Add parallel Print Page Options

Profecia mbi Niniven. Libri i vegimit të Nahumit nga Elkoshi.

Zoti është një Perëndi xheloz dhe hakmarrës; Zoti është hakmarrës dhe plot tërbim. Zoti hakmerret me kundërshtarët e tij dhe e ruan zemërimin për armiqtë e tij.

Zoti është i ngadalshëm në zemërim dhe pushtetmadh, por nuk e lë pa e ndëshkuar aspak të ligun. Zoti vazhdon rrugën e tij në shakullimë dhe në furtunë dhe retë janë pluhuri i këmbëve të tij.

Ai e qorton rëndë detin dhe e than, i bën të thahen të gjithë lumenjtë. Bashani dhe Karmeli thahen dhe lulja e Libanit fishket.

Malet dridhen para tij, kodrat treten; në prani të tij toka ngrihet, po, bota dhe tërë banorët e saj.

Kush mund t’i rezistojë indinjatës së tij dhe kush mund të durojë zjarrin e zemërimit të tij? Tërbimi i tij derdhet si zjarr dhe shkëmbinjtë janë prej tij të thërmuara.

Zoti është i mirë, është një fortesë në ditën e fatkeqësisë; ai i njeh ata që kërkojnë strehë tek ai.

Por me një përmbytje të madhe ai do të kryejë një shkatërrim të plotë të vendit të tij dhe armiqtë e tij do të përndiqen nga terri.

Çfarë projektoni kundër Zotit? Ai do të kryejë një shkatërrim të plotë: fatkeqësia nuk do të ndodhë dy herë.

10 Edhe sikur të ishin si ferrat e dendura edhe të dehur nga vera që kanë pirë, ata do të gllabërohen si kashta fare e thatë.

11 Prej teje doli ai që ka kurdisur të keqen kundër Zotit, ai që ka konceptuar ligësinë.

12 Kështu thotë Zoti: "Edhe sikur të ishin plot forcë dhe të shumtë, do të kositen dhe do të zhduken. Ndonëse të kam pikëlluar, nuk do të pikëlloj më.

13 Tani do të thyej zgjedhën e saj nga trupi yt dhe do t’i shkul lidhjet e tua".

14 Por lidhur me ty Zoti ka dhënë këtë urdhër: "Emri yt nuk do të përjetësohet më. Nga tempulli i perëndive të tua do të zhduk figurat e gdhendura dhe ato të derdhura. Do të të përgatis varrin se je i neveritshëm".

15 Ja mbi male këmbët e atij që njofton lajme të mira dhe që shpall paqen! Kremto festat e tua solemne, o Judë, plotëso betimet e tua, sepse i ligu nuk do të kalojë më në mes teje; ai do të shfaroset krejt.

Ka dalë kundër teje një shkatërrues. Ruaje mirë fortesën, mbikqyr rrugën, forco ijët e tua, mblidh tërë forcat e tua.

Sepse Zoti do të rivendosë lavdinë e Jakobit dhe lavdinë e Izraelit, sepse cubat i kanë plaçkitur dhe kanë shkatërruar shermendet e tyre.

Mburoja e trimave të tij është ngjyrosur me të kuq, trimat e tij janë veshur me rroba të kuqe; ditën që ai përgatit hekuri i qerreve do të nxjerrë shkëndi si zjarri dhe do të vringëllojnë ushtat e qiparisit.

Qerret do të lëshohen me tërbim nëpër rrugë do t’u bien kryq e tërthor shesheve; do të duken si pishtarë, do të vetëtijnë si rrufe.

Ai do të kujtojë burrat e tij të fuqishëm, por ata do të pengohen në marshimin e tyre, do të sulen drejt mureve dhe mbrojtja do të përgatitet.

Portat e lumenjve do të hapen dhe pallati do të shembet.

Atë që rrinte palëvizur do ta zhveshin dhe do ta marrin; shërbëtoret e saj do të vajtojnë me zë si të pëllumbeshës, duke i rënë gjoksit.

Ndonëse Ninive i kohëve të kaluara ishte si një rezervuar uji, tani ata ikin. "Ndaluni, ndaluni!," bërtasin, por askush nuk kthehet.

Plaçkitni argjendin, plaçkitni arin! Ka thesare pa fund, pasuri të çfarëdo sendi të çmuar.

10 Ai është i shkretuar, bosh dhe i rrënuar; zemra ligështohet, gjunjët dridhen, ka një dhembje të madhe në të gjitha ijët dhe tërë fytyrat e tyre zverdhen.

11 Ku është strofka e luanëve, vendi ku ushqeheshin luanët e vegjël, ku silleshin luani, luanesha dhe të vegjëlit e saj dhe askush nuk i trembte?

