Add parallel Print Page Options

37 Kur mbreti Ezekia dëgjoi këtë, grisi rrobat, u mbulua me një thes dhe hyri në shtëpinë e Zotit.

Pastaj dërgoi Eliakimin, prefektin e pallatit, Shebnaun, sekretarin, dhe priftërinjtë më të vjetër të mbuluar me thasë te profeti Isaia, bir i Amotsit,

të cilët i thanë: "Kështu thotë Ezekia: Kjo ditë është një ditë ankthi, ndëshkimi dhe turpi, sepse fëmijët janë duke lindur, por nuk ka forcë për t’i pjellë.

Ndofta Zoti, Perëndia yt, ka dëgjuar fjalët e Rabshakehut, që mbreti i Asirisë, zoti i tij, ka dërguar për të fyer Perëndinë e gjallë, dhe do ta ndëshkojë për shkak të fjalëve që Zoti, Perëndia yt, ka dëgjuar. Larto, pra, një lutje për kusurin që mbetet akoma".

Kështu shërbëtorët e mbretit Ezekia shkuan te Isaia.

Dhe Isaia u tha atyre: "Këtë do t’i thoni zotit tuaj: Kështu thotë Zoti: Mos ki frikë për shkak të fjalëve që dëgjove, me të cilat shërbëtorët e mbretit të Asirisë më kanë fyer.

Ja, unë do të dërgoj përmbi të një frymë dhe, sa të dëgjojë një lajm, do të kthehet në vendin e tij dhe në vendin e tij do ta rrëzoj me shpatë".

Kështu Rabshakehu u kthye dhe e gjeti mbretin e Asirisë që po rrethonte Libnahun, sepse kishte mësuar që mbreti ishte nisur nga Lakishi.

Atëherë mbreti i Asirisë dëgjoi të thuhet për Tirhakahun, mbretin e Etiopisë: "Ka dalë për të luftuar kundër teje". Sa dëgjoi këtë, ai i dërgoi lajmëtarët Ezekias, duke i thënë:

10 "Do t’i thoni kështu Ezekias, mbretit të Judës: Mos lër që Perëndia yt të cilit i beson të të mashtrojë duke të thënë: "Jeruzalemi nuk do jepet në duart e mbretit të Asirisë".

11 Ja, ti dëgjove ato që mbreti i Asirisë u ka bërë gjithë vendeve të tjera, duke vendosur shkatërrimin e tyre. A do të mund të shpëtoje vetëm ti?

12 A kanë çliruar vallë mbretërit e kombeve ato që etërit e mi kanë shkatërruar: Gozanin, Haranin, Retsefin dhe bijtë e Edenit që ishin në Telasar?

13 Ku janë mbreti i Hamathit, mbreti i Arpadit dhe mbreti i qytetit të Sefarvaimit, të Henas dhe të Ivahut?".

14 Ezekia e mori letrën nga duart e lajmëtarëve dhe e lexoi; pastaj u ngjit në shtëpinë e Zotit dhe e shpalosi para Zotit.

15 Pastaj Ezekia iu lut Zotit, duke thënë:

16 "O Zot i ushtrive, Perëndi i Izraelit që ulesh midis kerubinëve, ti je Perëndia, ti vetëm, i të gjitha mbretërive të tokës; ti ke bërë qiejtë dhe tokën.

17 Vër veshin, o Zot, dhe dëgjo; hap sytë, o Zot, dhe shiko. Dëgjo tërë fjalët që Senakeribi ka dërguar të thotë për të fyer Perëndinë e gjallë.

18 Në të vërtetë, o Zot, mbretërit e Asirisë kanë shkatërruar të gjitha kombet dhe vendet e tyre,

19 dhe kanë hedhur në zjarr perënditë e tyre, sepse këto nuk ishin perëndi, por vepër e duarve të njeriut, dru e gur; për këtë arsye i kanë shkatërruar.

20 Por tani, o Zot, Perëndia ynë, na çliro nga duart e tij, me qëllim që të gjitha mbretëritë e tokës të njohin që ti vetëm je Zoti".

21 Atëherë Isaia, bir i Amotsit, i çoi fjalë Ezekias: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Me qenë se ti më je lutur përsa i përket Senakeribit, mbretit të Asirisë,

22 kjo është fjala që Zoti ka shqiptuar kundër tij: Virgjëresha, bijë e Sionit, të përçmon dhe tallet me ty; e bija e Jeruzalemit tund kokën prapa teje.

23 Cilin ke poshtëruar dhe fyer? Kundër kujt ke ngritur zërin dhe në mënyrë arrogante sytë e tu? Kundër të Shenjtit të Izraelit.

