Add parallel Print Page Options

36 Këta janë pasardhësit e Esaut, që është Edomi.

Esau i mori gratë e tij nga bijat e Kanaanëve: Adën, e bija e Elonit Hiteut, dhe Oholibamahën, e bija e Cibeonit Hiveut;

dhe Basemathin, e bija e Ismaelit dhe motra e Nebajothit.

Ada i lindi Esaut Elifazin;

Basemathi lindi Reuelin, kurse Oholibamahu lindi Jeushin, Jalamin dhe Korahin. Këta janë bijtë e Esaut që i lindën në vendin e Kanaanit.

Pastaj Esau mori gratë e tij, bijtë dhe bijat e tij, gjithë njerëzit e shtëpisë së tij, kopetë e tij, tërë bagëtinë e tij dhe tërë pasurinë që kishte blerë në vendin e Kanaanëve, dhe shkoi në një vend, larg vëllait të tij Jakob,

sepse pasuritë e tyre ishin tepër të mëdha, që ata të mund të banonin bashkë; vendi ku rrinin nuk ishte në gjendje t’i mbante për shkak të bagëtisë së tyre.

Kështu Esau u vendos mbi malin e Seirit; Esau është Edomi.

Këta janë pasardhësit e Esaut, atit të Edomitëve, në malin e Seirit.

10 Këta janë emrat e bijve të Esaut: Elifazi, i biri i Adës, gruaja e Esaut; Reueli, i biri i Bazemathës, gruaja e Esaut.

11 Bijtë e Elifazit qenë: Temani, Omari, Cefoni, Gatami dhe Kenaci.

12 Timna ishte konkubina e Elifazit, i biri i Esaut. Ajo i lindi Amalekun Elifazit. Këta qenë bijtë e Adës, gruaja e Esaut.

13 Këta qenë bijtë e Reuelit: Nahathi dhe Zerahu, Shamahu dhe Micahu. Këta qenë bijtë e Basemathës, gruaja e Esaut.

14 Këta qenë bijtë e Oholibamahës, e bija e Anahut, e bija e Cibeonit, gruaja e Esaut; ajo i lindi Esaut: Jeushin, Jalamin dhe Korahun.

15 Këta qenë krerët e bijve të Esaut: bijtë e Elifazit, i parëlinduri i Esaut; kreu Teman, kreu Omar, kreu Cefo, kreu Kenaz,

16 kreu Korah, kreu Gatam dhe kreu Amalek; këta qenë krerët e rrjedhur nga Elifazi në vendin e Edomit; ata qenë bijtë e Adës.

17 Këta qenë bijtë e Reuelit, i biri i Esaut: kreu Nahath, kreu Zerah, kreu Shamah dhe kreu Micah; këta qenë krerët e rrjedhur nga Reueli në vendin e Edomit; ata qenë bijtë e Basemathës, gruaja e Esaut.

18 Këta qenë bijtë e Oholibamahës, gruaja e Esaut, kreu Jeush; kreu Jeush, kreu Jalam dhe kreu Korah; ata qenë krerët e rrjedhur nga Oholibamah, e bija e Anahut dhe gruaja e Esaut.

19 Këta qenë bijtë e Esaut, që është Edomi, dhe këta qenë krerët e tyre.

20 Këta qenë bijtë e Seirit, Horeut, që banonin atë vend: Lotani, Shobali, Cibeoni, Anahu.

21 Dishoni, Etseri dhe Dishani. Këta qenë krerët e Horejve, bijtë e Seirit, në vendin e Edomit.

22 Bijtë e Lotanit qenë: Hori dhe Hemami; dhe motra e Lotanit qe Timna.

23 Këta qenë bijtë e Shobalit: Alvani, Manahathi, Ebali, Shefo dhe Onami.

24 Këta qenë bijtë e Cibeonit: Aja dhe Anahu. Anahu është ai që zbuloi në shkretëtirë ujëra të nxehta ndërsa po kulloste gomarët e Cibeonit, atit të tij.

