Add parallel Print Page Options

41 Në muajin e shtatë ndodhi që Ishmaeli, biri i Nethaniahut, bir i Elishamas, nga fisi mbretëror dhe një ndër funksionarët e mbretit, erdhi me dhjetë njerëz te Gedaliahu, bir i Ahikamit, në Mitspah dhe hëngrën bashkë.

Pastaj Ishameli, bir i Nethaniahut, u ngrit me dhjetë burra që ishin me të dhe goditën me shpatë Gedaliahun, birin e Ahikamit, bir i Shafanit. Kështu ata vranë atë që ishte caktuar nga mbreti i Babilonisë si qeveritar i vendit.

Ishmaeli vrau gjithashtu tërë Judejtë që ishin me Gedaliahun në Mitspah dhe Kaldeasit, luftëtarë që ndodheshin atje.

Të nesërmen e ditës që kishte vrarë Gedaliahun, kur akoma askush nuk e dinte këtë gjë,

ndodhi që erdhën disa nga Sikemi, nga Shilohu dhe nga Samaria, tetëdhjetë burra me mjekër të rruar, me rroba të grisura dhe me prerje në trup; ata mbanin në duart e tyre ofertat dhe temjanin që do të paraqitnin në shtëpinë e Zotit.

Ishmaeli, bir i Nethaniahut u doli përballë në Mitspah duke vajtuar ndërsa po ecte. Kur i takoi u tha: "Ejani te Gedaljahu, bir i Ahikamit".

Por kur arritën në mes të qytetit, Ishmaeli, bir i Nethaniahut, tok me njerëzit që kishte me vete, i vrau dhe i hodhi në mes të një sterne.

Por ndër ta kishte dhjetë burra që i thanë Ishmaelit: "Mos na vrit, sepse në fushat kemi rezerva të fshehura gruri, elbi, vaji dhe mjalti". Atëherë ai u përmbajt dhe nuk i vrau me vëllezërit e tyre.

Çisterna në të cilën Ishmaeli hodhi tërë kufomat e njerëzve që kishte vrarë bashkë me Gedaliahun është ajo që mbreti Asa kishte ndërtuar nga frika e Baashas, mbretit të Izraelit. Ishmaeli, bir i Nethaniahut, e mbushi me të vrarë.

10 Pastaj Ishmaeli i çoi si robër tërë ata që kishin mbetur nga populli që gjendej në Mitspah: vajzat e mbretit dhe tërë popullin që kishte mbetur në Mitspah dhe mbi të cilin Nebuzaradani, komandanti i rojeve, kishte vendosur Gedaliahun, birin e Ahikamit. Ishmaeli, bir i Nethaniahut, i çoi si robër dhe u nis për të shkuar tek Amonitët.

11 Por kur Johanani, bir i Kareahut, dhe tërë krerët e forcave që ishin me të mësuan tërë të keqen që kishte bërë Ishmaeli, bir i Nethaniahut,

12 morën gjithë njerëzit e tyre dhe shkuan të luftojnë kundër Ishmaelit, birit të Nethaniahut, dhe e gjetën pranë hauzit të madh që është në Gabaon.

13 Kur tërë populli që ishte me Ishmaelin pa Johananin, birin e Kareahut, dhe tërë krerët e forcave që ishin me të u gëzua.

14 Kështu tërë populli që Ishmaeli e kishte sjellë si rob nga Mitspahu u kthye dhe shkoi e u bashkua me Johanianin, birin e Kareahut.

15 Por Ishmaeli, biri i Nethaniahut, mundi t’i shpëtojë Johanianit bashkë me tetë burra dhe shkoi tek Amonitët.

16 Atëherë Johanani, biri i Kareahut, dhe gjithë komandantët e forcave që ishin me të, morën nga Mitspahu tërë pjesën e popullit, që ishte rimarrë nga Ishameli, biri i Nethaniahut, mbas vrasjes nga ana e tij të Gedaliahut, birit të Ahikamit: luftëtarë trima, gra, fëmijë dhe eunukë që ai kishte sjellë nga Gabaoni.

