Add parallel Print Page Options

37 Mbreti Sedekia, bir i Josias, që Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, e kishte bërë mbret në vendin e Judës, mbretëroi në vend të Koniahut, birit të Jehojakimit.

Por as ai, as shërbëtorët e tij, as populli i vendit nuk i dëgjuan fjalët që Zoti kishte shqiptuar me anë të profetit Jeremia.

Mbreti Sedekia dërgoi Jehukalin, birin e Shelemiahut, dhe priftin Sofoni, birin e Maasejahut, te profeti Jeremia për t’i thënë: "Oh, lutju për ne Zotit, Perëndisë tonë".

Jeremia shkonte e vinte në popull, sepse akoma nuk e kishin shtënë në burg.

Ndërkohë ushtria e Faraonit kishte dalë nga Egjipti; sapo Kaldeasit që rrethonin Jeruzalemin e mësuan këtë lajm, u larguan nga Jeruzalemi.

Atëherë fjala e Zotit iu drejtua profetit Jeremia, duke thënë:

"Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Do t’i thoni kështu mbretit të Judës që ju ka dërguar për t’u konsultuar me mua: Ja, ushtria e Faraonit, që kishte dalë për t’ju ndihmuar, do të kthehet në vendin e vet, në Egjipt.

Kaldeasit do të kthehen dhe do të luftojnë kundër këtij qyteti, do ta shtien në dorë dhe do ti vënë flakën".

Kështu thotë Zoti: "Mos gënjeni veten duke thënë: "Kaldeasit do të ikin me siguri nga ne," sepse nuk do të ikin.

10 Edhe sikur të arrini ta mundni tërë ushtrinë e Kaldeasve që luftojnë kundër jush dhe të mbeteshin vetëm disa të plagosur, këta do të ngriheshin secili në çadrën e vet dhe do t’i vinin flakën këtij qyteti".

11 Ndodhi që, kur ushtria e Kaldeasve u largua nga Jeruzalemi për shkak të ushtrisë së Faraonit,

12 Jeremia doli nga Jeruzalemi për të shkuar në vendin e Beniaminit për të marrë pjesën e tij të trashëgimisë në mes të popullit.

13 Por, kur arriti te porta e Beniaminit, ku ishte një kapiten roje që quhej Irijah, biri i Shelemiahut, bir i Hananiahut, ky e arrestoi profetin Jeremia, duke thënë: "Ti je bërë me Kaldeasit".

14 Jeremia u përgjigj "Nuk është e vërtetë, unë nuk po bëhem me Kaldeasit," por ai nuk ia vuri veshin. Kështu Irijahu e arrestoi Jeremian dhe e çoi te princat.

15 Princat u zemëruan me Jeremian, e rrahën dhe e futën në burg në shtëpinë e shkruesit Jonathan të cilën e kishin kthyer në burg.

16 Kur Jeremia hyri në shtëpinë e burgut të nëndheshëm, në qeli, mbeti aty shumë ditë.

17 Pastaj mbreti Sedekia dërgoi ta marrin, e pyeti fshehurazi në shtëpinë e tij dhe i tha: "A ka ndonjë fjalë nga ana e Zotit?". Jeremia u përgjigj: Po, kaa". Dhe shtoi: "Ti do të jepesh në dorë të mbretit të Babilonisë".

18 Përveç kësaj Jeremia i tha mbretit Sedekia: "Çfarë faji kam kryer kundër teje, kundër shërbëtorëve të tu ose kundër këtij populli, që më fute në burg?

19 Ku janë tani profetët tuaj që ju profetizonin duke thënë: "Mbreti i Babilonisë nuk do të vijë kundër jush as kundër këtij vendi"?

20 Tani dëgjo, të lutem, o mbret imzot, lutja ime të jetë e pëlqyer para teje dhe mos më kthe në shtëpinë e shkruesit Jonathan, që të mos vdes atje".

21 Atëherë mbreti Sedekia urdhëroi që Jeremia të ruhej në oborrin e burgut dhe t’i jepej çdo ditë një copë bukë nga rruga e furrtarëve, deri sa të mbarohej gjithë buka e qytetit. Kështu Jeremia mbeti në oborrin e burgut.

