Add parallel Print Page Options

12 Miriami dhe Aaroni iu kundërvunë Moisiut me fjalë për shkak të gruas etiopase me të cilën qe martuar; në fakt ai qe martuar me një grua etiopase.

Dhe i thanë: "Mos vallë Zoti ka folur vetëm me anë të Moisiut? A nuk ka folur ai edhe nëpërmjet nesh?". Dhe Zoti dëgjoi.

(Sepse Moisiu ishte një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut).

Zoti u tha menjëherë Moisiut, Aaronit dhe Miriamit: "Ju të tre dilni dhe shkoni në çadrën e mbledhjes". Kështu ata të tre dolën.

Atëherë Zoti zbriti në një kolonë reje, u ndal në hyrjen e çadrës dhe thirri Aaronin dhe Miriamin; që të dy i erdhën përpara.

Pastaj Zoti tha: "Dëgjoni tani fjalët e mia! Në se ka një profet midis jush, unë, Zoti i bëhem i njohur atij në vegim, flas me të në ëndërr.

Por nuk veproj kështu me shërbëtorin tim Moisi, që është besnik në tërë shtëpinë time.

Me të unë flas sy për sy, duke bërë që ai të më shohë, dhe jo me shprehje të errëta; dhe ai sodit dukjen e Zotit. Pse nuk keni pasur frikë të flisni kundër shërbëtorit tim, kundër Moisiut?".

Kështu zemërimi i Zotit u ndez kundër tyre, pastaj ai u largua.

10 Kur reja u tërhoq nga pjesa e sipërme e çadrës, Miriami ishte bërë lebroze e bardhë si bora; Aaroni e shikoi Miriamin, dhe ja, ajo ishte lebroze.

11 Aaroni i tha Moisiut: "O zoti im, mos na ngarko me fajin që kemi kryer nga budallallëku dhe mëkatin që kemi bërë.

12 Mos lejo që ajo të jetë si një e vdekur, mishi i së cilës është gjysmë i konsumuar kur del nga barku i nënës së saj!".

13 Kështu Moisiu i thirri Zotit, duke i thënë: "Shëroje, o Perëndi, të lutem!".

14 Atëherë Zoti iu përgjegj Moisiut: "Po ta kishte pështyrë i ati në fytyrë, nuk do të ishte ndofta e turpëruar shtatë ditë? Izolojeni, pra, jashtë kampit shtatë ditë; pastaj pranojeni përsëri".

15 Miriamin e izoluan jashtë kampit për shtatë ditë; dhe populli nuk e filloi marshimin e tij deri sa Miriami të ripranohej në kamp.

16 Pastaj populli u nis nga Hatserothi dhe ngriti kampin e tij në Paran.

13 Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

"Dërgo njerëz të kqyrin vendin e Kanaanit që unë po u jap bijve të Izraelit. Do të dërgoni një nga çdo fis i etërve të tyre; të gjithë të jenë nga princat e tyre".

Kështu Moisiu i nisi nga shkretëtira e Paranit, simbas urdhrit të Zotit; të gjithë këta ishin krerë të bijve të Izraelit.

Këta ishin emrat e tyre: Shamua, bir i Zakurit, për fisin e Rubenit;

Shafati, bir i Horit, për fisin e Simeonit;

Kalebi, bir i Jefunehut, për fisin e Judës;

Igali, bir i Jozefit, për fisin e Isakarit;

Hoshea, bir i Nunit, për fisin e Efraimit;

Palti, bir i Rafut, për fisin e Beniaminit;

10 Gadieli, bir i Sodit, për fisin e Zabulonit;

11 Gadi, bir i Susit, për fisin e Jozefit, domethënë për fisin e Manasit;

12 Amieli, bir i Gemalit, për fisin e Danit;

13 Seturi, bir i Mikaelit, për fisin e Asherit;

14 Nahbi, bir i Vofsit, për fisin e Neftalit;

15 Geueli, bir i Makit, për fisin e Gadit.

16 Këto janë emrat e personave që Moisiu dërgoi për të vëzhguar vendin. Moisiu i vuri Hosheas, birit të Nunit, emrin e Jozueut.

17 Moisiu, pra, i dërgoi për të vëzhguar vendin e Kanaanit dhe u tha atyre: "Ngjituni që këtej në Negev dhe pastaj në krahinën malore,

18 për të parë si është vendi, në qoftë se populli që banon aty është i fortë apo i dobët, i pakët në numër apo i shumtë;

19 si është vendi ku banon, i mirë apo i keq, si janë qytetet në të cilat jeton, a ka kampe ose vende të fortifikuara;

20 dhe si është toka, pjellore apo e varfër, në rast se ka pemë ose jo. Bëhuni trima dhe sillni frytet nga ky vend". Ishte koha kur kishte filluar të piqej rrushi.

