1 i Kronikave 11-12
Albanian Bible
11 Atëherë tërë Izraeli u mblodh rreth Davidit në Hebron dhe i tha: "Ja, ne jemi kocka dhe mishi yt".
2 Edhe në të kaluarën, kur ishte mbret Sauli, ti ishe ai që udhëhiqte dhe kthente pas Izraelin; dhe Zoti, Perëndia yt, të pati thënë: "Ti do të ushqesh popullin tim të Izraelit, ti do të jesh princ mbi popullin tim të Izraelit"".
3 Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron, dhe Davidi lidhi me ta një aleancë në Hebron përpara Zotit; pastaj ata e vajosën Davidin mbret të Izraelit, sipas fjalës së shqiptuar nga Zoti me anë të Samuelit.
4 Davidi së bashku me tërë Izraelin doli kundër Jeruzalemit, që është Jebusi, ku ndodheshin Jebusejtë, banorë të vendit.
5 Atëherë banorët e Jebusit i thanë Davidit: "Nuk do të hysh këtu". Por Davidi pushtoi qytetin e fortifikuar të Sionit, që është qyteti i Davidit.
6 Davidi kishte thënë: "Ai që do t’i mundë i pari Jebusejtë do të bëhet kryetar dhe princ". Doli i pari Joabi, bir i Tserujahut, që u bë kështu kryetar.
7 Davidi u vendos pastaj në kalanë që u quajt për këtë arsye "qyteti i Davidit".
8 Pastaj ai bëri ndërtime përreth qytetit nga Milo dhe në gjithë perimetrin e tij; Joabi meremetoi pjesën tjetër të qytetit.
9 Kështu Davidi bëhej gjithnjë e më i madh dhe Zoti i ushtrive ishte me të.
10 Këta janë komandantët e luftëtarëve trima që ishin në shërbim të Davidit dhe që i dhanë përkrahje të madhe me gjithë Izraelin në mbretërinë e tij për ta bërë mbret sipas fjalës të Zotit lidhur me Izraelin.
11 Kjo është lista e luftëtarëve trima që ishin në shërbim të Davidit: Jashobeami, bir i një Hakmoniti, komandant i tridhjetë kapedanëve; ai rroku ushtën kundër treqind njerëzve, që i vrau në një ndeshje të vetme.
12 Mbas tij vinte Eleazari, bir i Dodos, Ahohitit; ishte një nga tre luftëtarët trima.
13 Ai ishte me Davidin në Pas-Damim, ku ishin mbledhur Filistejtë për të luftuar dhe ku kishte një arë plotë me elb. Populli iku me vrap përpara Filistejve,
14 por ata u vendosën në mes të arës, e mbrojtën dhe i mundën Filistejtë; kështu Zoti realizoi fitore të madhe.
15 Tre nga të treqind kapedanët zbritën te shkëmbi drejt Davidit, në shpellën e Adulamit, ndërsa ushtria e Filistejve kishte fushuar në luginën e Refaimit.
16 Davidi ndodhej atëherë në kala, kurse në Betlem kishte një garnizon Filistejsh.
17 Davidi pati një dëshirë të madhe dhe tha: "Ah, sikur dikush të më jepte të pija ujë nga pusi i Betlemit që është pranë portës!".
18 Kështu këta të tre çanë nëpër kampin e Filistejve dhe mbushën ujë nga pusi i Betlemit që ndodhej te porta; pastaj e morën dhe ia çuan Davidit. Por Davidi nuk desh ta pinte, por e derdhi si libacion përpara Zotit,
19 duke thënë: "Të më ruajë Perëndia nga kryerja e një gjëje të tillë! A mund ta pij unë gjakun e këtyre njerëzve, që kanë rrezikuar jetën e tyre? Sepse e kanë sjellë duke rrezikuar jetën e tyre". Dhe nuk deshi ta pinte. Kështu vepruan këta tre trima.
20 Abishai, vëllai i Joabit, ishte i pari i tre të tjerëve. Ai drejtoi ushtën e tij kundër treqind njerëzve dhe i vrau; kështu u bë i famshëm midis të treve.
21 U bë më i njohur midis të treve dhe për këtë arësye u bë i pari i tyre, por nuk arriti të barazohet me tre të parët.
22 Benajahu, bir i Jehojadit, birit të një trimi nga Kabtseeli, bëri trimëri të madhe. Ai vrau dy heronjtë e Moabit, që ishin si luanë. Zbriti edhe në mes të një sterne, ku vrau një luan një ditë që binte borë.
23 Vrau edhe një Egjiptas vigan, i lartë pesë kubitë, që kishte në dorë një shtizë të ngjashme me shulin e një endësi; por Benajahu i doli kundra me një bastun, i rrëmbeu me forcë nga duart Egjiptasit shtizën dhe e vrau me shtizën e tij.
