Add parallel Print Page Options

Abimeleku, bir i Jerubaalit, shkoi në Sikem te vëllezërit e nënes së tij dhe foli me ta dhe me gjithë familjen e atit të nënes së tij, duke thënë:

"U thoni gjithë banorëve të Sikemit: "Ç’është më e mirë për ju, që të gjithë shtatëdhjetë bijtë e Jerubaalit të mbretërojnë mbi ju, apo të mbretërojë mbi ju vetëm një?". Dhe mos harroni që unë rrjedh nga kocka dhe mishi juaj".

Vëllezërit e nënes së tij i përhapën këto fjalë të tij tërë banorëve të Sikemit; dhe zemra e tyre anoi në dobi të Abimelekut, sepse thanë: "Éshtë vëllai ynë".

Kështu i dhanë shtatëdhjetë sikla argjendi, që i tërhoqën nga tempulli i Baal-Berithit, me të cilat Abimeleku rekrutoi njerëz pa kurrfarë vlere, por trima; dhe ata i shkuan pas.

Pastaj ai shkoi në shtëpinë e atit të tij në Ofrah dhe vrau mbi po atë gur vëllezërit e tij, të shtatëdhjetë bijtë e Jerubaalit. Por Jothami biri më i vogël i Jerubaalit, shpëtoi sepse ishte fshehur.

Atëherë tërë banorët e Sikemit dhe tërë shtëpia e Milos u mblodhën dhe shkuan ta shpallin mbret Abimelekun, pranë lisit të monumentit që gjendet në Sikem.

Kur Jothami u informua për këtë gjë, shkoi dhe zuri në majën e malit Gerezim dhe, duke ngritur zërin, thirri: "Dëgjomëni, banorë të Sikemit, dhe Perëndia të mund t’ju dëgjojë!

Një ditë drurët u nisën për të vajosur një mbret që të mbretëronte mbi ta; dhe i thanë ullirit: "Mbretëro mbi ne".

Por ulliri u përgjegj me këto fjalë: "A duhet të heq dorë nga vaji im metë cilin Perëndia dhe njerëzit nderohen, dhe të shkoj të shqetësohem për drurët?".

10 Atëherë drurët i thanë fikut: "Eja ti të mbretërosh mbi ne".

11 Por fiku iu përgjegj atyre: "A duhet të heq dorë nga ëmbëlsia ime dhe nga fruti im shumë i shijshëm dhe të shkoj të shqetësohem për drurët?".

12 Atëherë drurët iu drejtuan hardhisë: "Eja ti të mbretërosh mbi ne".

13 Por hardhia u përgjegj kështu: "A duhet të heq dorë nga vera ime e ëmbël që gëzon Perëndinë dhe njerëzit, dhe të shkoj të shqetësohem për drurët?".

14 Atëherë tërë drurët i thanë ferrës: "Eja ti të mbretërosh mbi ne".

15 Ferra iu përgjegj me këto fjalë drurëve: "Në rast se doni me të vërtetë të më vajosni si mbret për të sunduar mbi ju, ejani të strehoheni nën hijen time; përndryshe daltë një zjarr nga ferra dhe përpiftë kedrat e Libanit!".

16 Por ju nuk u suallët me besnikëri dhe me ndershmëri duke e shpallur mbret Abimelekun, nuk mbajtët një qëndrim të mirë ndaj Jerubaalit dhe shtëpisë së tij dhe nuk e keni trajtuar siç e meritonte,

17 sepse im atë ka luftuar për ju, ka rrezikuar jetën e vet dhe ju ka çliruar nga sundimi i Madianit.

18 Kurse sot ju keni ngritur krye kundër shtëpisë së atit tim, keni vrarë të shtatëdhjetë bijtë e tij mbi po atë gur dhe keni shpallur mbret të Sikemitëve Abimelekun, birin e shërbëtores, sepse është vëllai juaj.

19 Në rast se sot keni vepruar me besnikëri dhe ndershmëri ndaj Jerubaalit dhe shtëpisë së tij, atëherë e gëzofshi Abimelekun dhe ai u gëzoftë me ju!

20 Por në rast se punët nuk janë kështu, le të dalë nga Abimeleku një zjarr që të gllabërojë banorët e Sikemit dhe shtëpinë e Milos, dhe le të dalë nga banorët e Sikemit dhe nga shtëpitë e Milos një zjarr që të gllabërojë Abimelekun".

21 Pastaj Jothemi iku, ia mbathi dhe shkoi të banojë në Beer nga frika e vëllait të tij Abimelek.

22 Abimeleku sundoi tre vjet mbi Izraelin.

23 Pastaj Perëndia dërgoi një frymë të keq midis Abimelekut dhe banorëve të Sikemit, dhe banorët e Sikemit e tradhtuan Abimelekun,

24 me qëllim që dhuna e ushtruar kundër të shtatëdhjetë bijve të Jerubaalit të zgjidhej dhe gjaku i tyre të binte mbi vëllanë e tyre Abimelek, që i kishte vrarë dhe mbi banorët e Sikemit, që e kishin ndihmuar të vriste vëllezërit e tij.

