Add parallel Print Page Options

46 Izraeli, pra, u nis me të gjitha ato që kishte dhe, kur arriti në Beer-Sheba, i bëri fli Perëndisë të atit të tij Isak.

Dhe Perëndia i foli Izraelit në vegime nate dhe tha: "Jakob, Jakob!". Ai u përgjegj: "Ja ku jam".

Atëherë Perëndia tha: "Unë jam Perëndia, Perëndia i atit tënd; mos ki frikë të zbresësh në Egjipt, sepse aty do të të bëj një komb të madh.

Unë do të zbres bashkë me ty në Egjipt dhe do të bëj që sigurisht të kthehesh, dhe Jozefi do të t’i mbyllë sytë".

Atëherë Jakobi u nis nga Beer-Sheba dhe bijtë e Izraelit e hipën Jakobin, atin e tyre, fëmijët e vegjël dhe gratë e tyre mbi qerret që Faraoni kishte dërguar për t’i mbartur.

Kështu ata morën me vete bagëtinë dhe sendet që kishin blerë në vendin e Kanaanit dhe erdhën në Egjipt. Éshtë fjala për Jakobin me tërë pasardhësit e tij.

Ai mori me vete në Egjipt bijtë e tij, bijtë e bijve të tij, bijat e tij dhe bijat e bijve të tij dhe tërë pasardhësit e tij.

Këta janë emrat e bijve të Izraelit që erdhën në Egjipt: Jakobi dhe bijtë e tij. I parëlinduri i Jakobit: Rubeni.

Bijtë e Rubenit: Hanoku, Pallu, Hetsroni dhe Karmi

10 Bijtë e Simeonit: Jemueli, Jamini, Ohadi, Jakini, Tsohari dhe Sauli, biri i një Kananease.

11 Bijtë e Levit: Gershomi, Kehathi dhe Merari.

12 Bijtë e Judës: Eri, Onani, Shelahu, Peretsi dhe Zerahu; (por Eri dhe Onani vdiqën në vendin e Kanaanit). Bijtë e Peretsit qenë: Hetsroni dhe Hamuli.

13 Bijtë e Isakarit: Tola, Puvahu, Jobi dhe Shimroni.

14 Bijtë e Zabulonit: Seredi, Eloni dhe Jahleeli.

15 Këta qenë bijtë që Lea i lindi Jakobit në Padan-Aram, përveç bijës së saj Dina. Bijtë dhe bijat e saj ishin gjithsej tridhjetë e tre veta.

16 Bijtë e Gadit: Tsifioni, Haxhi, Shuni, Etsboni, Eri, Arodi dhe Areli.

17 Bijtë e Asherit: Jmna, Jshua, Jshni, Beriahu dhe Serahu motra e tyre. Dhe bijtë e Beriahut: Heberi dhe Malkieli.

18 Këta qenë bijtë e Zilpahut që Labano i kishte dhënë bijës së tij Lea; dhe ajo i lindi Jakobit: gjithsej gjashtëmbëdhjetë veta.

19 Bijtë e Rakelës, gruas së Jakobit: Jozefi dhe Beniamini.

20 Dhe Jozefi në vendin e Egjiptit, i lindën Manasi dhe Efraimi. Nëna e tyre ishte Asenathi, e bija e Potiferahut, prift i Onit.

21 Bijtë e Beniaminit: Belahu, Bekeri, Ashbeli, Gerau, Naamani, Ehi, Roshi, Mupimi, Hupimi dhe Ardi.

22 Këta qenë bijtë e Rakelës që i lindën Jakobit: gjithsej katërmbëdhjetë veta.

23 Biri i Danit: Hushimi.

24 Bijtë e Neftalisë: Jahtseeli, Guni, Jetseri dhe Shilemi.

25 Këta qenë bijtë e Bilhahut, që Labano ia kishte dhënë bijës së tij Rakela dhe që kjo ia lindi Jakobit: gjithsej shtatë veta.

26 Njerëzit që erdhën me Jakobin në Egjipt, pasardhës të tij, pa llogaritur gratë e bijve të Jakobit, ishin gjithsej gjashtëdhjetë e gjashtë veta.

27 Bijtë e Jozefit, që i lindën në Egjipt, ishin dy. Tërë personat e familjes së Jakobit që erdhën në Egjipt ishin gjithsej shtatëdhjetë veta.