25 Këta qenë bijtë e Anahut: Dishoni dhe Oholibamah, e bija e Anahut.

26 Këta qenë bijtë e Dishonit: Hemdani, Eshbani, Ithrani dhe Kerani.

27 Këta qenë bijtë e Etserit: Bilhani, Zaavani dhe Akani.

28 Këta qenë bijtë e Dishanit: Utsi dhe Arani.

29 Këta qenë krerët e Horejve: kreu Lothan, kreu Shobal, kreu Cibeon, kreu Anah,

30 kreu Dishon, kreu Etser, kreu Dishan. Këta qenë krerët e Horejve, krerët që ata patën në vendin e Seirit.

31 Këta qenë mbretërit që mbretëruan në vendin e Edomit, para se ndonjë mbret të sundonte mbi bijtë e Izraelit:

32 Bela, i biri i Beorit, mbretëroi në Edom, dhe emri i qytetit të tij qe Dinhabah.

33 Bela vdiq dhe në vend të tij mbretëroi Jobabi, i biri i Zerahut, nga Botsrahu.

34 Jobabi vdiq dhe në vend të tij mbretëroi Hushami, nga vendi i Temanitëve.

35 Hushami vdiq, dhe në vend të tij mbretëroi Hadabi, i biri i Bedadit, që mundi Madianitët në fushat e Moabit; dhe emri i qytetit të tij qe Avith.

36 Hadadi vdiq dhe në vend të tij mbretëroi Samlahu, nga Masrekahu.

37 Samlahu vdiq dhe në vend të tij mbretëroi Sauli nga Rohoboth, mbi Lumë.

38 Sauli vdiq dhe në vend të tij mbretëroi Baal-Hanani, i biri i Akborit.

39 Baal-Hanani, i biri i Akborit, vdiq dhe në vendin e tij mbretëroi Hadari. Emri i qytetit të tij qe Pau, dhe emri i gruas së tij qe Mehetabel, e bija e Metredës dhe e Mezahabut.

40 Këto qenë emrat e krerëve të Esaut, simbas familjeve të tyre dhe territoreve të tyre, me emrat e tyre; kreu Timnah, kreu Alvah, kreu Jetheth,

41 kreu Oholibamah, kreu Elah, kreu Pinon,

42 kreu Kenac, kreu Teman, kreu Mibcar,

43 kreu Magdiel dhe kreu Iram. Këta qenë krerët e Edomit simbas vendbanimit të tyre, në vendin që zotëronin. Ky qe Esau, ati i Edomitëve.

37 Por Jakobi banoi në vendin ku i ati kishte qëndruar, në vendin e Kanaanëve.

Këta janë pasardhësit e Jakobit. Jozefi, në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, kulloste kopenë bashkë me vëllezërit e tij; i riu rrinte me bijën e Bilhahës dhe me bijtë e Zilpahës, që ishin gratë e babait të tij. Por Jozefi i tregoi të atit për namin e keq që përhapej mbi sjelljen e tyre.

Por Izraeli e donte Jozefin më tepër se tërë bijtë e tij, sepse ishte biri i pleqërisë së tij; dhe i bëri një rrobe të gjatë deri te këmbët.

Por vëllezërit e tij, duke parë që i ati i tyre e donte më tepër nga të gjithë vëllezërit e tjerë, filluan ta urrejnë dhe nuk mund t’i flisnin në mënyrë miqësore.

Por Jozefi pa një ëndërr dhe ua tregoi vëllezërve të tij; dhe këta e urryen edhe më tepër.

Ai u tha atyre: "Dëgjoni, ju lutem, ëndrrën që pashë.

Ne ishim duke lidhur duaj në mes të arës, kur papritmas duajt e mi u drejtuan dhe qëndruan drejt, kurse duajt tuaja u mblodhën dhe u përkulën përpara duajve të mi".

Atëherë vëllezërit e tij i thanë: "A duhet të mbretërosh ti mbi ne, ose do të na sundosh me të vërtetë?". Dhe e urryen edhe më tepër për shkak të ëndrrave të tij dhe të fjalëve të tij.

Ai pa një ëndërr tjetër dhe ua tregoi vëllezërve të tij, duke thënë: Pashë një ëndërr tjetër! Dhe ja, dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yjee përkuleshin para meje".

10 Dhe ai ia tregoi këtë ëndërr atit të tij dhe vëllezërve të tij; i ati e qortoi dhe i tha: "Ç’kuptim ka ëndrra që ke parë? A do të duhet që pikërisht unë, nëna jote dhe vëllezërit e tu të vijnë e të përkulemi deri në tokë para teje?".

