Add parallel Print Page Options

18 Fjala iu drejtua Jeremias nga Zoti, duke i thënë:

"Çohu dhe zbrit në shtëpinë e poçarit, dhe atje do të dëgjosh fjalët e mia".

Atëherë unë zbrita në shtëpinë e poçarit, dhe ja ai po bënte një punë te rrota.

Por poçi që po bënte me argjilën u prish në duart e poçarit. Kështu duke e filluar përsëri punën, ai bëri me të një poç tjetër, që iu duk i mirë atij.

Atëherë fjala e Zotit m’u drejtua duke thënë:

"O shtëpi e Izraelit, a nuk mund të bëj unë me ju, ashtu siç bëri ky poçar?," thotë Zoti. "Ja, ashtu si është argjila në duart e poçarit, kështu jeni ju në duart e mia, o shtëpi e Izraelit!

Nga një herë për një komb dhe për një mbretëri, unë flas dhe them se duhet çrrënjosur, rrëzuar dhe shkatërruar;

por në rast se ai komb kundër të cilit kam folur heq dorë nga ligësia e tij, unë pendohem për të keqen që kisha menduar t’i bëja.

Herë tjetër për një komb dhe për një mbretëri, unë flas për ndërtim dhe për të mbjella;

10 por në rast se ai komb ose ajo mbretëri bën atë që është e keqe në sytë e mi, duke mos e dëgjuar zërin tim, unë pendohem për të mirën që i kisha premtuar t’i bëja.

11 Prandaj tani folu njerëzve të Judës dhe banorëve të Jeruzalemit, dhe u thuaj: Kështu thotë Zoti: Ja, unë kam përgatitur kundër jush të keqen dhe një plan kundër jush. Tani le të heqë dorë secili nga rruga e tij e keqe, përmirësoni gjithashtu rrugët dhe veprimet tuaja!".

12 Por ata thonë: "Éshtë e kotë; ne duam të ecim duke ndjekur mendimet tona dhe dëshirojmë të veprojmë sipas kryeneçësisë së zemrës sonë të keqe.

13 Prandaj kështu thotë Zoti: "Pyesni, pra, midis kombeve kush ka dëgjuar gjëra të tilla. Virgjëresha e Izraelit ka bërë një gjë të llahtarshme.

14 A do të zhduket vallë bora e Libanit nga shkëmbinjtë që lartohen përmbi vendin?, ose a do të thahen vallë ujrat e rrjedhshëm të ftohta të një toke të huaj?

15 Megjithatë populli im më ka harruar; u djegin temjan idhujve të kotë, që i kanë bërë të pengohen në rrugët e tyre, në shtigjet e lashta, për të ecur në rrugët dytësore dhe jo në rrugën kryesore,

16 duke e bërë vendin e tyre një shkatërrim, një objekt talljeje të vashdueshme; kështu që tërë ata që do të kalojnë andej do të mbeten të habitur dhe do të tundin kokën.

17 Unë do t’i shpërndaj përpara armikut ashtu si vepron era e lindjes. Ditën e mjerimit të tyre do t’u tregoj kurrizin dhe jo fytyrën".

18 Pastaj ata thanë: "Ejani dhe të kurdisim komplote kundër Jeremias, sepse ligji nuk do t’i mungojë priftit as këshilla të urtit dhe as fjala profetit. Ejani, ta godasim me gjuhën dhe të mos i kushtojmë kujdes asnjërës prej fjalëve të tij".

19 Kushtomë kujdes, o Zot, dhe dëgjo zërin e atyre që grinden me mua.

20 A shpërblehet vallë e mira me të keqen? Sepse ata i kanë hapur një gropë jetës sime. Kujto se jam paraqitur para teje për të folur në favor të tyre dhe për të larguar prej tyre zemërimin tënd.

21 Prandaj braktisi urisë bijtë e tyre dhe jepi në pushtetin e shpatës; gratë e tyre mbetshin pa fëmijë dhe të veja, burrat e tyre u plagosshin për vdekje; të rinjtë e tyre u vrafshin nga shpata në betejë.

22 U dëgjoftë një britmë nga shtëpitë e tyre, kur do të lëshosh papritmas mbi ta një aradhe ushtarësh, sepse kanë hapur një gropë për të më kapur dhe kanë ngritur leqe te këmbët e mia.

23 Por ti o Zot, i njeh tërë qëllimet e tyre kundër meje për të shkaktuar vdekjen time; mos ua fal paudhësinë e tyre, mos fshij mëkatin e tyre nga prania jote. U rrëzofshin para teje. Trajtoji ashpër ditën e zemërimit tënd.

19 Kështu ka thënë Zoti: "Shko e bli një poç balte për ujë; pastaj merr disa pleq nga populli dhe disa pleq nga priftërinjtë

dhe dil në drejtim të luginës së birit të Hinomit që ndodhet në hyrje të Portës së poçerisë dhe aty shpall fjalët që do të të them.

