Add parallel Print Page Options

Fjala e Samuelit i drejtohej tërë Izraelit. Izraeli doli të luftojë kundër Filistejve dhe ngriti kampin e tij pranë Eben-Ezerit, ndërsa Filistejtë u vendosën pranë Afekut.

Pastaj Filistejtë u renditën për betejë kundër Izraelit; filloi një betejë e madhe, por Izraeli u mund nga Filistejtë, të cilët vranë në fushën e betejës rreth katër mijë veta.

Kur populli u kthye në kamp, pleqtë e Izraelit thanë: "Pse Zoti na mundi sot përpara Filistejve? Të shkojmë të marrim në Shiloh arkën e besëlidhjes së Zotit, në mënyrë që të ndodhet në mes nesh dhe të na shpëtojë nga duart e armiqve tanë!".

Kështu populli dërgoi në Shiloh njerëz që të merrnin që andej arkën e besëlidhjes së Zotit të ushtërive, që ulët midis kerubinëve; dhe dy bijtër e Elit, Hofni dhe Finehasi, ishin aty me arkën e besëlidhjes së Perëndisë.

Kur arka e besëlidhjes së Zotit hyri në kamp, i gjithë Izraeli shpërtheu në një britmë gëzimi aq të fuqishme sa vetë toka e drodh.

Filistejtë, duke dëgjuar buçimën e asaj britme, thanë: "Çfarë kuptimi ka buçima e kësaj britme të madhe në kampin e Hebrenjve?". Pastaj mësuan që arka e Zotit kishte arritur në kamp.

Kështu Filistejtë u trembën, sepse thonin: "Perëndia erdhi në kamp". Dhe thirrën: "Mjerë ne! Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Mjerë ne! Kush do të na shpëtojë nga duart e këtyre perëndive të fuqishme? Këto janë perënditë që i goditën Egjiptasit me lloj lloj plagësh në shkretëtirë.

Qëndroni të fortë dhe silluni si burra, o Filistej, që të mos bëheni skllevër të Hebrenjve, ashtu si ata qenë skllevërit tuaj. Silluni si burra dhe luftoni!".

10 Kështu Filistejtë luftuan dhe Izraeli u mund; dhe gjithkush vrapoi te çadra e vet. Masakra qe me të vërtetë e madhe; Izraeli humbi tridhjetë mijë këmbësorë.

11 Edhe arka e Perëndisë u morr dhe dy djemtë e Elit, Hofni dhe Finehasi, vdiqën.

12 Një njeri i Beniaminit vrapoi nga fusha e betejës dhe arriti po atë ditë në Shiloh, me rroba të grisura dhe kokën të mbuluar me dhe.

13 Kur arriti, ja, Eli ishte ulur mbi ndenjësen e tij në anë të rrugës, duke shikuar, sepse zemra e tij dridhej për arkën e Perëndisë. Sapo ai njeri hyri në qytet dhe njoftoi për atë që kishte ndodhur, një britmë u ngrit nga tërë qyteti.

14 Kur dëgjoi zhurmën e britmave, Eli tha: "Ç’kuptim ka zhurma e kësaj rrëmuje?". Pastaj ai njeri erdhi me të shpejtë për t’i treguar Elit atë që kishte ndodhur.

15 Eli ishte nëntëdhjetë e tetë vjeç; shikimi i tij qe errësuar aq sa që ai nuk shikonte më.

16 Njeriu i tha Elit: "Jam ai që ka ardhur nga fusha e betejës. Sot kam ikur me vrap nga fusha e betejës". Eli tha: "Si vajtën punët, biri im?".

17 Atëherë lajmëtari u përgjegj dhe tha: "Iezraeli ia mbathi përpara Filistejve dhe u bë një masakër e madhe në popull; edhe dy djemtë e tu, Hofni dhe Finehasi, vdiqën, dhe arka e Perëndisë u morr".

18 Sa u zu në gojë arka e Perëndisë, Eli ra nga ndenjësja prapa, përbri derës, theu qafën dhe vdiq, sepse ishte plak dhe i rënduar. Qe gjyqtar i Izraelit dyzet vjet me radhë.