25 Banorët e Sikemit vunë njerëz në pritë kundër tij në majën e maleve, dhe këta plaçkitën tërë ata që kalonin në rrugë afër tyre. Abimeleku u informua për këtë.

26 Pastaj Gaali, bir i Ebedit, dhe vëllezërit e tij erdhën dhe u transferuan në Sikem, dhe banorët e Sikemit krijuan besim tek ai.

27 Ata dolën në ara, mblodhën rrushin në vreshtat e tyre, e shtypën dhe bënë festë. Pastaj hynë në shtëpinë e zotit të tyre, hëngrën, pinë dhe mallkuan Abimelekun.

28 Gaali, bir i Ebedit, tha: "Kush është Abimeleku dhe çfarë përfaqëson Sikemi, pse duhet t’i shërbejmë? A nuk është vallë bir i Jerubaalit, dhe a nuk është Zebuli mëkëmbësi i tij? Më mirë u shërbeni njerëzve të Hamorit atit të Sikemit! Po pse u dashka që ne t’i shërbejmë këtij njeriu?

29 Po ta kisha këtë popull nën urdhrat e mia, unë do ta kisha dëbuar Abimelekun!". Pastaj i tha Abimelekut: "Forcoje ushtrinë tënde dhe më dil përpara!".

30 Kur Zebuli, qeveritar i qytetit, dëgjoi këto fjalë të Gaalit, birit të Ebedit, u zemërua shumë,

31 dhe i dërgoi fshehurazi lajmëtarë Abimelekut për t’i thënë: "Ja, Gaali, bir i Ebedit, dhe vëllezërit e tij kanë ardhur në Sikem; ata po e ngrenë qytetin kundër teje.

32 Prandaj çohu natën, ti dhe njerëzit e tu, dhe zëru pritë në fushë;

33 dhe nesër në mëngjes, sa të lindë dielli do të ngrihesh dhe do t’i sulesh qytetit. Kur pastaj Gaali me gjithë njerëzit që janë me të do të dalë kundër teje, ti do t’i bësh atë që beson se është më e përshtatshme".

34 Abimeleku dhe tërë njerëzit që ishin me të u ngritën natën dhe zunë një pritë kundër Sikemit, të ndarë në katër grupe.

35 Kur Gaali, bir i Ebedit, doli dhe u ndal në hyrjen e portës së qytetit, Abimeleku doli nga prita me gjithë njerëzit që ishin me të.

36 Duke i parë ata njerëz, Gaali i tha Zebulit: "Ja, disa njerëz që zbresin nga maja e maleve". Por Zebuli iu përgjegj: "Hijet e maleve të duken ty si njerëz".

37 Gaali nisi përsëri të flasë, duke thënë: "Shiko, ka njerëz që zbresin nga majat e lartësive të vendit, dhe një grup tjetër po vjen nga rruga e lisit të shortarëve".

38 Atëherë Zebuli i tha: "Ku e ke kapadaillëkun, kur thoje: "Kush është Abimeleku, pse duhet t’i shërbejmë?". A nuk është ky popull që ti përçmoje? Dil, pra, përpara dhe lufto kundër tij!".

39 Atëherë Gaali doli në krye të banorëve të Sikemit dhe i nisi betejën kundër Abimelekut.

40 Por Abimeleku e ndoqi dhe ai iku me vrap para tij; shumë njerëz ranë për tokë të plagosur për vdekje deri në hyrje të portës.

41 Abimeleku u ndal pastaj në Arumah, dhe Zebuli dëboi Gaalin dhe vëllezërit e tij, që nuk qëndruan dot më në Sikem.

42 Të nesërmen populli i Sikemit doli nëpër fusha; Abimeleku u informua për këtë.

43 Atëherë ai mori njerëzit e tij, i ndau në tre grupe dhe zuri pritë në fusha; kur pa që populli po dilte nga qyteti, ai u hodh kundër tij dhe bëri kërdinë.

44 Pastaj Abimeleku dhe njerëzit që ishin me të u sulën përpara dhe zunë hyrjen e portës së qytetit, kurse dy grupet e tjera u sulën mbi tërë ata që ishin nëpër fusha dhe bënë kërdinë.

45 Abimeleku e pushtoi me sulm po atë ditë qytetin dhe vrau popullin që gjendej në të; pastaj e sheshoi qytetin dhe aty hodhi kripë.

46 Kur të gjithë banorët e kalasë së Sikemit dëgjuan këtë ngjarje, u tërhoqën në kullën kryesore të tempullit të perëndisë Berith.