Do të thuash kështu: Dëgjoni fjalën e Zotit, o mbret i Judës dhe banorë të Jeruzalemit. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë do të sjell mbi këtë vend një fatkeqësi të tillë që do të bëjë të shungullojnë veshët e cilitdo që do ta dëgjojë,

sepse më kanë braktisur, kanë përdhosur këtë vend dhe u kanë djegur temjan perëndive të tjera, që nuk i njihnin as ata vetë, as etërit e tyre, as mbretërit e Judës, dhe e kanë mbushur këtë vend me gjakun e të pafajmëve;

i kanë ndërtuar vendet e larta Baalit për të djegur bijtë e tyre në zjarr si olokaust Baalit, gjë që nuk kisha urdhëruar dhe për të cilën nuk kisha folur kurrë dhe nuk më kishte shkuar ndër mend.

Prandaj ja, ditët po vijnë," thotë Zoti, "kur ky vend nuk do të quhet më Tofet,," as "Lugina e birit të Hinomit," por "Lugina e masakrës".

Unë do t’i bëj të kota qëllimet e Judës dhe të Jeruzalemit në këtë vend dhe do të bëj që të rrëzohen nga shpata përpara armiqve të tyre, dhe nga dora e atyre që kërkojnë jetën e tyre, dhe do t’ua jap kufomat e tyre si ushqim shpendëve të qiellit dhe kafshëve të tokës.

Do ta katandis këtë qytet në një shkatërrim dhe në një objekt talljeje; kushdo që do t’i kalojë pranë do të mbetet i habitur dhe do të fillojë të fishkëllojë për tërë plagët e tij.

Do të bëj të hanë mishin e bijve të tyre dhe mishin e bijave të tyre dhe do të hanë mishin e njëri tjetrit gjatë rrethimit dhe shtrëngesës në të cilat do t’i ngushtojnë armiqtë e tyre dhe ata që kërkojnë jetën e tyre.

10 Pastaj do të thyesh poçin në prani të atyre njerëzve që do të kenë ardhur me ty

11 dhe do t’u thuash atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Kështu do të copëtoj këtë popull dhe këtë qytet, ashtu si copëtohet një poç balte, që nuk mund të ndreqet më; atëherë do t’i varrosin të vdekurit në Tofet, sepse nuk do të ketë më vend për t’i varrosur.

12 Kështu do të veproj në këtë vend, thotë Zoti, dhe me banorët e tij, duke e bërë këtë qytet si Tofeti.

13 Shtëpitë e Jeruzalemit dhe shtëpitë e mbretërve të Judës do të jenë të papastra ashtu si vendi i Tofetit që janë të gjitha shtëpitë mbi çatitë e të cilave i kanë djegur temjan tërë ushtrisë së qiellit dhe u kanë bërë libacione perëndive të tjera".

14 Pastaj Jeremia u kthye nga Tofeti, ku Zoti e kishte dërguar të profetizonte, u ndal tek oborri i shtëpisë të Zotit dhe i tha tërë popullit:

15 "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë po sjell mbi këtë qytet dhe mbi të gjitha lagjet e tij të jashtme tërë të keqen që shqiptova kundër tij, sepse kanë fortësuar qafën e tyre për të mos dëgjuar fjalët e mia".

Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira,

sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë,

të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën,

tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës,

të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj; edhe nga këta largohu.

Sepse prej këtyre janë ata që futen nëpër shtëpi dhe i bëjnë për vete femrat e ngarkuara me mëkate, të sunduara nga pasione të ndryshme,

të cilat mësojnë gjithnjë dhe kurrë nuk mund të arrijnë në njohjen e plotë të së vërtetës.

Dhe sikurse Janesi dhe Jambresi i kundërshtuan Moisiut, po kështu edhe këta i kundërvihen së vërtetës; janë njerëz mendjeprishur, të neveritshëm në çështjen e besimit.

Por këta nuk do të shkojnë shumë përpara, sepse marrëzia e tyre do të dalë në shesh për të gjithë, ashtu sikurse u ngjau edhe atyre.

10 Dhe ti ndoqe nga afër mësimin tim, sjelljen, këshillat, besimin, durimin, dashurinë, ngulmin,

11 përndjekjet, vuajtjet që më ndodhën në Antioki, në Ikonio, dhe në Listra; ti e di çfarë përndjekjesh hoqa, por Perëndia më shpëtoi nga të gjitha.

12 Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen,

13 por njerëzit e këqij dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke gënjyer dhe duke u gënjyer vetë.

14 Por ti qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht, duke e ditur prej kujt i mësove,

15 dhe se që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus.

16 I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi,

17 që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.