12 Luani shqyente për të vegjëlit e tij, mbyste për luaneshat e tij dhe mbushte strofkat e tij me gjah dhe strofullat me gjënë e grabitur.

13 "Ja, unë jam kundër teje," thotë Zoti i ushtrive, "unë do t’i djeg dhe do t’i bëj tym qerret e tua dhe shpata do të gllabërojë luanët e tu të vegjël; unë do të zhduk grabitjen tënde nga dheu dhe zëri i lajmëtarëve të tu nuk do të dëgjohet më".

Mjerë qyteti gjakatar, që është plot me hile dhe me dhunë dhe që nuk po heq dorë nga grabitjet!

Kërcet kamxhiku, zhurmë shurdhuese rrotash, kuajsh që vrapojnë dhe qerresh që hovin,

kalorës në sulm shpata flakëruese, ushta që shndritin, një shumicë e madhe të vrarësh, të vdekur të shumtë, kufoma pa fund; pengohesh te kufomat.

Të gjitha këto për shkak të kurvërimeve të shumta të prostitutes joshëse, mjeshtre në artet magjike që i shiste kombet me kurvërimet e saj dhe popujt me artet e saj magjike.

"Ja, unë jam kundër teje," thotë Zoti i ushtrive, "unë do të ngre cepat e rrobës sate deri në fytyrë dhe do t’u tregoj kombeve lakuriqësinë tënde dhe mbretërive turpin tënd.

Do të të hedh përsipër ndyrësi, do të të bëj të neveritshme dhe do të të nxjerr te shtylla e turpit.

Do të ndodhë që të gjithë ata që do të të shikojnë do të largohen prej teje dhe do të thonë: "Ninive është shkretuar! Kujt do t’i vijë keq për të?". Ku t’i kërkoj ngushëllonjësit e saj?".

A je më e bukur se No-Amoni, që ndodhet midis kanaleve të Nilit, i rrethuar nga ujërat dhe që e kishte detin si ledh dhe detin si mur?

Etiopia dhe Egjipti ishin forca e tij dhe nuk kishin kufi; Puti dhe Libianët ishin aleatët e tij.

10 Megjithatë edhe ai u internua, shkoi në robëri; edhe fëmijët e tij u bënë copë-copë në hyrje të çdo rruge; kanë hedhur shortin mbi fisnikët e tij dhe tërë të mëdhenjtë e tij u lidhën me zinxhirë.

11 Ti gjithashtu do të jesh e dehur dhe do të fshihesh; ti gjithashtu do të kërkosh një vend të fortifikuar përpara armikut.

12 Tërë fortesat e tua do të jenë si druri i fikut me fiq të parë; po t’i shkundësh, bien në gojë të atij që i ha.

13 Ja, trupat e tua në mes teje janë si gra; portat e vendit tënd janë të hapura përpara armiqve të tu; zjarri ka gllabëruar hekurat e portave të tua.

14 Mblidh për vete ujin e nevojshëm për rrethimin, përforco fortifikimet e tua, ngjeshe argjilën, punoje llaçin, ndreqe furrën për tulla.

15 Atje zjarri do të të gllabërojë, shpata do të të shkatërrojë, do të të hajë si një larvë karkaleci; shumohu si larvat e karkalecave, shumohu si karkalecat.

16 I ke shumuar tregjet e tua më tepër se yjet e qiellit; larvat e karkalecave zhveshin çdo gjë dhe pastaj fluturojnë tutje.

17 Princat e tu janë si karkalecat, oficerët e tu si mizëri karkalecash që ndalen midis gjerdheve në ditët e ftohta; po, kur del dielli, fluturojnë tutje, por nuk dihet se ku kanë shkuar.

18 O mbret i Asirisë, barinjtë e tu po flenë, fisnikët e tu pushojnë; populli yt u shpërnda ndër male dhe kurrkush nuk po i mbledh.

19 Nuk ka ilaç për plagën tënde, plaga jote është vdekjeprurëse; të gjithë ata që do të dëgjojnë të flitet për ty, do të përplasin duart për fatin tënd. Sepse mbi kë nuk është ushtruar vazhdimisht ligësia jote?

Profecia që pati në vegim profeti Habakuk.

Deri kur, o Zot, do të bërtas dhe ti nuk do të më dëgjosh? Unë këlthas: Dhunë!,," por ti nuk jep shpëtim.

Përse më bën të shikoj paudhësinë dhe më bën të shoh çoroditjen? Përpara meje qëndron grabitja dhe dhuna, ka grindje dhe përçarja po shtohet.

Prandaj ligji nuk ka forcë dhe drejtësia nuk ia del të fitojë, sepse i pabesi e mashtron të drejtin dhe drejtësia shtrëmbërohet.

