Add parallel Print Page Options

18 Mbas këtyre ngjarjeve, Davidi mundi Filistejtë dhe i poshtëroi, duke u hequr nga dora Gathin dhe fshatrat përreth tij.

Ai mundi gjithashtu Moabitët; dhe Moabitët u bënë nënshtetas dhe haraçpagues të Davidit.

Davidi mundi përveç tyre Hadarezerin, mbretin e Tsobahut, deri në Hamath, ndërsa ai shkonte për të vendosur sundimin e tij gjatë lumit Eufrat.

Davidi i mori një mijë qerre, i kapi shtatë mijë kalorës dhe njëzet mijë këmbësorë. Davidi preu gjithashtu kërcinjtë e tërë kuajve, por kurseu mjaft për njëqind qerre.

Kur Sirët e Damaskut erdhën për të ndihmuar Hadarezerin, mbretin e Tsobahut, Davidi vrau njëzet e dy mijë Sirë.

Pastaj Davidi vendosi garnizone në Sirinë e Damaskut, dhe Sirët u bënë nënshtetas dhe haraçpagues të Davidit; dhe Zoti e përkrahte Davidin kudo që ai shkonte.

Davidi mori mburojat e arta që shërbëtorët e Hadarezerit kishin me vete dhe i çoi në Jeruzalem.

Davidi mori edhe një sasi të madhe bronzi në Tibhath dhe në Kun, qytete të Hadarezerit. Me të Salomoni ndërtoi detin prej bronzi, shtyllat dhe veglat prej bronzi.

Kur Tou, mbret i Hamathit, mësoi që Davidi kishte mundur tërë ushtrinë e Hadarezerit, mbretit të Tsobahut,

10 i dërgoi mbretit David Hadoramin, birin e tij, për ta përshëndetur dhe për ta bekuar, sepse kishte luftuar kundër Hadarezerit dhe e kishte mundur (Hadarezeri ishte gjithnjë në luftë me Toun); dhe Hadorami pruri me vete lloj-lloj enësh ari, argjendi dhe bronzi.

11 Mbreti David ia shenjtëroi edhe këto Zotit, ashtu si kishte bërë me argjendin dhe me arin që u kishte marrë tërë kombeve, domethënë Edomitëve, Moabitëve, Amonitëve, Filistejve dhe Amalekitëve.

12 Përveç kësaj Abishai, bir i Tserujahut, mundi tetëmbëdhjetë mijë Edomitë në luginën e Kripës.

13 Vendosi garnizone edhe në Idumea dhe tërë Edomitët u bënë nënshtetas të Davidit; dhe Zoti e përkrahte Davidin kudo që shkonte.

14 Kështu Davidi mbretëroi mbi tërë Izraelin, duke shqiptuar gjykime dhe duke administruar drejtësinë tërë popullit të tij.

15 Joabi, bir i Tserujahut, ishte komandant i ushtrisë; Jozafati, bir i Ahikudit, ishte arkivist;

16 Tsadoku, bir i Ahitubit, dhe Abimeleku, bir i Abiatharit, ishin priftërinj; Shavsha ishte sekretar;

17 Benajahu, bir i Jehojadait, ishte kryetar i Kerethejve dhe i Pelethejve; bijtë e Davidit ishin të parët në krah të mbretit.

19 Mbas këtyre ngjarjeve ndodhi që Nahashi, mbret i bijve të Amonit, vdiq dhe i biri mbretëroi në vend të tij.

Davidi tha: "Unë dua të përdor me Hanunin, birin e Nahashit, po atë dashamirësi që i ati ka treguar ndaj meje". Kështu Davidi dërgoi lajmëtarë për ta ngushëlluar për humbjen e atit të tij. Por kur shërbëtorët e Davidit arritën ne vendin e bijve të Amonit te Hanuni për ta ngushëlluar,

krerët e bijve të Amonit i thanë Hanunit: "Ti beson që Davidi të ka dërguar ngushëllues për të nderuar atin tënd? Shërbëtorët e tij a nuk kanë ardhur vallë për të vëzhguar, për të shkatërruar dhe për të spiunuar vendin?".

Atëherë Hanuni mori shërbëtorët e Davidit, i detyroi të rruhen dhe të presin rrobat për gjysmë deri në mollaqet, pastaj i la të shkonin.

Ndërkaq disa shkuan të njoftojnë Davidin për atë që u kishte ndodhur këtyre njerëzve; atëherë Davidi dërgoi njerëz për t’i takuar, sepse ata ishin krejt të turpëruar. Mbreti porositi që t’u thonë atyre: "Qëndroni në Jeriko sa t’ju rritet mjekra, pastaj do të ktheheni".

Kur bijtë e Amonit e kuptuan se kishin shkaktuar urrejtjen e Davidit, Hanuni dhe Amonitët dërguan një mijë talenta argjendi për të rekrutuar në shërbimin e tyre qerre dhe kalorës nga Mesopotamia, nga Sirët e Maakahut dhe nga Tsobahu.