19 E reja e tij, gruaja e Finehasit, ishte me barrë dhe në prag të lindjes; kur dëgjoi lajmin që arka e Perëndisë ishte kapur dhe vjehrri i saj dhe i shoqi kishin vdekur, u kërrus dhe lindi, sepse e zunë dhimbjet.

20 Në çastin kur ishte duke vdekur, gratë që kujdeseshin për të i thanë: Mos u tremb, sepse ke lindur një djalëë". Por ajo nuk u përgjegj dhe nuk u kushtoi vëmëndje fjalëve të tyre,

21 por ia vuri emrin Ikabod fëmijës, duke thënë: "Lavdia u largua nga Izraeli," sepse arka e Perëndisë ishte marr për shkak të vjehrrit të saj dhe të burrit të saj.

22 Ajo tha: "Lavdia është larguar nga Izraeli, sepse arka e Perëndisë është marr".

Atëherë Filistejtë e morën arkën e Perëndisë dhe e mbartën nga Eben-Ezeriu në Ashdod;

pastaj Filistejtë e morën arkën e Perëndisë, e çuan në tempullin e Dagonit dhe e vendosën pranë Dagonit.

Të nesërmen banorët e Ashdodit u ngritën herët, por Dagoni qe rrëzuar me fytyrë për tokë përpara arkës së Zotit. Kështu e morën Dagonin dhe e vunë përsëri në vendin e tij.

Të nesërmen u ngritën herët, dhe ja Dagoni qe rrëzuar përsëri me fytyrën për tokë përpara arkës së Zotit, kurse koka e Dagonit dhe të dy pëllëmbët e duarve të tij u gjetën të prera mbi prag; nga Dagoni kishte mbetur vetëm trungu.

Prandaj, deri ditën e sotme, priftërinjtë e Dagonit dhe tërë ata që hyjnë në tempullin e Dagonit nuk vënë këmbë mbi pragun e Dagonit në Ashdod.

Pastaj dora e Zotit rëndoi mbi banorët e Ashdodit dhe i shkretoi, i goditi me hemoroide Ashdodin dhe territorin e tij.

Kur banorët e Ashdodit panë që punët shkonin në atë mënyrë, ata thanë: Arka e Perëndisë të Izraelit nuk duhet të mbetet në mes nesh, sepse dora ee tij ka qenë e rëndë me ne dhe me Dagonin, perëndinë tonë".

Kështu ata mblodhën pranë tyre tërë princat e Filistejve dhe thanë: Çfarë duhet të bëjmë me arkën e Perëndisë të Izraelit??". Princat u përgjegjën: "Të mbartet arka e Perëndisë të Izraelit në Gatha".

Kështu arka e Perëndisë të Izraelit u mbart aty. Por mbas transportimit të saj, dora e Zotit u kthye kundër atij qyteti, duke i shkaktuar një lemeri të madhe; dhe Zoti i goditi njerëzit e qytetit, të mëdhenj e të vegjël, me një epidemi hemoroidesh.

10 Atëherë arkën e Perëndisë e dërguan në Ekron. Por, sapo arka e Perëndisë arriti në Ekron, banorët e Ekronit protestuan duke thënë: "Kanë sjellë arkën e Perëndisë të Izraelit te ne, që të vdesim ne dhe populli ynë!".

11 Kështu mblodhën tërë pincat e Filistejve dhe u thanë: "Largojeni arkën e Perëndisë të Izraelit; ajo të kthehet në vendin e saj, që të mos shkaktojë vdekjen tonë dhe të popullit tonë!". Në fakt ishte përhapur një lemeri vdekjeprurëse në të gjithë qytetin, sepse dora e Perëndisë rëndonte shumë mbi të.

12 Ata që nuk vdisnin prekeshin nga hemoroidet, dhe britmat e qytetit ngjiteshin deri në qiell.

Arka e Zotit mbeti shtatë muaj në vendin e Filistejve.

