Add parallel Print Page Options

Unë jam njeriu që pa hidhërimin nën thuprën e tërbimit të tij.

Ai më ka udhëhequr dhe më ka bërë të eci nëpër terr dhe jo në dritë.

Po, kundër meje ai ka kthyer disa herë dorën e tij tërë ditën.

Ai ka konsumuar mishin tim dhe lëkurën time, ka coptuar kockat e mia.

Ka ndërtuar fortesa kundër meje, më ka rrethuar me hidhërim dhe me ankth.

Ka bërë që unë të banoj në vende plot errësirë, ashtu si të vdekurit prej shumë kohe.

Më ka ndërtuar një mur rreth e qark, me qëllim që unë të mos dal; e ka bërë të rëndë zinxhirin tim.

Edhe kur bërtas dhe kërkoj ndihmë me zë të lartë, ai nuk pranon të dëgjojë lutjen time.

Ai i ka mbyllur rrugët e mia me gurë të prerë, i ka bërë shtigjet e mia plot me prita.

10 Ai ka qenë për mua si një ari në pritë, si një luan në vende të fshehta.

11 Ka devijuar rrugët e mia, më ka coptuar dhe më ka dëshpëruar.

12 Ka nderur harkun e tij dhe më ka bërë objekt të shigjetave të tij.

13 Ka bërë të depërtojnë në zemrën time shigjetat e kukurës së tij.

14 Jam bërë tallja e tërë popullit tim, kënga e tij e tërë ditës.

15 Më ka ngopur me hidhërim, më ka bërë të pij pelin.

16 Më ka coptuar dhëmbët me zall, më ka mbuluar me hi.

17 Ke larguar shpirtin tim nga paqja, kam harruar mirëqënien.

18 Kam thënë: "Éshtë zhdukur besimi im dhe shpresa ime tek Zoti".

19 Kujtohu për pikëllimin dhe për endjen time, për pelinin dhe hidhërimin.

20 Shpirti im kujtohet gjithnjë për këtë dhe është i rrëzuar brenda meje.

21 Këtë dua ta sjell në mëndje dhe prandaj dua të shpresoj.

22 Éshtë një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht.

23 Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikeria jote.

24 "Zoti është pjesa ime," thotë shpirti im, "prandaj do të kem shpresë tek ai.

25 Zoti është i mirë me ata që kanë shpresë tek ai, me shpirtin që e kërkon.

26 Gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit.

27 Gjë e mirë është për njeriun të mbajë zgjedhën në rininë e tij.

28 Le të ulet i vetmuar dhe të qëndrojë në heshtje kur Perëndia ia imponon.

29 Le ta vërë gojën e tij në pluhur, ndofta ka ende shpresë.

30 Le ti japë faqen atij që e godet, të ngopet me fyerje.

31 Sepse Zoti nuk hedh poshtë për gjithnjë;

32 por, në rast se të hidhëron, do ti vijë keq sipas shumicës së zemërmirësive të tij,

33 sepse nuk e bën me kënaqësi poshtërimin dhe hidhërimin e bijve të njerëzve.

34 Kur dikush shtyp nën këmbët e tij tërë robërit e dheut,

35 kur dikush shtrëmbëron të drejtën e një njeriu në prani të Më të Lartit,

36 kur dikujt i bëhet një padrejtësi në çështjen e tij, a nuk e shikon Zoti?

