1 i Mbretërve 1:11-31
Albanian Bible
11 Atëherë Nathani i foli Bath-Shebës, nënës së Salomonit, dhe i tha: "Nuk ke dëgjuar që Adonijahu, bir i Hagithit, është bërë mbret, dhe Davidi, zotëria ynë, nuk e di aspak?
12 Prandaj më lejo të të jap një këshillë, që të shpëtosh jetën tënde dhe atë të birit tënd, Salomonit.
13 Shko, hyr te mbreti David dhe i thuaj: "O mbret, o imzot, a nuk i je betuar vallë shërbëtores sate duke thënë: Biri yt Salomoni ka për të mbretëruar pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim? Pse, pra, u bë mbret Adonijahu?".
14 Pastaj, ndërsa ti do të jesh akoma duke folur me mbretin, unë do të hyj pas teje dhe do të mbështes fjalët e tua".
15 Kështu Bath-Sheba hyri në dhomën e mbretit. (Mbreti ishte shumë plak dhe shërbehej nga Shunamitja, Abishagai).
16 Bath-Sheba u përul dhe ra përmbys përpara mbretit. Mbreti i tha: "Çfarë do?".
17 Ajo iu përgjigj: "O imzot, ti i je betuar shërbëtores sate në emër të Zotit, Perëndisë tënd, duke thënë: "Biri yt Salomoni ka për të mbretëruar pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim".
18 Tani përkundrazi Adonijahu është bërë mbret dhe ti, o mbret, o imzot as nuk e di fare.
19 Ai ka flijuar një numër të madh qesh, viçash të majmë dhe delesh; ka ftuar tërë bijat e mbretit, priftin Abiathar dhe Joabin, komandantin e ushtrisë, por nuk ka ftuar Salomonin, shërbëtorin tënd.
20 Tani sytë e tërë Izraelit janë kthyer nga ti o mbret, o imzot, që ti t’u tregosh atyre kush do të ulet në fronin e mbretit, zotit tim, mbas tij.
21 Përndryshe ka për të ndodhur që kur mbreti, zotëria ime, do të flerë me gjithë etërit e tij, unë dhe biri im Salomon do të trajtohemi si fajtorë".
22 Ndërsa ajo fliste akoma me mbretin, arriti profeti Nathan.
23 Atëherë ia njoftuan mbretit ngjarjen, duke thënë: "Ja profeti Nathan!". Ky hyri në prani të mbretit dhe u shtri para tij me fytyrën për tokë.
24 Nathani tha: "O mbret, o imzot, ndofta ke thënë: "Adonijahu do të mbretërojë pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim"?
25 Në fakt sot ai zbriti dhe flijoi një numër të madh qesh, viçash të majmë dhe delesh, ftoi tërë bijtë e mbretit, krerët e ushtrisë dhe priftin Abiathar; dhe ja tani ata po hanë e pinë përpara tij dhe thonë: "Rroftë mbreti Adonijah".
26 Por ai nuk më ka ftuar mua, shërbëtorin tënd, as priftin Tsadok, as Benajahun, birin e Jehojadit, as Salomonin, shërbëtorin tënd.
27 Kjo, a u bë pikërisht nga mbreti, zoti im, pa i njoftuar shërbëtorit tënd kush do të ulet në fronin e mbretit, të zotit tim, mbas tij?".
28 Mbreti David, duke u përgjigjur, tha: "Thirrmëni Bath-Shebën". Ajo hyri te mbreti dhe qëndroi më këmbë para tij.
29 Mbreti u betua dhe tha: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, i cili ka liruar jetën time nga çdo fatkeqësi,
30 unë do të bëj sot pikërisht atë që të jam betuar për Zotin, Perëndinë e Izraelit, duke thënë: "Biri yt Salomon ka për të mbretëruar pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim në vendin tim"".
31 Bath-Sheba u përul me fytyrën për tokë, ra përmbys para mbretit dhe tha: O Zot, bëj që mbreti David të jetojë përjetë!!".
Read full chapter