"Shikoni midis kombeve dhe këqyrni, do të mbeteni të habitur dhe të shastisur, sepse unë do të kryej në ditët tuaja një vepër, që ju nuk do ta besonit edhe sikur t’jua tregonin.

Sepse ja, unë do t’i nxis Kaldeasit, komb mizor dhe i furishëm, që përshkon dheun në gjerësinë e tij për të shtënë në dorë banesa jo të vetat.

Éshtë i tmerrshëm, i llahtarshëm; gjykimi i tij dhe dinjiteti i tij dalin nga ai vetë.

Kuajt e tij janë më të shpejtë se leopardët, më të egër se ujqërit e mbrëmjes. Kalorësit e tyre përhapen kudo, kalorësit e tyre vijnë nga larg, fluturojnë si shqiponja që sulet mbi gjahun për ta gllabëruar.

Vijnë të gjithë për të bërë dhunë, fytyrat e tyre shtyhen përpara dhe grumbullojnë robër si rëra.

10 Ai tallet me mbretërit dhe princat janë për të objekt talljeje; përqesh çfarëdo fortese, sepse mbledh pak dhe, dhe e pushton.

11 Pastaj përparon shpejt si era, kalon tutje dhe e bën veten fajtor, duke ia atribuar këtë forcë të tij perëndisë së vet".

12 A nuk je që nga fillimet, o Zot, Perëndia im, i shenjti im? Ne nuk do të vdesim, o Zot, sepse ti e ke caktuar për të bërë drejtësi dhe e ke caktuar, o Shkëmb, për të ndëshkuar.

13 Ti i ke sytë tepër të pastër për të parë të keqen dhe nuk e shikon dot paudhësinë. Pse rri dhe shikon ata që veprojnë me hile, dhe hesht kur i ligu gllabëron atë që është më i drejtë se ai?

14 Pse i bën njerëzit si peshqit e detit dhe si rrëshqanorët, që nuk kanë zot?

15 Ai i zë të gjithë me grep, i zë me rrjetën e tij dhe i mbledh me rrjetën e tij të peshkimit; pastaj kënaqet dhe ngazëllon.

16 Prandaj i bën flijime rrjetës së tij dhe djeg temjan për rrjetën e tij, sepse me to pjesa e tij është e madhe dhe ushqimi i tij i bollshëm.

17 A do të vazhdojë ai, pra, të zbrazë rrjetën e tij dhe të masakrojë kombet pa mëshirë?

Unë do të rri në vendrojën time, do të zë vend mbi kullë dhe do t’i hap sytë për të parë atë që do të më thotë dhe çfarë do të duhet t’i përgjigjem lidhur me ankesën e bërë.

Pastaj Zoti m’u përgjigj dhe tha: "Shkruaje vegimin tënd dhe gdhende mbi rrasa, që të mund të lexohet shpejt.

Sepse vegimi është për një kohë të caktuar, por në fund ai do të flasë dhe nuk do të gënjejë; në se vonon, prite, sepse me siguri do të vijë dhe nuk do të vonojë.

Ja, shpirti i është krenuar, nuk është i drejtë, por i drejti do të rrojë për shkak të besimit të tij.

Përveç kësaj vera e tradhëton njeriun krenar dhe kështu ai nuk rri në shtëpi. Ai, pra, e shton lakminë e tij si Sheoli dhe është si vdekja, sepse kurrë nuk është i kënaqur, por mbledh rreth vetes tërë kombet dhe tërë popujt.

Tërë këta a nuk do të fillojnë vallë të përdorin një proverb kundër tij dhe një gjëzë tallëse kundër tij? Ata do të thonë: "Mjerë ai që grumbullon gjëra që nuk janë të tijat (por deri kur?) dhe kush ngarkohet me pengje!".

A nuk do të ngrihen vallë papritur kreditorët e tu dhe nuk do të zgjohen torturuesit e tu? Dhe ti do të bëhesh preja e tyre.

Duke qenë se ti ke plaçkitur shumë kombe, tërë kusuri i popujve do të të plaçkitë ty për shkak të gjakut njerëzor të derdhur dhe të dhunës që i është bërë vendit, qyteteve dhe tërë banorëve të tij.

Mjerë ai që është i pangopur për fitime të mbrapshta për shtëpinë e tij, për të vendosur folenë e tij lart dhe për t’i shpëtuar fuqisë së fatkeqësisë.