28 Por Jakobi dërgoi para tij Judën me qëllim që ta fuste në vendin e Goshenit. Dhe kështu ata arritën në vendin e Goshenit.

29 Atëherë Jozefi e mbrehu qerren e tij dhe mori të përpjetën për në Goshen që të takonte Izraelin, atin e tij; sa e pa, iu hodh në qafë dhe qau gjatë i shtrënguar pas tij.

30 Dhe Izraeli i tha Jozefit: "Tani le të vdes, sepse pashë fytyrën tënde dhe ti je akoma gjallë".

31 Atëherë Jozefi u tha vëllezërve të tij dhe familjes të atit të tij: "Do të ngjitem për ta njoftuar Faraonin dhe do t’i them: "Vëllezërit e mi dhe familja e atit tim, që ishin në vendin e Kanaanit, kanë ardhur tek unë.

32 Ata janë barinj, sepse kanë qenë gjithnjë rritës bagëtish, dhe kanë sjellë me vete kopetë e tyre dhe gjithçka zotërojnë".

33 Kur Faraoni do t’ju thërrasë dhe do t’ju thotë: "Me ç’punë merreni?," ju do t’i përgjigjeni:

34 "Shërbëtorët e tu kanë qënë rritës bagëtish nga fëmijëria e deri sot, si ne ashtu dhe etërit tanë," që të keni mundësi të banoni në vendin e Goshenit. Sepse Egjiptasit ndiejnë neveri për tërë barinjtë".

47 Jozefi shkoi, pra, të njoftojë Faraonin dhe i tha: "Ati im dhe vëllezërit e mi, me gjithë kopetë e tyre, të bagëtive të imta dhe të trasha dhe me gjithçka kanë, kanë ardhur nga vendi i Kanaanit; dhe ja, tani ndodhen në vendin e Goshenit".

Pastaj mori pesë nga vëllezërit e tij dhe ia paraqiti Faraonit.

Atëherë Faraoni u tha vëllezërve të Jozefit: "Me ç’punë merreni?". Ata iu përgjigjën Faraonit: "Shërbëtorët e tu janë barinj, si ne ashtu dhe etërit tanë".

Pastaj i thanë Faraonit: "Kemi ardhur për të banuar në këtë vend, sepse nuk kishte më kullota për kopetë e shërbëtorëve të tu, sepse ka zi të madhe në vendin e Kanaanit. Lejona tani që shërbëtorët e tu të banojnë në vendin e Goshenit".

Atëherë Faraoni ia drejtoi fjalën Jozefit, duke i thënë: "Ati yt dhe vëllezërit e tu erdhën te ti;

vendi i Egjiptit është në dispozicionin tënd; bëj që ati yt dhe vëllezërit e tu të banojnë në pjesën më të mirë të vendit; le të banojnë edhe në vendin e Goshenit. Dhe në qoftë se ti di që midis tyre ka njerëz të zotë, caktoji kryeintendentë të bagëtisë sime".

Pastaj Jozefi e çoi Jakobin, atin e tij, te Faraoni dhe ia paraqiti. Dhe Jakobi bekoi Faraonin.

Atëherë Faraoni i tha Jakobit: "Sa vjet ke që jeton?".

Jakobi iu përgjegj Faraonit: "Vitet e shtegtimit tim janë njëqind e tridhjetë; vitet e jetës sime kanë qenë të pakta dhe të këqija, dhe nuk e kanë arritur numrin e viteve të jetës së etërve të mi, në ditët e shtegtimit të tyre".

10 Jakobi e bekoi përsëri Faraonin dhe u largua nga prania e Faraonit.

11 Kështu Jozefi vendosi atin e tij dhe vëllezërit e tij dhe u dha atyre një pronë në vendin e Egjiptit, në pjesën më të mirë të vendit, në krahinën e Ramsesit, ashtu siç kishte urdhëruar Faraoni.

12 Dhe Jozefi e mbajti me bukë të atin, të vëllezërit dhe tërë familjen e të atit duke i furnizuar sipas numrit të bijve.

13 Ndërkaq në të gjithë vendin nuk kishte bukë, sepse zija e bukës ishte shumë e madhe; vendi i Egjiptit dhe vendi i Kanaanit vuanin nga uria.