24 Me anë të shërbëtorëve të tu ke poshtëruar Zotin dhe ke thënë: "Me morinë e qerreve të mia u ngjita në majë të maleve, në skajet e Libanit. Do të rrëzoj kedrat e tij më të lartë dhe qiparisat e tij më të bukur; do të arrij lartësinë e tij më të largët, pyllin e tij më të harlisur.

25 Kam gërmuar dhe kam pirë ujë; me tabanin e këmbëve të mia kam tharë të gjitha lumenjtë e Egjiptit".

26 A nuk ke dëgjuar vallë se prej shumë kohe e kam përgatitur këtë gjë, planin e kam përgatitur qysh nga kohët e vjetra? Tani kam bërë që të ndodhë kjo: që ti t’i kthesh në një grumbull gërmadhash qytetet e fortifikuara.

27 Prandaj banorët e tyre, të cilët s’kanë forca, ishin të trembur dhe të hutuar; ishin si bari i fushave, si bari i vogël jeshil, si bari i çative, i cili digjet para se të rritet.

28 Por unë e njoh banesën tënde, hyrjen dhe daljen tënde, madje edhe zemërimin tënd të madh kundër meje.

29 Duke qenë se je zemëruar shumë kundër meje dhe paturpësia jote ka arritur te veshët e mi, do të vë unazën time në flegrat e hundëve, frerin tim në gojë dhe do të të kthej në rrugën nga ke ardhur.

30 Dhe kjo do të jetë shenja për ty; sivjet do të hani atë që rritet vetvetiu, vitin e dytë atë që rritet po nga ky burim; por vitin e tretë do të mbillni dhe do të korrni, do të mbillni vreshta dhe do të hani frytin e tyre.

31 Dhe pjesa që mbetet e shtëpisë së Judës që do të shpëtojë do të vazhdojë të vërë rrënjë poshtë dhe të bëjë fryte lart.

32 Sepse nga Jeruzalemi do të dalë mbetje dhe nga mali i Sionit ata që kanë shpëtuar. Zelli i Zotit të ushtrive do ta bëjë këtë".

33 Prandaj kështu thotë Zoti kundër mbretit të Asirisë: "Ai nuk do të hyjë në këtë qytet as ka për të hedhur ndonjë shigjetë, nuk do t’i dalë përpara me mburoja as ka për të ndërtuar ndonjë ledh kundër tij.

34 Ai do të kthehet nëpër atë rrugë nga ka ardhur dhe nuk do të hyjë në këtë qytet," thotë Zoti.

35 "Sepse unë do ta mbroj këtë qytet për ta shpëtuar, për hirin tim dhe për hir të Davidit, shërbëtorit tim".

36 Pastaj engjëlli i Zotit doli dhe goditi në kampin e Asirëve njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë njerëz; dhe kur njerëzit u çuan në mëngjes, ja, të gjithë ishin kufoma.

37 Atëherë Senakeribi, mbret i Asirisë, ngriti çadrat, u nis dhe u kthye në shtëpi dhe mbeti në Niniv.

38 Dhe ndodhi që, ndërsa ai po adhuronte në tempullin e perëndisë së tij Nisrok, bijtë e tij Adramalek dhe Sharetser e vranë me shpatë; pastaj u strehuan në vendin e Araratit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Esarhadoni.

38 Në atë kohë Ezekia u sëmur nga një sëmundje vdekjeprurëse. Profeti Isaia, bir i Amotsit, shkoi tek ai dhe i tha: "Kështu flet Zoti. Rregullo shtëpinë tënde, sepse ke për të vdekur dhe jo për t’u shëruar".

Atëherë Ezekia e ktheu fytyrën nga muri dhe iu lut Zotit:

"Të lutem shumë, o Zot, kujto si kam ecur para teje me besnikëri, me zemër të pastër, dhe kam bërë atë që është mirë në sytë e tu". Pastaj Ezekia qau me të madhe.

Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Isaias, duke thënë:

"Shko dhe i thuaj Ezekias: Kështu thotë Zoti, Perëndia i Davidit, ati yt: E dëgjova lutjen tënde, i pashë lotët e tua; ja, do t’u shtoj pesëmbëdhjetë vjet ditëve të tua;

do të të çliroj ty dhe këtë qytet nga duart e mbretit të Asirisë dhe do ta mbroj këtë qytet.

Kjo është për ty shenja nga ana e Zotit, Zoti do ta çojë në vend fjalën që ka thënë:

ja, unë do të bëj që të sprapset dhjetë shkallare hija që për efekt të diellit është zgjatur mbi shkallarët e Ashazit. Dhe dielli u spraps dhjetë shkallare prej shkallareve nga kishte zbritur".