37 Vallë kush thotë diçka që më pas realizohet, në rast se Zoti nuk e ka urdhëruar?

38 E keqja dhe e mira a nuk vijnë vallë nga goja e Më të Lartit?

39 Pse vallë ankohet një njeri i gjallë, një njeri për ndëshkimin e mëkateve të tij?

40 Le të shqyrtojmë rrugët tona, t’i hetojmë dhe të kthehemi tek Zoti.

41 Le të ngremë lart zemrat tona dhe duart tona në drejtim të Perëndisë të qiejve.

42 Ne kemi kryer mëkate, kemi qënë rebelë dhe ti nuk na ke falur.

43 Je mbështjellë në zëmërimin tënd dhe na ke ndjekur, na ke vrarë pa mëshirë.

44 Ti je mbështjellë në një re, në mënyrë që asnjë lutje të mos kalonte dot.

45 Na ke bërë plehra dhe mbeturina në mes të popujve.

46 Tërë armiqtë tanë kanë hapur gojën kundër nesh.

47 Na ka rënë mbi trup tmerri, laku, dëshpërimi i thellë dhe shkatërrimi.

48 Rrëke uji rrjedhin nga sytë e mi për shkatërrimin e bijës së popullit tim.

49 Syri im derdh lot pa pushim, pa ndërprerje,

50 deri sa Zoti të mos vështrojë nga qielli dhe të mos shikojë.

51 Syri im i sjell dhembje shpirtit tim për të gjitha bijat e qytetit tim.

52 Ata që më urrejnë pa shkak më kanë gjuajtur si të isha zog.

53 Kanë shkatërruar jetën time në gropë, më kanë hedhur gurë.

54 Ujrat rrjedhin mbi kokën time, unë thoja: "Ka marrë fund për mua".

55 Përmenda emrin tënd, o Zot, nga thellësia e gropës.

56 Ti e dëgjove zërin tim; mos ia fshih veshin tënd psherëtimës sime, thirrjes time për ndihmë.

57 Kur të kam thirrur ti je afruar; ke thënë: "Mos ki frikë!"

58 O Zot ti ke mbrojtur çështjen e shpirtit tim, ti ke çliruar jetën time.

59 O Zot, ti ke parë dëmin që kam pësuar, prandaj mbro çështjen time!

60 Ti ke parë tërë frymën e tyre të hakmarrjes, intrigat e tyre kundër meje.

61 Ti ke dëgjuar fyerjet e tyre, o Zot, tërë intrigat e tyre kundër meje,

62 fjalimet e tyre që ngrihen kundër meje, atë që mendojnë kundër meje tërë ditën.

63 Vër re kur ulen dhe kur ngrihen, unë jam kënga e tyre.

64 Shpërbleji, o Zot, sipas veprës së duarve të tyre.

65 Bëji zemërgur, mallkimi yt qoftë mbi ta.

66 Ndiqi në zemërimin tënd dhe shkatërroi poshtë qiejve të Zotit.

Si u nxi ari, si u prish ari më i mirë! Gurët e shenjtërores u shpërndanë në hyrje të të gjitha rrugëve.

Bijtë e çmuar të Sionit që çmoheshin si ar i kulluar, vallë si u konsideruan si enë prej balte, si punë e kryer nga duart e poçarit?

Edhe çakejtë japin gjirin për të ushqyer të vegjëlit e tyre, por bija e popullit tim është bërë mizore si strucët e shkretëtirës.

Gjuha e foshnjës në gji ngjitet, në qiellzën e tij nga etja; fëmijët kërkojnë bukë, por nuk ka njeri që t’ua japë atyre.

Ata që hanin ushqime të shijshme lëngojnë nëpër rrugë; ata që ishin rritur në purpur përqafojnë plehërishten.

Ndëshkimi i paudhësisë të vajzës së popullit tim është më i madh se ndëshkimi i mëkatit të Sodomës, që u shkatërrua në një çast, pa ndërhyrjen e dorës së njeriut kundër saj.

Princat e saj ishin më të shkëlqyeshëm se bora, më të bardhë se qumështi; e kishin trupin më të kuq se koralet, fytyra e tyre ishte si një safir.

Tani pamja e tyre është më e zezë se terri; nuk njihen dot më nëpër rrugë; lëkura e tyre bashkohet me kockat e tyre, është tharë, është bërë si dru.

Të vrarët nga shpata janë më mirë se ata që vdesin nga uria, sepse këta të fundit mbarojnë të rraskapitur nga mungesa e prodhimeve të fushës.