14 Jozefi mblodhi tërë paratë që gjendeshin në vendin e Egjiptit dhe në vendin e Kanaanit në këmbim të grurit që ata blinin; dhe këto para Jozefi i çoi në shtëpinë e Faraonit.

15 Por kur në vendin e Egjiptit dhe në vendin e Kanaanit nuk pati më para, tërë Egjiptasit erdhën te Jozefi dhe thanë: "Na jep bukë! Pse duhet të vdesim para syve të tu? Sepse paratë tona kanë mbaruar".

16 Jozefi tha: "Jepni bagëtinë tuaj; dhe unë do t’ju jap bukë në këmbim të bagëtisë suaj, në qoftë se i keni mbaruar paratë".

17 Atëherë ata i çuan Jozefit bagëtinë e tyre; dhe Jozefi u dha atyre bukë në këmbim të kuajve të tyre, të kopeve të tyre me dele, të qeve dhe të gomarëve. Kështu i furnizoi me bukë për atë vit në këmbim të gjithë bagëtisë së tyre.

18 Mbasi kaloi ai vit, u kthyen tek ai vitin pasues dhe i thanë: "Nuk mund t’ja fshehim zotërisë tonë që, me qenë se paratë mbaruan dhe kopetë e bagëtisë sonë janë bërë pronë e zotërisë tonë, nuk mbetet asgjë tjetër që zotëria ime mund të na marrë veç trupave tonë dhe tokave tona.

19 Pse duhet të mbarojmë para syve të tu, ne dhe tokat tona? Blina ne dhe tokat tona në këmbim të bukës, dhe ne me tokat tona do të jemi skllevër të Faraonit; na jep të mbjellim që të mund të jetojmë dhe jo të vdesim, dhe toka të mos shndërrohet në një shkretëtirë".

20 Kështu Jozefi bleu për Faraonin tërë tokat e Egjiptit, sepse Egjiptasit shitën secili arën e vet, me që ishin goditur rëndë nga zija e bukës. Kështu vëndi u bë pronë e Faraonit.

21 Sa për popullin, e zhvendosi nëpër qytete, në të katër anët e Egjiptit;

22 vetëm tokat e priftërinjve nuk i bleu, sepse priftërinjtë merrnin furnizime nga Faraoni dhe rronin nga furnizimet që u jepte Faraoni; për këtë arsye ata nuk i shitën tokat e tyre.

23 Por Jozefi i tha popullit: "Ja, sot ju bleva ju dhe tokat tuaja për Faraonin; ja ku e keni farën; mbillni tokën;

24 në kohën e korrjes, të pestën pjesë do t’ia jepni Faraonit dhe katër pjesë do të jenë tuajat për të siguruar farën e arave, ushqimin tuaj dhe të personave të shtëpisë suaj dhe për ushqimin e fëmijëve tuaj".

25 Dhe ata thanë: "Ti na shpëtove jetën! Paçim hir në sytë e zotërisë tonë, dhe ne do të jemi skllevërit e Faraonit".

26 Jozefi e bëri ligj këtë në vendin e Egjiptit, i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe sipas të cilit e pesta pjesë e korrjes duhet t’i jepet Faraonit. Vetëm tokat e priftërinjve nuk u bënë pronë e Faraonit.

27 Kështu Izraeli banoi në vendin e Egjiptit, në vendin e Goshenit; aty ata patën prona, qenë frytdhënës dhe u shumuan fort.

28 Jakobi jetoi në vendin e Egjiptit shtatëmbëdhjetë vjet dhe kohëzgjatja e jetës së Jakobit qe njëqind e dyzet e shtatë vjet.

29 Kur koha e vdekjes po i afrohej Izraelit, ai thirri të birin Jozef dhe i tha: "Në paça gjetur hir në sytë e tu, vëre dorën tënde poshtë kofshës sime dhe sillu me mua me mirëdashje dhe besnikëri; të lutem, mos më varros në Egjipt!

30 Por kur do të pushoj me etërit e mi, më nxirr jashtë Egjiptit dhe më varros në varrin e tyre!". Ai u përgjigj: "Do të bëj si thua ti".

31 Atëherë Jakobi tha: "Betomu". Dhe Jozefi iu betua. Pastaj Izraeli, duke u mbështetur te koka e shtratit, ra në adhurim.