11 Dhe vëllezërit e tij e kishin zili, por i ati e mbante përbrenda këtë gjë.

12 Ndërkaq vëllezërit e Jozefit kishin vajtur për të kullotur kopenë e atit të tyre në Sikem.

13 Dhe Izraeli i tha Jozefit: "Vëllezërit e tu a nuk janë ndofta duke kullotur kopenë në Sikem? Eja, do të dërgoj tek ata". Ai u përgjegj: "Ja ku jam".

14 Izraeli i tha: "Shko të shikosh në se vëllezërit e tu janë mirë dhe në se kopeja shkon mirë, dhe kthehu të më japësh përgjigje". Kështu e nisi në luginën e Hebronit dhe ai arriti në Sikem.

15 Ndërsa ai endej në fushë, një burrë e gjeti dhe e pyeti: "Çfarë kërkon?".

16 Ai u përgjegj: "Jam duke kërkuar vëllezërit e mi; të lutem më trego se ku ndodhen duke kullotur bagëtinë".

17 Ai burrë i tha: "Ata kanë ikur së këtejmi, sepse i dëgjova që thonin: Të shkojmë në Dothann"". Atëherë Jozefi shkoi të kërkojë vëllezërit e tij dhe i gjeti në Dothan.

18 Ata e panë së largu, dhe para se t’u afrohej, komplotuan kundër tij për ta vrarë.

19 Dhe i thanë njëri tjetrit: "Ja ku po vjen ëndërruesi!

20 Ejani, pra, ta vrasim dhe ta hedhim në një pus; do të themi pastaj që një kafshë e egër e hëngri; kështu do të shohim se ç’përfundim do të kenë ëndërrat e tij".

21 Rubeni i dëgjoi këto dhe vendosi ta shpëtojë nga duart e tyre, dhe tha: Nuk do ta vrasimm".

22 Pastaj Rubeni shtoi: "Mos derdhni gjak, por hidheni në këtë pus të shkretëtirës dhe mos e goditni me dorën tuaj". Thoshte kështu për ta shpëtuar nga duart e tyre dhe për t’ia shpënë të atit.

23 Kur Jozefi arriti pranë vëllezërve të tij, këta e zhveshën nga veshja e tij, nga rrobja e gjatë që i arrinte deri te këmbët;

24 pastaj e kapën dhe e hodhën në pus. Por pusi ishte bosh, nuk kishte ujë brenda.

25 Pastaj u ulën për të ngrënë; por, duke ngritur sytë, ata panë një karvan Ismaelitësh që vinte nga Galaadi me devetë e tyre të ngarkuara me erëza, balsame dhe mirrë, dhe udhëtonte për t’i çuar në Egjipt.

26 Atëherë Juda u tha vëllezërve të tij: "Ç’dobi do të kemi po të vrasim vëllanë tonë dhe të fshehim gjakun e tij?

27 Ejani, t’ia shesim Ismaelitëve dhe të mos e godasë dora jonë, sepse është vëllai ynë, mishi ynë". Dhe vëllezërit e tij e dëgjuan.

28 Ndërsa po kalonin ata tregtarë Madianitë, ata e ngritën dhe e nxorën Jozefin jashtë pusit dhe ia shitën Ismaelitëve për njëzet monedha argjendi. Dhe këta e shpunë Jozefin në Egjipt.

29 Rubeni u kthye te pusi, por Jozefi nuk ishte më në pus. Atëherë ai i çorri rrobat e tij.

30 Pastaj u kthye te vëllezërit e tij dhe tha: "Djali nuk është më; po unë, ku do të shkoj unë?".

31 Kështu ata muarën rrobën e gjatë të Jozefit, therën një cjap dhe e futën rrobën në gjak.

32 Pastaj e çuan rrobën te babai dhe i thanë: "Kemi gjetur këtë; shiko pak nëse është rrobja e birit tënd".

33 Dhe ai e njohu dhe tha: "Éshtë rrobja e tim biri, e ka ngrënë ndonjë kafshë e egër; me siguri Jozefin e kanë bërë copë e çikë".

