Add parallel Print Page Options

41 Ishuj, mbani heshtje! Le të marrin forca të reja popujt; le të afrohen dhe pastaj të flasin. Të mblidhemi bashkë për të gjykuar!

"Kush e ka nxitur një nga lindja, duke e thirrur në këmbët e tij në drejtësi? Kush i dorëzoi kombet dhe i nënshtroi mbretërit? Ai ia jep si pluhur shpatës së tij dhe si kashtë e shpërndarë harkut të tij.

Ai i përndjek dhe ecën i sigurtë nëpër një rrugë mbi të cilën këmbët e tij nuk kanë shkelur kurrë.

Kush ka vepruar dhe ka kryer këtë, duke thirrur brezat që nga fillimi? Unë Zoti, jam i pari dhe, me ata të fundit, do të jem po ai".

Ishujt e shohin dhe i ka zënë frika, skajet e tokës dridhen; po afrohen, po arrijnë.

Secili ndihmon shokun e tij dhe i thotë vëllait të tij: "Kurajo".

Farkëtari i jep zemër argjendarit dhe ai që i jep dorën e fundit punës me çekiç i jep zemër atij që i bie kudhrës dhe thotë për saldaturën: "Mirë është" dhe e përforcon me gozhda që të mos lëvizë.

"Por ti, Izrael, shërbëtori im, Jakob që kam zgjedhur, pasardhës i Abrahamit, mikut tim,

ty që të mora nga skajet e tokës, që kam thirrur nga cepat më të largëta të saj dhe të kam thënë: "Ti je shërbëtori im, të kam zgjedhur dhe nuk të kam hedhur poshtë".

10 Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.

11 Ja, tërë ata që janë zemëruar kundër teje do të turpërohen dhe do të shushaten; ata që luftojnë kundër teje do të katandisen në hiç dhe do të zhduken.

12 Ti do t’i kërkosh, por nuk do t’i gjesh më ata që të kundërshtonin; ata që të bënin luftë do të jenë asgjë, si një gjë që nuk ekziston më.

13 Sepse unë, Zoti, Perëndia yt, të zë nga dora e djathtë dhe të them: Mos u frikëso, unë të ndihmojj".

14 "Mos u frikëso, o krimb i Jakobit, o njerëz të Izraelit! Unë të ndihmoj," thotë Zoti; "Shpëtimtari yt është i Shenjti i Izraelit.

15 Ja, unë të bëj një shirëse të re me dhëmbë të mprehura; ti do të shish malet dhe do t’i katandisësh në pluhur, dhe do t’i bësh kodrat si byk.

16 Ti do t’i frysh, era do t’i çojë larg dhe shakullima do t’i shpërndajë; por ti do të gëzohesh te Zoti dhe do të përlëvdohesh tek i Shenjti i Izraelit.

17 Të mjerët dhe të varfërit kërkojnë ujë, por mungon; gjuha e tyre u është tharë nga etja; unë, Zoti do t’ua plotësoj dëshirën; unë, Perëndia i Izraelit, nuk do t’i braktis.

18 Do të bëj që të dalin lumenj mbi kodrat e zhveshura dhe burime në mes të luginave; do ta bëjë shkretëtirën një liqen uji dhe tokën e thatë burim ujërash.

19 Do të mbjell në shkretëtirë kedrin, akacien, mërsinën dhe ullirin, do të mbjellë në Arabah qiparisin, vidhin dhe bredhin,

20 me qëllim që ta shohin, ta dinë, ta konsiderojnë dhe ta kuptojnë të gjithë tok se dora e Zotit e ka bërë këtë gjë dhe i Shenjti i Izraelit e ka krijuar.

21 Paraqitni çështjen tuaj, thotë Zoti, parashtroni arsyetimet tuaja, thotë Mbreti i Jakobit.

22 Le t’i parashtrojnë dhe të na njoftojnë ç’ka për të ndodhur. Le të deklarojnë cilat ishin gjërat e kaluara, në mënyrë që të mund t’i shqyrtojmë dhe të njohim kryerjen e tyre; ose na njoftoni ç’ka për të ndodhur.