21 Ata u ngjitën, pra, dhe vëzhguan vendin e Tsinit deri në Rehob, duke hyrë në të nga ana e Hamathit.

22 U ngjitën përmes Negevit dhe shkuan deri në Hebron, ku ishin Ahimani, Sheshai dhe Talmai, pasardhës të Anakut. (Hebronin e kishin ndërtuar shtatë vjet para Tsoanit në Egjipt).

23 Arritën pastaj deri në luginën e Eshkolit, ku prenë një degë me një vile rrushi, që e mbanin që të dy me një purtekë; dhe morën gjithashtu shegë dhe fiq.

24 Ky vend u quajt lugina e Eshkolit, për shkak të viles së rrushit që bijtë e Izraelit prenë aty.

25 Mbas dyzet ditësh ata u kthyen nga vëzhgimi i vendit,

26 dhe shkuan të takojnë Moisiun, Aaronin dhe tërë asamblenë e bijve të Izraelit në shkretëtirën e Paranit, në Kadesh; para tyre dhe tërë asamblesë paraqitën një raport dhe u treguan pemët e vendit.

27 Kështu para tij raportuan duke thënë: "Ne arritëm në vendin ku na dërgove; aty rrjedh me të vërtetë qumësht dhe mjaltë, dhe këto janë pemët e tij.

28 Por populli që banon në këtë vend është i fortë, qytetet janë të fortifikuara dhe shumë të mëdha; dhe aty pamë edhe pasardhësit e Anakut.

29 Amalekitët banojnë në krahinën e Negevit; Hitejtë, Gebusejtë dhe Amorejtë banojnë përkundrazi në krahinën malore, ndërsa Kananejtë banojnë pranë detit dhe gjatë Jordanit".

30 Atëherë Kalebi e qetësoi popullin që murmuriste kundër Moisiut dhe tha: Le të ngjitemi menjëherë dhe ta pushtojmë vendin, sepse këtë mund ta bëjmëë me siguri".

31 Por njerëzit që kishin shkuar me të thanë: "Nuk mund të sulemi kundër këtij populli, sepse është më i fortë se ne".

32 Kështu i paraqitën një informacion të keq për vendin që kishin vëzhguar duke thënë: "Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend që i ha banorët e tij; dhe të gjithë njerëzit që kemi parë në të janë njerëz me shtat të lartë.

33 Përveç kësaj aty pamë gjigantë (pasardhësit e Anakut rrjedhin nga gjigantët), përballë të cilëve na dukej se ishim karkaleca, dhe kështu duhet t’u dukeshim atyre".

14 Atëherë tërë asambleja ngriti zërin dhe filloi të bërtasë; dhe atë natë populli qau.

Dhe të gjithë bijtë e Izraelit murmurisnin kundër Moisiut dhe kundër Aaronit dhe tërë asambleja u tha atyre: "Sikur të kishim vdekur në vendin e Egjiptit ose të kishim vdekur në këtë shkretëtirë!

Pse Zoti na çon në këtë vend që të biem nga goditja e shpatave? Gratë dhe fëmijët tanë do të bëhen pre e armikut. A nuk do të ishte më mirë për ne të kthehemi në Egjipt?".

Dhe i thanë njëri tjetrit: "Të zgjedhim një kryetar dhe të kthehemi në Egjipt!".

Atëherë Moisiu dhe Aaroni ranë përmbys përpara tërë asamblesë së mbledhur të bijve të Izraelit.

Jozueu, bir i Nunit, dhe Kalebi, bir i Jenufehut, që ishin ndër ata që kishin vëzhguar vendin, grisën rrobat e tyre,

dhe i folën kështu asamblesë së bijve të Izraelit: "Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend i mirë, shumë i mirë.

Në rast se Zoti kënaqet me ne, do të na çojë në këtë vend dhe do të na japë neve, "një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë".

Vetëm mos ngrini krye kundër Zotit dhe mos kini frikë nga populli i vendit, sepse ai do të jetë ushqimi ynë; mbrojtja e tyre është larguar nga ata dhe Zoti është me ne; mos kini frikë nga ata".

10 Atëherë tërë asambleja foli për t’i vrarë me gurë; por lavdia e Zotit iu shfaq në çadrën e mbledhjes tërë bijve të Izraelit.

11 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Deri kur do të më përçmojë ky popull? Dhe deri kur do të refuzojnë të besojnë pas gjithë atyre mrekullive që kam bërë në mes të tyre?

12 Unë do ta godas me murtajë dhe do ta shkatërroj, por do të bëj prej teje një komb më të madh dhe më të fuqishëm se ai".