10 Duart e grave të mëshirëshme kanë pjekur vetë fëmijët e tyre, të cilët u kanë shërbyer si ushqim, në shkatërrimin e bijës së popullit tim.

11 Zoti i dha fund tërbimit të tij, ka derdhur zemërimin e tij të zjarrtë, ka ndezur në Sion një zjarr, që ka gllabëruar themelet e tij.

12 Mbretërit e dheut dhe tërë banorët e botës nuk do të kishin besuar kurrë që kundërshtari dhe armiku do të hynin në portat e Jeruzalemit.

13 Por kjo ndodhi për shkak të mëkateve të profetëve të tij dhe për shkak të paudhësive të priftërinjve të tij, që kanë derdhur në mes të saj gjakun e njerëzve të drejtë.

14 Ata endeshin si të verbër nëpër rrugë, të ndotur me gjak, në mënyrë që askush nuk mund të prekte veshjet e tyre.

15 Sapo dukeshin njerëzit bërtisnin: "Largohuni, një i papastër! Largohuni, largohuni mos e prekni!". Kur iknin dhe shkonin duke u endur midis kombeve thonin: "Nuk do të mund të rrijnë më këtu".

16 Fytyra e Zotit i ka shpërndarë, nuk do të kthejë mbi ta shikimin e tij; nuk kanë pasur respekt për priftërinjtë dhe as kanë treguar dhembshuri për pleqtë.

17 Përveç kësaj sytë tona konsumoheshin në pritjen e një ndihme të kotë. Nga vendi ynë i vëzhgimit prisnim më kot një komb që nuk mund të na shpëtonte.

18 Na gjuanin në çdo hap, duke na penguar të ecnim nëpër sheshet tona. Fundi ynë është i afërt, ditët tona janë plotësuar, fundi ynë ka mbërritur.

19 Përndjekësit tanë kanë qenë më të shpejtë se shqiponjat e qiellit, na kanë ndjekur në malet, na kanë ngritur prita në shkretëtirë.

20 Fryma e flegrave tona, i vajosuri i Zotit është marrë në gropat e tyre, ai për të cilin thoshim: "Në hijen e tij do të jemi midis kombeve".

21 Gëzohu dhe kënaqu, o bijë e Edomit, që banon në vendin e Utsit. Edhe ty do të të vijë kupa; do të dehesh dhe do të zbulosh lakuriqësinë tënde.

22 Ndëshkimi i paudhësisë sate u krye, o bijë e Sionit. Ai nuk do të të çojë më në robëri; por do të ndëshkojë paudhësinë tënde, o bijë e Edomit, do të nxjerrë në shesh mëkatet e tua.

Kujto, o Zot, atë që na ka ndodhur, shiko dhe vër re turpin tonë.

Trashëgimia jonë u ka kaluar të huajve, shtëpitë tona njerëzve që nuk janë tanët.

Ne u bëmë jetimë, pa etër, nënat tona janë si të veja.

Duhet të paguajmë për ujët që pimë, drutë tona i kemi vetëm me pagesë.

Na ndjekin me një zgjedhë mbi qafë, jemi të rraskapitur dhe nuk kemi fare pushim.

I kemi shtrirë dorën Egjiptit dhe Asirisë për t’u ngopur me bukë.

Etërit tanë kanë mëkatuar dhe nuk janë më, dhe ne mbajmë ndëshkimin për paudhësitë e tyre.

Skllevërit sundojnë mbi ne, askush nuk mund të na çlirojë nga duart e tyre.

E nxjerrim bukën duke rrezikuar jetën tonë, përpara shpatës së shkretëtirës.

