Add parallel Print Page Options

53 Kush i ka besuar predikimit tonë dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?

Ai erdhi lart para tij si një degëz, si një rrënjë nga një tokë e thatë. Nuk kishte figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim.

I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak.

Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur.

Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.

Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.

I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën.

U çua larg nga shtypja dhe nga gjykimi; dhe nga brezi i tij kush mendoi se ai ishte larguar nga toka e të gjallëve dhe ishte goditur për shkak të shkeljeve të popullit tim?

Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët, po kur vdiq e vunë me të pasurin, sepse nuk kishte kryer asnjë dhunë dhe nuk kishte pasur asnjë mashtrim në gojën e tij.

10 Por i pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante. Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin, ai do të shikojë pasardhës, do të zgjasë ditët e tij, dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij.

11 Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur; me anë të diturisë së tij, i drejti, shërbëtori im, do të bëjë të drejtë shumë veta, sepse do të marrë përsipër paudhësitë e tyre.

12 Prandaj do t’i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit, sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve.

54 Ngazëllo, o shterpë, që nuk lindje; shpërthe në britma të larta gëzimi, ti që nuk provoje dhembjet e lindjes! Sepse fëmijët e së shkretës do të jenë më të shumtë se fëmijët e gruas së martuar, thotë Zoti.

Zgjero vendin e çadrës sate dhe fletët e banesave të tua le të shtrihen pa kursim; zgjati litarët e tu dhe përforco kunjat e tu,

sepse do të shtrihesh në të djathtë dhe në të majtë; pasardhësit e tu do të zotërojnë kombet dhe do të popullojnë qytetet e shkretuara.

Mos u frikëso, sepse nuk do të ngatërrohesh; mos ki turp, sepse nuk do të skuqesh; do të harrosh madje turpin e rinisë sate dhe nuk do ta kujtosh më çnderimin e vejërisë sate.

Sepse krijuesi yt është dhëndri yt; emri i tij është Zoti i ushtrive; Çliruesi yt është i Shenjti i Izraelit, i quajtur Perëndi i tërë tokës.

Sepse Zoti të ka thirrur si një grua të braktisur dhe të pikëlluar në frymën e saj, si nusja e rinisë që është përzënë, thotë Perëndia yt.

Të kam braktisur për një çast të shkurtër, por me dhembshuri të pamasë do të të mbledh.

Në një shpërthim zemërimi të kam fshehur për një çast fytyrën time, por me një dashuri të përjetshme do të kem dhembshuri për ty, thotë Zoti, Çliruesi yt.

Për mua ky do të jetë një fakt si ujërat e Noeut; ashtu siç u betova që ujërat e Noeut nuk do të mbulonin më tokën, kështu betohem që nuk do të zëmërohem më me ty dhe nuk do të të kërcënoj më.

10 Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet, thotë Zoti, që ka dhëmbshuri për ty.

11 O e pikëlluar, e rrahur nga stuhia, e pangushëlluar, unë do të ngallmoj gurët e tu të çmuar në antimon dhe do të të themeloj mbi safirët.

12 Do t’i bëjë bedenat e tu prej rubinësh, portat e tua prej xhevairi dhe tërë rrethimin tënd prej gurësh të çmuar.

13 Tërë bijtë e tu do të mësohen nga Zoti dhe e madhe ka për të qenë paqja e bijve të tu.

14 Ti do të vendosesh ngultas në drejtësi; do të jesh larg nga shtypja, sepse nuk duhet të trëmbesh më edhe nga tmerri, sepse nuk do të të afrohet më ty.

15 Ja, edhe mund të mblidhen kundër teje, por kjo nuk do të jetë nga ana ime. Cilido që do të mblidhet kundër teje, do të rrëzohet para teje.

16 Ja, unë kam krijuar kovaçin që i fryn prushit të zjarrit dhe nxjerr prej tij një vegël për punën e tij, dhe kam krijuar shkatërruesin për të prishur.

17 Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses, dhe çdo gjuhë që do të ngrihet të gjykojë kundër teje, ti do ta dënosh. Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Zotit dhe drejtësia e tyre vjen nga unë," thotë Zoti.

55 "O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat, dhe ju që nuk keni para ejani, blini dhe hani! Ejani, blini pa para dhe pa paguar verë dhe qumësht!

Pse shpenzoni para për atë që nuk është bukë dhe fryt i mundit tuaj, për atë që nuk të ngop? Dëgjomëni me kujdes dhe do të hani atë që është e mirë, dhe shpirti juaj do të shijojë ushqime të shijshme.

Vini veshin dhe ejani tek unë, dëgjoni dhe shpirti juaj do të jetojë; dhe unë do të bëj me ju një besëlidhje të përjetshme, sipas hirit të qëndrueshëm që i premtova Davidit.

Ja, unë ia dhashë si dëshmitar popujve, si princ dhe komandant të popujve.

Ja, ti do të thërrasësh një komb që nuk e njeh, dhe një komb që nuk të njeh do të vrapojë te ti, për shkak të Zotit, Perëndisë tënd, dhe të Shenjtit të Izraelit, sepse ai të ka përlëvduar".

Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër.

I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht.

"Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia," thotë Zoti.

"Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.

10 Ashtu si shiu dhe bora zbresin nga qielli dhe nuk kthehen prapa pa vaditur tokën, pa e bërë pjellore, pa bërë që të mbij në mënyrë që ai që do të mbjellëtë marrë farën dhe të sigurojë bukën për të ngrënë,

11 Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.

12 Sepse ju do të niseni me gëzim dhe do t’ju kthejnë në paqe. Malet dhe kodrat do të shpërthejnë në britma gëzimi përpara jush dhe tërë drurët e fushave do të duartrokasin.

13 Në vend të ferrave do të rritet selvia, në vend të hithrave do të rritet mersina; kjo do të jetë për Zotin një titull lavdie, një shenjë e përjetshme që nuk do të shkatërrohet".

Pali, Silvani dhe Timoteu, kishës së Thesalonikasve, që është në Perëndinë, Atin tonë, dhe në Zotin Jezu Krisht:

paçi hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.

Ne e kemi për detyrë ta falënderojmë gjithnjë Perëndinë për ju, o vëllezër, sikurse është fort e drejtë, sepse besimi juaj po rritet shumë dhe dashuria e secilit prej jush për njëri-tjetrin po tepron,

aq sa ne vetë po krenohemi me ju në kishat e Perëndisë, për qëndresën tuaj dhe për besimin në të gjitha përndjekjet dhe vështirësitë që po hiqni.

Ky është një dëftim i gjyqit të drejtë të Përendisë, që ju të çmoheni të denjë për mbretërinë e Perëndisë për të cilën edhe vuani,

sepse është e drejtë, nga ana e Perëndisë, t’u jepet mundim atyre që po ju mundojnë,

kurse juve, të munduarve, të preheni bashkë me ne, kur Zoti Jezu Krisht të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet,

në një zjarr flakërues, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht.

Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij,

10 kur ai të vijë, atë ditë, për të qenë i lavdëruar në shenjtorët e vet, për të qenë i admiruar në mes të atyre që kenë besuar, sepse dëshmia jonë tek ju u besua.

11 Edhe për këtë ne vazhdimisht po lutemi për ju, që Perëndia ynë t’ju bëjë të denjë për këtë thirrje dhe të përmbushë me fuqinë çdo qëllim të mirë dhe veprën e besimit,

12 që të lëvdohet emri i Zotit tonë Jezu Krisht në ju dhe ju në të, sipas hirit të Perëndisë sonë dhe të Zotit Jezu Krisht.