47 Kështu i thanë Abimelekut që tërë banorët e kalasë së Sikemit ishin mbledhur bashkë.

48 Atëherë Abimeleku u ngjit në malin Tsalmon, ai vetë bashkë me njerëzit e tij; pastaj Abimeleku kapi një sëpatë, preu degën e një druri, e ngriti dhe e vuri mbi shpatullat e tij; padstaj u tha njerëzve që ishin me të: "Atë që patë që unë bëra, bëjeni shpejt edhe ju!".

49 Kështu secili prej tyre preu një degë dhe shkoi pas Abimeleku; i vendosën degët përballë kullës kryesore dhe e dogjën atë. Kështu gjetën vdekjen gjithë njerëzit e kalasë së Sikemit, pothuajse një mijë veta, gra e burra.

50 Pastaj Abimeleku shkoi në Thebets, e rrethoi dhe e pushtoi.

51 Në mes të qytetit kishte një kullë të fortifikuar, ku ishin strehuar tërë njerëzit e qytetit, gra e burra; u mbyllën brenda dhe hipën mbi çatinë e kullës.

52 Kështu Abimeleku arriti në këmbët e kalasë dhe e sulmoi; iu afrua pastaj portës së kalasë për t’i vënë flakën.

53 Por një grua hodhi poshtë pjesën e sipërme të një mokre mbi kokën e Abimelekut dhe i theu kafkën.

54 Ai thirri menjëherë të riun që i mbante armët dhe i tha: "Nxirre shpatën dhe më vrit, që të mos thonë: "E vrau një grua!"". Kështu i riu e shpoi tejembanë dhe ai vdiq.

55 Kur Izraelitët panë që Abimeleku kishte vdekur, secili u kthye në shtëpinë e tij.

56 Kështu Perëndia ia shkarkoi Abimelekut të keqen që kishte bërë kundër atit të tij, duke vrarë shtatëdhjetë vëllezërit e tij.

57 Perëndia bëri që të binte mbi kokën e njerëzve të Sikemit tërë e keqja e bërë; kështu kundër tyre u realizua mallkimi i Jothamit, birit të Jerubaalit.

10 Pas Abimelekut doli për të shpëtuar Izraelin, Tola, bir i Puahut, biri i Dodit, njeri i Isakarit. Ai banonte në Shamir, në krahinën malore të Efraimit;

qe gjyqtar i Izraelit për njëzet e tre vjet me radhë; pastaj vdiq dhe e varrosën në Shamir.

Mbas tij doli Jairi, Galaaditi, që qe gjyqtar i Izraelit njëzet e dy vjet me radhë.

Ai kishte tridhjetë bij që u hipnin tridhjetë gomaricave dhe kishin tridhjetë qytete, që quhen edhe sot fshatrat e Jairit dhe ndodhen në vendin e Galaadit.

Pastaj Jairi vdiq dhe u varros në Kamon.

Pastaj bijtë e Izraelit filluan përsëri të bëjnë atë që është e keqe për sytë e Zotit dhe u shërbyen Baalit dhe Ashtarothit, perëndive të Sirisë, perëndive të Sidonit, perëndive të Moabit, perëndive të bijve të Amonit dhe perëndive të Filistejve; e braktisën Zotin dhe nuk i shërbyen më.

Kështu zemërimi i Zotit kundër Izraelit u ndez dhe ai i dorëzoi në duart e Filistejve dhe në duart e bijve të Amonit.

Atë vit ata u ranë më qafë dhe shtypën bijtë e Izraelit; gjatë tetëmbëdhjetë vjetve me radhë ata shtypën tërë bijtë e Izraelit që ndodheshin matanë Jordanit, në vendin e Amorejve, në Galaad.

Pastaj bijtë e Amonit kaluan Jordanin për të luftuar edhe kundër Judës, kundër Beniaminit dhe kundër shtëpisë së Efraimit; dhe Izraeli u ndodh në një situatë shumë fatkeqe.

10 Atëherë bijtë e Izraelit i klithën Zotit, duke i thënë: "Kemi mëkatuar ndaj teje, sepse kemi braktisur Perëndinë tonë dhe i kemi shërbyer Baalit".

11 Zoti u tha bijve të Izraelit: "A nuk ju çlirova unë nga Egjiptasit, nga Amorejtë, nga bijtë e Amonit dhe nga Filistejtë?