24 Këto gjëra bëri Benajahu, bir i Jehojadit, dhe u bë i famshëm midis tre trimave.
25 Ishte më i shquari i të tridhjetëve, por nuk arriti të barazoht me tre të parët. Davidi e vuri në krye të rojeve të tij personale.
26 Njerëz të tjerë të fortë dhe trima ishin: Asaheli, vëllai i Joabit, Elhanani, bir i Dodos, nga Betlemi,
27 Shamothi nga Harori, Heletsi nga Peloni,
28 Ira, bir i Ikeshit nga Tekoa, Abiezeri nga Anathothi,
29 Sibekai nga Husha, Ilai, nga Ahoa,
30 Maharai nga Netofa, Heledi, bir i Baanahut nga Netofa;
31 Ithai, bir i Ribait, i Gibeahut të bijve të Beniaminit, Benajahu nga Pirathoni,
32 Hurai nga Nahale-Gaashi, Abieli nga Arbathi,
33 Azmavethi nga Baharumi, Eliahba nga Shaalboni.
34 Bijtë e Hashemit nga Gizoni, Jonathani, bir i Shageut nga Harari,
35 Haiami, bir i Sakarit, nga Harari; Elifali, bir i Urit,
36 Heferi nga Mekrea, Ahijahu nga Paloni,
37 Hetsro nga Karmeli, Naarai, bir i Ezbait,
38 Joeli, vëllai i Nathanit, Mibhari, bir i Hagrit,
39 Amoniti Tselek, Naharai nga Berothi (shqytar i Joabit, birit të Tserujahut),
40 Ira nga Jetheri, Garebi nge Jetheri,
41 Uria, Hiteu, Zabadi, bir i Ahlait,
42 Adina, bir i Shizës, Rubenit (i pari i Rubenitëve) dhe tridhjetë të tjerë bashkë me të,
43 Hanani, bir i Maakahut, Joshafati nga Mithni;
44 Uzia nga Ashtarothi, Shama dhe Jejeli, bij të Hothamit nga Aroeri,
45 Jediaeli, bir i Shimrit dhe Titsiti Joha, vëllai i tij,
46 Elieli nga Mahavimi, Jeribai dhe Joshaviahu, bij të Elnaamit, dhe Ithmah, Moabiti,
47 Elieli, Obedi dhe Jaasieli, Metsobaiti.
12 Këta janë njerëzit që erdhën te Davidi në Tsiklag, kur ai qendronte larg pranisë së Saulit, birit të Kishit; ata ishin një pjesë e trimave që e ndihmuan në luftë;
2 ishin të armatosur me harqe dhe mund të përdornin si dorën e djathtë ashtu edhe atë të majtë për të hedhur gurë dhe për të gjuajtur shigjeta me hark; i përkisnin fisit të Beniaminit, vëllezër të Saulit.
3 I pari i tyre ishte Ahiezeri, pastaj Joasi, bij të Shemaahut, nga Giberahu; Jezieli dhe Peleti, bij të Azmavethit; Berakahu dhe Jehu nga Anathothi;
4 Ishmajahu nga Gabaoni, trim midis të tridhjetëve dhe i pari i tyre; Jeremia, Jahazieli, Johanani, Jozabadi nga Gedera
5 Eluzai, Jerimothi, Bealiahu, Shemariahu, Shefatiahu nga Harufi;
6 Elkanahu, Jishshiahu, Azareli, Joezeri dhe Jashobeami, Koraiti;
7 Joelahu dhe Zebadiahu, bij të Jerohamit nga Gedori.
8 Ndër Gaditët disa njerëz vendosën të bashkohen me Davidin në kalanë e shkretëtirës; ishin njerëz të fortë dhe trima, të stërvitur për luftë, të shkathët në përdorimin e mburojës dhe të shtizës; fytyrat e tyre ishin si fytyrat e luanëve dhe në malet ishin të shpejtë si gazelat.
9 Ezeri ishte i pari i tyre, Obadiahu vinte i dyti dhe Eliabi i treti,
10 Mishmanahu i katërti, Jeremia i pesti
11 Atai i gjashti, Elieli i shtati,
12 Johanani i teti, Elzabadi i nënti,
13 Jeremia i dhjeti, Makbanai i njëmbëdhjeti.
14 Këta Gaditë ishin komandantë të ushtrisë; më i vogli komandonte njëqind ushtarë, më i madhi një mijë.
15 Këta janë ata që kaluan Jordanin në muajin e parë kur ky lumë kishte dalë nga shtrati i tij, dhe i bënë të ikin me vrap tërë banorët e luginave, në lindje dhe në perëndim.
16 Edhe disa nga bijtë e Beniaminit e të Judës shkuan te Davidi në kala.
17 Davidi u doli përpara dhe, duke marrë fjalën, tha: "Në rast se keni ardhur tek unë me qëllime paqësore për të më ndihmuar, jam gati të bashkohem me juve, por në se keni ardhur për të më tradhëtuar dhe për të më dorëzuar në duart e kundërshtarëve të mi, megjithëse unë nuk kam përdorur fare dhunën, Perëndia i etërve tanë le të shohë dhe le të dënojë".
