Add parallel Print Page Options

28 Tani në fund të së shtunave, kur po zbardhte dita e parë e javës, Maria Magdalena dhe Maria tjetër shkuan për të parë varrin.

Dhe ja, ra një tërmet i madh, sepse një engjëll i Zotit zbriti nga qielli, erdhi dhe e rrokullisi gurin nga hyrja e varrit dhe u ul mbi të.

Pamja e tij ishte si vetëtima dhe veshja e tij e bardhë si bora.

Dhe nga frika e tij, rojet u drodhën dhe mbetën si të vdekur;

por engjëlli, duke iu drejtuar grave, u tha atyre: “Mos kini frikë, sepse unë e di se ju kërkoni Jezusin, që u kryqëzua.

Ai nuk është këtu, sepse u ringjall, sikurse kishte thënë; ejani, shikoni vendin ku qe vënë Zoti.

Shkoni shpejt t’u thoni dishepujve të tij se ai u ringjall së vdekuri; dhe ja, po shkon përpara jush në Galile; atje do ta shihni; ja, jua thashë.”

Ato, pra, u larguan me të shpejtë nga varri me frikë dhe me gëzim të madh; dhe rendën ta çojnë lajmin te dishepujt e tij.

Dhe, ndërsa po shkonin për t’u thënë dishepujve, ja Jezusi u doli përpara dhe tha: “Tungjatjeta!.” Atëherë ato u afruan, i rrokën këmbët dhe e adhuruan.

10 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Mos kini frikë, shkoni të lajmëroni vëllezërit e mi që të shkojnë në Galile dhe atje do të më shohin.”

11 Ndërsa ato po shkonin, ja që disa nga rojtarët arritën në qytet dhe u raportuan krerëve të priftërinjve të gjitha ato që kishin ndodhur.

12 Atëherë këta bënë këshill me pleqtë dhe vendosën t’u japin ushtarëve një shumë të madhe denarësh,

13 duke u thënë atyre: “Thoni: Dishepujt e tij erdhën natën dhe e vodhën, ndërsa ne po flinim.

14 Dhe në qoftë se kjo i shkon në vesh guvernatorit, ne do ta bindim dhe do të bëjmë në mënyrë që ju të mos kini merak.”

15 Dhe ata i morën denarët dhe bënë ashtu si i kishin mësuar, dhe kjo e thënë u përhap ndër Judenjtë deri ditën e sotme.

16 Pastaj të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në atë mal që u kishte caktuar Jezusi

17 dhe, kur e panë, e adhuruan; por disa dyshuan.

18 Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.

19 Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë,

20 dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen.”

16 Si kaloi e shtuna, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit, dhe Salomeja blenë aroma për të shkuar të vajosin Jezusin.

Në mëngjesin e ditës së parë të javës, shumë herët, ato erdhën te varri, kur po lindte dielli.

Dhe thonin në mes tyre: “Kush do të na rrokullisë gurin nga hyrja e varrit?.”

Por, kur ngritën sytë, panë se guri ishte rrokullisur, megjithëse ishte shumë i madh.

Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh që ishte ulur në të djathtë, të veshur me të bardha, dhe mbetën të trembura.

Dhe ai u tha atyre: “Mos u trembni! Ju kërkoni Jezusin Nazareas që ka qenë kryqëzuar; ai u ringjall, nuk është këtu; ja vendi ku e kishin vënë.

Por shkoni dhe u thoni dishepujve të tij dhe Pjetrit se ai po ju pararend në Galile; atje do ta shihni, ashtu siç ju pati thënë.”

Dhe ato dolën shpejt dhe ikën nga va-rri, sepse i zuri tmerri dhe habia; dhe nuk i thanë asgjë kurrkujt, sepse kishin frikë.

Tani Jezusi, pasi ishte ringjallur në mëngjesin e ditës së parë të javës, iu shfaq së pari Marisë Magdalenë, nga e cila pati dëbuar shtatë demonë.

10 Dhe ajo shkoi dhe ua tregoi atyre që kishin qenë bashkë me të, të cilët ishin të pikëlluar dhe e qanin.

11 Por këta, kur dëgjuan se ishte gjallë dhe se u pa nga ajo, nuk i besuan.

12 Mbas këtyre gjërave, iu shfaq në trajtë tjetër dyve prej tyre, që po shkonin në fshat.

13 Edhe ata shkuan dhe ua treguan të tjerëve; por as këtyre nuk u besuan.

14 Në fund iu shfaq të njëmbëdhjetëve kur ishin në tryezë dhe i qortoi për mosbesimin e tyre dhe për ngurtësinë e zemrës, sepse nuk u kishin besuar atyre që e kishin parë të ringjallur.

15 Pastaj u tha atyre: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese;

16 ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar.

17 Dhe këto janë shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë: në emrin tim ata do t’i dëbojnë demonët, do të flasin gjuhë të reja;

18 do t’i kapin me dorë gjarpërinjtë, edhe nëse do të pijnë diçka që shkakton vdekjen, nuk do t’u bëjë asnjë të keqe; do t’i vënë duart mbi të sëmurët dhe këta do të shërohen.”

19 Zoti Jezus, pra, mbasi u foli, u ngrit në qiell dhe u ul në të djathtë të Perëndisë.

20 Pastaj ata dolën dhe predikuan kudo, ndërsa Zoti bashkëvepronte me ta dhe e vërtetonte fjalën me shenjat që e shoqëronin. Amen.