten e tij, dhe Zoti u kujtua për të.

20 Në kohën e caktuar, Ana mbeti me barrë dhe lindi një djalë të cilit ia vunë emrin Samuel, duke thënë: "Sepse ia kërkova Zotit".

21 Atëherë burri i saj Elkanahu u ngjit me gjithë familjen e tij për t’i ofruar Zotit flijimin vjetor dhe për të plotësuar kushtin e lidhur.

22 Por Ana nuk u ngjit, sepse i tha burrit të saj: "Unë nuk do të ngjitem deri sa fëmija të jetë zvjerdhur; atëherë do ta çoj me qëllim që ta paraqes para Zotit dhe të mbetet pranë tij për gjithnjë".

23 Burri i saj, Elkanahu, iu përgjegj: "Bëj si të të duket më mirë; qëndro deri sa të të jetë zvjerdhur, mjaft që Zoti ta mbajë fjalën!". Kështu gruaja mbeti në shtëpi dhe i dha gji birit të saj deri sa ky u zvordh.

24 Mbasi e zvordhi e mori me vete, bashkë me tri dema të vegjël, një efë mielli dhe një calik verë; dhe i çoi në shtëpinë e Zotit në Shiloh. Djali ishte akoma shumë i vogël.

25 Pastaj ata flijuan një dem dhe ia çuan djalin Elit.

26 Ana i tha: "Imzot! Ashtu siç është e vërtetë që jeton shpirti yt, o imzot, unë jam ajo grua që rrinte këtu, afër teje, dhe i lutej Zotit.

27 Jam lutur për të pasur këtë djalë, dhe Zoti më dha atë që i kisha kërkuar.

28 Prandaj edhe unë ia fal Zotit; deri sa të rrojë, ai do t’i kushtohet Zotit". Dhe aty ranë përmbys para Zotit.

Atëherë Ana u lut dhe tha: "Zemra ime ngazëllohet në Zotin, forca ime ngrihet tek i Zoti; goja ime hapet kundër armiqve të mi, sepse gëzohem nga shpëtimi yt.

Nuk ka asnjë të shenjtë si Zoti, sepse nuk ka asnjë tjetër vëç teje, nuk ka asnjë shkëmb si Perëndia ynë.

Mos vazhdoni të flisni me aq mburrje; të mos dalin fjalë arrogante nga goja juaj, sepse Zoti është Perëndia i njohjes dhe ai i peshon veprimet.

Dhe harqet e të fuqishmëve thyhen, ndërsa të dobëtit janë pajisur me forcë.

Ata që ishin të ngopur shkojnë si punëtorë ditorë për një copë bukë, ndërsa ata që ishin të uritur nuk vuajnë më nga uria. Madje edhe ajo që ishte shterpë, ka pjellë shtatë herë, ndërsa ajo që ka shumë fëmijë është dobësuar.

Zoti të bën të vdesësh dhe të bën të jetosh; të zbret në Sheol dhe të ngjit që andej.

Zoti të varfëron dhe të pasuron, ai të poshtëron dhe ai të lartëson.

Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe e heq të varfërin nga plehrat, në mënyrë që të ulet me princat dhe të trashëgojnë një fron lavdie; sepse shtyllat e dheut i përkasin Zotit, dhe mbi to ai ka mbështetur botën.

Ai ruan rrugën që bëjnë shenjtorët e tij, por të pafetë do të vdesin në errësirë, sepse njeriu nuk do të mbizotërojë me anë të forcës.

10 Kundërshtarët e Zotit do të copëtohen; ai do të gjëmojë kundër tyre nga qielli. Zoti do të gjykojë popujt deri në skajet e tokës, do t’i japë forcë mbretit të tij dhe do ta lartojë forcën e të vajosurit të tij".

11 Pastaj Elkanahu u kthye në shtëpinë e tij në Ramah, dhe fëmija qendroi që t’i shërbejë Zotit në prani të priftit Eli.

12 Bijtë e Elit ishin njerëz të këqij; nuk e njihnin Zotin.

13 Dhe ja si silleshin këta priftërinj me popullin; kur dikush ofronte një flijim, shërbëtori i priftit vinte, kur mishi ziente, me një pirun me tri maja në dorë,

14 dhe e fuste në tenxhere, në kazan apo në kusi, dhe tërë atë që piruni i madh tërhiqte sipër prifti e mbante për vete. Kështu vepronin me tërë Izraelitët që shkonin në Shiloh.

15 Edhe para se të digjnin dhjamin, shërbëtori i priftit vinte dhe i thoshte atij që bënte flijimin: "Më jep mish për ta pjekur për priftin, sepse ai nuk do të pranojë prej teje mish të pjekur, por mish të gjallë".

