Add parallel Print Page Options

Biri im, ruaji fjalët e mia dhe urdhërimet e mia në veten tënde,

Ruaji urdhërimet e mia dhe ke për të jetuar; ruaji mësimet e mia si bebja e syve të tu.

Lidhi ndër gishta, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate.

Thuaji diturisë: "Ti je motra ime" dhe quaje "shok" gjykimin,

me qëllim që të të ruajnë nga gruaja e tjetrit nga gruaja e huaj që përdor fjalë lajkatare.

Nga dritarja e shtëpisë sime shikoja nëpër parmakët prej hekuri

dhe pashë midis budallenjve; dallova midis të rinjve një djalë të ri që s’kishte gjykim,

që kalonte nëpër rrugë pranë qoshes të gruas së huaj dhe drejtohej nga shtëpia e saj,

në muzg, kur po ngryste dita, ndërsa zbriste nata e zezë dhe e errët.

10 I doli para një grua e veshur si prostitutë dhe dinake;

11 ajo është turbulluese dhe provokuese, dhe nuk di t’i mbajë këmbët në shtëpinë e saj;

12 herë mbi rrugë, herë në sheshet qëndron në pritë në çdo qoshe.

13 Kështu e zuri dhe e puthi, pastaj me paturpësi tha:

14 "Duhet të bëja flijimet e falenderimit; pikërisht sot i plotësova zotimet e mia;

15 prandaj të dola para që të të kërkoj dhe të gjeta.

16 E zbukurova shtratin tim me një mbulesë si sixhade, me li të ngjyrosur nga Egjipti;

17 e parfumova shtratin tim me mirrë, me aloe dhe me kanellë.

18 Eja, të dehemi me dashuri deri në mëngjes, të kënaqemi në qejfe dashurie,

19 sepse burri im nuk është në shtëpi, por ka shkuar në një udhëtim të gjatë;

20 ka marrë me vete një thes të vogël me pare dhe do të kthehet në shtëpi vetëm kur të jetë hëna e plotë".

21 Ajo e mashtroi me fjalë bindëse, e tërhoqi me ëmbëlsinë e buzëve të saj.

22 Ai e ndoqi pa mëdyshje, si një ka që shkon në thertore, si një i lidhur në dënimin e budallait,

23 deri sa një shigjetë nuk i shpon mëlçinë; ai nxiton si një zog, pa ditur që një lak është ngritur kundër jetës së tij.

24 Prandaj, bij të mi, më dëgjoni, kushtojuni kujdes fjalëve të gojës sime.

25 Zemra jote të mos shkojë pas rrugëve të saj, mos devijo nëpër shtigjet e saj,

26 sepse ka rrëzuar shumë të plagosur për vdekje, dhe tërë ata që ajo ka vrarë ishin burra të fortë.

27 Shtëpia e saj është rruga e Sheolit që zbret në thellësitë e vdekjes.

A nuk bërtet vallë dituria dhe maturia a nuk e bën zërin e saj të dëgjohet?

Ajo qëndron në këmbë mbi majën e lartësive, gjatë rrugës, në kryqëzimet e rrugëve;

bërtet pranë portave, në hyrje të qyteteve, në prag të dyerve;

"Ju drejtohem juve, o njerëz dhe zëri im u drejtohet bijve të njeriut.

Kuptoni, o njerëz të thjeshtë, maturinë, dhe ju, njerëz pa mend, kini një zemër të urtë.

Më dëgjoni, sepse do të flas për gjëra të rëndësishme dhe buzët e mia do të hapen për të thënë gjëra të drejta.

Sepse goja ime do të shpallë të vërtetën; pabesia është e neveritshme për buzët e mia.

Të gjitha fjalët e gojës sime janë të drejta, në to nuk ka asgjë të shtrembër dhe të çoroditur.

Janë të gjitha të drejta për atë që ka mend dhe për ata që kanë gjetur dijen.

10 Pranoni mësimin tim dhe jo argjendin, dijen në vend të arit të zgjedhur,

11 sepse dituria vlen më tepër se margaritarët, të gjitha gjërat që dikush mund dikush të dëshiroje nuk barazohen me të.