48 Mbas këtyre gjërave, ndodhi që i thanë Jozefit: "Ja, ati yt është i sëmurë". Kështu ai mori me vete dy bijtë e tij, Manasin dhe Efraimin.

Kur i thanë Jakobit: "Ja, biri yt Jozefi po vjen te ti," Izraeli mblodhi tërë forcat dhe u ul mbi shtratin e tij.

Atëherë Jakobi i tha Jozefit: "Perëndia i plotfuqishëm m’u shfaq në Luc, në vendin e Kanaanit, më bekoi

dhe më tha: "Ja, unë do të të bëj frytdhënës, do të të shumoj, do të bëj prej teje një shumicë popujsh dhe do t’u jap këtë vend pasardhësve të tu pas teje, si pronë përjetë".

Tani dy bijtë e tu, që të kanë lindur në vendin e Egjiptit para se unë të vija tek ti në Egjipt, janë të mitë. Efraimi dhe Manasi janë të mitë, ashtu si Rubeni dhe Simeoni.

Por bijtë që ke lindur mbas tyre do të jenë të tutë; në territorin e trashëgimisë së tyre do të thirren me emrin e vëllezërve të tyre.

Sa për mua, ndërsa po kthehesha nga Padani, Rakela vdiq pranë meje gjatë udhëtimit, në vendin e Kanaanit, aty afër Efratës; dhe e varrosa atje, në rrugën e Efratës, që është Betlemi".

Kur Izraeli pa bijtë e Jozefit, tha: "Kush janë këta?".

Jozefi iu përgjegj të atit: "Janë fëmijët e mi që Perëndia më ka dhënë këtu". Atëherë ai tha: "M’i afro dhe unë do t’i bekoj".

10 Tani sytë e Izraelit ishin venitur për shkak të moshës dhe nuk shihte fare. Jozefi i afroi ata dhe ai i puthi dhe i përqafoi.

11 Pastaj Izraeli i tha Jozefit: "Unë nuk mendoja të shikoja përsëri fytyrën tënde, por tani Perëndia më dha mundësinë të shikoj edhe pasardhësit e tu".

12 Jozefi i tërhoqi nga gjunjët e të atit dhe u përul me fytyrën në tokë.

13 Pastaj Jozefi i mori që të dy: Efraimin në të djathtë të tij dhe në të majtë të Izraelit, Manasin në të majtë të tij dhe në të djathtë të Izraelit, dhe i afroi pranë atij.

14 Atëherë Izraeli zgjati dorën e tij të djathtë dhe e vuri mbi kryet e Efraimit që ishte më i riu, dhe vuri dorën e tij të majtë mbi kryet e Manasit duke kryqëzuar duart, ndonëse Manasi ishte i parëlinduri.

15 Kështu bekoi Jozefi dhe tha: "Perëndia, para të cilit ecën etërit e mi Abrahami dhe Isaku, Perëndia që më ka ushqyer qysh prej lindjes sime deri më sot,

16 Engjëlli që më ka çliruar nga çdo e keqe, le t’i bekojë këta fëmijë! Le të quhen me emrin tim dhe me emrin e etërve të mi Abraham dhe Isak, dhe të shumohen fort mbi tokë!".

17 Kur Jozefi pa që i ati kishte vënë dorën e djathtë mbi kokën e Efraimit, kjo nuk i pëlqeu; prandaj ai kapi dorën e atit të tij për ta hequr nga kryet e Efraimit dhe për ta vënë mbi kryet e Manasit.

18 Pastaj Jozefi i tha atit të tij: "Jo kështu, ati im, sepse i parëlinduri është ky këtu; vëre dorën tënde të djathtë mbi kryet e tij".

19 Por i ati refuzoi dhe tha: "E di, biri im, e di; edhe ai do të bëhet një popull, edhe ai do të jetë i madh; megjithatë, vëllai yt më i vogël do të bëhet më i madh se ai, dhe pasardhësit e tij do të bëhen një mori kombesh".

20 Dhe atë ditë i bekoi duke thënë: "Për ty Izraeli ka për të bekuar, duke thënë: "Perëndia të të bëj si Efraimi dhe si Manasi!"". Kështu ai e vuri Efraimin para Manasit.

21 Pastaj Izraeli i tha Jozefit: "Ja, unë kam për të vdekur pas pak, por Perëndia do të jetë me ju dhe do t’ju çojë përsëri në vendin e etërve tuaj.