Pastaj Filistejtë mblodhën priftërinjtë dhe shortarët dhe thanë: "Ç’duhet të bëjmë me arkën e Zotit? Na trego mënyrën që duhet të përdorim për ta kthyer përsëri në vendin e saj".

Atëherë ata u përgjegjën: "Në qoftë se e ktheni arkën e Perëndisë së Izraelit, mos e ktheni bosh, por dërgoni me të të paktën një ofertë zhdëmtimi; atëherë do të shëroheni dhe do të mësoni pse dora e tij nuk ju ndahej".

Ata pyetën: "Çfarë oferte zhdëmtimi do t’i dërgojmë neve?". Ata u përgjegjën: "Pesë hemorroide ari dhe pesë minj ari simbas numrit të princave të Filistejve, sepse e njëjta plagë ka goditur ju dhe princat tuaj.

Bëni, pra, disa figura të hemorroideve dhe të minjve tuaj që shkatërrojnë vendin, dhe i thurrni lavdi Perëndisë së Izraelit; ndofta ai do ta zbusë dorën e tij mbi ju, mbi perënditë tuaj dhe mbi vendin tuaj.

Pse, vallë, e ngurtësoni zemrën tuaj ashtu si Egjiptasit dhe Faraoni ngurtësuan zemrën e tyre? Kur kreu gjëra të fuqishme midis tyre, nuk i lanë të shkojnë, dhe kështu ata mundën të shkojnë?

Bëni, pra, një qerre të re, pastaj merrni dy lopë qumështore mbi të cilat nuk është vënë kurrë zgjedha dhe i mbrihni lopët në qerre, por i çoni viçat e tyre në stallë larg tyre.

Pastaj merrni arkën e Zotit dhe vendoseni mbi qerre; dhe punimet prej ari që i çoni Zotit si ofertë zhdëmtimi i vini në një shportë pranë saj.

Dhe rrini e shikoni, në rast se ngjitet nëpër rrugën që të çon në territorin e tij, në Beth-Shemesh, është Zoti që na ka bërë këtë të keqe të madhe; ndryshe do të të mësojmë që nuk ka qenë dora e tij që na ka goditur, por kjo ka ndodhur rastësisht".

10 Ata, pra, vepruan kështu: morën dy lopë qumështore, i mbrehën në qerre dhe mbyllën viçat në stallë.

11 Pastaj vendosën mbi qerre arkën e Zotit dhe shportën me minjtë prej ari dhe figurat e hemorroideve.

12 Atëherë lopët u nisën pikërisht në drejtim të Beth-Shemeshit, duke ndjekur gjithnjë atë rrugë dhe duke pëllitur ndërsa po ecnin, pa u kthyer as djathtas, as majtas. Princat e Filistejve i ndoqën deri në kufirin e Beth-Shemeshit.

13 Banorët e Beth-Shemeshit ishin duke korrur grurin në luginë; duke ngritur sytë, panë arkën dhe u gëzuan qe e panë.

14 Qerrja, pasi arriti në kampin e Jozueut në Beth-Shemesh, u ndal aty. Aty kishte një gur të madh; kështu ata çanë lëndën e drurit të qerres dhe i ofruan lopët si olokauste të Zotit.

15 Levitët hoqën arkën e Zotit dhe shportën që i rrinte pranë dhe në të cilën gjendeshin sendet prej ari, dhe i vendosëm mbi një gur të madh. Po atë ditë njerëzit e Beth-Shemeshit ofruan dhe i bënë flijime Zotit.

16 Mbasi pesë princat e Filistejve panë këtë gjë, po atë ditë u kthyen në Ekron.

17 Këto janë hemorroidet prej ari që Filistejtë i dërguan Zotit si ofertë zhdëmtimi; një për Ashdodin, një për Gazën, një për Askalonin, një për Gathin, një për Ekronin;

18 dhe minjtë prej ari simbas numrit të të gjitha qyteteve të Filistejve që u përkisnin pesë princëve, nga qytetet e fortifikuara deri në fshatrat e fushës, deri në gurin e madh e mbi të cilin u vendos arka e Zotit dhe që qëndron deri në ditën e sotme në fushën e Jozueut, Bethshemitit.