12 Kur ata të Sidonit, Amalekitët dhe Maonitët ju shtypnin dhe ju bëtë thirrje, a nuk ju çlirova nga duart e tyre?

13 Megjithatë ju më braktisët dhe u vutë në shërbim të perëndive të tjera; prandaj unë nuk do t’ju çliroj më.

14 Shkoni, pra, t’u thërrisni perëndive që keni zgjedhur; le t’ju shpëtojnë ato në kohën e fatkeqësive tuaja!".

15 Bijtë e Izraelit i thanë Zotit: "Kemi mëkatuar; bëna çfarë të duash, por na çliro sot, të lutemi shumë".

16 Atëherë hoqën nga mjedisi i tyre perënditë e huaja dhe i shërbyen Zotit që u trishtua për vuajtjet e Izraelit.

17 Pastaj bijtë e Amonit u mblodhën dhe ngritën kampin e tyre në Galaad dhe bijtë e Izraelit u mblodhën dhe ngritën kampin e tyre në Mitspah.

18 Populli, domethënë princat e Galaadit i thanë njeri tjetrit: "Kush do të jetë njeriu që do të fillojë të luftojë kundër bijve të Amonit? Ai do të jetë kreu i të gjithë banorëve të Galaadit".

17 Një ditë ndodhi që, ndërsa Jezusi po mësonte, ishin të pranishëm, ulur, disa farisenj dhe mësues të ligjit, që kishin ardhur nga të gjitha fshatrat e Galilesë, të Judesë dhe nga Jeruzalemi; dhe fuqia e Zotit ishte me të, që të kryente shërime.

18 Dhe ja, disa njerëz po sillnin mbi një vig një njeri të paralizuar dhe kërkonin ta fusnin brenda dhe ta vinin përpara tij.

19 Por, duke mos gjetur se si ta fusnin brenda për shkak të turmës, hipën mbi çatinë e shtëpisë dhe e lëshuan përmjet tjegullave me gjithë vig midis njerëzve, përpara Jezusit.

20 Dhe ai, duke parë besimin e tyre, i tha atij: “Njeri, mëkatet e tua të janë falur.”

21 Atëherë skribët dhe farisenjtë filluan të arsyetojnë duke thënë: “Kush është ky që thotë blasfemi? Kush mund t’i falë mëkatet, përveç vetëm Perëndi?.”

22 Por Jezusi, duke i njohur mendimet e tyre, e mori fjalën dhe tha: “Ç’po arsyetoni në zemrat tuaja?

23 Çfarë është më e lehtë, të thuhet: "Mëkatet e tua të janë falur," apo të thuhet: "Çohu dhe ec"?

24 Tani, pra, me qëllim që ju ta dini se Biri i njeriut ka pushtet mbi tokë të falë mëkatet, unë të them (i tha të paralizuarit), çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!.”

25 Dhe menjëherë ai njeri u ngrit përpara tyre, mori vigun mbi të cilin qe shtrirë dhe shkoi në shtëpinë e vet, duke përlëvduar Perëndinë.

26 Dhe të gjithë u habitën dhe përlëvdonin Perëndinë, dhe, plot frikë, thoshnin: “Sot pamë gjëra të mahnitshme.”

27 Dhe, mbas këtyre gjërave, ai doli dhe pa një tagrambledhës, që quhej Levi, dhe rrinte në vendin e tatimeve, dhe i tha: “Ndiqmë.”

28 Dhe ai i la të gjitha, u ngrit dhe e ndoqi.

29 Pastaj Levi i përgatiti në shtëpinë e tij një gosti të madhe, dhe një numër i madh tagrambledhësish e të tjerë rrinin në tryezë bashkë me ta.

30 Por skribët dhe farisenjtë e atij vendi murmurisnin kundër dishepujve të Jezusit duke thënë: “Përse hani dhe pini bashkë me tagrambledhës dhe mëkatarë?.”

31 Dhe Jezusi, duke u përgjegjur, u tha: “Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjek, por të sëmurët.

32 Unë nuk erdha t’i thërres të pendohen të drejtit, por mëkatarët.”

33 Atëherë ata i thanë: “Përse dishepujt e Gjonit si dhe ata të farisenjve agjërojnë shpesh dhe luten, kurse të tutë hanë dhe pinë?.”

34 Ai u përgjigj atyre: “A mund t’i bëni dasmorët të agjërojnë, derisa dhëndri është me ta?

35 Por do të vijnë ditët kur do t’ua heqin dhëndrin dhe atëherë, në ato ditë, ata do të agjërojnë.”

36 Përveç kësaj ai u tregoi një shëmbëlltyrë: “Askush nuk qep një copë të një rrobë të re mbi një rrobe të vjetër; përndryshe gjendet me rrobën e re të shqyer, dhe pjesa që u hoq nga rroba e re nuk i përshtatet së vjetrës.

37 Dhe askush nuk shtie verë të re në kacekë të vjetër; përndryshe vera e re i pëlcet kacekët, dhe ajo derdhet e kacekët shkojnë dëm.

38 Por duhet shtënë vera e re në kacekë të rinj dhe kështu që të dyja ruhen.

39 Askush që ka pirë verë të vjetër, nuk do menjëherë verë të re, sepse ai thotë: "E vjetra është më e mirë".”

Read full chapter