Add parallel Print Page Options

Pas këtyre gjërave, Jezusi përshkoi Galilenë, sepse nuk donte të endej nëpër Jude, nga që Judenjtë kërkonin ta vrisnin.

Por festa e Judenjve, ajo e Tabernakujve ishte afër.

Prandaj vëllezërit e tij i thanë: “Nisu prej këndej dhe shko në Jude, që edhe dishepujt e tu t’i shohin veprat që ti bën.

Askush në fakt nuk bën asgjë në fshehtësi kur kërkon të nijhet botërisht; kur ti do të bësh gjëra të tilla, tregohu botës!.”

Në fakt as vëllezërit e tij nuk besonin në të.

Atëherë Jezusi u tha aytre: “Koha ime nuk ka ardhur ende; por koha juaj është gjithmonë gati.

Bota nuk mund t’ju urrejë juve, por më urren mua sepse unë dëshmoj për të se veprat e saj janë të mbrapshta.

Ngjituni ju në këtë festë; unë nuk po ngjitem ende në këtë festë, sepse koha ime ende nuk është plotësuar.”

Dhe si u tha atyre këto gjëra, mbeti në Galile.

10 Mbasi vëllezërit e tij u ngjitën në festë, atëherë edhe ai u ngjit atje, jo haptas, por si fshehurazi.

11 Judenjtë, pra, e kërkonin gjatë festës dhe thoshnin: “Ku është ai?.”

12 Në turmë pëshpëritej shumë për të; disa thoshnin: “Ai është i mirë!.” Të tjerë thoshnin: “Jo, madje ai e mashtron popullin.”

13 Por askush nuk fliste haptas për të, nga druajtja e Judenjve.

14 Por, aty nga mesi i festës, Jezusi u ngjit në tempull dhe mësonte.

15 Dhe Judenjtë mrrekulloheshin duke thënë: “Si i ditka ky shkronjat, pa pasur studiuar?.”

16 Jezusi atëherë iu përgjigj atyre dhe tha: “Doktrina ime nuk është imja, por e atij që më ka dërguar.

17 Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime.

18 Kush flet nga vetja e tij kërkon lavdinë e vet, kurse ai që kërkon lavdinë e atij që e ka dërguar është i vërtetë, dhe në të nuk ka padrejtësi.

19 A nuk jua ka dhënë Moisiu ligjin? E pra, asnjë nga ju nuk e vë në praktikë ligjin. Pse kërkoni të më vritni?.”

20 Turma u përgjigj dhe tha: “Ti ke një demon; kush kërkon të të vrasë?.”

21 Jezusi u përgjigj dhe u tha: “Unë bëra një vepër dhe ju të gjithë jeni të mreku-lluar.

22 Prandaj Moisiu iu dha rrethprerjen (ajo nuk është prej Moisiut, por prej etërve); dhe ju e rrethpritni një njeri të shtunën.

23 Në qoftë se një njeri merr rrethprerjen të shtunën, që të mos shkelet ligji i Moisiut, ju zemëroheni kundër meje sepse shërova tërësishtë një njeri të shtunën?

24 Mos gjykoni sipas pamjes së jashtme, por gjykoni sipas drejtësisë!”

25 Atëherë disa nga Jeruzalemi thanë: “A nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin?

26 E megjithatë ja, ai po flet lirisht dhe nuk i thonë asgjë; mos kanë njohur krerët me të vërtetë se ai është Krishti?

27 Por ne e dimë se nga është ai; ndërsa kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë se nga është.”

28 Atëherë Jezusi, duke mësuar në tempull, thirri dhe tha: “Ju më njihni dhe e dini se nga jam, megjithatë unë s’kam ardhur nga vetja, por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe ju nuk e njihni.

29 Por unë atë e njoh, sepse jam nga ai dhe ai më dërgoi.”

30 Prandaj ata kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, sepse ora e tij s’kishte ardhur akoma.

31 Por shumë veta nga turma besuan në të dhe thoshnin: “Kur të vijë Krishti, a do të bëjë më shumë shenja se këto që ka bërë ky?.”

32 Farisenjtë dëgjuan turmën duke pëshpëritur këto gjëra për të; prandaj farisenjtë dhe krerët e priftërinjve dërguan roje për ta kapur.

33 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Unë jam edhe për pak kohë me ju, pastaj do të shkoj tek ai që më ka dërguar.

34 Do të më kërkoni e nuk do të më gjeni; dhe atje ku do të jem unë, ju nuk do të mund të vini.”

35 Prandaj Judenjtë thonin në mes tyre: “Ku do të shkojë ky që ne nuk do ta gjejmë? Mos do të shkojë tek ata që janë shpërndarë midis Grekëve, dhe të mësojë Grekët?

36 Çfarë deshi të thoshte kur tha: "Ju do të më kërkoni dhe nuk do të më gjeni"; dhe: "Atje ku do të jem unë, ju nuk mund të vini"?.”

37 Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u çua në këmbë dhe thirri duke thënë: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë.