17 Ata u nisën dhe u ndalën në Geruth-Kimhan, që ndodhet në afërsitë e Betlemit, për të vazhduar më pas udhën dhe për të shkuar në Egjipt,

18 për shkak të Kaldeasve, sepse ata kishin frikë prej tyre, me qënë se Ishmaeli, bir i Nethaniahut, kishte vrarë Gedaliahun, birin e Ahikamit, që mbreti i Babilonisë kishte emëruar si qeveritar të vendit.

42 Tërë krerët e forcave, Johanani, bir i Kareahut, Jezaniahu, bir i Hoshajahut, dhe tërë populli, nga më i vogli deri te më i madhi, u afruan

dhe i thanë profetit Jeremia: "Oh, arriftë lutja jonë para teje dhe lutju Zotit, Perëndisë tënd, për ne, për tërë këtë mbeturinë (sepse nga shumë që ishim kemi mbetur pak, si po e vë re me sytë e tu),

me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të na tregojë udhën nëpër të cilën duhet të ecim dhe atë që duhet të bëjmë".

Profeti Jeremia u tha atyre: "E mora vesh! Ja, do t’i lutem Zotit, Perëndisë tuaj, sipas fjalëve tuaja dhe do t’ju bëj të ditur tërë ato që Zoti do t’ju thotë; nuk do t’ju fsheh asgjë".

Atëherë ata i thanë Jeremias: "Zoti le të jetë dëshmitar i vërtetë dhe besnik kundër nesh, po qe se ne nuk do të veprojmë sipas çdo fjale që Zoti, Perëndia yt, do të dërgojë të na thotë nëpërmjet teje.

Qoftë përgjigjja e tij e pëlqyer ose e papëlqyer, ne do t’i bindemi zërit të Zotit, Perëndisë tonë, tek i cili po të dërgojmë me qëllim që të na vinë të mira duke iu bindur zërit të Zotit, Perëndisë tonë".

Pas dhjetë ditësh ndodhi që fjala e Zotit iu drejtua Jeremias.

Atëherë ai thirri Johananin, birin e Kareahut, tërë krerët e forcave që ishin bashkë me të dhe tërë popullin, nga më i vogli deri te më i madhi,

dhe u tha atyre: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, tek i cili më dërguat me qëllim që t’i paraqitja lutjen tuaj:

10 "Në rast se vazhdoni të rrini në këtë vend, unë do t’ju vendos dhe nuk do t’ju shkatërroj, do t’ju mbjell dhe nuk do t’ju çrrënjos, sepse po pendohem për mjerimin që kam sjellë mbi ju.

11 Mos kini frikë nga mbreti i Babilonisë, prej të cilit trembeni; mos kini frikë prej tij," thotë Zoti, "sepse unë jam me ju, për t’ju shpëtuar dhe për t’ju çliruar nga dora e tij.

12 Unë do të jem i mëshirshëm me ju me qëllim që edhe ai të jetë i mëshirshëm me ju dhe t’ju bëjë të ktheheni në vendin tuaj".

13 Por në qoftë se, duke mos iu bindur zërit të Zotit, Perëndisë tuaj, ju thoni: "Nuk duam të qëndrojmë në këtë vend,"

14 dhe thoni: "Jo, duam të shkojmë në vendin e Egjiptit, ku nuk do të shikojmë luftë as nuk do të dëgjojmë zërin e burisë dhe as nuk do të vuajmë më nga uria për bukë, dhe aty do të banojmë,"

15 e mirë, pra, dëgjoje atëherë fjalën e Zotit, o mbetje e Judës! Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Në rast se me të vërtetë keni vendosur të shkoni në Egjipt dhe shkoni aty për t’u ngulitur,

16 shpata nga e cila keni frikë do t’ju arrijë aty, në vendin e Egjiptit, dhe uria prej së cilës kishit kaq frikë do t’ju ngjitet në trup atje në Egjipt dhe aty do të vdisni.

17 Do të ndodhë, pra, që tërë ata që kanë vendosur të shkojnë në Egjipt për të banuar atje, do të vdesin nga shpata, nga uria apo nga murtaja. Asnjë prej tyre nuk do të mbetet gjallë dhe nuk do t’i shpëtojë kësaj fatkeqësie që unë do të sjell mbi ta".

