Add parallel Print Page Options

33 Jakobi ngriti sytë, vështroi dhe pa që po vinte Esau, që kishte me vete katërqind burra. Atëherë i ndau bijtë e tij midis Leas, Rakelës dhe dy shërbyeseve të tij.

Në krye vuri shërbyeset dhe bijtë e tyre, pastaj Lean dhe bijtë e saj dhe së fundi Rakelën dhe Jozefin.

Ai vetë kaloi para tyre dhe u përkul deri në tokë shtatë herë deri sa arriti pranë vëllait të vet.

Atëherë Esau vrapoi drejt tij, e përqafoi, iu hodh në qafë dhe e puthi; dhe që të dy qanë.

Pastaj Esau ngriti sytë, pa gratë e fëmijët dhe tha: "Kush janë këta me ty?". Jakobi iu përgjigj: "Janë bijtë që Perëndia pati mirësinë t’i japë shërbyesit tënd".

Atëherë u afruan shërbyeset, ato dhe bijtë e tyre, dhe u përkulën.

U afruan edhe Lea dhe bijtë e saj, dhe u përkulën. Pastaj u afruan Jozefi dhe Rakela, dhe u përkulën edhe ata.

Esau tha: "Çfarë ke ndërmend të bësh me tërë atë grup që takova?". Jakobi u përgjigj: "Éshtë për të gjetur hir në sytë e zotërisë tim".

Atëherë Esau tha: "Kam mjaft për vete, o vëllai im; mbaj për vete atë që është jotja".

10 Por Jakobi tha: "Jo, të lutem; në qoftë se kam gjetur hir në sytë e tu, prano dhuratën time nga dora ime, sepse kur pashë fytyrën tënde, për mua ishte njëlloj sikur të shikoja fytyrën e Perëndisë, dhe ti më ke pritur mirë.

11 Pranoje, pra, dhuratën që të është sjellë, sepse Perëndia është treguar shumë i mirë me mua dhe unë kam gjithçka". Dhe nguli këmbë aq shumë, sa që Esau pranoi.

12 Pastaj Esau tha: "Le të nisemi, të fillojmë të ecim dhe unë do të shkoj para teje".

13 Por Jakobi u përgjigj: "Zotëria im e di që fëmijët janë në moshë të vogël dhe që kam me vete dele dhe lopë qumështore; po t’i mbajmë keq qoftë edhe një ditë të vetme, tërë kafshët kanë për të vdekur.

14 Le të kalojë zotëria im para shërbëtorit të tij, dhe unë do ta ndjek ngadalë me hapin e kafshëve që më paraprijnë dhe me hapin e fëmijëve, deri sa të arrijë te zotëria im në Seir".

15 Atëherë Esau tha: "Më lejo të paktën të lë me ty disa nga njerëzit që janë me mua". Por Jakobi u përgjigj: "Pse ta bëjmë këtë? Mjafton që unë të gjej hir në sytë e zotërisë tim".

16 Kështu po atë ditë Esau u rikthye në rrugën e tij drejt Seirit.

17 Jakobi u nis në drejtim të Sukothit, ndërtoi atje një shtëpi për vete dhe kasolle për bagëtinë; prandaj ai vend u quajt Sukoth.

18 Pastaj Jakobi, duke u kthyer nga Padan-Arami, arriti shëndoshë e mirë në qytetin e Sikemit, në vendin e Kanaanit, ku ngriti çadrat e tij përballë qytetit.

19 Dhe bleu nga bijtë e Hamorit, at i Sikemit, për njëqind copë paresh, pjesën e fushës ku kishte ngritur çadrat e tij përballë qytetit.

20 Pastaj aty ngriti një altar dhe e quajti El-Elohej-Izrael.

34 Por Dina, vajza që Lea i kishte lindur Jakobit, doli për të parë bijat e vendit.

Dhe Sikemi, biri i Hamorit Hiveut, princi i vendit, sa e pa e rrëmbeu, ra në shtrat me të dhe e dhunoi.

Dhe shpirti i tij u lidh me Dinën, të bijën e Jakobit; ai e dashuroi vajzën dhe i foli zemrës së saj.

Pastaj i tha të atit Hamor: "Ma jep këtë vajzë për grua".

