Add parallel Print Page Options

13 Deri kur do të më harrosh, o Zot? Vallë kështu do të jetë përjetë? Deri kur do të më fshehësh fytyrën tënde?

Deri kur do të marr vendime në shpirtin tim dhe do të kem pikëllim në zemrën time tërë ditën? Deri kur do të ngrihet armiku im mbi mua?

Shiko me vëmendje dhe përgjigjmu, o Zot, Perëndia im, ndriço sytë e mi, që të mos më zërë gjumi në gjumin e vdekjes,

dhe armiku im të mos thotë: "E munda," dhe armiqtë e mi të mos gëzohen kur unë lëkundem.

Por unë kam besim në mirësinë tënde dhe zemra ime do të ngazëllojë në çlirimin tënd;

unë do t’i këndoj Zotit, sepse ai më ka trajtuar me shumë shpirtmadhësi.

14 I pamendi ka thënë në zemër të tij: "Nuk ka Perëndi". Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; nuk ka asnjë që të bëjë të mirën.

Zoti shikon nga qielli bijtë e njerëzve për të parë në se ndonjeri prej tyre ka arsye dhe kërkon Perëndinë.

Të gjithë kanë devijuar, janë korruptuar; asnjeri nuk bën të mirën, as edhe një.

Nuk kanë fare arsye të gjithë ata që kryejnë paudhësi, që hanë popullin tim si të hanin bukë dhe nuk kërkojnë ndihmën e Zotit?

Atje do t’i zërë një frikë e madhe, sepse Perëndia është me njerëzit e drejtë.

Ju kërkoni të prishni planet e të mjerit, sepse Zoti është streha e tij.

Oh! Le të vijë, pra, nga Sioni shpëtimi i Izraelit! Kur Zoti do ta kthejë popullin e tij nga robëria, Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet.

15 O Zot, kush do të banojë në çadrën tënde? Kush do të banojë në malin tënd të shenjtë?

Ai që ecën me ndershmëri dhe bën atë që është e drejtë dhe thotë të vërtetën që ka në zemër,

që nuk shan me gjuhën e tij, nuk i bën asnjë të keqe shokut të tij, dhe nuk shpif të afërmin e tij.

Në sytë e tij përçmohet njeriu pa vlerë, por ai ndërton ata që kanë frikë nga Zoti; edhe sikur të jetë betuar në dëm të tij, ai nuk tërhiqet;

nuk i jep paratë e tij me kamatë dhe nuk pranon dhurata kundër të pafajshmit. Ai që bën këto gjëra nuk do të hiqet kurrë.