Rekrutuan gjithashtu tridhjetë e dy mijë qerre dhe mbretin e Maakahut me gjithë popullin tij, që fushuan përballë Medebas. Ndërkaq bijtë e Amonit ishin mbledhur nga qytetet e tyre për të marrë pjesë në luftë.

Kur Davidi e dëgjoi këtë, dërgoi kundër tyre Joabin dhe tërë ushtrinë e njerëzve trima.

Bijtë e Amonit dolën dhe u renditën për betejë në portën e qytetit, ndërsa mbretërit që kishin ardhur në ndihmë të tyre rrinin mënjanë në fushë.

10 Kur Joabi e kuptoi që kishte kundër tij dy fronte beteje, njeri pëpara dhe tjetri prapa, zgjodhi nga njerëzit më të mirë të Izraelit dhe i vendosi në rend beteje kundër Sirëve;

11 pjesën tjetër të popullit e vendosi nën urdhrat e vëllait të tij Abishai; këta u renditën kundër bijve të Amonit;

12 pastaj i tha: "Në rast se Sirët janë më të fortë se unë, ti do të më vish në ndihmë; por në rast se bijtë e Amonit janë më të fortë se ti, atëherë do të vij unë të të ndihmoj.

13 Tregohu trim dhe të jemi të fortë për popullin tonë dhe për qytetet e Perëndisë tonë; dhe Zoti të bëjë atë që i pëlqen".

14 Pastaj Joabi me njerëzit që kishte me vete shkoi përpara për t’u ndeshur me Sirët; por këta ikën para tij.

15 Kur bijtë e Amonit panë që Sirët kishin ikur, edhe ata ua mbathën para Abishait, vëllait të Joabit, dhe u kthyen në qytet. Atëherë Joabi u kthye në Jeruzalem.

16 Sirët, duke qenë se ishin mundur nga Izraeli, dërguan lajmëtarë dhe prunë Sirët që ishin matanë lumit. Në krye të tyre ishte Shofaku, komandanti i ushtrisë të Hadarezerit.

17 Kur Davidi u njoftua për këtë gjë, mblodhi tërë Izraelin, kaloi Jordanin, marshoi kundër tyre dhe u vendos në rend beteje kundër tyre. Sapo Davidi u rreshtua në rend beteje kundër Sirëve, këta e filluan menjëherë betejën.

18 Por Sirët ua mbathën para Izraelit; dhe Davidi vrau shtatë mijë kalorës dhe dyzet mijë këmbësorë Sirë; vrau gjithashtu Shofakun, komandantin e ushtrisë.

19 Kur shërbëtorët e Hadarezerit panë se ishin mundur nga Izraeli, bënë paqe me Davidin dhe iu nënshtruan atij. Kështu Sirët nuk deshën më t’u vinin në ndihmë bijve të Amonit.

20 Me fillimin e vitit të ri, në kohën kur mbretërit shkojnë të luftojnë, Joabi u vu në krye të një ushtrie të fuqishme dhe shkretoi vendin e bijve të Amonit; pastaj shkoi të rrethojë Rabahun, ndërsa Davidi qëndroi në Jeruzalem; Joabi mundi Rabahun dhe e shkatërroi.

Atëherë Davidi i hoqi kurorën nga koka e mbretit të tyre dhe pa që ajo peshonte një talent ari, dhe në të kishte gurë të çmuar; ajo pastaj u vu mbi kryet e Davidit. Përveç kësaj nga ai qytet ai mori një plaçkë shumë të madhe.

I nxori banorët që ishin në qytet dhe i vuri të punojnë me sharra, me lesa prej hekuri dhe me sëpata. Kështu veproi Davidi në të gjitha qytetet e bijve të Amonit. Pastaj Davidi u kthye në Jeruzalem me tërë popullin.

Mbas këtyre ngjarjeve u bë në Gezer një betejë me Filistejtë; atëherë Sibekai nga Hushahu vrau Sipain, një nga pasardhësit e gjigantëve, dhe kështu Filistejtë u poshtëruan.

U bë një betejë tjetër me Filistejtë; Elhanani, bir i Jairit, vrau Lahmin, vëllanë e Goliathit nga Gathi, që e kishte shtizën sa një shul endësi.

U bë edhe një beteje tjetër në Gath, ku kishte një njeri me shtat të madh, me gjashtë gishtërinj në secilën dorë dhe gjashtë gishtërinj në secilën këmbë, gjithsej njëzet e katër gishtërinj; edhe ai ishte një pasardhës i gjigantëve.

Ai e fyu Izraelin dhe Jonathani, bir i Shimeahut dhe vëlla i Davidit, e vrau.

Këta kishin lindur nga gjigantët e Gathit. Ata i zhduku dora e Davidit dhe ajo e shërbëtorëve të tij.