38 Shefatiahu bir i Metanit, Gedaliahu bir i Pashhurit, Jukali bir i Pashhurit, Jukali, bir i Shelemiahut, dhe Pashhuri bir i Malkiahut, dëgjuan fjalët që Jeremia i drejtonte tërë popullit, duke thënë:

"Kështu thotë Zoti: Kush do të mbetet në këtë qytet ka për të vdekur nga shpata, nga uria ose nga murtaja, por ai që do t’u dorëzohet Kaldeasve do të jetojë; do të ketë si pre e tij jetën e tij, por do të jetojë".

Kështu thotë Zoti: "Ky qytet do të jepet me siguri në dorë të ushtrisë së mbretit të Babilonisë, që do ta pushtojë atë".

Atëherë princat i thanë mbretit: "Ah, le të vritet ky njeri, sepse ligështon duart e njerëzve të luftës që kanë mbetur në këtë qytet, dhe duart e tërë popullit, duke u thënë fjalë të tilla. Ky njeri nuk kërkon mirëqënien e këtij populli, por të keqen e tij".

Atëherë mbreti Sedekia tha: "Ja ku e keni në duart tuaja, sepse mbreti nuk mund të bëjë asgjë kundër jush".

Atëherë e morën Jeremian dhe e hodhën në sternën e Malkiahut, birit të mbretit, që ishte në oborrin e burgut; dhe e zbritën në të Jeremian me litarë. Në sternë nuk kishte ujë, por vetëm baltë, dhe Jeremia u fundos në baltë.

Por Ebed-meleku, Etiopiasi, një eunuk që rrinte në shtëpinë e mbretit, dëgjoi që Jeremian e kishin vënë në sternë. Ndërsa mbreti rrinte ulur te porta e Beniaminit,

Ebed-meleku doli nga shtëpia e mbretit dhe i foli mbretit, duke i thënë:

"O mbret, imzot, këta njerëz kanë vepruar keq në tërë ato që i kanë bërë profetit Jeremia, duke e hedhur në sternë; aty brenda ai do të vdesë nga uria, sepse nuk ka më bukë në qytet".

10 Atëherë mbreti i dha këtë urdhër Etiopiasit Ebed-melek: "Merr me vete nga këtu tridhjetë burra dhe nxirre jashtë profetin Jeremia nga sterna para se të vdesë".

11 Kështu Ebed-meleku mori me vete burrat, hyri në shtëpinë e mbretit duke kaluar poshtë vendit të thesarit, mori andej rroba dhe lecka të konsumuara dhe ia zbriti me litarë Jeremias në sternë.

12 Pastaj Ebed-meleku Etiopiasi i tha Jeremias: "Oh, vëri këto rroba dhe lecka të konsumuara poshtë sqetullave, poshtë litarëve". Jeremia veproi ashtu.

13 Kështu e tërhoqën lart Jeremian me anë të litarëve dhe e bënë të dalë nga sterna. Pastaj Jeremia mbeti në kopshtin e burgut.

14 Atëherë mbreti Sedekia dërgoi të marrin profetin Jeremia dhe e bëri të vijë në hyrjen e tretë të shtëpisë të Zotit. Mbreti i tha Jeremias: "Të kërkoj një gjë; mos më fshih asgjë".

15 Jeremia iu përgjigj Sedekias: "Po të ta them, me siguri nuk do të bësh që të vdes? Dhe në qoftë se pastaj të jap një këshillë, nuk do të ma dëgjosh".

16 Kështu mbreti Sedekia iu betua fshehurazi Jeremias, duke thënë: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, që na ka dhënë këtë jetë, nuk do të bëj të vdesësh dhe nuk do të dorëzoj në dorën e këtyre njerëzve që kërkojnë jetën tënde".