38 Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë.”

39 Por këtë ai e tha për Frymën, që do të merrnin ata që do të besonin në të; sepse Fryma e Shenjtë në fakt nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk ishte përlëvduar.

40 Shumë veta nga turma, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshnin: “Ky është me të vërtetë Profeti!.”

41 Të tjerë thoshnin: “Ky është Krishti.” Kurse të tjerë thoshnin: “Vallë nga Galilea vjen Krishti?

42 A nuk thotë Shkrimi se Krishti vjen nga pasardhja e Davidit dhe nga Bethlehemi, fshati ku jetonte Davidi?.”

43 Kështu pati përçarje në turmë për shkak të tij.

44 Dhe disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të.

45 Atëherë rojet u kthyen te krerët e priftërinjve dhe te farisenjtë, dhe këta u thanë atyre: “Pse nuk e sollët?.”

46 Rojet u përgjigjen: “Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai njeri.”

47 Prandaj farisenjtë iu përgjigjën atyre: “Mos u gënjyet edhe ju?

48 Mos vallë ndonjë nga krerët ose nga farisenjtë besoi në të?

49 Por kjo turmë, që nuk e njeh ligjin, është e mallkuar.”

50 Nikodemi, një prej tyre, i cili natën kishte shkuar te Jezusi, u tha atyre:

51 “Ligji ynë dënon vallë një njeri para se ta ketë dëgjuar dhe ta dijë ç’ka bërë ai?.”

52 Ata u përgjigjën dhe i thanë: “Mos je edhe ti nga Galilea? Hulumto Shkrimet dhe do të shohësh se nga Galilea s’ka dalë kurrë profet.”

53 Dhe secili u kthye në shtëpinë e vet.

Dhe Jezusi shkoi në malin e Ullinjve.

Por, si zbardhi dita, u kthye përsëri në tempull dhe gjithë populli erdhi tek ai; dhe ai u ul dhe i mësonte.

Atëherë farisenjtë dhe skribët i prunë një grua që ishte kapur duke shkelur kurorën dhe, mbasi e vunë në mes,

i thanë Jezusit: “Mësues, kjo grua është kapur në flagrancë, duke shkelur kurorën.

Por në ligj Moisiu na ka urdhëruar të vriten me gurë gra të tilla, por ti ç’thua?.”

Flisnin kështu për ta vënë në provë dhe për të pasur diçka për ta paditur. Por Jezusi, duke u shtënë se nuk dëgjoi, u përkul dhe shkruante me gisht në dhe.

Dhe, kur ata vazhdonin ta pyesnin, ai u drejtua dhe u tha atyre: “Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj!.”

Pastaj u përkul përsëri dhe shkruante në dhe.

Atëherë ata, e dëgjuan këtë dhe të bindur nga ndërgjegjja, u larguan një nga një, duke filluar nga më të vjetrit e deri te të fundit; kështu Jezusi mbeti vetëm me atë grua, që qëndronte atje në mes.

10 Jezusi atëherë u ngrit dhe, duke mos parë tjetër përveç gruas, i tha: “O grua, ku janë ata që të paditnin? Askush nuk të dënoi?.”

11 Dhe ajo u përgjigj: “Askush, Zot.” Atëherë Jezusi i tha: “As unë nuk të dënoj; shko dhe mos mëkato më.”

12 Dhe Jezusi u foli atyre përsëri duke thënë: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.”

13 Atëherë farisenjtë i thanë: “Ti dëshmon për vetveten; dëshmimi yt nuk është i vërtetë.”

14 Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “Edhe pse dëshmoj për vetvete, dëshmimi im është i vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur e ku po shkoj; ju, përkundrazi, nuk e dini as nga vij dhe as ku po shkoj.

15 Ju gjykoni sipas mishit, unë nuk gjykoj asnjeri.

16 Por, edhe kur gjykoj, gjykimi im është i vërtetë, sepse unë nuk jam vetëm, por jam unë dhe Ati që më dërgoi.

17 Edhe në ligjin tuaj është shkruar se dëshmimi i dy njerëzve është i vërtetë.

18 Unë jam ai që dëshmoj për vetvete dhe Ati që më ka dërguar dëshmon për mua.”

19 Atëherë i thanë: “Ku është Ati yt?.” Jezusi u përgjigj: “Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim; po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim.”

20 Jezusi i shprehu këto fjalë në vendin e thesarit, duke mësuar në tempull dhe askush nuk e kapi, sepse nuk i kishte ardhur akoma ora.

21 Jezusi, pra, u tha atyre përsëri: “Unë po shkoj dhe ju do të më kërkoni, dhe do të vdisni në mëkatin tuaj. Atje ku shkoj unë, ju nuk mund të vini.”

22 Prandaj Judenjtë thoshnin: “Mos don të vrasë veten, sepse thotë: "Ku shkoj unë, ju nuk mund të vini"?.”

23 Dhe ai u tha atyre: “Ju jeni nga këtu poshtë, kurse unë jam nga atje lart; ju jeni prej kësaj bote, unë nuk jam prej kësaj bote.

