Añadir traducción en paralelo Imprimir Opciones de la página

Fjala e Zotit që iu drejtua Oseas, birit të Beerit, në ditët e Uziahut, të Jothamit, të Ashazit dhe të Ezekias, mbretit të Judës, në ditët e Jeroboamit, birit të Joasit, mbret i Izraelit.

Kur Zoti filloi t’i flasë Oseas, Zoti i tha atij: "Shko, merr për grua një prostitutë dhe ki fëmijë të kurvërisë, sepse vendi po kurvërohet duke u larguar nga Zoti".

Kështu ai shkoi dhe mori për grua Gomeren, bijën e Diblaimit, e cila u mbars dhe i lindi një djalë.

Atëherë Zoti i tha: "Vëri emrin Jezreel, sepse brenda një kohe të shkurtër unë do të marr hak për gjakun e derdhur në Jezreel mbi shtëpinë e Jehut dhe do t’i jap fund mbretërimit të shtëpisë së Izraelit.

Po atë ditë do të ndodhë që unë do të thyej harkun e Izraelit në luginën e Jezreelit".

Ajo u mbars përsëri dhe lindi një vajzë. Atëherë Zoti i tha Oseas: "Vëri emrin Lo-ruhamah, sepse nuk do të kem më mëshirë për shtëpinë e Izraelit, por do t’i heq të gjithë.

Përkundrazi do të kem dhembshuri për shtëpinë e Judës dhe do t’i shpëtoj me anë të Zotit, Perëndisë së tyre; nuk do t’i shpëtoj me harkun as me shpatën apo me betejën, as me kuajt ose me kalorësit".

Kur zvordhi Lo-ruhamahen, ajo u mbars dhe lindi një djalë.

Atëherë Zoti i tha Oseas: "Vëri emrin Lo-ami, sepse ju nuk jeni populli im dhe unë nuk jam Perëndia juaj.

10 Megjithatë numri i bijve të Izraelit do të jetë si rëra e detit, që nuk mund të matet as të llogaritet. Dhe do të ndodhë që në vend që t’u thuhet atyre: "Ju nuk jeni populli im," do t’u thuhet atyre: "Jeni bijtë e Perëndisë së gjallë".

11 Pastaj bijtë e Judës dhe bijtë e Izraelit do të bashkohen tok, do të zgjedhin për veten e tyre një prijës të vetëm dhe do të dalin jashtë vendit të tyre, sepse e madhe do të jetë dita e Jezreelit".

"U thoni vëllezërve tuaj: "Ami," dhe motrave tuaja "Ruhamah".

Protestoni kundër nënës suaj, protestoni, sepse ajo nuk është gruaja ime dhe unë nuk jam burri i saj. Le të heqë nga fytyra e saj shenjat e prostitucioneve të saj dhe shenjat e shkeljeve të kurorës nga sisët e saj;

përndryshe do ta zhvesh lakuriq dhe do ta bëj si në ditën e lindjes së saj; do ta katandis në një shkreti, do ta bëj si një tokë të zhuritur dhe do ta bëj të vdesë nga etja.

Nuk do të kem mëshirë për bijtë e saj, sepse janë bij prostitucioni.

Nëna e tyre u kurvërua në fakt, ajo që është ngjizur është sjellë në mënyrë të turpshme, sepse ka thënë: "Do t’u shkoj pas dashnorëve të mi, që më japin bukën time dhe ujin tim, leshin tim dhe lirin tim, vajin tim dhe pijen time".

Prandaj ja, do të të zë rrugën me ferra, do ta mbyll me një mur dhe kështu nuk do të gjejë më shtigjet e saj.

Do të rendë pas dashnorëve të saj, por nuk do t’i arrijë; do t’i kërkojë, por nuk do t’i gjejë. Atëherë do të thotë: "Do të kthehem te burri im i parë, sepse për mua ishte më mirë atëherë se tani".

Ajo nuk kuptoi që unë i jepja grurë, musht dhe vaj dhe shtoja argjendin dhe arin e saj, që ata i ofronin Baalit.

Prandaj unë do të marr përsëri grurin tim në kohën e vet dhe mushtin tim në stinën e vet; do t’i heq leshin tim dhe lirin tim, që shërbenin për të mbuluar lakuriqësinë e saj.

10 Atëherë do të zbuloj turpet e saj në sytë e dashnorëve të saj dhe askush nuk do ta shpëtojë nga dora ime.

11 Gjithashtu do t’u jap fund gëzimeve të saj, festave të saj, hënave të reja të saj, të shtunave të saj dhe gjithë solemniteteve të saj.

12 Do të shkatërroj pastaj vreshtat e saj dhe fiqtë e saj për të cilët ajo thoshte: "Këto janë dhuratat që më kanë dhënë dashnorët e mi". Kështu do t’i katandis në një shkurrnajë dhe kafshët e fushave do t’i hanë.

13 Do ta dënoj pastaj për ditët e Baalit, kur u digjte atyre temjan, kur zbukurohej me vathë dhe me xhevahire dhe u shkonte pas dashnorëve të saj, por më harronte mua," thotë Zoti.