23 Na njoftoni ç’ka për të ndodhur në të ardhmen, dhe kështu do të mësojmë se jeni perëndi; po, na bëni të mirë apo të keqe në mënyrë që të mbetemi të habitur duke i parë bashkë.

24 Ja, ju jeni një hiç dhe vepra juaj nuk vlen asgjë; ai që ju zgjedh kryen një gjë të neveritshme.

25 Unë thirra dikë nga veriu, dhe ai ka për të ardhur, nga lindja ai do të përmëndë emrin tim; do t’i shkelë princat sikur të ishin prej argjile, ashtu siç vepron poçari që e ngjesh baltën.

26 Kush e shpalli këtë që në krye me qëllim që ta dinim, shumë më parë që të mund të thonim: "A është e drejtë"? Por nuk ka njeri që ta ketë njoftuar këtë gjë, njeri që ta ketë shpallur, njeri që të ketë dëgjuar fjalët tuaja.

27 E shpalla i pari në Sion: "Shikoni, ja ku janë!," dhe në Jeruzalem dërgova një lajmëtar me lajme të mira.

28 Shikova, por nuk kishte asnjë, vërtetë asnjë midis tyre që të dinte të jepte një këshillë, apo, i pyetur, mund të më jepte një përgjigje.

29 Ja, të gjithë këta janë kot; veprat e tyre janë një hiç dhe shtatoret e tyre janë erë dhe gjëra pa kurrfarë vlere".

42 "Ja shërbëtori im, që unë përkrah, i zgjedhuri im që më kënaq shpirtin. Kam vënë Frymën time mbi të; ai do t’ju sjellë drejtësinë kombeve.

Nuk do të bërtasë, nuk do ta ngrerë zërin, nuk do të bëjë të dëgjohet zëri i tij nëpër rrugë.

Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym; do ta paraqesë drejtësinë sipas së vërtetës.

Ai nuk do të ligështohet dhe nuk do të dekurajohet; deri sa të vendosë drejtësinë mbi tokë; dhe ishujt do të presin ligjin e tij".

Kështu thotë Perëndia, Zoti, që ka krijuar qiejtë dhe i ka shpalosur, që ka shtruar tokën dhe gjërat që ajo prodhon, që i jep frymëmarrje popullit dhe jetë atyre që ecin në të:

"Unë, Zoti, të kam thirrur sipas drejtësisë dhe do të të zë për dore, do të të ruaj dhe do të bëj aleancën e popullit dhe dritën e kombeve,

për t’u hapur sytë të verbërve, për të nxjerrë nga burgu të burgosurit dhe ata që dergjen në terr.

Unë jam Zoti, ky është emri im; nuk do t’i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura.

Ja, gjërat e mëparshme kanë ndodhur, dhe tani po ju njoftoj gjëra të reja; unë jua bëj të njohura para se të mbijnë".

10 I këndoni Zotit një kantik të ri, lëvdimin e tij nga skajet e tokës, o ju që zbrisni në det, dhe atë që ai përmban, ishujt dhe banorët e tyre.

11 Shkretëtira dhe qytetet e tij të lartojnë zërin e tyre, bashkë me fshatrat në të cilat banojnë ata të Kedarit. Le të ngazëllojnë banorët e Selas, le të lëshojnë britma nga maja e maleve.

12 Le t’i japin lavdi Zotit, le ta shpallin lëvdimin e tij në ishuj.

13 Zoti do të shkojë përpara si një hero, do të nxisë dëshirën e tij të zjarrtë si një luftëtar, do të lëshojë një klithmë, po një klithmë therëse; do të triumfojë mbi armiqtë e tij.

14 "Për një kohë të gjatë kam qëndruar në heshtje, nuk kam folur, e kam përmbajtur veten; por tani do të bërtas si një grua që heq të prerat e lindjes, do të marr frymë me vështirësi dhe njëkohësisht do të shfryj.