Por Jakobi dëgjoi që ai e kishte çnderuar bijën e tij Dina; por bijtë e tij ishin nëpër fushat me bagëtinë e tij, dhe Jakobi heshti deri sa u kthyen.

Atëherë Hamori, ati i Sikemit, shkoi tek Jakobi për t’i folur.

Sapo dëgjuan për atë që kishte ndodhur, bijtë e Jakobit u kthyen nga fushat; ata ishin të hidhëruar dhe shumë të zemëruar, sepse ai kishte kryer një veprim të turpshëm në Izrael, duke rënë në shtrat me të bijën e Jakobit, gjë që nuk duhej bërë.

Por Hamori u foli atyre duke thënë: "Shpirti i tim biri Sikem është lidhur me bijën tuaj, prandaj jepjani për grua;

të bëjmë krushqi bashkë: na jepni bijat tuaja dhe merrni bijat tona.

10 Kështu ju do të banoni me ne dhe vendi do të jetë në dispozicionin tuaj; banoni në të, bëni tregëti dhe blini prona".

11 Pastaj Sikemi u tha të atit dhe të vëllezërve të Dinës: "Bëni që unë të gjej hir në sytë tuaj dhe do t’ju jap çfarëdo gjë që do të më kërkoni.

12 Më caktoni madje një pajë të madhe dhe një dhuratë, dhe unë do t’ju jap sa të kërkoni, por ma jepni vajzën për grua".

13 Atëherë bijtë e Jakobit iu përgjegjën Sikemit dhe Hamorit, të atit, dhe u folën atyre me dredhi, sepse Sikemi kishte çnderuar motrën e tyre Dina,

14 dhe u thanë atyre: "Nuk mund ta bëjmë këtë gjë, domethënë ta japim motrën tonë një njeriu të parrethprerë, sepse kjo do të ishte një turp për ne.

15 Vetëm me këtë kusht do ta pranojmë kërkesën tuaj, domethënë po të jetë se bëheni si ne, duke rrethprerë çdo mashkull nga ju.

16 Atëherë ne do t’ju japim bijat tona dhe do të marrim bijat tuaja, do të banojmë bashkë me ju dhe do të bëhemi një popull i vetëm.

17 Por në qoftë se nuk doni të na dëgjoni dhe nuk dëshironi të rrethpriteni, ne do të marrim bijën tonë dhe do të ikim".

18 Fjalët e tyre i pëlqyen Hamorit dhe Sikemit, birit të Hamorit.

19 Dhe i riu nuk vonoi ta kryejë atë gjë, sepse e donte të bijën e Jakobit dhe ishte njeriu më i nderuar në tërë shtëpinë e të atit.

20 Hamori dhe Sikemi, bir i tij, erdhën në portat e qytetit të tyre dhe u folën njerëzve të qytetit të tyre, duke thënë:

21 "Këta njerëz dëshirojnë të jetojnë në paqe me ne; le të rrinë në vendin tonë dhe të merren me tregti, sepse vendi është mjaft i madh edhe për ata. Ne do të marrim bijat e tyre për gra dhe do t’ju japim bijat tona.

22 Por këta njerëz do të pranojnë të banojnë me ne për të formuar një popull të vetëm, me të vetmin kusht që çdo mashkull te ne të rrethpritet, ashtu si rrethpriten ata.

23 Bagëtia e tyre, pasuria e tyre dhe kafshët e tyre a nuk do të bëhen ndofta një ditë tonat? Le të pranojmë kërkesën e tyre dhe ata do të banojnë bashkë me ne".

24 Dhe të gjithë ata që dilnin nga portat e qytetit dëgjuan fjalët e Hamorit dhe të birit të tij Sikem; dhe çdo mashkull u rrethpre, tërë ata dilnin nga porta e qytetit.

25 Por ndodhi që ditën e tretë, ndërsa ata vuanin, dy nga bijtë e Jakobit, Simeoni dhe Levi, vëllezër të Dinës, morën secili shpatën e vet, u vërsulën mbi qytetin që rrinte në siguri dhe vranë tërë meshkujt.