22 Veç kësaj, ty po të jap një pjesë më të madhe në krahasim me vëllezërit e tu, atë që fitova nga Amorejtë me shpatën dhe harkun tim".

13 Tani po atë ditë, Jezusi doli nga shtëpia dhe u ul në breg të detit.

Turma të mëdha u mblodhën rreth tij kështu që ai hipi mbi një barkë dhe u ul; dhe gjithë populli rrinte në këmbë në breg.

Dhe ai u paraqiti shumë gjëra në shëmbëlltyrë, duke thënë: “Ja, një mbjellës doli për të mbjellë.

Ndërsa po mbillte, një pjesë e farës ra përgjatë rrugës; dhe zogjtë erdhën dhe e hëngrën.

Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë tokë, dhe mbiu shpejt sepse terreni nuk ishte i thellë;

por kur doli dielli u fishk dhe u tha sepse s’kishte rrënjë.

Një pjesë tjetër ra midis ferrave dhe ferrat u rritën dhe ia zunë frymën.

Një tjetër ra në tokë të mirë dhe dha fryt duke dhënë njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish dhe tjetra tridhjetëfish.

Kush ka vesh për të dëgjuar, le të dëgjojë!.”

10 Atëherë dishepujt iu afruan dhe i thanë: “Pse po u flet atyre me shëmbëlltyrë?.”

11 Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: “Sepse juve ju është dhënë mundësia të njihni të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre nuk u është dhënë.

12 Sepse atij që ka, do t’i jepet dhe do të ketë bollëk; ndërsa atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.

13 Prandaj unë u flas atyre me shëmbëll-tyrë, sepse duke parë nuk shohin, dhe duke dëgjuar nuk dëgjojnë as nuk kuptojnë.

14 Kështu ndër ta përmbushet profecia e Isaias, që thotë: "Ju do të dëgjoni, por nuk do të kuptoni, do të vështroni, por nuk do të shikoni.

15 Sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme, ata janë bërë të rëndë nga veshët dhe kanë mbyllur sytë, që nuk shohin me sy dhe nuk dëgjojnë me vesh, dhe nuk gjykojnë me zemër dhe nuk kthehen, dhe unë t’i shëroj.

16 Por lum sytë tuaj që shohin dhe veshët tuaj që dëgjojnë.

17 Sepse në të vërtetë ju them se shumë profetë dhe të drejtë deshën t’i shohin gjërat që ju po shihni dhe nuk i panë, dhe t’i dëgjojnë gjërat që ju dëgjoni dhe nuk i dëgjuan!

18 Juve pra kuptoni shëmbëlltyrën e mbjellësit.

19 Kur dikush dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu dhe i merr atë që ishte mbjellë në zemrën e tij. Ky është ai njeri që ka marrë fara përgjatë rrugës.

20 Dhe ai që ka marrë farën nëpër gurishte, është ai që dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë me gëzim;

21 por, nuk ka rrënjë në vete, dhe është për pak kohë; dhe kur vijnë mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohet menjëherë.

22 Dhe ai që ka marrë farën midis ferrave është ai që e dëgjon fjalën, por shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimet e pasurisë ia mbysin fjalën; dhe ajo bëhet e pafrytshme.

23 Por ai që merr farën në tokë të mirë, është ai që e dëgjon fjalën, e kupton dhe jep fryt; dhe prodhon njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish dhe tjetri tridhjetëfish.

24 Ai u propozoi atyre një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e vet.

25 Por, ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë dhe iku.

26 Kur më pas gruri u rrit dhe jepte fryt u duk edhe egjra.

27 Dhe shërbëtorët e padronit të shtëpisë iu afruan atij dhe i thanë: Zot, a nuk ke mbjellë farë të mirë në arën tënde? Vallë nga doli egjra??

28 Dhe ai u tha atyre: "Këtë e ka bërë armiku". Atëherë shërbëtorët i thanë: "A do ti të shkojmë e ta shkulim?".

29 Por ai tha: "Jo, kam frikë se, duke shkulur egjrën, bashkë me të, do të shkulni edhe grurin.

30 I lini të rriten bashkë deri në të korra. Në kohën e korrjes unë do t’u them korrësve: Mblidhni më parë egjrën, lidheni në duaj për ta djegur; por grurin futeni në hambarin tim".”

Read full chapter