13 Moisiu i tha Zotit: "Por do ta dëgjojnë Egjiptasit, nga mesi i të cilëve e ke ngritur këtë popull për fuqinë tënde,

14 dhe do t’ia bëjnë të ditur banorëve të këtij vendi. Ata kanë dëgjuar që ti, o Zot, je në mes të këtij populli, i shfaqesh atij sy për sy, që reja jote qëndron mbi ta dhe që ecën para tyre ditën në një kolonë reje dhe natën në një kolonë të zjarrtë.

15 Tani në se e bën këtë popull të vdesë si një njeri të vetëm, kombet që kanë dëgjuar namin tënd do të flasin, duke thënë:

16 "Me qenë se Zoti nuk ka qenë i zoti ta futë këtë popull në vendin që ishte betuar t’i jepte, e vrau në shkretëtirë".

17 Por tani, të lutem, le të shfaqet fuqia e Zotit tim në madhështinë e saj, ashtu si fole duke thënë:

18 "Zoti është i ngadaltë në zemërim dhe i madh në mëshirë; ai fal padrejtësinë dhe mëkatin, por nuk lë pa ndëshkuar fajtorin, duke dënuar paudhësinë e etërve te bijtë, deri në brezin e tretë ose të katërt".

19 Fale paudhësinë e këtij populli, me madhështinë e mëshirës sate, ashtu siç e ke falur këtë popull nga Egjipti deri këtu".

20 Atëherë Zoti tha: "Unë fal, ashtu si kërkove ti;

21 por, ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, e gjithë toka do të jetë plot me lavdinë e Zotit,

22 dhe tërë këta njerëz që kanë parë lavdinë time dhe mrekullitë që kam bërë në Egjipt e në shkretëtirë, dhe më kanë tunduar dhjetë herë dhe nuk e kanë dëgjuar zërin tim,

23 me siguri nuk kanë për ta parë vendin që u betova t’u jap etërve të tyre. Askush nga ata që më kanë përçmuar nuk ka për ta parë;

24 por shërbëtorin tim Kaleb, duke qenë se veproi i shtyrë nga një frymë tjetër e më ka ndjekur plotësisht, unë do ta fus në vendin ku ka shkuar; dhe pasardhësit e tij do ta zotërojnë.

25 Amalekitët dhe Kananejtë banojnë në luginë, nesër kthehuni prapa dhe nisuni drejt shkretëtirës, në drejtim të Detit të Kuq".

26 Zoti u foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:

27 "Deri kur do të duroj këtë asamble të keqe që murmurit kundër meje? Unë dëgjova murmuritjet që bëjnë bijtë e Izraelit kundër meje.

28 U thuaj atyre: Ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, thotë Zoti, unë do t’ju bëj atë që kam dëgjuar prej jush.

29 Kufomat tuaja do të bien në këtë shkretëtirë; ju të gjithë që jeni regjistruar, nga mosha njëzet vjeç e lart, dhe që keni murmuritur kundër meje,

30 nuk do të hyni me siguri në vendin ku u betova se do të banoni, me përjashtim të Kalebit, birit të Jefunehut, dhe të Jozueut, birit të Nunit.

31 Të vegjlit tuaj përkundrazi, që ju thatë se do të ishin viktima të armiqve, do t’i fus; dhe ata do të njohin vendin që ju keni përçmuar.

32 Por sa për ju, kufomat tuaja do të bien në këtë shkretëtirë.

33 Dhe bijtë tuaj do të kullosin kopetë në shkretëtirë dyzet vjet me radhë dhe do të mbajnë ndëshkimin për pabesitë tuaja, deri sa të treten kufomat tuaja në shkretëtirë.

34 Në bazë të numrit të ditëve që keni përdorur për të vëzhguar vendin, domethënë dyzet ditë, për çdo ditë do të mbani fajin tuaj një vit, gjithsej, pra, dyzet vjet; dhe kështu do të kuptoni se ç’do të thotë që unë jam tërhequr nga ju.

35 Unë, Zoti, fola; me siguri, kështu do të veproj kundër gjithë kësaj asambleje të keqe që u mblodh kundër meje; në këtë shkretëtirë do të treten dhe këtu do të vdesin".

36 Njerëzit që Moisiu kishte dërguar për të vëzhguar vendin, mbas kthimit të tyre e kishin shtyrë tërë asamblenë të murmuriste kundër tij, duke paraqitur një raport të keq për vendin,

37 ata njerëz, që kishin përpiluar raportin e keq për vendin, vdiqën nga një plagë përpara Zotit.

38 Por Jozueu, bir i Nunit, dhe Kalebi, bir i Jefunehut, mbetën të gjallë midis gjithë atyre që kishin shkuar të vëzhgonin vendin.