34 Atëherë Jakobi i shqeu rrobat e tij, veshi një grathore dhe mbajti zi për birin e tij shumë ditë.

35 Dhe të gjithë bijtë dhe të gjitha bijat e tij erdhën për ta ngushëlluar, por ai nuk pranoi të ngushëllohet dhe tha: "Unë do të zbres në Sheol pranë birit tim për të mbajtur zi". Kështu e qau i ati.

36 Ndërkaq Madianitët e shitën Jozefin në Egjipt dhe ia shitën Potifarit, oficer i Faraonit dhe kapiten i rojeve.

38 Por në atë kohë ndodhi që Juda la vëllezërit e tij dhe shkoi të rrijë me një burrë nga Adullami, që quhej Hirah.

Kur Juda pa vajzën e një burri Kananean të quajtur Shua e mori për grua dhe u bashkua me të.

Dhe ajo u ngjiz dhe lindi një bir, që ajo e quajti Er.

Pastaj ajo u ngjiz dhe lindi një bir, që ai e quajti Onan.

Ajo u ngjiz përsëri dhe lindi një bir, të cilit i vuri emrin Shelah. Juda ishte në Kecib kur ajo lindi.

Pastaj Juda i dha Erit të parëlindurit të tij, një grua të quajtur Tamara.

Por Eri, i parëlinduri i Judës, ishte i keq në sytë e Zotit dhe Zoti e bëri të vdesë.

Atëherë Juda i tha Onanit: "Shko te gruaja e vëllait tënd, martohu me të dhe krijoi trashëgimtarë vëllait tënd".

Por Onani, duke ditur se këta pasardhës nuk kishin për të qënë të vetët, kur bashkohej me gruan e të vëllait, e hidhte farën e tij përtokë për të mos i dhënë pasardhës vëllait të tij.

10 Kjo nuk i pëlqeu Zotit, që e bëri të vdesë edhe atë.

11 Atëherë Juda i tha Tamarës, nuses së birit të tij: "Rri si e ve në shtëpinë e atit tënd, deri sa biri im Shelah të rritet". Sepse mendonte: Kam frikë se edhe ai ka për të vdekur si vëllezërit e tijj". Kështu Tamara u nis dhe banoi në shtëpinë e të atit.

12 Mbas një kohe të gjatë vdiq gruaja e Judës, që ishte e bija e Shuas; kur mbaroi zinë, Juda u ngjit tek ata që qethnin delet e tij në Timnah bashkë me mikun e tij Hirah, i quajtur Adullamiti.

13 Këtë e mori vesh Tamara dhe asaj i thanë: "Ja, vjehrri yt po ngjitet në Timnah për të qethur delet e tij".

14 Atëherë ajo hoqi rrobat e saj të vejërisë, u mbulua me një velo dhe u mbështoll e tëra; pastaj u ul te porta e Enaimit, që ndodhet në rrugën drejt Timnahut; në fakt ajo kishte parë që Shelahu ishte rritur më në fund, por ajo nuk i ishte dhënë për grua.

15 Sa e pa Juda mendoi që ajo ishte prostitutë, sepse e kishte fytyrën të mbuluar.

16 Prandaj ai iu afrua asaj në rrugë dhe i tha: "Lërmë të hyj te ti". Në të vërtetë nuk e dinte se ajo ishte nusja e djalit të tij. Ajo iu përgjegj: Çfarë do të më japësh për të hyrë tek unë??"

17 Atëherë ai i tha: "Do të të dërgoj një kec nga kopeja ime". Ajo e pyeti: "A më jep një peng deri sa të ma dërgosh?".

18 Ai i tha: "Çfarë pengu duhet të të jap?". Ajo u përgjegj: "Vulën tënde, kordonin tënd dhe bastunin që ke në dorë". Ai ia dha, hyri te ajo dhe ajo u ngjiz me të.

19 Pastaj ajo u ngrit dhe iku; hoqi velin dhe veshi përsëri rrobat e saj të vejërisë.

20 Por Juda i dërgoi kecin me anë të mikut të tij, Adulamitit, për të rimarë pengun nga duart e asaj gruaje; po ai nuk e gjeti atë.