10 Lëkura jonë është ngrohur si në një furrë për shkak të valës së urisë.

11 Kanë dhunuar gratë në Sion, virgjëreshat në qytetet e Judës.

12 Krerët janë varur nga duart e tyre, personi i pleqëve nuk është respektuar.

13 Të rinjtë i vunë të bluajnë, të vegjëlit u rrëzuan nën barrën e druve.

14 Pleqtë nuk mblidhen më te porta, të rinjtë nuk u bien më veglave të tyre.

15 Gëzimi i zemrave tona është pakësuar, vallja jonë është shndërruar në zi.

16 Kurora ka rënë nga koka jonë; mjerë ne, sepse kemi mëkatuar!

17 Prandaj u sëmur zemra jonë, për këto gjëra na janë errësuar sytë:

18 për malin e Sionit që është i shkretuar dhe në të cilin sillen dhelprat.

19 Por ti, o Zot, mbetesh për jetë, dhe froni yt brez pas brezi.

20 Pse do të na harroje për jetë dhe do të na braktisje për një kohë të gjatë?

21 Na bëj që të rikthehemi te ti, o Zot, dhe ne do të kthehemi; rivendos ditët tona si në të kaluarën.

22 Mos vallë na hodhe poshtë fare apo je zemëruar me të madhe kundër nesh?

19 Duke pasur, pra, o vëllezër, liri të plotë për të hyrë në shenjtërore me anë të gjakut të Jezusit,

20 me anë të një udhe të re dhe të gjallë që ai përuroi për ne me anë të velit, domethënë të mishit të tij,

21 edhe duke pasur një kryeprift mbi shtëpinë e Perëndisë,

22 le t’i afrohemi me zemër të vërtetë, me siguri të plotë besimi, duke i pasur zemrat tona të lara prej ndërgjegjës së ligë dhe trupin të larë me ujë të kulluar.

23 Le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi.

24 Dhe le të kujdesemi për njeri tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira,

25 pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njeri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet.

26 Sepse, në qoftë se ne mëkatojmë me dashje mbasi kemi marrë dijeni të së vërtetës, nuk mbetet më asnjë flijim për mëkatet,

27 por vetëm një pritje gjyqi e tmerrshme dhe një e ndezur zjarri që do të përpijë kundërshtarët.

28 Kushdo që shkel ligjin e Moisiut vritet pa mëshirë me deponimet e dy ose tre dëshmitarëve.

29 Ç’dënim më të keq meriton, sipas mendimit tuaj, ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë dhe e ka konsideruar profan gjakun e Besëlidhjes me të cilin u shenjtërua, dhe ka fyer Frymën e hirit?

30 Sepse ne e dimë atë që ka thënë: “Hakmarrja më takon mua, unë do ta jap shpagimin,” thotë Perëndia. Dhe përsëri: “Perëndia do të gjykojë popullin e vet.”

31 Gjë e tmerrshme është të bjerë njeriu në duart e Perëndisë së gjallë.

32 Dhe tani sillni ndërmend ditët e mëparshme, në të cilat, pasi u ndriçuat, keni duruar një luftë të madhe vuajtjesh,

33 herë duke u bërë objekt fyerjesh dhe mundimesh, herë duke u solidarizuar me ata që trajtoheshin në këtë mënyrë.

34 Sepse treguat dhembje për mua në prangat e mia dhe keni pranuar me gëzim t’ju zhveshin nga pasuria juaj, duke ditur se keni për veten tuaj një pasuri më të mirë e të qëndrueshme në qiej.

35 Mos e hidhni tej guximin tuaj, që do të ketë një shpërblim të madh.

36 Sepse ju keni nevojë për ngulm që mbasi, të bëni vullnetin e Perëndisë, të merrni gjërat e premtuara.

37 “Edhe fort pak kohë, edhe ai që duhet të vijë do të vijë dhe nuk do të vonojë.

38 Dhe i drejti do të jetojë prej besimit; por ne qoftë se ndokush tërhiqet prapa, shpirti im nuk do të gjejë pëlqim në të.”

39 Por ne nuk jemi nga ata që tërhiqen prapa për humbje, por nga ata që besojnë në shpëtimin e shpirtit.

Read full chapter