Add parallel Print Page Options

72 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.

Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.

Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.

Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.

Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.

Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.

Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.

Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.

10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t’i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t’i ofrojnë dhurata.

11 Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë.

12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.

13 Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.

14 Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.

15 Dhe ai do të jetojë; dhe do t’i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën.

16 Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.

17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.

18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.

19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.

20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait.

73 Me siguri Perëndia është i mirë me Izraelin, me ata që janë të pastër nga zemra.

Por, sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin.

Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij.

Sepse nuk ka dhembje në vdekjen e tyre, dhe trupi i tyre është i majmë.

Ata nuk po heqin si vdekatarët e tjerë, as pësojnë goditje si njerëzit e tjerë.

Prandaj kryelartësia i rrethon si një gjerdan dhe dhuna i mbështjell si një rrobe.

Sytë u dalin jashtë nga dhjami dhe përfytyrimet e çoroditura të zemrës së tyre vërshojnë.

Ata tallen dhe kurdisin me pabesi shtypjen, flasin me arrogancë.

E drejtojnë gojën e tyre kundër qiellit dhe gjuha e tyre përshkon tokën.

10 Prandaj njerëzit e tyre kthehen nga ajo anë dhe pijnë me të madhe ujërat e tyre,

11 dhe thonë: "Si është e mundur që Perëndia të dijë çdo gjë dhe të ketë njohuri te Shumë i Larti?".

12 Ja, këta janë të pabesë; megjithatë janë gjithnjë të qetë dhe i shtojnë pasuritë e tyre.

13 Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time.

14 Sepse jam goditur tërë ditën dhe jam ndëshkuar çdo mëngjes.

15 Sikur të kisha thënë: "Do të flas edhe unë kështu," ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu.

16 Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m’u duk shumë e vështirë.

17 Deri sa hyra në shenjtoren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre.

18 Me siguri, ti i vë në vënde të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim.

19 Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri!

20 Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë.

21 Kur zemra ime acarohej dhe e ndjeja veten sikur më shponin nga brenda,

22 unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë.

23 Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë.

24 Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.

25 Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje.

26 Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi.

27 Sepse ja, ata që largohen prej teje do të vdesin; ti shkatërron tërë ata që, duke kurvëruar, largohen prej teje.

28 Por sa për mua, e mira është t’i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua.

Unë them të vërtetën në Krishtin, nuk gënjej dhe jep dëshmi me mua ndërgjegja ime me anë të Frymës së Shenjtë;

kam një trishtim të madh dhe një dhembje të vazhdueshme në zemrën time.

Sepse do të doja të isha vetë i ma-llkuar, i ndarë nga Krishti, për vëllezërit e mi, për farefisin tim sipas mishit,

të cilët janë Izraelitë dhe atyre u përket birëria, lavdia, besëlidhjet, shpallja e ligjit, shërbimi hyjnor dhe premtimet;

të tyre janë edhe etërit, prej të cilëve rrjedh sipas mishit Krishti, i cili është përmbi çdo gjë Perëndi, i bekuar përjetë. Amen.

Por kjo nuk do të thotë se fjala e Perëndisë ra poshtë, sepse jo të gjithë që janë nga Izraeli janë Izrael.

As sepse janë pasardhës e Abrahamit janë të gjithë bij; por: “Në Isakun do të quhet pasardhja jote.”

Do të thotë: nuk janë bijtë e Perëndisë ata që lindin prej mishi, por vetëm bijtë e premtimit numërohen si pasardhës.

Sepse kjo është fjala e premtimit: “Në këtë kohë do të vij dhe Sara do të ketë një bir.”

10 Dhe jo vetëm kaq, por edhe Rebeka mbeti shtatzënë nga një njeri i vetëm, Isakun, atin tonë,

11 (sepse para se t’i lindnin fëmijët dhe para se të bënin ndonjë të mirë a të keqe, që të mbetej i patundur propozimi i Perëndisë për të zgjedhur jo sipas veprave, po prej atij që thërret),

12 iu tha asaj: “Më i madhi do t’i shërbejë më të voglit,”

13 siç është shkruar: “E desha Jakobin dhe e urreva Ezaun.”

14 Çfarë të themi, pra? Mos ka padrejtësi te Perëndia? Aspak!

15 Ai i thotë në fakt Moisiut: “Do të kem mëshirë për atë që të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri.”

Read full chapter