Add parallel Print Page Options

Mbas vdekjes së Moisiut, shërbëtorit të Zotit, ndodhi që Zoti i foli Jozueut, djalit të Nunit, që i shërbente Moisiut, dhe i tha:

"Moisiu, shërbëtori im, vdiq; prandaj çohu, kalo Jordanin, ti dhe gjithë ky popull, dhe shko në atë vend që unë u jap atyre, bijve të Izraelit.

Unë ju kam dhënë çdo vend që tabani i këmbës suaj ka për të shkelur, siç i thashë Moisiut.

Territori yt do të shtrihet nga shkretëtira dhe nga Libani deri në lumin e madh, në lumin e Eufratit, nga tërë vendi i Hitejve deri në Detin e Madh, në perëndim.

Askush nuk do të mund të të kundërshtojë gjatë tërë ditëve të jetës sate; ashtu siç kam qenë me Moisiun, kështu do të jem me ty; nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.

Ji i fortë dhe trim, sepse ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin që u betova t’u jap etërve të tyre.

Vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim, duke u përpjekur të veprosh simbas tërë ligjit që Moisiu, shërbëtori im, të ka urdhëruar; mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh.

Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh simbas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh.

A nuk të urdhërova unë? Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh".

10 Atëherë Jozueu urdhëroi oficerët e popullit, duke u thënë:

11 "Kaloni përmes kampit dhe jepini popullit këtë urdhër, duke i thënë: Siguroni rezerva ushqimore, sepse brenda tri ditëve do të kaloni Jordanin për të vajtur të pushtoni vendin që Zoti, Perëndia juaj, ju jep si trashëgimi".

12 Jozueu u foli gjithashtu Rubenitëve, Gaditëve dhe gjysmës së fisit të Manasit, duke u thënë:

13 "Mbani mend fjalën që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju urdhëroi kur ju tha: "Zoti, Perëndia juaj, ju ka dhënë pushim dhe ju ka dhënë këtë vend.

14 Gratë tuaja, të vegjëlit tuaj, dhe bagëtia juaj do të mbeten në vendin që Moisiu ju ka dhënë nga kjo anë e Jordanit; por ju, tërë luftëtarët tuaj trima do të kaloni të armatosur para vëllezërve tuaj dhe do t’i ndihmoni,

15 derisa Zoti t’u ketë dhënë pushim vëllezërve tuaj ashtu si juve, dhe ta kenë shtënë në dorë vendin që Zoti, Perëndia juaj, u jep atyre. Atëherë mund të ktheheni për të pushtuar vendin që ju përket, dhe që Moisiu, shërbëtor i Zotit, ju ka dhënë këtej Jordanit në drejtim të Lindjes"".

16 Atëherë ata iu përgjigjën Jozueut, duke i thënë: "Ne do të bëjmë të gjitha ato që ti na urdhëron dhe do të shkojmë kudo që të na çosh.

17 Ashtu siç i jemi bindur për çdo gjë Moisiut, kështu do të të bindemi ty. Vetëm me ty qoftë Zoti, Perëndia yt, ashtu siç ka qenë me Moisiun!

18 Kushdo që ngre krye kundër urdhrave të tua, dhe nuk u bindet fjalëve të tua, do të vritet. Vetëm ji i fortë dhe trim!".

Jozueu, bir i Nunit, dërgoi dy burra te Shitimi për të vëzhguar fshehurazi, duke u thënë: "Shkoni, kontrolloni vendin dhe Jerikon". Kështu ata shkuan dhe hynë në shtëpinë e një prostitute, të quajtur Rahab, dhe aty banuan.

Këtë gjë ia referuan mbretit të Jerikos, duke i thënë: "Ja, disa bij të Izraelit erdhën këtu sonte natën për të vëzhguar vendin".

Atëherë mbreti i Jerikos dërgoi t’i thotë Rahabit: "Nxirri jashtë njerëzit që kanë ardhur te ti dhe kanë hyrë në shtëpinë tënde, sepse ata kanë ardhur për të vëzhguar tërë vendin".

Por gruaja i mori dy burrat dhe i fshehu; pastaj tha: "Éshtë e vërtetë, këta njerëz erdhën tek unë, por nuk dija nga ishin.

Në çastin kur mbyllej porta e qytetit, kur ishte errësuar, ata burra dolën; nuk e di se ku shkuan; ndiqini menjëherë, sepse mund t’i arrini".

(Ajo përkundrazi i kishte hipur mbi çati dhe i kishte fshehur midis kërcejve të lirit, që i kishte shtrirë mbi shtrat).

Atëherë ata i ndoqën në rrugën e Jordanit, në drejtim të vahut të lumit; dhe sapo dolën ndjekësit, porta u mbyll.

Por para se t’i zinte gjumi spiunët, Rahabi u ngjit pranë tyre në çati,

dhe u tha atyre burrave: "Unë e di që Zoti ju ka dhënë vendin, që tmerri juaj na ka zënë, dhe që të gjithë banorët e vendit dridhen nga frika para jush.