18 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ashtu si zemërimi im dhe tërbimi im janë derdhur mbi banorët e Jeruzalemit, kështu tërbimi im do të derdhet mbi ju, kur të hyni në Egjipt, dhe do të bëheni objekt nëme, habije, mallkimi, turpi dhe nuk do ta shihni më këtë vend".

19 O mbetje e Judës, Zoti ju thotë: "Mos shkoni në Egjipt!". Dijeni mirë që sot ju kam paralajmëruar në mënyrë solemne.

20 Ju keni përdorur mashtrimin kundër vetes suaj, kur më dërguat tek Zoti, Perëndia juaj, duke thënë: "Lutju për ne Zotit, Perëndisë tonë, dhe tërë ato që ka për të thënë Zoti, Perëndia ynë, na i trego me besnikëri, dhe ne do t’i bëjmë".

21 Unë ua bëra të ditur sot; por ju nuk i bindeni zërit të Zotit, Perëndisë tuaj, dhe asgjëje nga ato që ka dërguar t’ju thotë nëpërmjet meje.

22 Por dijeni mirë, pra, që ju do të vdisni nga shpata nga uria dhe nga murtaja në vendin ku dëshironi të shkoni për të banuar".

43 Ndodhi që kur Jeremia mbaroi së njoftuari tërë popullit të gjitha fjalët e Zotit, Perëndisë të tyre, tërë fjalët që Zoti, Perëndia i tyre, u kishte dërguar atyre,

Azaria, bir i Hoshajahut dhe Johanani, bir i Kareahut, dhe tërë njerëzit krenarë i thanë Jeremias: "Ti flet të pavërteta; Zoti, Perëndia ynë, nuk të ka dërguar të thuash: "Mos shkoni në Egjipt për të banuar atje,"

por Baruku, bir i Neriahut, të nxit kundër nesh që të na japë në dorë të Kaldeasve, që ne të vdesim ose të na çojnë në robëri në Babiloni".

Kështu Johanani, bir i Kareahut, tërë krerët e forcave dhe tërë populli nuk iu bindën urdhrit të Zotit që të qëndronin në vendin e Judës.

Por Johanani, bir i Kareahut, dhe të gjithë krerët e forcave morën tërë të mbeturit e Judës që ishin kthyer nga të gjitha kombet ku ishin shpërndarë, për të banuar në vendin e Judës:

burrat, gratë, fëmijët, vajzat e mbretit dhe të gjithë personat që Nebuzaradani, komandanti i rojeve, kishte lënë bashkë me Gedaliahun, birin e Ahikamit, bir i Shafanit, bashkë me profetin Jeremia dhe me Barukun, birin e Neriahut,

dhe shkuan në vendin e Egjiptit, sepse nuk iu bindën zërit të Zotit, dhe arritën deri në Tahpanhes.

Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremias në Tahpanhes, duke thënë:

"Merr në duart e tua gurë të mëdhenj dhe fshihi në argjilën e furrës së tullave që ndodhet në hyrje të shtëpisë së Faraonit në Tahpanhes, në sytë të njerëzve të Judës.

10 Pastaj do t’u thuash atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë do të dërgoj të marr Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, shërbëtorin tim, dhe do të vendos fronin e tij mbi këta gurë që kam fshehur, dhe ai do të shtrijë shatorren e tij mbretërore mbi to.

11 Ai do të vijë dhe do të godasë vendin e Egjiptit, dhe do të çojë në vdekje ata që janë caktuar të vdesin, në robëri ata që janë caktuar të jenë robër dhe në shpatë ata që janë caktuar për shpatë.

12 Unë do t’u vë zjarrin tempujve të perëndive të Egjiptit; ai do t’i djegë dhe do t’i çojë në robëri dhe do të mbështillet me vendin e Egjiptit ashtu siç mbështillet bariu në veshjen e tij; pastaj do të niset që andej në paqe.

13 Do të copëtojë gjithashtu shtyllat e shenjta të tempullit të diellit, që ndodhen në vendin e Egjiptit, dhe do t’u vërë flakën tempujve të perëndive të Egjiptit".