18 Atëherë Fryma e përshkoi Amasain, të parin e të tridhjetëve, që thirri: Ne jemi me ty, David; jemi me ty, o biri i Isait! Paqe, paqe ty dhe paqee atij që të ndihmon, sepse Perëndia yt të ndihmon". Atëherë Davidi i priti dhe i bëri komandantë të trupave.
19 Edhe nga Manasi disa kaluan me Davidin, kur ky vajti me Filistejtë për të luftuar kundër Saulit; por këta nuk i dhanë asnjë ndihmë Filistejve, sepse princat e Filistejve, mbasi u konsultuan, e kthyen prapa Davidin, duke thënë: "Ai ka për të kaluar me zotërinë e tij Saul duke vënë në rrezik kokat tona".
20 Ndërsa shkonte në Tsiklag, ata të Manasit që kaluan me të ishin Adnahu, Jozbadi, Jediaeli, Mikaeli, Jozabadi, Elihu, Tsillethai, komandantë të mijësheve që i përkisnin Manasit.
21 Këta e ndihmuan Davidin kundër bandave të plaçkitësve, sepse ishin të gjithë njerëz të fortë dhe trima dhe u bënë komandantë në ushtri.
22 Në atë kohë, në të vërtetë, çdo ditë disa vinin te Davidi për ta ndihmuar deri sa formoi një ushtri të madhe si ushtria e Perëndisë.
23 Ky është numri i krerëve të armatosur për luftë, që shkuan te Davidi në Hebron për t’i kaluar atij mbretërinë e Saulit, sipas fjalës së Zotit.
24 Bijtë e Judës, që mbanin mburoja dhe shtiza ishin gjashtë mijë e tetëqind veta, të armatosur për luftë.
25 Nga bijtë e Simeonit, njerëz të fortë dhe trima në luftë, ishin shtatë mijë e njëqind veta.
26 Nga bijtë e Levit, katër mijë e gjashtëqind veta;
27 përveç Jehojadit, princit të familjes së Aaronit, që kishte tre mijë e shtatëqind veta,
28 dhe Tsadoku, një i ri i fortë dhe trim, me njëzet e dy krerë të shtëpisë së tij atërore.
29 Nga bijtë e Beniaminit, vëllezër të Saulit, tre mijë (sepse pjesa më e madhe e tyre i kishte qëndruar besnike deri atëherë shtëpisë së Saulit).
30 Nga bijtë e Efraimit, njëzet mijë e tetëqind veta, njerëz të fortë dhe trima, njerëz të famshëm, sipas shtëpive të tyre atërore.
31 Nga gjysma e fisit të Manasit, tetëmbëdhjetë mijë veta, që u zgjodhën individualisht për të vajtur dhe për ta shpallur mbret Davidin.
32 Nga bijtë e Isakarit, që i kuptonin kohrat dhe dinin kështu çfarë duhet të bënte Izraeli: dyqind krerë dhe tërë vëllezërit e tyre në urdhrat e tyre.
33 Nga Zabuloni, pesëdhjetë mijë, që shkonin të luftonin, të shkathët për tu vendosur në rend beteje me të gjitha armët e luftës dhe të zotë të mbanin pozicionin e tyre me zemër të vendosur.
34 Nga Neftali, një mijë krerë dhe me ta tridhjetë e shtatë mijë njerëz me mburoja dhe shtiza.
35 Nga Danitët, të shkathët për t’u radhitur në rend beteje, njëzet e tetë mijë e gjashtëqind veta.
36 Nga Asheri, dyzet mijë, që shkonin të luftonin dhe që ishin të shkathët për t’u vendosur në rend beteje.
37 Nga ana tjetër e Jordanit, nga Rubenitët, nga Gaditët dhe nga gjysma e fisit të Manasit, njëqind e njëzet mijë veta, të pajisur me të gjitha armët për të luftuar.
38 Tërë këta luftëtarë, të zotë të mbanin pozicionin e tyre me zemër të vendosur, erdhën në Hebron për ta shpallur Davidin mbret mbi tërë Izraelin; edhe pjesa tjetër e Izraelit ishte në një mëndje për ta bërë mbret Davidin.
39 Ata qëndruan atje tri ditë me Davidin, duke ngrënë dhe duke pirë, sepse vëllezërit e tyre kishin siguruar ushqim për ta.
40 Edhe nga ata që banonin afër tyre, madje edhe nga Isakari, nga Zabuloni dhe nga Neftali sillnin ushqime me gomarë, me deve, me mushka dhe me qe, furnizime të mëdha: miell, bukëfiqe dhe rrush të thatë, verë, vaj, lopë dhe dele me bollëk; sepse Izraeli ishte shend e verë.