10 Sepse ne kemi dëgjuar si i thau ujërat e Detit të Kuq Zoti përpara jush kur dolët nga Egjipti, dhe atë që ju u bëtë dy mbretërve të Amorejve, matanë Jordanit, Sihonit dhe Ogut, që vendosët t’i shfarosni.

11 Duke dëgjuar këto gjëra zemra jonë u mpak, për shkakun tuaj askujt nuk i mbeti asnjë fije trimërie, sepse Zoti, Perëndia juaj, është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë.

12 Prandaj, ju lutem, betohuni në emër të Zotit që, ashtu si kam treguar dhembshuri ndaj jush, edhe ju do të tregoni po atë dhembshuri ndaj shtëpisë së atit tim; më jepni, pra, një shenjë të sigurt,

13 që do t’i lini të gjallë atin tim, nënën time, vëllezërit dhe motrat e mia dhe të gjitha gjërat që u përkasin atyre, dhe që do të shpëtoni jetën tonë nga vdekja".

14 Ata burra iu përgjigjën: "Jeta jonë për atë tuajën, mjaft që të mos e tregoni çështjen tonë; dhe kur Zoti do të na japë vendin, ne do të të trajtojmë me mëshirë dhe me shpirtlirësi".

15 Atëherë ajo i zbriti nga dritarja me një litar, sepse shtëpia e saj ndodhej mbi muret e qytetit, dhe ajo banonte mbi muret.

16 Dhe u tha atyre: "Shkoni në drejtim të malit, që ndjekësit tuaj të mos ju gjejnë; dhe qëndroni tri ditë të fshehur atje, deri sa të kthehen ndjekësit tuaj; pastaj do të vazhdoni rrugën tuaj".

17 Atëherë ata burra i thanë: "Ne do të çlirohemi nga betimi që na detyrove të bëjmë,

18 po të jetë se, kur të hyjmë në këtë vend, ti nuk ngjit në dritaren nga e cila po na zbret këtë kordon të hollë me ngjyrë të kuqerreme dhe po nuk mblodhe në shtëpinë tënde atin tënd, nënën tënde vëllezërit e tu dhe tërë familjen e atit tënd.

19 Por në rast se dikush del jashtë pragut të shtëpisë sate, gjaku i tij do të bjerë mbi krye të vet, dhe ne nuk do të kemi faj për këtë; por gjaku i kujtdo qoftë që do të jetë me ty në shtëpi do të bjerë mbi kokën tonë, në qoftë se dikush i prek me dorë.

20 Por në rast se ti tregon punën tonë, ne do të çlirohemi nga betimi që na ke detyruar të bëjmë".

21 Ajo tha: "U bëftë ashtu si thatë ju". Pastaj u nda me ta dhe ata ikën. Ajo lidhi në dritare kordonin e hollë të kuqerremë.

22 Ata ikën, pra, dhe shkuan në mal ku ndenjën tri ditë, deri sa u kthyen ndjekësit; ndjekësit i kishin kërkuar gjatë gjithë rrugës, por pa i gjetur dot.

23 Kështu të dy burrat u kthyen, zbritën nga mali, kaluan Jordanin dhe erdhën te Jozueu, bir i Nunit, dhe i treguan të gjitha ato që kishin kaluar.

24 Dhe i thanë Jozueut: "Me siguri Zoti na e ka lënë në duart tona tërë vendin; që tani tërë banorët e vendit dridhen nga frika para nesh".

Jozueu u ngrit herët në mëngjes; ai dhe tërë bijtë e Izraelit u nisën pastaj nga Shitimi dhe arritën në Jordan; u ndalën aty para se ta kalojnë

Mbas tri ditëve, oficerët kaluan nëpër tërë kampin,

dhe i dhanë popullit këtë urdhër, duke i thënë: "Kur të shihni arkën e besëlidhjes të Zotit, Perëndisë tuaj, të mbajtur nga priftërinjtë levitë, do të niseni nga vendi juaj dhe do ta ndiqni.

Midis jush dhe arkës do të ketë një largësi prej rreth dy mijë kubitësh. Mos iu afroni asaj, me qëllim që të njihni rrugën nëpër të cilën duhet të shkoni, sepse deri tani nuk keni kaluar kurrë nëpër këtë rrugë".

Dhe Jozueu i tha popullit: "Shenjtërohuni, sepse nesër Zoti ka për të bërë mrekulli midis jush".

Pastaj Jozueu u foli priftërinjve, duke u thënë: "Merrni arkën e besëlidhjes dhe kaloni përpara popullit". Kështu ata morën arkën e besëlidhjes dhe ecën para popullit.

Atëherë Zoti i tha Jozueut: "Sot do të filloj të të bëj të madh në sytë e të gjithë Izraelit, me qëllim që të kuptojnë se ashtu siç kam qenë me Moisiun, kështu do të jem edhe me ty.