44 Fjala që iu drejtua Jeremias lidhur me gjithë Judejtë që banonin në vendin e Egjiptit, që banonin në Migdol, në Tahpanhes, në Nof dhe në vendin e Pathrosit, duke thënë:

"Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ju keni parë gjithë të keqen që i solla Jeruzalemit dhe tërë qyteteve të Judës; ja, sot janë një shkreti dhe askush nuk banon në to,

për shkak të ligësisë që kanë kryer duke provokuar zemërimin tim, duke shkuar të djegin temjan dhe t’u shërbejnë perëndive të tjera, që as ata as etërit tuaj nuk kishin njohur kurrë.

Megjithatë unë ju kam dërguar tërë shërbëtorët e mi, profetët, me urgjencë e këmbëngulje për t’ju thënë: "Oh, mos e bëni këtë gjë të neveritshme që unë e urrej".

Por ata nuk dëgjuan as i vunë veshin që të tërhiqen nga ligësia e tyre, dhe të heqin dorë nga djegia e temjanit perëndive të tjera.

Prandaj tërbimi im, zemërimi im u derdhën dhe u përhapën në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jeruzalemit, që janë bërë të shkreta dhe të braktisura, ashtu siç janë edhe sot".

Por tani kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Pse kryeni këtë të keqe të madhe kundër vetes suaj, duke shkaktuarr shfarosjen tuaj në mes të Judës, burra dhe gra, fëmijë dhe foshnja, kështu që të mos ngelet prej jush asnjë mbetje?

Pse provokoni zemërimin tim me veprën e duarve tuaja, duke u djegur temjan perëndive të tjera në vendin e Egjiptit ku keni ardhur të banoni? Kështu do të shfaroseni dhe do të bëheni një mallkim dhe një turp për të gjitha kombet e dheut.

A keni harruar vallë ligësitë e etërve tuaj, ligësitë e mbretërve të Judës, ligësitë e bashkëshorteve të tyre, ligësitë tuaja dhe ligësitë e kryera nga bashkëshortet tuaja në vendin e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit?

10 Deri më sot nuk janë penduar, as kanë patur frikë, as kanë ecur sipas ligjit tim dhe statuteve të mia, që unë kam vënë para jush dhe etërve tuaj".

11 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë e kthej fytyrën time kundër jush për të keqen tuaj dhe për të shkatërruar tërë Judën.

12 Do të marr pjesën që ka mbetur nga Juda që nguli këmbë të vinte në vendin e Egjiptit për të banuar atje; ata do të konsumohen të gjithë dhe do të bien në vendin e Egjiptit. Do të konsumohen nga shpata dhe nga uria, nga më i vogli deri tek më i madhi; do të vdesin nga shpata dhe nga uria dhe do të bëhen objekt nëme, habije, mallkimi dhe turpi.

13 Do të dënoj ata që banojnë në vendin e Egjiptit, ashtu si dënova Jeruzalemin me shpatën, me urinë dhe me murtajën.

14 Nuk do të shpëtojë as do të shmanget nga rreziku askush nga mbetje e Judës, që ka ardhur për të banuar në vendin e Egjiptit, për t’u kthyer pastaj në vendin e Judës, ku ata dëshirojnë fort të kthehen për të banuar, por ata nuk do të kthehen me përjashtim të disa të shpëtuarve".

15 Atëherë tërë burrat që dinin se bashkëshortet e tyre u digjnin temjan perëndive të tjera dhe tërë gratë e pranishme, një turmë e madhe, dhe tërë populli që banonte në vendin e Egjiptit, në Pathros, iu përgjigjën Jeremias, duke thënë:

16 "Sa për fjalën që na ke thënë në emër të Zotit, nuk do të të dëgjojmë,

17 por kemi ndërmend të bëjmë ato që kanë dalë nga goja jonë, duke i djegur temjan Mbretëreshës së qiellit dhe duke derdhur libacione siç kemi bërë ne dhe etërit tanë, mbretërit tanë dhe princat tanë në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit, sepse atëherë kishim bukë me shumicë, ishim mirë dhe nuk shikonim asnjë fatkeqësi.

18 Por që kur nuk djegim më temjan për Mbretëreshën e qiellit nuk derdhim më libacione për të, na mungon çdo gjë dhe jemi konsumuar nga shpata dhe uria".

19 Gratë shtuan: "Kur djegim temjan për Mbetëreshën e qiellit dhe i derdhim libacione, vallë është pa pëlqimin e burrave që i përgatisim ëmbëlsira me fytyrën e saj dhe i derdhim libacione?".