12 Unë, dituria, rri me maturinë dhe e gjej dijen në meditim.

13 Frika e Zotit është të urresh të keqen; unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur.

14 Mua më takon mendimi dhe dituria e vërtetë; unë jam zgjuarsia, mua më përket forca.

15 Nëpërmjet meje mbretërojnë mbretërit dhe princat vendosin drejtësinë.

16 Nëpërmjet meje qeverisin krerët, fisnikët, tërë gjykatësit e tokës.

17 Unë i dua ata që më duan, dhe ata që më kërkojnë me kujdes më gjejnë.

18 Me mua janë pasuria dhe lavdia, pasuria që zgjat dhe drejtësia.

19 Fryti im është më i mirë se ari, po, se ari i kulluar, dhe prodhimi im më tepër se argjendi i zgjedhur.

20 Unë eci në rrugën e drejtësisë, në mes të shtigjeve të drejtësisë,

21 për t’i bërë ata që më duan të trashëgojnë pasurinë e vërtetë dhe për të mbushur thesaret e tyre.

22 Zoti më zotëroi në fillim të rrugës së tij, përpara veprave të tij më të lashta.

23 U vendosa nga amshimi, që në krye, para se toka të ekzistonte.

24 Më prodhuan kur nuk kishte ende humnera, kur nuk kishte burime me ujë të bollshëm.

25 Më prodhuan para se themelet e maleve të ishin përforcuar, para kodrinave,

26 kur nuk kishte sajuar ende as tokën, as fushat dhe as plisat e para të dheut.

27 Kur ai fiksonte qiejtë, unë isha aty; kur bënte një rreth mbi sipërfaqen e humnerës,

28 kur i bënte të qëndrueshëm qiejtë e epërm, kur përforconte burimet e humnerës,

29 kur i caktonte detit caqet e tij në mënyrë që ujërat të mos kalonin përtej urdhërit të tij, kur vendoste themelet e dheut,

30 unë isha pranë tij si një arkitekt, isha çdo ditë kënaqësia e tij, duke u gëzuar çdo çast para tij;

31 kënaqesha në pjesën e banueshme të botës dhe gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve.

32 Tani, pra, më dëgjoni, o bij; lum ata që ndjekin rrugët e mia!

33 Dëgjoni këto mësime, tregohuni të urtë dhe mos i hidhni poshtë!

34 Lum ai njeri që më dëgjon, duke u gdhirë çdo ditë te portat e mia dhe duke ruajtur shtalkat e portave të mia.

35 Sepse ai që më gjen, gjen jetën, dhe siguron përkrahjen e Zotit.

36 Por ai që mëkaton kundër meje, i bën të keqe vetvetes; të gjithë ata që më urrejnë duan vdekjen".

Dituria ka ndërtuar shtëpinë e saj, ka gdhendur shtatë shtyllat e saj.

Ka vrarë kafshët e saj, ka përzier verën e saj dhe shtruar tryezën e saj.

Ka dërguar jashtë shërbëtoret e saj; nga vendet më të larta të qytetit ajo thërret:

"Ai që është budalla të vijë këtu!". Atij që i mungon gjykimi i thotë:

"Ejani, hani nga buka ime dhe pini verën që kam përzier.

Lëreni budallallëkun dhe do të jetoni, ecni në rrugën e arsyes".

Ai që korrigjon tallësin tërheq mbi vete të shara, dhe ai që qorton të pabesin merr të shara.

Mos qorto tallësin sepse ai do të të urrejë; qorto të urtin dhe ai do të të dojë.

Mësoje të urtin dhe ai do të bëhet edhe më i urtë. Mësoje të drejtin dhe ai do të rritë diturinë e tij.

10 Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia.

11 Sepse nëpërmjet meje do të shumohen ditët e tua dhe do të të shtohen vite jete.

12 Në rast se je i urtë, je i urtë për veten tënde; në rast se je tallës, pasojat do t’i kesh vetëm ti.

13 Gruaja budallaqe është zhurmëmadhe, aspak e zgjuar dhe nuk di asgjë.

14 Rri ulur te porta e shtëpisë së saj, mbi një fron në vendet e larta të qytetit,

15 për të ftuar ata që kalojnë nëpër rrugë, që shkojnë drejt në rrugën e tyre:

16 "Ai që është budalla të vijë këtu!". Dhe atij që i mungon arsyeja i thotë:

17 "Ujërat e vjedhura janë të ëmbla; buka që hahet fshehurazi është e shijshme".

18 Por ai nuk e di që atje janë të vdekurit, që të ftuarit e saj janë në thellësinë e Sheolit.