15 Do të shkretoj malet dhe kodrat dhe do të t’i thaj tërë bimët e blerta; do t’i katandis lumenjtë në ishuj dhe do të thaj pellgjet.

16 Do t’i bëj të verbërit të ecin nëpër një rrugë që ata nuk e njihnin dhe do t’i çoj nëpër shtigje të panjohura; do të ndryshoj para tyre terrin në dritë dhe vendet dredha-dredha në fushë. Këto gjëra do të bëj për ta dhe nuk do t’i braktis.

17 Do të kthejnë kurrizin plot me turp ata që kanë besim në shëmbëlltyrat e gdhendua dhe u thonë shëmbëlltyrave të derdhura: "Ju jeni perënditë tona!".

18 O të shurdhër, dëgjoni; o të verbër, shikoni dhe keni për të parë!

19 Kush është i verbër, në mos shërbëtori im, o i shurdhër si lajmëtari im që po dërgoj? Kush është i verbër si ai që është në paqe me mua, i verbër si shërbëtori i Zotit?

20 Ke parë shumë gjëra, por pa u kushtuar kujdesin e duhur; veshët e tu ishin të hapur, por nuk dëgjove asgjë".

21 Zoti u gëzua për hir të drejtësisë së tij; do ta bëjë ligjin e tij të madh dhe të mrekullueshëm.

22 Por ky është një popull që e kanë vjedhur dhe zhveshur; janë zënë të gjithë nga leqe në burgjet e nëndheshme dhe janë mbyllur në burgje. Janë bërë objekt plaçkitjeje, por askush nuk i ka çliruar; të zhveshur, por askush nuk ka thënë: "Ktheji!".

23 Kush prej jush do t’i kushtojë vemendje kësaj gjëje? Kush prej jush do t’i kushtojë vemendje dhe do të dëgjojë në të ardhmen?

24 Kush e ka braktisur Jakobin në duart e plaçkitësve dhe Izraelin në ato të grabitësve? A nuk ka qenë vallë Zoti kundër të cilit kemi mëkatuar? Ata në fakt nuk kanë dashur të ecin në rrugët e tij dhe nuk i janë bindur ligjit të tij.

25 Prandaj ai hodhi mbi të afshin e zemërimit të tij dhe dhunën e luftës, që e mbështolli rreth e qark në flakë pa e vënë re ai; e shkriu atë, por ai nuk pati gajle.

Pali, Silvani dhe Timoteu, kishës së Thesalonikasve në Perëndinë Atë dhe në Zotin Jezu Krisht: paçi hir dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht.

Ne përherë e falënderojmë Perëndinë për ju të gjithë, duke ju kujtuar në lutjet tona,

duke kujtuar vazhdimisht veprën tuaj të besimit, mundimin e dashurisë suaj dhe qëndrueshmërinë e shpresës në Zotin tonë Jezu Krisht përpara Perëndisë, Atit tonë,

duke ditur, vëllezër të dashur prej Perëndisë, të zgjedhurit tuaj,

sepse ungjilli ynë nuk erdhi deri te ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi dhe me Frymë të Shenjtë, dhe me shumë bindje; ju e dini se si jemi sjellë në mes tuaj për hirin tuaj.

Dhe ju u bëtë imituesit tanë dhe të Zotit, duke e pranuar fjalën në mes të një pikëllimi të madh, me gëzimin e Frymës së Shenjtë,

për t’u bërë kështu shëmbull për të gjithë besimtarët e Maqedonisë dhe të Akaisë.

Në fakt prej jush jehoi fjala e Perëndisë jo vetëm në Maqedoni dhe në Akai, por edhe në çdo vend u përhap besimi juaj tek Perëndia, sa që ne s’kemi nevojë të themi ndonjë gjë,

sepse vetë ata tregojnë për ne, si qe ardhja jonë ndër ju si u kthyet nga idhujt te Perëndia, për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë e të vërtetë,

10 dhe për të pritur prej qiejve Birin e tij, të cilin ai e ngjalli prej së vdekurish, Jezusin, që na çliron nga zemërim që po vjen.