Add parallel Print Page Options

22 Dhe Jezusi, nisi përsëri t’u flasë atyre me shëmbëlltyra, duke thënë:

“Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit.

Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë, por ata nuk deshën të vijnë.

Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: "U thoni të ftuarve: Ja unë e kam shtruar drekën time, viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë".

Por ata, pa e përfillur, shkuan: dikush në arën e vet e dikush në punët e veta.

Dhe të tjerët, mbasi kapën shërbëtorët e tij, i shanë dhe i vranë.

Mbreti atëhërë, kur dëgjoi këtë, u zemërua dhe dërgoi ushtritë e veta për të shfarosur ata gjaksorë dhe dogji qytetin e tyre.

Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: "Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë.

Shkoni, pra, në udhëkryqe dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni."

10 Dhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë, mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij dhe të mirë, dhe vendi i dasmës u mbush me të ftuar.

11 Atëherë mbreti hyri për të parë të ftuarit dhe gjeti aty një njeri që nuk kishte veshur rrobë dasme;

12 dhe i tha: "Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme?". Dhe ai mbylli gojën.

13 Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: "Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh".

14 Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur.”

15 Atëherë farisenjtë u veçuan dhe bënin këshill se si ta zinin gabim në fjalë.

16 Dhe i dërguan dishepujt e tyre bashkë me herodianët, për t’i thënë: “Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë dhe që mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë, pa marrë parasysh njeri, sepse ti nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve.

17 Na thuaj, pra: Si e mendon? A është e ligjshme t’i paguhet taksa Cezarit apo jo?.”

18 Por Jezusi, duke e njohur ligësinë e tyre, tha: “Pse më tundoni, o hipokritë?

19 Më tregoni monedhën e taksës.” Atëherë ata i treguan një denar.

20 Dhe ai u tha atyre: “E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?.”

21 Ata i thanë: “E Cezarit.” Atëherë ai u tha atyre: “Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë.”

22 Dhe ata, kur e dëgjuan këtë, u mrekulluan, e lanë, dhe ikën.

23 Po atë ditë erdhën tek ai saducenjtë, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën

24 duke thënë: “Mësues, Moisiu ka thënë: "Në se dikush vdes pa lënë fëmijë, i vëllai le të martohet me gruan e tij, për t’i lindur trashëgimtarë vëllait të tij.

25 Tani ndër ne ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq dhe duke mos pasë trashëgimtarë, ia la gruan vëllait të vet.

26 Kështu edhe i dyti dhe i treti, deri tek i shtati.

27 Në fund vdiq edhe gruaja.

28 Në ringjallje, pra, e kujt nga këta të shtatë do të jetë grua? Sepse të gjithë e patën gruaja.”

29 Por Jezusi, duke u përgjigjur u tha atyre: “Ju bëni gabim, sepse nuk e kuptoni as Shkrimin as pushtetin e Perëndisë.

30 Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë, por ata do të jenë në qiell si engjëjt e Perëndisë.

31 Pastaj sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar ç’ju ishte thënë nga Perëndia kur thotë:

32 "Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe i Jakobit"? Perëndia nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve.”

33 Dhe turmat, kur i dëgjuan këto gjëra, habiteshin nga doktrina e tij.

34 Atëherë farisenjtë, kur dëgjuan se ai ua kishte zënë gojën saducenjve, u mblodhën tok.

35 Dhe një nga ata, mësues i ligjit, e pyeti për të vënë në provë, duke thënë:

36 “Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?.”

37 Dhe Jezusi i tha: “"Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde".

38 Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.

39 Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten".

40 Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.”

41 Tani, kur u mblodhën farisenjtë, Jezusi i pyeti:

42 “Ç’u duket juve për Krishtin? Biri i kujt është?.” Ata i thanë: “I Davidit.”

43 Ai u tha atyre: “Si pra Davidi, në Frymë, e quan Zot, duke thënë:

44 "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, deri sa unë t’i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua"?

45 Në qoftë se Davidi e quan Zot, si mund të jetë biri i tij?.”

46 Por asnjë nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej; dhe, që nga ajo ditë, askush nuk guxoi ta pyesë më.

12 Pastaj ai filloi t’u flasë me shëmbëlltyra: “Një njeri mbolli një vresht, e thuri me gardh, gërmoi një vend për të shtrydhur rrushin, ndërtoi një kullë dhe ua besoi disa vreshtarëve dhe pastaj shkoi larg.

Në kohën e të vjelave dërgoi shërbëtorin te vreshtarët për të marrë prej tyre pjesën e vet të frutave të vreshtit.

Por ata e kapën, e rrahën dhe e kthyen duarbosh.

Ai u nisi përsëri një shërbëtor tjetër, por ata, mbasi e gjuajtën me gurë, e plagosën në kokë dhe e kthyen të turpëruar.

Përsëri dërgoi edhe një tjetër, por ata e vranë. Më pas dërgoi shumë të tjerë dhe nga këta disa i rrahën, të tjerët i vranë.

I ngeli edhe një për të dërguar: birin e tij të dashur. Më së fundi ua dërgoi edhe atë duke thënë: "Për djalin tim do të kenë respekt".