26 Vranë me shpatë edhe Hamorin dhe birin e tij Sikem, pastaj muarrën Dinën nga shtëpia e Sikemit dhe ikën.

27 Bijtë e Jakobit u vërsulën mbi të vrarët dhe plaçkitën qytetin; sepse motrën e tyre e kishin çnderuar.

28 Kështu ata morën kopetë me bagëti të imët dhe të trashë, gomarët e tyre, gjithçka që ishte në qytet dhe gjithçka që ishte nëpër fushat,

29 dhe morën me vete si plaçkë tërë pasuritë e tyre, tërë fëmijët e tyre të vegjël, gratë e tyre dhe gjithçka ndodhej në shtëpitë.

30 Atëherë Jakobi i tha Simeonit dhe Levit: "Ju më keni futur në telashe duke më bërë të urryer nga banorët e vendit, Kanaanët dhe Perezejtë. Me qenë se ne jemi pakicë, ata do të grumbullohen kundër meje dhe do të më sulmojnë, dhe unë ashtu si shtëpia ime do të shfarosemi".

31 Por ata u përgjigjën: "A duhet ta trajtonte ai motrën tonë si një prostitutë?".

35 Perëndia i tha Jakobit: "Çohu, ngjitu në Bethel dhe vendosu aty; dhe bëj aty një altar Perëndisë që t’u shfaq, kur ikje para vëllait tënd Esau".

Atëherë Jakobi i tha familjes së tij dhe gjithë atyre që ishin me të: Hiqni nga rrethi juaj perënditë e huaja, pastrohuni dhe ndërroni rrobatt tuaja;

pastaj të ngrihemi dhe të shkojmë në Bethel, dhe unë do t’i bëj një altar Perëndisë që plotësoi dëshirën time ditën e fatkeqësisë sime dhe që më shoqëroi në udhëtimin që kam bërë".

Atëherë ata i dhanë Jakobit tërë perënditë e huaja që kishin dhe varëset që mbanin në veshë; dhe Jakobi i fshehu nën lisin që ndodhet pranë Sikemit.

Pastaj ata u nisën dhe tmerri i Perëndisë ra mbi të gjitha qytetet rreth tyre, kështu që nuk i ndoqën bijtë e Jakobit.

Kështu Jakobi arriti në Luc, domethënë në Bethel, që ndodhet në vendin e Kanaanit; erdhi aty me të gjithë njerëzit që ishin me të.

Dhe aty ndërtoi një altar dhe këtë vend e quajti El-Bethel, sepse aty i qe çfaqur Perëndia kur po ikte para vëllait të tij.

Atëherë vdiq Debora, taja e Rebekës, dhe e varrosën poshtë Bethelit, në këmbët e lisit që u quajt Alon-Bakuth.

Perëndia iu shfaq përsëri Jakobit, kur ky po vinte nga Padam-Arami dhe e bekoi.

10 Dhe Perëndia i tha: "Emri yt është Jakob; ti nuk do të quhesh më Jakob, por emri yt do të jetë Izrael". Dhe i vuri emrin Izrael.

11 Pastaj Perëndia i tha: "Unë jam Perëndia i Plotfuqishëm; ti bëhu i frytshëm dhe shumëzo; një komb, madje një tërësi kombesh do të rrjedhin prej teje, dhe disa mbretër kanë për të dalë nga ijët e tua;

12 dhe do të të jap ty dhe pasardhësve të tu pas teje vendin që i dhashë Abrahamit dhe Isakut".

13 Pastaj Perëndia u ngjit më lart nga ai, nga vendi ku i kishte folur.

14 Atëherë Jakobi ndërtoi një përmendore, një përmendore prej guri, në vendin ku Perëndia i kishte folur; mbi të hodhi pak verë dhe derdhi ca vaj sipër.

15 Dhe Jakobi e quajti Bethel vendin ku Perëndia i kishte folur.

16 Pastaj u nisën nga Betheli; kishte edhe një copë rrugë për të arritur në Efratë, kur Rakela lindi. Ajo pati një lindje të vështirë;

17 dhe gjatë lindjes së vështirë mamia i tha: "Mos ki frikë, sepse edhe këtë herë ke një djalë".

18 Dhe ndërsa shpirti po e linte (sepse vdiq), i vuri emrin Ben-Oni, por i ati e quajti Beniamin.

19 Kështu Rakela vdiq dhe u varros në rrugën e Efratës (domethënë të Betlemit).

20 Dhe Jakobi ngriti mbi varrin e saj një përmendore. Dhe kjo përmendore ekziston ende sot e kësaj dite mbi varrin e Rakelës.