39 Atëherë Moisiu u njoftoi këto fjalë tërë bijve të Izraelit, dhe populli ndjeu një dhimbje të thellë.

40 U ngritën herët në mëngjes dhe u ngjitën në majë të malit, duke thënë: Ja ku jemi; ne do të ngjitemi në vendin për të cilin na foli Zoti, sepsee kemi mëkatuar".

41 Por Moisiu tha: "Pse e shkelni urdhrin e Zotit? Nuk ka për t’ju dalë mbarë.

42 Mos u ngjitni, sepse do t’ju mundin armiqtë tuaj, Zoti nuk është në mes jush.

43 Para jush në fakt ndodhen Amalekitët dhe Kananejtë, dhe ju do të rrëzoheni nga shpatat e tyre; sepse jeni larguar nga rruga e Zotit, Zoti nuk do të jetë me ju".

44 Me gjithë atë ata patën guximin të ngjiten në majë të malit; por arka e besëlidhjes së Zotit dhe Moisiu nuk lëvizën nga mesi i kampit.

45 Atëherë Amalekitët dhe Kananejtë, që banonin mbi këtë mal, zbritën poshtë, i thyen dhe i vunë përpara deri në Hormah.

21 Dhe kur Jezusi kaloj përsëri në bregun tjetër me barkë, një turmë e madhe u mblodh rreth tij; dhe ai qëndroj në breg të detit.

22 Atëhere erdhi një nga krerët e sinagogës, me emër Jair, që, kur e pa, i ra ndër këmbë,

23 dhe ju lut me të madhe duke thënë: “Ime bijë është duke dhënë shpirt; eja, vëri duart mbi të që të shërohet dhe të jetojë!.”

24 Dhe ai shkoi me të. Një turmë e madhe e ndiqte dhe shtyhej rreth tij.

25 Tani një grua që kishte një fluks gjaku që prej dymbëdhjetë vjetësh

26 dhe kishte vuajtur shumë nga ana e mjekëve të ndryshëm duke shpenzuar gjithë pasurinë e vet pa kurrfarë dobie, madje duke u bërë më keq,

27 kur dëgjoi të flitej për Jezusin, u fut në turmë dhe pas shpinës preku rrobën e Jezusit,

28 sepse thoshte: “Nëse vetëm ia prek rroben e tij, do të shërohem.”

29 Dhe menjëherë rrjedha e gjakut iu ndal dhe ajo ndjeu në trupin e vet se u shërua nga ajo sëmundje.

30 Por menjëherë Jezusi, duke e ndjerë në vete që një fuqi kishte dalë prej tij, u kthye midis turmës, tha: “Kush m’i preku rrobat?

31 Dhe dishepujt e vet i thanë: “A nuk po e sheh që turma po të shtyhet nga të gjitha anët dhe ti thua: “Kush më preku?.”

32 Por ai vështronte rreth e qark për të parë atë që bëri këtë.

33 Atëhere gruaja, plot frikë e duke u dridhur, duke ditur se ç’i kishte ndodhur, erdhi dhe i ra ndër këmbë dhe i tha gjithë të vërtetën.

34 Dhe ai i tha: “Bijë, besimi yt të shëroi; shko në paqe dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!.”

35 Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën disa nga shtëpia e kryetarit të sinagogës duke thënë: “Jote bijë ka vdekur; pse e bezdis akoma Mësuesin?.”

36 Por Jezusi, sapo dëgjoi ç’u tha, i tha kryetarit të sinagogës: “Mos ki frikë, vetëm ki besim!.”

37 Dhe nuk lejoi që ta ndiqte kurrkush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit, dhe Gjonit, vëllait të Jakobit.

38 Dhe mbasi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës, pa një rrëmujë të madhe dhe njerëz që qanin dhe ulërinin me të madhe.

39 Hyri dhe u tha atyre: “Pse bërtitni e qani? Vajza nuk ka vdekur, por fle.”

40 Dhe ata e përqeshën, por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, mori me vete atin dhe nënën e vajzës dhe ata që qenë me atë, dhe hyri atje ku dergjej vajza.

41 E mori, pra, për dore vajzën dhe i tha: “Talitha kumi,” që e përkthyer do të thotë: “Vajzë, ty po të them: Çohu!.”

42 Dhe menjëherë vajza u ngrit dhe filloi të ecë. Ajo ishte në fakt dymbëdhjetë vjeçe. Dhe ata u habitën me habi të madhe.

43 Por ai urdhëroi rreptësisht që askush të mos e marrë vesh; pastaj urdhëroi që t’i japin vajzës të hajë.

Read full chapter