24 Prandaj ju thashë se ju do të vdisni në mëkatet tuaja, sepse po të mos besoni se unë jam, ju do të vdisni në mëkatet tuaja.”

25 Atëherë ata i thanë: “Kush je ti?.” Dhe Jezusi u tha atyre: “Pikërisht atë që ju thashë.

26 Shumë gjëra kam për të thënë e për të gjykuar lidhur me ju; por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe gjërat që kam dëgjuar nga ai, ia them botës.”

27 Ata nuk e kuptuan se ai po u fliste atyre për Atin.

28 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Kur ta keni lartuar Birin e njeriut, atëherë do të njihni se unë jam, dhe se nuk bëj asgjë prej vetvetes, por i them këto gjëra ashtu si Ati më ka mësuar.

29 Dhe ai që më ka dërguar është me mua; Ati s’më ka lënë vetëm, sepse bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë.”

30 Ndërsa ai thoshte këto gjëra, shumë veta besuan në të.

31 Atëherë Jezusi u tha Judenjve që besuan në të: “Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi;

32 do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.”

33 Ata iu përgjigjën: “Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe s’kemi qenë kurrë sk-llevër të askujt; si mund të thuash ti: "Do të bëheni të lirë"?.”

34 Jezusi u përgjigj atyre: Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush bën mëkatin është skllav i mëkatit.

35 Por skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi; ndërsa biri rri përgjithmonë.

36 Pra, nëse Biri do t’ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë.”

37 “Unë e di se jeni pasardhësit e Abrahamit, por ju kërkoni të më vrisni, sepse fjala ime nuk gjen vend në ju.

38 Unë flas për ç’kam parë tek Ati im, dhe ju bëni gjërat që keni parë tek ati juaj.”

39 Ata, duke u përgjigjur, i thanë: “Ati ynë është Abrahami.” Jezusi u tha atyre: “Po të ishit bij të Abrahamit, do të bënit veprat e Abrahamit;

40 por ju tani kërkoni të më vrisni mua, që ju kam folur të vërtetën që kam dëgjuar nga Perëndia; Abrahami këtë nuk e bëri.

41 Ju bëni veprat e atit tuaj.” Prandaj ata i thanë: “Ne nuk lindëm nga kurvërimi; ne kemi një Atë të vetëm: Perëndinë.”

42 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Po të ishte Perëndia Ati juaj, ju do të më donit, sepse kam dalë dhe kam ardhur nga Perëndia; nuk kam ardhur, pra, nga vetja ime, por ai më ka dërguar.

43 Përse nuk e kuptoni thënien time? Sepse nuk mund të dëgjoni fjalën time.

44 Ju jeni nga djalli, që është ati juaj, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj; ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi në të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë të rrema, flet nga vetvetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i rrenës.

45 Kurse mua, duke qenë se ju them të vërtetën, nuk më besoni.

46 Cili nga ju më bind për mëkat? Nëse flas të vërtetën, përse nuk më besoni?

47 Kush është prej Perëndisë, i dëgjon fjalët e Perëndisë; prandaj ju nuk dëgjoni, se nuk jeni prej Perëndisë.”

48 Atëherë Judenjtë iu përgjigjën dhe i thanë: “A nuk themi me të drejtë se ti je Samaritan dhe se ke një demon?.”

49 Jezusi u përgjigj: “Unë s’kam një demon, por nderoj Atin tim; ju përkundrazi më çnderoni.

50 Tani unë nuk kërkoj lavdinë time, ka kush e kërkon dhe gjykon.

51 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ai që zbaton fjalën time, nuk do ta shohë kurrë vdekjen, përjetë.”

52 Pra Judenjtë i thanë: “Tani njohim se ti ke një demon. Abrahami dhe profetët kanë vdekur, kurse ti thua: "Kur njëri zbaton fjalën time, nuk do ta shijojë kurrë vdekjen, përjetë".

53 Ti qenke më i madh se ati ynë Abraham, i cili ka vdekur? Edhe profetët kanë vdekur; kush pretendon se je?.”

54 Jezusi u përgjigj: “Në qoftë se unë e përlëvdoj veten, lavdia ime s’është asgjë. Éshtë Ati im ai që më përlëvdon, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj.

55 Por ju ende s’e keni njohur, kurse unë e njoh dhe, po të thoja se nuk e njoh, do të isha një gënjeshtar si ju; por unë e njoh dhe e zbatoj fjalën e tij.

56 Abrahami, ati juaj, ngazëllohej në shpresën që të shihte ditën time; e pa dhe u gëzua.”

57 Judenjtë, pra, i thanë: “Ti ende nuk je pesëdhjetë vjeç dhe e paske parë Abrahamin?.”

58 Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam.”

59 Atëherë ata morën gurë, që t’i hidhnin kundër tij; por Jezusi u fsheh dhe doli nga tempulli, duke kaluar midis tyre; dhe kështu u largua.