21 Atëherë pyeti njerëzit vendas duke thënë: "Ku është ajo prostitutë që rrinte në Enaim, në rrugë?". Ata u përgjigjën: "Nuk ka pasur asnjë prostitutë këtu".

22 Kështu ai u kthye te Juda dhe i tha: "Nuk e gjeta; veç kësaj vendasit më thanë: "Nuk ka pasur asnjë prostitutë këtu"".

23 Atëherë Juda tha: "Le ta mbajë, pra, pengun që i dhashë, sepse nuk duam të mbulohemi me turp. Ja, unë i dërgova këtë kec dhe ti nuk e gjete".

24 Tre muaj më vonë erdhën dhe i thanë Judës: "Tamara, nusja e birit tënd, është bërë prostitutë; dhe, nga ky shkak, ajo ka mbetur gjithashtu me barrë". Atëherë Juda u tha: "Nxirreni jashtë dhe digjeni!".

25 Ndërsa po e nxirrnin jashtë, ajo i çoi fjalë të vjehrrit: "Njeriu të cilit i përkasin këto sende, më la me barrë". Pastaj tha: "Shiko në se mund të dallosh të kujt janë këto sende: vula, kordoni dhe bastuni".

26 Juda i njohu dhe i tha: "Ajo është më e drejtë se unë, se unë nuk ia dhashë Shelahut, birit tim". Dhe ai nuk pati më marrëdhënie me të.

27 Kur edhi koha e lindjes, ajo kishte në bark dy binjakë.

28 Ndërsa po lindte, njeri prej tyre nxori jashtë një dorë dhe mamia e kapi dhe i lidhi një fije të kuqe flakë, duke thënë: "Ky doli i pari".

29 Por ai e tërhoqi dorën e tij, dhe ja që doli jashtë vëllai i tij. Atëherë mamia tha: "Si ia çave rrugën vetes?". Për këtë arësye u quajt Perets.

30 Pastaj doli vëllai i tij, që kishte rreth dorës fijen ngjyrë të kuqe flakë; dhe u quajt Zerah.

21 Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati të birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t’i vrasin.

22 Dhe të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim; por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë.

23 Por kur do t’ju përndjekin në një qytet, ikni në një tjetër, sepse në të vërtetë ju them se nuk do të përfundoni së përshkuari qytetet e Izraelit, para se të vijë Biri i njeriut.

24 Dishepulli nuk del mbi mësuesin, as shërbëtori mbi zotin e tij.

25 I mjafton dishepullit të bëhet si mësuesi i tij dhe shërbëtorit të bëhet si zotëria e tij. Në se të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebub, aq më tepër do t’i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij!

26 Mos ia kini frikën pra, sepse nuk ka gjë të fshehtë që të mos zbulohet dhe asnjë sekret që nuk do të nijhet.

27 Atë që unë ju them në terr, e thoni në dritë; dhe atë që dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni mbi çatitë.

28 Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; kini frikë më tepër nga ai që mund t’ua humbë shpirtin dhe trupin në Gehena.

29 A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie për tokë pa dashjen e Atit tuaj.

30 Sa për ju, madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara.

31 Mos kini frikë, pra; ju vleni më tepër se shumë harabela.

32 Prandaj kushdo që do të më rrëfenjë përpara njerëzve, dhe unë do ta rrëfejë përpara Atit tim që është në qiej.

33 Por kushdo që do të më mohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta mohoj përpara Atit tim që është në qiej.”

34 “Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën.

35 Sepse unë erdha ta ndaj birin nga ati, bijën nga nëna, nusen nga vjehrra,

36 dhe armiqt e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet.

37 Ai që e do të atin ose nënën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua; dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua.

38 Dhe ai që nuk e merr kryqin e vet dhe nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua.

39 Kush do të gjejë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë përsëri.

40 Ai që ju pranon, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar.

41 Ai që pranon një profet në emër të një profeti, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; dhe ai që pranon të drejtin në emër të të drejtit, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit.

42 Dhe kushdo që i jep për të pirë qoftë edhe vetëm një gotë uji të freskët ndonjërit prej këtyre të vegjëlve në emër të një dishepulli, në të vërtetë ju them, që ai nuk do të humbë aspak shpërblimin e tij.”

Read full chapter