20 Atëherë Jeremia i foli tërë popullit, burrave, grave dhe gjithë njerëzve që i ishin përgjigjur në atë mënyrë dhe tha:

21 "A nuk u kujtua vallë Zoti dhe nuk i erdhi ndër mend temjani që keni djegur në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit ju, etërit tuaj, mbretërit tuaj, princat tuaj dhe populli i vendit?

22 Zoti nuk mundi ta durojë më për shkak të ligësisë së veprimeve tuaja dhe të gjërave të neveritshme që keni kryer. Prandaj vendi juaj është shkretuar, është bërë një objekt habie, një mallkim dhe s’ka asnjë banor, siç është akoma sot.

23 Sepse ju keni djegur temjan dhe sepse keni mëkatuar kundër Zotit dhe nuk keni dëgjuar zërin e Zotit dhe nuk keni ecur sipas ligjit të tij, statuteve të tij dhe porosive të tij, prandaj ju ra kjo fatkeqësi, siç shihet sot".

24 Pastaj Jeremia i tha tërë popullit dhe tërë grave: "Dëgjoni fjalën e Zotit, o ju të gjithë nga Juda, që ndodheni në vendin e Egjiptit.

25 Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ju dhe bashkëshortet tuaja e keni thënë me gojën tuaj dhe e keni kryer me duart tuaja, duke thënë: "Ne duam të mbajmë betimet që kemi bërë, duke djegur temjan për Mbretëreshën e qiellit dhe duke i derdhur libacione". Po, ju me siguri do të mbani betimet tuaja dhe do ti përmbushni betimet tuaja.

26 Prandaj dëgjoni fjalën e Zotit, o ju të gjithë nga Juda që banoni në vendin e Egjiptit: Ja, unë jam betuar për emrin tim të madh, thotë Zoti, që në të gjithë vendin e Egjiptit emri im nuk do të përmendet nga goja e asnjë personi nga Juda që të thotë: "Zoti, Zoti rron!".

27 Ja, unë i kam kujdes ata për të keqen e tyre dhe jo për të mirën e tyre; dhe tërë njerëzit e Judës që ndodhen në vendin e Egjiptit do të vdesin nga shpata dhe nga uria, deri në shkatërrimin e plotë të tyre.

28 Megjithatë një numër i vogël të shpëtuarish nga shpata do të kthehet nga vendi i Egjiptit në vendin e Judës. Kështu gjithë ata që kanë mbetur nga Juda, që kanë ardhur në vendin e Egjiptit për të banuar, do të mësojnë cila fjalë do të plotësohet, imja apo ajo e tyre.

29 Dhe kjo do të jetë për ju shenja, thotë Zoti, që unë do t’ju ndëshkoj në këtë vend në mënyrë që të dini që fjalët e mia kundër jush do të plotësohen me të vërtetë për fatin tuaj të keq". Kështu thotë Zoti:

30 "Ja, unë do ta jap Faraonin Hofra, mbretin e Egjiptit, në dorë të armiqve të tij, në dorë të atyre që kërkojnë jetën e tij, ashtu siç e dhashë Sedekian, mbretin e Judës, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, që kërkonte jetën e tij".

45 Fjala që profeti Jeremia i drejtoi Barukut, birit të Neriahut, kur ky shkroi këto fjalë në një libër nën diktimin e Jeremias, në vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josias, mbreti i Judës, duke i thënë:

"Kështu të thotë ty Zoti, Perëndia i Izraelit, o Baruk:

Ti thuaj: "Mjerë unë, sepse Zoti i shton hidhërimin dhembjes sime; unë jam lodhur së rënkuari dhe nuk gjej prehje".

Kështu do t’i thuash atij: Kështu thotë Zoti: Ja unë do ta shëmb atë që kam ndërtuar dhe do ta shkul atë që kam mbjellë, dhe këtë në tërë vendin.

Dhe ti kërkon gjëra të mëdha për vete? Mos i kërko sepse, ja, unë do të sjell fatkeqësi mbi çdo mish" thotë Zoti, "por ty do të të jap jetën tënde si pre në tërë vendet ku do të shkosh".