17 Atëherë Jeremia i tha Sedekias: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Në rast se u dorëzohesh princave të mbretit të Babilonisë, do të shpëtosh jetën tënde; ky qytet nuk do të digjet dhe ti do të jetosh me shtëpinë tënde;

18 por në rast se nuk do t’u dorëzohesh princave të mbretit të Babilonisë, ky qytet do t’u lihet në dorë Kaldeasve që do t’i vënë flakën, dhe ti nuk do të shpëtosh nga duart e tyre".

19 Mbreti Sedekia i tha Jeremias: "Kam frikë nga Judejtë që kaluan nga ana e Kaldeasve, kam frikë se mos më japin në duart e tyre dhe të më keqtrajtojnë".

20 Por Jeremia iu përgjigj: "Nuk do të të dorëzojnë në duart e tyre. Oh, dëgjo zërin e Zotit në atë që të them; kështu do të të ecë mbarë dhe do të jetosh.

21 Por në rast se ti refuzon të dalësh, kjo është ajo që Zoti më ka treguar:

22 Ja, të gjitha gratë që kanë mbetur në shtëpinë e mbretit të Judës do të çohen te princat e mbretit të Babilonisë dhe do të thonë: "Miqtë e tu të ngushtë të kanë bërë për vete dhe kanë sunduar mbi ty; këmbët e tua janë fundosur në baltë dhe ata të kanë kthyer kurrizin".

23 Të gjitha bashkëshortet e tua dhe bijtë e tu do të çohen te Kaldeasit dhe ti nuk do të shpëtosh nga duart e tyre, por do të të zënë dhe do të të dorëzojnë në duart e mbretit të Babilonisë dhe këtij qyteti do t’i vihet zjarri".

24 Sedekia i tha Jeremias: Askush të mos i dijë këto fjalë dhe ti nuk ke për të vdekur.

25 Por në rast se princat do të mësojnë që kam folur me ty dhe do të vijnë te ti për të të thënë: "Na njofto çfarë i ke thënë mbretit dhe atë që mbreti të ka thënë ty, mos na fshih asgjë dhe nuk do të të bëjmë të vdesësh,"

26 do t’u përgjigjesh atyre: "I paraqita kërkesën time mbretit, që të mos më kthente në shtëpinë e Jonathanit për të vdekur"".

27 Tërë princat erdhën te Jeremia dhe e morën në pyetje, por ai u përgjigj duke iu përmbajtur tërë fjalëve që mbreti kishte urdhëruar; prandaj e lanë të qetë, nuk mësuan asgjë nga biseda.

28 Kështu Jeremia mbeti në oborrin e burgut deri ditën që u pushtua Jeruzalemi. Dhe ai ishte atje kur u shti në dorë Jeruzalemi.

39 Në vitin e nëntë të Sedekias, mbretit të Judës, në muajin e dhjetë, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij kundër Jeruzalemit dhe e rrethoi.

Në vitin e njëmbëdhjetë të Sedekias, në muajin e katërt, ditën e nëntë të muajit u hap një e çarë në qytet;

tërë princat e mbretit të Babilonië hynë dhe u vendosën te Porta e Mesit: Nergalsharetseri, Samgar-nebo, Sarsekimi, kreu i eunukëve, Nergalsharetseri, Rab-magu dhe tërë princat e tjerë të mbretit të Babilonisë.

Me t’i parë, Sedekia, mbreti i Judës, dhe njerëzit e luftës ua mbathën, duke dalë natën nga qyteti nëpër rrugën e kopshtit mbretëror, nëpërmjet portës ndërmjet dy mureve, dhe morën rrugën e Arabahut.

Por ushtria e Kaldeasve i ndoqi dhe arriti Sedekian në fushat e Jerikos. Kështu e kapën dhe e çuan te Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, në Riblah, në vendin e Hamathit, ku shqiptoi gjykimin e tij mbi të.

Pastaj mbreti i Babilonisë bëri që të vriten bijtë e Sedekias para syve të tij në Riblah; mbreti i Babilonisë bëri që të vriten edhe tërë fisnikët e Judës;

urdhëroi gjithashtu t’i nxjerrin sytë Sedekias dhe e lidhi me një zinxhir të dyfishtë prej bronzi për ta çuar në Babiloni.

