Add parallel Print Page Options

Atëherë mbreti Dar urdhëroi që të bëheshin kërkime në shtëpinë e arkivave ku ruheshin thesaret në Babiloni;

dhe në Ahmetha, në kështjellën që është në provincën e Medisë, u gjet një rrotull, dhe në të një dokument të shkruar kështu:

"Në vitin e parë të mbretit Kir, mbreti Kir u shpall një urdhëresë lidhur me shtëpinë e Perëndisë në Jeruzalem: "Të rindërtohet tempulli, vendi ku ofrohen flijime. Të hidhen mirë themelet e tij. Të ketë një lartësi prej gjashtëdhjetë kubitësh dhe një gjerësi prej gjashtëdhjetë kubitësh,

me tri radhë gurësh të mëdhenj dhe një radhë lëndë të re druri; dhe shpenzimet të paguhen nga pallati mbretëror.

Përveç kësaj, veglat prej ari dhe prej argjendi të shtëpisë së Perëndisë, që Nebukadnetsari ka hequr nga tempulli që është në Jeruzalem dhe i ka çuar në Babiloni, të rikthehen dhe të çohen në tempullin që është në Jeruzalem; dhe secila të vihet në vendin e vet në shtëpinë e Perëndisë".

Tani, pra, Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët tuaj, Afarsekitët, që ndodhen matanë Lumit, rrini larg këtij vendi!

Lini që të vazhdojë puna për këtë shtëpi të Perëndisë; qeveritari i Judejve dhe pleqtë e Judejve ta rindërtojnë këtë shtëpi të Perëndisë në vendin e saj.

Përveç kësaj po lëshoj një urdhër për atë që duhet të bëni për pleqtë e Judejve në rindërtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë; këtyre njerëzve t’u paguhen tërë shpenzimet nga të ardhurat e mbretit që vijnë nga taksat e mbledhura matanë Lumit, me qëllim që punimet të mos ndërpriten.

Gjërat e nevojshme për olokaustet e Perëndisë së qiellit: demat, deshtë, qengjat, bashkë me grurin, kripën, verën, vajin, duhet të dorëzohen çdo ditë, pa mosplotësuar kurrë kërkesat e priftërinjve që janë në Jeruzalem,

10 me qëllim që t’i ofrojnë flijime me erë të këndshme Perëndisë së qiellit dhe të luten për jetën e mbretit dhe të bijve të tij.

11 Kam dhënë gjithashtu urdhër që në qoftë se dikush e shtrëmbëron këtë dekret, t’i hiqet një tra shtëpisë së tij, të ngrihet dhe ai të varet tek ai; dhe shtëpia e tij të katandiset në një plehërishte për shkak të veprimit të tij.

12 Perëndia që e ka bërë emrin e tij të banojë atje shkatërroftë çdo mbret dhe çdo popull që guxon të shtrijë dorën e tij për ta ndryshuar këtë ose për të shkatërruar shtëpinë e Perëndisë që është në Jeruzalem! Unë, Darius, e kam nxjerrë këtë dekret; të zbatohet me përpikmëri".

13 Atëherë Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët e tyre vepruan pikërisht ashtu siç i kishte porositur mbreti Dar.

14 Kështu pleqtë e Judejve vazhduan të ndërtojnë dhe të bëjnë përparime, të nxitur nga fjalët e frymëzuara të profetit Axhe dhe të Zakarias, birit të Idos. Ata e mbaruan ndërtimin sipas urdhërit të Perëndisë të Izraelit dhe sipas rregullit të Kirit, të Darit dhe të Artasersit, mbretit të Persisë.

15 Tempulli u përfundua ditën e tretë të muajit të Adarit, që ishte viti i gjashtë i mbretërimit të Darit.

16 Atëherë bijtë e Izraelit, priftërinjtë, Levitët dhe të kthyerit e tjerë nga robëria e kremtuan me gëzim kushtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë.

17 Për kushtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë ata ofruan njëqind dema, dyqind desh, katërqind qengja dhe dymbëdhjetë cjep, sipas numrit të fiseve të Izraelit, si flijime për mëkatin për gjithë Izraelin.

18 Pastaj vendosën priftërinjtë sipas klasave të tyre dhe Levitët sipas ndarjeve të tyre, për shërbimin e Perëndisë në Jeruzalem, ashtu siç është shkruar në librin e Moisiut.

19 Të kthyerit nga robëria e kremtuan Pashkën ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë,

20 sepse priftërinjtë dhe Levitët ishin pastruar bashkarisht; të gjithë ishin të pastër. Atëherë e flijuan Pashkën për të gjithë të kthyerit nga robëria, për vëllezërit e tyre priftërinj dhe për veten e tyre.

21 Kështu bijtë e Izraelit që ishin kthyer nga robëria e hëngrën Pashkën bashkë me tërë ata që ishin ndarë nga papastërtia e popujve të vendit dhe që ishin bashkuar me ta për të kërkuar Zotin, Perëndinë e Izraelit.

22 Dhe kremtuan me gëzim shtatë ditë me radhë festën e të Ndormëve, sepse Zoti i kishte mbushur me gëzim, duke përkulur në favor të tyre zemrën e mbretit të Asirisë, kështu që t’i bënte më të fuqishme duart e tyre për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë, Perëndisë të Izraelit.