Prandaj ti jepu këtë urdhër priftërinjve që mbajnë arkën e besëlidhjes, duke u thënë: "Kur të arrini në breg të Jordanit, do të ndaleni në Jordan"".

Jozueu u tha atëherë bijve të Izraelit: "Afrohuni dhe dëgjoni fjalët e Zotit, Perëndisë tuaj".

10 Pastaj Jozueu tha: "Nga kjo do të njihni që Zoti i gjallë është midis jush dhe që me siguri ka për të dëbuar para jush Kananejtë, Hitejtë, Hivejtë, Perezejtë, Girgasejtë, Amorejtë dhe Jebusejtë;

11 ja, arka e besëlidhjes së Zotit të të gjithë dheut po bëhet gati të kalojë para jush në lumin Jordan.

12 Merrni, pra, dymbëdhjetë burra nga fiset e Izraelit, një për çdo fis.

13 Dhe ka për të ndodhur që, porsa tabanët e këmbëve të priftërinjve që mbajnë arkën e Zotit, Zot i gjithë tokës, do të takojnë në ujërat e Jordanit, ujërat e Jordanit do të ndahen, dhe ujërat që zbresin nga lart do të ndalen tok".

14 Kështu, kur populli ngriti çadrat për të kaluar Jordanin, priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes ecnin përpara popullit.

15 Sapo ata që mbanin arkën arritën në Jordan dhe këmbët e priftërinjve që trasportonin arkën u zhytën në ujërat e bregut të tij (Jordani është i mbushur plot deri në brigjet e tij gjatë tërë kohës së korrjes),

16 ujërat që zbrisnin nga sipër u ndalën dhe u ngritën tok shumë më lart se Adami, qyteti që ndodhet pranë Tsartanit; kështu që ujërat që zbrisnin në drejtim të detit të Arabahut, Detit të Kripur, u ndanë tërësisht prej tyre; dhe populli i kaloi përballë Jerikos.

17 Priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes të Zotit u ndalën në vend të thatë në mes të Jordanit, ndërsa tërë Izraeli po kalonte në të thatë, deri sa tërë populli mbaroi së kapërcyeri Jordanin.

16 Si kaloi e shtuna, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit, dhe Salomeja blenë aroma për të shkuar të vajosin Jezusin.

Në mëngjesin e ditës së parë të javës, shumë herët, ato erdhën te varri, kur po lindte dielli.

Dhe thonin në mes tyre: “Kush do të na rrokullisë gurin nga hyrja e varrit?.”

Por, kur ngritën sytë, panë se guri ishte rrokullisur, megjithëse ishte shumë i madh.

Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh që ishte ulur në të djathtë, të veshur me të bardha, dhe mbetën të trembura.

Dhe ai u tha atyre: “Mos u trembni! Ju kërkoni Jezusin Nazareas që ka qenë kryqëzuar; ai u ringjall, nuk është këtu; ja vendi ku e kishin vënë.

Por shkoni dhe u thoni dishepujve të tij dhe Pjetrit se ai po ju pararend në Galile; atje do ta shihni, ashtu siç ju pati thënë.”

Dhe ato dolën shpejt dhe ikën nga va-rri, sepse i zuri tmerri dhe habia; dhe nuk i thanë asgjë kurrkujt, sepse kishin frikë.

Tani Jezusi, pasi ishte ringjallur në mëngjesin e ditës së parë të javës, iu shfaq së pari Marisë Magdalenë, nga e cila pati dëbuar shtatë demonë.

10 Dhe ajo shkoi dhe ua tregoi atyre që kishin qenë bashkë me të, të cilët ishin të pikëlluar dhe e qanin.

11 Por këta, kur dëgjuan se ishte gjallë dhe se u pa nga ajo, nuk i besuan.

12 Mbas këtyre gjërave, iu shfaq në trajtë tjetër dyve prej tyre, që po shkonin në fshat.

13 Edhe ata shkuan dhe ua treguan të tjerëve; por as këtyre nuk u besuan.

14 Në fund iu shfaq të njëmbëdhjetëve kur ishin në tryezë dhe i qortoi për mosbesimin e tyre dhe për ngurtësinë e zemrës, sepse nuk u kishin besuar atyre që e kishin parë të ringjallur.

15 Pastaj u tha atyre: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese;

16 ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar.

17 Dhe këto janë shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë: në emrin tim ata do t’i dëbojnë demonët, do të flasin gjuhë të reja;

18 do t’i kapin me dorë gjarpërinjtë, edhe nëse do të pijnë diçka që shkakton vdekjen, nuk do t’u bëjë asnjë të keqe; do t’i vënë duart mbi të sëmurët dhe këta do të shërohen.”

19 Zoti Jezus, pra, mbasi u foli, u ngrit në qiell dhe u ul në të djathtë të Perëndisë.

20 Pastaj ata dolën dhe predikuan kudo, ndërsa Zoti bashkëvepronte me ta dhe e vërtetonte fjalën me shenjat që e shoqëronin. Amen.