Kaldeasit i vunë flakën shtëpisë së mbretit dhe shtëpive të popullit, dhe shkatërruan muret e Jeruzalemit.

Pastaj Nebuzaradani, komandanti i rojeve, e çoi në robëri pjesën e popullit që kishte mbetur në qytet dhe ata që kishin dezertuar nga ana e tij së bashku me pjesën e popullit që kishte mbetur.

10 Por Nebuzaradani, komandanti i rojeve, la në vendin e Judës më të varfërit e popullit që nuk kishin asgjë, duke u dhënë në atë kohë vreshta dhe ara.

11 Por për sa i përket Jeremias, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, i kishte dhënë këtë urdhër Nebuzaradanit, komandantit të rojeve, duke i thënë:

12 "Kape, mbaj sytë mbi të dhe mos i bëj asgjë të keqe, por sillu me të siç do të të thotë ai".

13 Kështu Nebuzaradani, komandanti i rojeve, Nebushazbani, kreu i eunukëve, Nergalsharetseri, Rab-magu dhe gjithë oficerët e tjerë të mbretit të Babilonisë,

14 dërguan të marrin Jeremian nga oborri i burgut dhe ia dorëzuan Gedaljahut, birit të Ahikamit, bir i Shafanit, me qëllim që ta çonte në shtëpi. Kështu ai banoi në mes të popullit.

15 Fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, kur ende ishte i mbyllur në oborrin e burgut, duke thënë:

16 "Shko dhe foli Etiopiasit Ebed-melek, duke i thënë: Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë po i realizoj mbi këtë qytet fjalët e mia për shkatërrimin e tij dhe jo për të mirën e tij, dhe atë ditë ato do të vërtetohen para teje.

17 Po atë ditë unë do të të çliroj, thotë Zoti, dhe nuk do të biesh në duart e atyre prej të cilëve ke frikë.

18 Po, unë do të të çliroj patjetër, dhe nuk do të biesh nga shpata, por jeta jote do të jetë për ty si preja jote, sepse ke vënë besimin tënd tek unë, thotë Zoti".

Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjestarë të thirrjes qiellore, vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit të besimit tonë, Jezu Krishtin,

i cili është besnik ndaj atij që e bëri, ashtu si qe edhe Moisiu në tërë shtëpinë e tij.

Sepse Jezusi është i denjë për më shumë lavdi se Moisiu, meqenëse ai që ndërton shtëpinë ka më shumë nder se shtëpia.

sepse çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt, por ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia.

Dhe Moisiu qe me të vërtetë besnik në shtëpinë e Perëndisë si shërbëtor, për të dëshmuar për të gjitha gjërat që duheshin thënë,

por Krishti, si bir, është mbi shtëpinë e tij dhe shtëpia e vet jemi ne, në qoftë se e mbajmë deri në fund guximin dhe mburrjen e shpresës.

Prandaj, sikurse thotë Fryma e Shenjtë: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij,

mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në provokim, në ditën e tundimit në shkretëtirë,

ku etërit tuaj më tunduan duke më vënë në sprovë, ndonëse i kishin parë veprat e mia dyzet vjet.

10 Prandaj u indinjova me atë brez dhe thashë: Gabojnë gjithnjë me zemër dhe nuk i njohën udhët e mia;

11 kështu u betova në mërinë time: Nuk do të hyjnë në prehjen time.”

12 Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë,

13 por nxitni njeri tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: "Sot," që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit.

14 Sepse ne jemi bërë pjestarë të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit,

15 kur thuhet: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgur si në ditën e kryengritjes.”

16 Kush janë ata që, mbasi e dëgjuan, e provokuan? A thua jo të gjithë ata që dolën nga Egjipti me anë të Moisiut?

17 Dhe kush qenë ata me të cilët u zemërua për dyzet vjet? A s’qenë vallë ata që mëkatuan, kufomat e të cilëve ranë nëpër shkretëtirë?

18 Dhe për cilët bëri be se nuk do të hynin në prehjen e tij, veç se për ata që qenë të pabindur?

19 Ne shohim se ata nuk mundën të hyjnë për shkak të mosbesimit.