14 "Prandaj, ja, unë do ta tërheq pas meje, do ta çoj në shkretëtirë dhe do t’i flas zemrës së saj.

15 Atëherë do t’i jap vreshtat e saj dhe luginën e Akorit si portë e shpresës; atje ajo do të këndojë si në ditët e rinisë së saj, ashtu si veproi kur dolin nga vendi i Egjiptit.

16 Atë ditë do të ndodhë, thotë Zoti, që ti do të më quash: "Burri im," dhe nuk do të më quash më: "Baali im".

17 Do të heq nga goja e saj emrat e Baalëve dhe nuk do t’i kujtojnë më emrat e tyre.

18 Atë ditë do të bëj për ta një besëlidhje me kafshët e fushave, me shpendët e qiellit dhe me rrëshqanorët e tokës. Do të thyej harkun, shpatën dhe luftën duke i eliminuar nga toka dhe do të bëj të prehen të qetë.

19 Do të fejohesh me mua përjetë; do të fejohesh me mua në drejtësi, në paanshmëri, në mirësi dhe në dhembshuri.

20 Do të fejohesh me mua në besnikëri, dhe ti do të njohësh Zotin.

21 Atë ditë do të ndodhë që unë do të përgjigjem," thotë Zoti. "Do t’i përgjigjem qiellit dhe ky do t’i përgjigjet tokës;

22 dhe toka do të përgjigjet me grurin, mushtin dhe vajin, dhe këta do t’i përgjigjen Jezreelit.

23 Unë do të mbjell për vete mbi tokë dhe do të më vijë keq për Lo-ruhamahun; dhe do t’i them Lo-amit: "Ti je populli im," dhe ai do më përgjigjet: "Ti je Perëndia im"".

Zoti më tha akoma: "Shko dhe dashuro një grua të dashuruar nga një dashnor dhe që është shkelëse e kurorës, ashtu si Zoti i do bijtë e Izraelit, megjithëse ata u drejtohen perëndive të tjera dhe pëlqejnë reçelin e rrushit".

Kështu unë e bleva për pesëmbëdhjetë sikla argjendi dhe për një homer e gjysmë elbi,

dhe i thashë: "Ti do të rrish shumë ditë me mua; nuk do të kurvërohesh dhe nuk do të jesh e asnjeriut; po kështu do të veproj unë me ty".

Sepse bijtë e Izraelit do të rrinë shumë ditë pa mbret, pa kryetar, pa flijim dhe pa shtyllë të shenjtë, pa efod dhe pa idhuj të shtëpisë.

Pastaj bijtë e Izraelit do të kthehen dhe do të kërkojnë Zotin, Perëndinë e tyre, dhe Davidin, mbretin e tyre, dhe do të kthehen duke u dridhur tek Zoti dhe te mirësia e tij në mbarim të ditëve.

Dëgjoni fjalën e Zotit, o bij të Izraelit, sepse Zoti ka një konflikt me banorët e vendit: "Nuk ka në fakt as sinqeritet, as mëshirë dhe as njohje të Perëndisë në vend.

Nuk bëhet tjetër përveç shpërbetimeve, gënjeshtrave, vrasjeve, vjedhjeve, shkeljeve të kurorës, shkeljeve të çdo kufizimi dhe derdhet gjak mbi gjak.

Për këtë shkak vendi do të jetë në zi dhe tërë banorët e tij do të vuajnë, bashkë me kafshët e fushës dhe me shpendët e qiellit; madje edhe peshqit e detit do të eliminohen.

Megjithatë askush të mos kundërshtojë, askush të mos qortojë tjetrin, sepse populli yt është si ai që grindet me priftin.

Prandaj ti do të pengohesh ditën dhe profeti gjithashtu do të pengohet natën bashkë me ty; dhe unë do të shkatërroj nënën tënde.

Populli im vdes për mungesë njohurish. Duke qenë se ti ke refuzuar njohjen, edhe unë do të të refuzoj si prifti im; duke qenë se ti ke harruar ligjin e Perëndisë tënd, edhe unë do të harroj bijtë e tu.

Sa më tepër janë shumuar, aq më tepër kanë mëkatuar kundër meje; do ta kthej lavdinë e tyre në turp.

Ata ushqehen me mëkatin e popullit tim dhe e lidhin zemrën e tyre me paudhësinë e tij.

Si për popullin ashtu do të jetë edhe për priftin: unë do t’i dënoj ata për sjelljen e tyre dhe do t’i shpërblej për veprat e tyre.

10 Do të hanë, por nuk do të ngopen; do të kurvërohen, por nuk do të shtohen; sepse kanë hequr dorë nga dëgjimi i Zotit.

11 Prostitucioni, vera dhe mushti të lënë pa mend.

12 Populli im konsulton idhujt e tij prej druri dhe shkopi i tij i jep udhëzime, sepse fryma e prostitucionit i devijon, dhe ata kurvërohen, duke u shmangur nga Perëndia e tyre.