16 Dhe në qoftë se njeriu i thoshte: "Më parë të tymoset dhjami, pastaj të marrësh sa të duash," ai përgjigjej: "Jo, duhet të ma japësh tani; përndryshe do ta marr me forcë".

17 Prandaj mëkati i dy të rinjve ishte shumë i madh përpara Zotit, sepse ata përçmonin ofertat që i bëheshin Zotit.

18 Por Samueli kryente shërbimin para Zotit, megjithëse akoma fëmijë, dhe ishte mbështjellë me një efod prej liri.

19 E ëma i përgatiste një veshje të vogël dhe ia çonte çdo vit kur ngjitej me burrin e saj për të ofruar flijimin vjetor.

20 Atëherë Eli bekonte Elkanahun dhe bashkëshorten e tij, duke thënë: "Zoti të dhëntë fëmijë të tjerë nga kjo grua, me kërkesën që ajo i ka bërë Zotit!". Pastaj ata ktheheshin në shtëpinë e tyre.

21 Kështu Zoti vizitoi Anën, dhe kjo mbeti me barrë dhe lindi tre djem dhe dy vajza. Ndërkaq djali Samuel po rritej pranë Zotit.

Pas këtyre ngjarjeve ishte një festë e Judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem.

Në Jeruzalem, afër portës së dhenve, është një pellg që në hebraisht quhet Betesda, dhe ka pesë portikë.

Nën to dergjeshin një numër i madh të lënguarish: të verbër, të çalë dhe të paralizuar, të cilët prisnin lëvizjen e ujit.

Sepse një engjëll, kohë pas kohe, zbriste në pellg dhe e lëvizte ujin; dhe i pari që hynte, mbasi uji ishte lëvizur, shërohej nga çfarëdo sëmundje që të kishte.

Aty ishte një njeri i lënguar prej tridhjetë e tetë vjetësh.

Jezusi, duke e parë shtrirë dhe duke ditur se prej shumë kohe ishte në atë gjendje, i tha: “A dëshiron të shërohesh?.”

I lënguari u përgjigj: "Zot, unë s’kam njeri që, kur lëviz uji, të më fusë në pellg; dhe, ndërsa unë po shkoj, një tjetër zbret para meje.”

Jezusi i tha: “Çohu, merr vigun tënd dhe ec!.”

Njeriu u shërua në çast, mori vigun e tij dhe eci. Atë ditë ishte e shtunë.

10 Prandaj Judenjtë i thanë atij që u shërua: “Éshtë e shtunë; nuk është e ligjshme për ty të ngresh vigun tënd!.”

11 Ai iu përgjigj atyre: “Ai që më shëroi më tha: "Merre vigun tënd dhe ec!".”

12 Atëherë ata e pyetën: “Kush është ai njeri që të tha: "Merre vigun tënd dhe ec"?.”

13 Por ai që ishte shëruar nuk e dinte kush ishte, sepse Jezusi ishte larguar për shkak të turmës që ishte në atë vend.

14 Më vonë Jezusi e gjeti në tempull dhe i tha: “Ja, ti u shërove; mos mëkato më që të mos të të bëhet një gjë më e keqe.”

15 Ai njeri shkoi dhe u tregoi Judenjve se Jezusi ishte ai që e shëroi.

16 Për këtë Judenjtë e përndiqnin Jezusin dhe kërkonin ta vrisnin, sepse bënte këto gjëra të shtunave.

17 Por Jezusi u përgjigj atyre: “Im Atë vepron deri më tash, e edhe unë veproj.”

18 Për këtë Judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte të shtunën, por edhe se thoshte se Perëndia ishte ati i vet, duke e barazuar veten me Perëndinë.

19 Atëherë Jezusi u përgjgj dhe u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri.

20 Sepse Ati e do Birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë; dhe do t’i dëftojë vepra më të mëdha se këto, që të mrekulloheni.

21 Në fakt ashtu si ati ringjall të vdekurit dhe u jep atyre jetën, po kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do.

22 Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit,

23 që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar.

Read full chapter

37 dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej.

38 Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta.

39 Ai shpalosi një re për t’i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t’i ndriçuar natën.

40 Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit.

41 Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shketëtirë si një lumë.

42 Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij;

43 pastaj nxori popullin e tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi,

44 dhe u dha atyre vendet e kombeve, dhe ata trashëguan frytin e mundit të popujve,

45 me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t’u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja.

Read full chapter

28 Lavdia e mbretit qëndron në turmën e popullit, por shkatërrimi i princit qëndron në mungesën e njerëzve.

29 Kush është i ngadalshëm në zemërim është shumë i matur, por ai që rrëmbehet me lehtësi vë në dukje marrëzinë e tij.

Read full chapter