21 Pastaj Izraeli u nis dhe ngriti çadrën përtej Migdal-Ederit.

22 Dhe ndodhi që, ndërsa Izraeli banonte në atë vend, Rubeni shkoi e ra në shtrat me Bilbah, konkubinën e atit të tij. Dhe Izraeli e mori vesh.

23 Bijtë e Jakobit ishin dymbëdhjetë. Bijtë e Leas ishin: Rubeni, i parëlinduri i Jakobit, Simeoni, Levi, Juda, Isakari dhe Zabuloni.

24 Bijtë e Rakelës ishin: Jozefi dhe Beniamini.

25 Bijtë e Bilhahut, shërbëtorja e Rakelës, ishin: Dani dhe Neftali.

26 Bijtë e Zilpahës, shërbëtorja e Leas, ishin: Gadi dhe Asheri. Këta janë bijtë e Jakobit që i lindën në Padan-Aram.

27 Pastaj Jakobi erdhi tek Isaku, i ati, në Marme, në Kirjath-Arba (domethënë në Hebron), ku Abrahami dhe Isaku kishin qëndruar ca kohë.

28 Isaku jetoi njëqind e tetëdhjetë vjet.

29 Kështu Isaku dha shpirt, vdiq dhe u bashkua me popullin e tij, ishte i plakur dhe i ngopur me ditë; dhe Esau dhe Jakobi, bijtë e tij, e varrosën.

10 Pastaj Jezusi i thirri të dymbëdhjetë dishepujt e tij rreth vetes dhe u dha autoritet t’i dëbojnë frymërat e ndyra, dhe të shërojnë çdo sëmundje e çdo lëngatë.

Dhe emrat e dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, i quajtur Pjetër dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, vëllai i tij;

Filipi dhe Bartolomeu; Thomai dhe Mateu tagrambledhësi, Jakobi i Alfeut dhe Lebeu, i mbiquajtur Tade;

Simon Kananeasi dhe Judë Iskarioti, ai që më pas e tradhtoi.

Këta janë të dymbëdhjetët që Jezusi i dërgoi mbasi u dha këto urdhëra: “Mos shkoni ndër paganë dhe mos hyni në asnjë qytet të Samaritanëve,

por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.

Shkoni dhe predikoni duke thënë: "Mbretëria e qiejve u afrua".

Shëroni të sëmurët, pastroni lebrozët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët; falas morët, falas jepni.

Mos grumbulloni ar, as argjend as bakër në qesen tuaj,

10 as trasta për udhë, as dy palë tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori është i denjë për ushqimin e vet.

11 Në çfarëdo qytet ose fshat që të hyni, pyetni në se ka aty ndonjë njeri të denjë dhe banoni tek ai deri sa të niseni.

12 Dhe kur hyni në shtëpi, e përshëndetni.

13 Dhe në se ajo shtëpi është e denjë, le të vijë paqja juaj mbi të; por, në se nuk është e denjë, paqja juaj le të kthehet përsëri tek ju.

14 Dhe në se dikush nuk ju pret dhe nuk i dëgjon fjalët tuaja, duke dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja.

15 Dhe në të vërtetë po ju them se ditën e gjyqit, vendi i Sodomës dhe i Gomorës do të trajtohet me më shumë tolerancë se ai qytet.

16 Ja, unë po ju dërgoj si dele në mes të ujqërve; jini, pra, të mënçur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat.

17 Por ruhuni nga njerëzit, sepse do t’ju zvarrisin përpara sinedrave të tyre dhe do t’ju fshikullojnë në sinagogat e tyre.

18 Dhe do t’ju çojnë përpara guvernatorëve dhe përpara mbretërve për shkakun tim, për të dëshmuar para tyre dhe para johebrenjve.

19 Dhe, kur t’ju dorëzojnë në duart e tyre, mos u shqetësoni se çfarë dhe si do të flisni; sepse në atë çast do t’ju jepet se çfarë duhet të thoni;

20 sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Fryma e Atit tuaj që do të flasë në ju.

Read full chapter