13 Ata bëjnë flijime mbi majat e maleve, djegin temjan ndër kodra, nën lisin, plepin dhe bafrën, sepse hija e tyre është e këndshme. Prandaj bijat tuaja kurvërohen dhe nuset e bijve tuaj shkelin kurorën.

14 Nuk do t’i dënoj bijat tuaja në se kurvërohen, as nuset e bijve tuaj në se shkelin kurorën, sepse ata vetë veçohen me prostitutat dhe ofrojnë flijime bashkë me prostitutat e tempujve; prandaj njerëzia që nuk ka mend do të vdesë.

15 Në qoftë se ti, Izrael, kurvërohesh, Juda nuk ka faj. Mos shkoni në Gilgal, mos u ngjitni në Beth-aven dhe mos u betoni duke thënë: "Ashtu si Zoti rron".

16 Sepse Izraeli është kokëfortë si një mëshqerrë kryeneçe, tani Zoti do ta kullotë si një qengj në një vend të hapur.

17 Efraimi u bashkua me idhujt, lëre të veprojë.

18 Edhe kur qejfet e tyre kanë mbaruar, kryejnë vazhdimisht kurvërime; krerët e tyre e duan shumë turpin.

19 Era i ka lidhur në krahët e vet dhe atyre do t’u vijë turp për flijimet e tyre".

Zbulesa e Jezu Krishtit, që Perëndia ia dha për t’u treguar shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti dhe e bëri të ditur, duke ia dërguar nëpërmjet engjëllit të tij, shërbëtorit të vet Gjon,

i cili dëshmoi fjalën e Perëndisë dhe dëshminë e Jezu Krishtit, dhe të gjitha gjërat që pa.

Lum ai që lexon dhe lum ata që dëgjojnë fjalët e kësaj profecie dhe që ruajnë ato që janë shkruar në të, sepse koha është afër.

Gjoni, shtatë kishave që janë në Azi: hir për ju dhe paqe nga ana e atij që është dhe që ishte dhe që do të vijë; edhe nga të shtatë frymërat që janë përpara fronit të tij,

dhe nga Jezu Krishti, dëshmitari besnik, i parëlinduri prej së vdekurish dhe Princ i mbretërve të dheut.

Atij që na deshi dhe na lau nga mëkatet tona në gjakun e tij, dhe na bëri mbretër dhe priftër për Perëndinë dhe Atin e tij, atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve. Amen.

Ja, ai vjen me retë dhe çdo sy do ta shohë, edhe ata që e tejshpuan; dhe të gjitha fiset e dheut do të vajtojnë për të. Po, amen.

“Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi,” thotë Zoti “që është dhe që ishte dhe që vjen, i Plotfuqishmi.”

Unë, Gjoni, që jam edhe vëllai juaj dhe pjestar bashkë me ju në pikëllimin, në mbretërinë dhe në durimin e Jezu Krishtit, isha në ishullin që quhet Patmos, për fjalën e Perëndisë dhe për dëshminë e Jezu Krishtit.

10 Isha në Frymë ditën e Zotit dhe dëgjova pas meje një zë të madh si nga një bori,

11 që thoshte: “Unë jam Alfa dhe Omega, i pari dhe i fundit, dhe çfarë sheh, shkruaji në një libër dhe ua dërgo shtatë kishave që janë në Azi: në Efes, në Smirnë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë, në Filadelfi dhe në Laodice.”

12 Dhe u solla të shoh zërin që foli me mua. Dhe, si u solla, pashë shtatë shandanë ari

13 dhe, në mes të shtatë shandanëve, një të ngjashëm me një Bir njeriu, të veshur me një petk të gjatë deri te këmbët dhe ngjeshur me një brez ari në gjoks.

14 Dhe kryet e tij dhe flokët e tij ishin të bardhë si lesh i bardhë, si bora, dhe sytë e tij e ngjanin një flake zjarri.

15 Dhe këmbët e tij ngjanin me bronz të kulluar, si të skuqur në furrë dhe zëri i tij si zë shumë ujërash.

16 Dhe kishte në dorën e tij të djathtë shtatë yje dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë, me dy tehe, dhe fytyra e tij si dielli që ndrin me forcën e tij.

17 Dhe kur e pashë, rashë para këmbëve të tij si i vdekur. Dhe ai vuri dorën e tij të djathtë mbi mua, duke më thënë: “Mos u tremb! Unë jam i pari dhe i fundit,

18 dhe i gjalli; isha i vdekur, por ja, jam i gjallë në shekuj të shekujve, amen; dhe unë i kam çelësat e vdekjes e të Hadesit.

19 Shkruaj, pra, gjërat që pe, ato që janë dhe ato që do të ndodhin pas atyre,

20 misterin e të shtatë yjeve që ti pe në të djathtën time, dhe të shtatë shandanëve prej ari. Të shtatë yjet janë engjëjt e shtatë kishave, dhe të shtatë shandanët që pe janë shtatë kishat.”