10 Ti ke programuar turpin e shtëpisë sate, duke shfarosur shumë popuj, dhe ke mëkatuar kundër vetvetes.

11 Sepse guri do të këlthasë nga muri dhe trari do të përgjigjet nga dyshemeja.

12 Mjerë ai që ndërton një qytet me gjak dhe themelon një qytet me paudhësi!

13 Ja, a nuk vjen vallë nga Zoti i ushtrive që popujt të lodhen për zjarrin dhe kombet të lodhen për asgjë?

14 Sepse dheu do të mbushet me diturinë e lavdisë të Zotit, ashtu si ujërat mbushin detin.

15 Mjerë ai që i jep të pijë të afërmit të tij, duke i dhënë shishen e vet, dhe e deh për të parë lakuriqësinë e tij!

16 Ti do të ngopesh me turp dhe jo me lavdi; pi edhe ti dhe mosrrethprerja jote le të zbulohet lakuriq. Kupa në të djathtë të Zotit do të drejtohet nga ti dhe poshtërsia do të mbulojë lavdinë tënde.

17 Sepse dhuna e ushtruar në Liban do të të mbulojë, dhe shkatërrimi i kafshëve do të të mbushë me tmerr, për shkak të gjakut njerëzor të derdhur dhe të dhunës së ushtruar mbi vendin, qytetet dhe tërë banorët e tij.

18 Çfarë dobie sjell figura e gdhendur, kur gdhendësi që e ka bërë, apo një figurë e shkrirë që të mëson gënjeshtrën, që punuesi i saj të ketë besim te puna e tij, duke fabrikuar idhuj të heshtur?

19 Mjerë ai që i thotë drurit: "Zgjohu!," apo gurit të heshtur: "Çohu!". A mund t’ju mësojë ai diçka? Ja, është i mbuluar me ar dhe me argjend, por në të nuk ka asnjë frymë jete.

20 Por Zoti është në tempullin e tij të shenjtë; tërë dheu le të heshtë përpara tij.

Lutja e profetit Habakuk mbi Shigionothin.

"O Zot, unë dëgjova të folurën tënde dhe kam frikë; o Zot, bëj që të ringjallet vepra jote gjatë viteve, bëje të njohur gjatë viteve. Në zemërim e sipër, kujtoje mëshirën.

Perëndia vinte nga Temani, i Shenjti nga mali Paran. Lavdia e tij mbulonte qiejt dhe toka ishte plot me lëvdimin e tij.

Shkëlqimi i tij ishte si drita, rreze si shkëndi dilnin nga dora e tij dhe aty fshihej fuqia e tij.

Para tij ecte murtaja dhe murtaja e ethshme ndiqte hapat e tij.

Ai ndalej dhe maste tokën, shikonte dhe i bënte kombet të dridheshin; malet e përjetshëm zhdukeshin, kodrat e lashta uleshin; rrugët e tij janë të përjetshme.

Unë i shikoja në dëshpërim çadrat e Kushanit, pavijonet e vendit të Madianit dridheshin.

O Zot, a merrte zjarr vallë zemërimi yt kundër lumenjve? A ishte zemërimi yt kundër lumenjve ose tërbimi yt kundër detit, kur shkoje hipur mbi kuajt e tu, mbi qerret e tua të fitores?

Ti e ke zbuluar plotësisht harkun tënd, sipas betimeve që ke bërë mbi shigjetat e tua. Ti e ke ndarë tokën me lumenjtë.

10 Malet të panë dhe u drodhën; uragani i ujit kaloi, humnera ka bërë të dëgjohet zëri i saj dhe ka ngritur duart lart.

11 Dielli dhe hëna kanë mbetur në banesën e tyre; në dritën e shigjetave të tua lëvizën me të shpejtë, në vetëtimën e ushtës sate flakëruese.

12 Ti e ke përshkuar dheun i indinjuar, i ke shkelur kombet i zemëruar.

13 Ke dalë për të shpëtuar popullin tënd, për të shpëtuar të vajosurin tënd; ti ke goditur kokën e shtëpisë së të pabesit, duke e nxjerrë lakuriq nga themelet e deri lart.

14 Ti ke shpuar me shigjetat e tua kokën e fshatrave të tij; ata kishin ardhur si një uragan për t’i shpërndarë, duke lëshuar britma gëzimi, sikur po gllabëronin të mjerin në fshehtësi.

15 Me kuajt e tu ke ecur përmes detit, nëpërmjet një mase të madhe ujërash.

16 Kam dëgjuar dhe të përbrendshmet e mia u drodhën dhe buzët e mia u drodhën në atë zë; një krimb hyri në kockat e mia dhe një frikë e madhe më pushtoi përbrenda. Megjithatë do të rri i qetë ditën e fatkeqësisë, që do t’i vijë popullit që e mësyn.

17 Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe nuk do të ketë asnjë fryt te hardhitë, ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes dhe arat nuk do të japin më ushqim, ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat dhe nuk do të ketë më qe në stalla,

18 unë do të ngazëllohem tek Zoti dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim.

19 Zoti, Zoti, është forca ime; ai do t’i bëjë këmbët e mia si ato të durëve dhe do të më bëjë të ecë mbi lartësitë e mia". Mjeshtrit të korit. Për veglat me tela.