Mbas këtyre gjërave, nën mbretërimin e Artasersit, mbretit të Persisë, Ezdra, bir i Serajahut, bir i Azarias, bir i Hilkiahut,

bir i Shalumit, biri i Tsadokut, bir i Ahitubit,

bir i Amariahut, bir i Azarias, bir i Merajothit,

bir i Zerajahut, bir i Uzit, bir i Bukit,

bir i Abishuas, bir i Finehasit, bir i Eleazarit, bir i Aaronit, kryeprift;

ky Ezdra vinte nga Babilonia. Ishte një shkrues kompetent në ligjin e Moisiut të dhënë nga Zoti, Perëndia i Izraelit. Mbreti i dha të gjitha ato që ai kërkoi, sepse dora e Zotit, Perëndisë të tij, ishte mbi të.

Në vitin e shtatë të mbretit Artasersit, ngjitën gjithashtu në Jeruzalem disa nga bijtë e Izraelit dhe të priftërinjve, Levitë, këngëtarë, derëtarë dhe Nethinej.

Ezdra arriti në Jeruzalem në muajin e pestë, që ishte viti i shtatë i mbretit.

Ai e filloi udhëtimin e tij nga Babilonia ditën e parë të muajit të parë dhe arriti në Jeruzalem ditën e parë të muajit të pestë, sepse dora mirëbërëse e Perëndisë të tij ishte mbi të.

10 Në të vërtetë Ezdra i ishte kushtur me gjithë zemër të studjonte ligjin e Zotit, ta zbatonte në praktikë dhe të mësonte në Izrael statutet dhe dekretet.

11 Ja kopja e letrës që mbreti Artasers i dorëzoi priftit Ezdra, shkruesit, një shkrues kompetent në urdhërimet e Zotit dhe në statutet e tij e dhëna Izraelit.

12 "Artasersi, mbret i mbretërve, priftit Ezdra, shkruesit kompetent në ligjin e Perëndisë të qiellit. Përshëndetje, e të tjera.

13 Unë kam nxjerrë një dekret sipas të cilit kushdo nga populli i Izraelit dhe nga priftërinjtë e tij dhe nga Levitët e mbretërisë sime që ka vendosur lirisht të shkojë në Jeruzalem, mund të vijë me ty.

14 Në të vërtetë ti je dërguar nga ana e mbretit dhe nga shtatë këshilltarët e tij për të bërë hulumtime në Judë dhe në Jeruzalem mbi ligjin e Perëndisë tënd, që është në duart e tua,

15 dhe për t’i çuar argjendin dhe arin që mbreti dhe këshilltarët e tij ia kanë ofruar spontanisht Perëndisë të Izraelit, banesa e të cilit është në Jeruzalem,

16 dhe tërë argjendin dhe arin që mund të gjesh në tërë krahinën e Babilonisë, së bashku me ofertën vullnetare, që bëhen në mënyrë spontane nga populli dhe nga priftërinjtë për shtëpinë e Perëndisë të tyre në Jeruzalem.

17 Prandaj me këto para ti do të kujdesesh të blesh dema, desh dhe qengja me ofertat e tyre të ushqimit dhe të libacioneve, dhe do t’i ofrosh mbi altarin e shtëpisë së Perëndisë tuaj që është në Jeruzalem.

18 Sa për pjesën tjetër të argjendit dhe të arit, do të bëni atë që të duket e mirë ty dhe vëllezërve të tu, sipas vullnetit të Perëndisë tuaj.

19 Edhe veglat që të janë dhënë për shërbimin e shtëpisë së Perëndisë tënd, vendosi përsëri përpara Perëndisë të Jeruzalemit.

20 Për çfarëdo lloj nevoje tjetër të shtëpisë së Perëndisë tënd që të takon ty ta plotësosh, do ta plotësosh me shpenzimet e thesarit mbretëror.

21 Unë, mbreti Artasers, urdhëroj të gjithë arkëtarët e krahinës matanë Lumit: gjithçka që do të kërkojë prifti Ezdra, shkruesi i ligjit të Perëndisë të qiellit, t’i plotësohen menjëherë,

22 deri në njëqind talenta argjendi, njëqind kore gruri, njëqind bate vere dhe njëqind bate vaji dhe kripë në sasi të pakufizuar.

23 Tërë ato që janë urdhëruar nga Perëndia i qiellit të zbatohen me zell për shtëpinë e Perëndisë të qiellit. Pse zemërimi duhet të bjerë mbi mbretërinë e mbretit dhe të bijve të tij?

24 Përveç kësaj ju njoftojmë se nuk është e lejueshme të merren haraçe, tatime ose taksa kalimi nga asnjë prej priftërinjve, Levitëve, këngëtarëve, derëtarëve, Nethinejve dhe shërbëtorëve të kësaj shtëpie të Perëndisë.

25 Dhe ti, o Ezdra, sipas diturisë së Perëndisë tënd që ti zotëron, cakto zyrtarë dhe gjyqtarë që t’i sigurojnë drejtësinë tërë popullit që ndodhet në krahinën matanë Lumit, gjithë atyre që njohin ligjet e Perëndisë tënd; dhe ua mëso atyre që nuk i njohin.

26 Dhe ai që nuk respekton ligjin e Perëndisë tënd dhe ligjin e mbretit t’i jepet menjëherë gjyqit, ose me vdekje, ose me dëbim ose me konfiskimin e pasurisë ose me burgim".

27 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i etërve tanë, që i ka shtënë një gjë të tillë zemrës së mbretit, që të zbukurojë shtëpinë e Zotit që është në Jeruzalem,

28 dhe më bëri të gëzoj favoret te mbreti, këshilltarët e tij dhe të tërë princat e fuqishëm mbretërorë. Kështu e ndjeva veten të trimëruar, sepse dora e Zotit, Perëndisë tim, ishte mbi mua, dhe mblodha krerët e Izraelit që të niseshin me mua.