Por ata vreshtarë i thanë njeri tjetrit: "Ky është trashëgimtari, ejani ta vrasim dhe do të na mbesë trashëgimia".

Dhe e kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit.

Çfarë do të bëjë, pra, i zoti i vreshtit? Ai do të vijë dhe do t’i shfarosë vreshtarët dhe vreshtin do t’ua japë të tjerëve.

10 Po a nuk e keni lexuar këtë shkrim: "Guri, që ndërtuesit e hodhën poshtë, u bë guri i qoshes.

11 Kjo është bërë nga Zoti dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tanë"?.”

12 Atëherë ata kërkuan ta kapin, sepse kuptuan se ai e kishte thënë atë shëmbëlltyrë kundër tyre; por kishin frikë nga turma; dhe e lanë e ikën.

13 Pastaj i dërguan disa farisenj dhe herodianë për ta zënë në gabim në fjalë.

14 Këta erdhën dhe i thanë: “Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë pa pyetur për njeri, sepse nuk merr parasysh dukjen e njerëzve, por u mëson udhën e Perëndisë sipas së vërtetës. A është e ligjëshme t’i paguhet taksa Cezarit apo jo? Duhet t’ia paguajmë apo jo?

15 Por ai, duke njohur hipokrizinë e tyre, u tha atyre: “Përse më tundoni? Më sillni një denar që ta shoh!.”

16 Ata ia prunë. Dhe ai u tha atyre: “E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?.” Ata i thanë: “E Cezarit.”

17 Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “I jepni Cezarit atë që është e Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë.” Dhe ata u çuditën nga ai.

18 Pastaj iu paraqitën disa saducenj, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën duke thënë:

19 “Mësues, Moisiu na la të shkruar që, nëse vdes vëllai i dikujt dhe e lë gruan pa fëmijë, vëllai i tij duhet të martohet me të venë për t’i lindur pasardhës vëllait të tij.

20 Tani ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq pa lënë fëmijë.

21 E mori, pra, i dyti, por edhe ky vdiq pa lënë fëmijë; po kështu i treti.

22 Që të shtatë e morën për grua dhe vdiqën pa lënë fëmijë. E fundit, pas të gjithëve, vdiq edhe gruaja.

23 Në ringjallje, pra, kur të ringjallen, gruaja e kujt do të jetë ajo? Sepse që të shtatë e patën grua.”

24 Jezusi, duke u përgjigjur, tha atyre: “A nuk është pikërisht për këtë që jeni në gabim, sepse nuk i njihni as shkrimet as pushtetin e Perëndisë?

25 Sepse kur njerëzit do të ringjallen së vdekuri, as do të martohen as do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiell.

26 Sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut se si foli Perëndia nga ferrishta duke thënë: "Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit"?

27 Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por Perëndia i të gjallëve. Ju, pra, po gaboni shumë.”

28 Atëherë një nga skribët që e kishte dëgjuar diskutimin e tyre, duke kuptuar se ai u ishte përgjigjur mirë, iu afrua dhe e pyeti: “Cili është i pari i të gjithë urdhërimeve?.”

29 Dhe Jezusi u përgjigj: “Urdhërimi i parë i të gjithëve është: "Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot,"

30 dhe: "Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!". Ky është i pari urdhërim.

31 Dhe i dyti i ngjan këtij: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten". Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta.”

32 Atëherë skribi i tha: “Mirë, Mësues. The, sipas së vërtetës, se ka vetëm një Perëndi dhe s’ka asnjë tjetër përveç tij;

33 dhe ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcë, dhe ta duash të afërmin porsi vetvetja vlen më tepër se sa gjithë olokaustet dhe flijimet.”

34 Dhe Jezusi, duke parë se ai ishte përgjigjur me mend, i tha: “Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë.” Dhe kurrkush nuk guxoi më ta pyesë.

35 Dhe Jezusi, duke i mësuar në tempull, tha: “Vallë, si mund të thonë skribët se Krishti është Bir i Davidit?

36 Sepse vetë Davidi, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, tha: "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, derisa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua".

37 Vetë Davidi, pra, e quan Zot; si mund të jetë vallë bir i tij?.” Dhe pjesa më e madhe e dëgjonte me ëndje.

38 Dhe ai u thoshte atyre në doktrinën e vet: “Ruhuni nga skribët, të cilëve u pëlqen të shëtisin me rroba të gjata dhe t’i përshëndetin në sheshe,

39 dhe të kenë vendet e para në sinagoga dhe vendet e para në gosti,

40 që i gllabërojnë shtëpitë e të vejave dhe, për t’u dukur, luten gjatë; ata do të marrin një gjykim më të rreptë!.”

41 Dhe Jezusi u ul përballë arkës së thesarit dhe vërente se njerëzit hidhnin aty denar; shumë të pasur hidhnin shumë.

42 Erdhi një e ve e varfër dhe hodhi dy monedha të vogla, domethënë një kuadrant.

43 Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha atyre: “Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët.

44 Sepse të gjithë hodhën aty nga teprica e tyre, kurse ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte për të jetuar.”