I shkruar nga Ezekia, mbret i Judës, kur ra i sëmurë dhe u shërua nga sëmundja e tij.

10 Unë thoja: "Në kulmin e ditëve të mia do të shkoj në portat e Sheolit; jam privuar nga mbetja e viteve të mia".

11 Thoja: "Nuk do ta shoh më Zotin, po, Zotin, mbi dheun e të gjallëve, midis banorëve të botës të të vdekurve nuk do të shoh më asnjë njeri.

12 Banesa ime tokësore është shkulur dhe u çua larg meje, si një çadër barinjsh. E kam mbështjellur jetën time si një endës. Ai më këputi nga vegja; nga dita në natë do t’i japësh fund jetës sime.

13 E qetësova veten deri në mëngjes; si një luan, ai i thyen tërë kockat e mia; me kalimin nga dita në natë do t’i japësh fund jetës sime.

14 Krakëllija si një lejlek apo një dallëndyshe, rënkoja si një pëllumbeshë; sytë e mi ishin të lodhur, duke shikuar lart. O Zot, jam i shtypur; bëhu ti garanti im.

15 Çfarë të them? Ai më ka folur dhe ai vetë e ka bërë këtë gjë. Unë do të eci ngadalë gjatë tërë viteve të mia, në hidhërimin e shpirtit tim.

16 O Zot, me këto gjëra ne jetojmë, dhe në të gjitha këto gjëra qëndron jeta e frymës sime; prandaj më shëro dhe më kthe jetën!

17 Ja, është për paqen time që kam provuar hidhërim të madh; por në dashurinë tënde ke çliruar shpirtin tim nga gropa e korruptimit, sepse i ke hedhur prapa krahëve të tua të tëra mëkatet e mia.

18 Sepse Sheoli nuk mund të të lëvdojë, vdekja nuk mund të të kremtojë; ata që zbresin në gropë nuk mund të shpresojnë më në besnikërinë tënde.

19 I gjalli, i gjalli është ai që të lëvdon, siç po bëj unë sot; ati do t’u njoftojë bijve besnikërinë tënde.

20 Zoti do të më shpëtojë; dhe ne do të këndojmë kantikët e mi me vegla me tela tërë ditët e jetës sonë në shtëpinë e Zotit".

21 Por Isaia kishte thënë: "Merrni një jaki prej fiqsh, vendoseni mbi ulçer dhe i sëmuri do të shërohet".

22 Ezekia kishte thënë: "Cila është shenja me të cilën do të ngjitem në shtëpinë e Zotit"?

Në qoftë se ju jeni ringjallur me Krishtin, kërkoni ato që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë.

Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë,

sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë.

Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me të.

Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari;

për këto gjëra zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes,

midis të cilëve dikur ecët edhe ju, kur rronit në to.

Por tani hiqni edhe ju të gjitha këto gjëra: zemërim, zemëratë, ligësi, e mos të dalë sharje e asnjë e folur e pandershme nga goja juaj.

Mos gënjeni njeri tjetrin, sepse ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij,

10 edhe veshët njeriun e ri, që përtërihet në njohurinë sipas shëmbullit të atij që e krijoi.

11 Këtu nuk ka më Grek e Jud, rrethprerje dhe parrethprerje, Barbar e Skithas, shërbëtor e i lirë, por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë.

12 Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin,

13 duke duruar njeri tjetrin dhe duke falur njeri tjetrin, nëqoftëse dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju.

14 Dhe, përmbi të gjitha këto gjëra, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë.

15 Dhe paqja e Perëndisë, për të cilin ju u thirrët në një trup të vetëm, të mbretërojë në zemrat tuaja; dhe jini mirënjohës!

16 Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njeri tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja!

17 Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij.

18 Ju bashkëshorte, jini të nënshtruara bashkëshortëve tuaj, ashtu si ka hije në Zotin.

19 Ju bashkëshortë, duaini bashkëshortet tuaja dhe mos u bëni të ashpër ndaj tyre.

20 Ju bij, binduni prindërve në çdo gjë, sepse kjo është e pranueshme për Zotin.

21 Ju etër, mos provokoni për zemërim bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra.

22 Ju shërbëtorë, binduni në çdo gjë zotërinjve tuaj sipas mishit, duke u shërbyer jo vetëm kur ju shohin, sikurse të doni t’u pëlqeni njerëzve, por me thjeshtësinë e zemrës, duke druajtur Perëndinë.

23 Dhe çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit,

24 duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë, sepse ju i shërbeni Krishtit, Zotit.

25 Por ai që punon padrejtësisht do të marrë shpagimin për gjëra të padrejta që ka bërë, dhe nuk do të ketë anësi për asnjë.