19 Zoti goditi disa njerëz të Beth-Shemeshit, sepse kishin shikuar brenda arkës së Zotit; ai goditi shtatëdhjetë njerëz të popullit. Populli mbajti zi për ta, sepse Zoti e kishte prekur me një fatkeqësi të madhe.

20 Njerëzit e Beth-Shemeshit thanë: "Kush mund të rezistojë përpara Zotit, këtij Perëndie të shenjtë? Nga kush do të ngjitet arka, kur të niset nga ne?".

21 Kështu u dërguan lajmëtarë banorëve të Kiriath-Jearimit për t’u thënë: Filistejtë e kanë kthyer arkën e Zotit; zbrisni dhe çojeni lart te juu".

Pastaj, mbasi i thirri bashkë të dymbëdhjetë dishepujt e vet, u dha atyre pushtet dhe autoritet mbi të gjithë demonët dhe të shërojnë sëmundjet.

Dhe i nisi të predikojnë mbretërinë e Perëndisë dhe të shërojnë të sëmurët.

Dhe u tha atyre: “Mos merrni asgjë për rrugë: as shkop, as trastë, as bukë, as para dhe asnjë prej jush të mos ketë dy tunika me vete.

Në atë shtëpi ku të hyni, aty rrini deri sa të largoheni.

Nëse disa nuk ju pranojnë, duke dalë prej atij qyteti, shkundni edhe pluhurin nga këmbët tuaja, si dëshmi kundër tyre.”

Atëherë ata u nisën dhe përshkuan fshatrat duke përhapur ungjillin dhe duke shëruar kudo.

Herodi, tetrarku, kishte dëgjuar për të gjitha gjërat që kishte kryer Jezusi dhe ishte në mëdyshje, sepse disa thoshin se Gjoni ishte ringjallur së vdekuri,

të tjerë se ishte shfaqur Elia, e disa të tjerë se ishte ringjallur një nga profetët e lashtë.

Por Herodi tha: “Gjonit unë ia kam prerë kokën; kush do të jetë ky, për të cilin po dëgjoj të thuhen të tilla gjëra?.” Dhe kërkonte ta shihte.

10 Kur u kthyen apostujt, i treguan Jezusit të gjitha gjërat që kishin bërë. Atëherë ai i mori me vete dhe u tërhoq mënjanë, në një vend të shkretë të një qyteti, që quhej Betsaida.

11 Po, kur turmat e morën vesh, i ndiqnin; dhe ai i mirëpriti dhe u fliste për mbretërinë e Perëndisë, dhe shëronte ata që kishin nevojë për shërim.

12 Tani kur dita filloi të mbarojë, të dymbëdhjetët iu afruan dhe i thanë: “Nise turmën, që të shkojë nëpër fshatra e nëpër fushat përreth, që të gjejë strehë dhe ushqim, sepse këtu jemi në një vend të shkretë.”

13 Por ai u tha atyre: “U jepni ju të hanë.” Ata u përgjigjen: “Ne nuk kemi tjetër veç se pesë bukë e dy peshq; vetëm nëse shkojmë vetë të blejmë ushqim për gjithë këta njerëz.”

14 Ishin, pra, rreth pesë mijë burra. Por ai u tha dishepujve të vet: “I vini të ulen në grupe nga pesëdhjetë.”

15 Ata vepruan në këtë mënyrë dhe i ulën të gjithë.

16 Atëherë ai i mori të pesë bukët dhe të dy peshqit dhe, pasi i ngriti sytë drejt qiellit, i bekoi, i ndau dhe ua dha dishepujve të vet që t’ia shpërndajnë turmës.

17 Dhe të gjithë hëngrën e u ngopën; nga copat që tepruan mblodhën dymbëdhjetë shporta.

Read full chapter